Florenc Drizari
Berisha: Rama është bosh nga ekonomia, është piktor
“Kokëdhima, armik i betuar i investimeve të huaja”
Modeli i taksimit në vend vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë debati mes mazhorancës dhe opozitës edhe në këtë prag fushate elektorale. Qeverisja e djathtë aplikon prej dy mandatesh taksimin e sheshtë, ndryshe nga propozimet që vijnë nga kampi i majtë, ku pretendohet ndryshimi i modelit të taksimit në atë progresiv.
Kryeministri Berisha ishte dje në qytetin e Elbasanit ku gjatë një takimi që pati me përfaqësues të biznesit, kritikoi pretendimet e opozitës për aplikimin e taksës progresive. Kreu i qeverisë e quajti këtë model taksimi si të rrezikshëm për biznesin dhe aspak të favorshëm për rritjen ekonomike të vendit. Gjatë një bashkëbisedimi me biznesmenë të Elbasanit, Kryeministri tha se modeli i ndjekur nga mazhoranca ka funksionuar, duke shmangur, sipas tij, recesionin në të cilin u përfshinë shumë vende të Evropës e më gjerë.
KRYEMINISTRI BERISHA
“Ka një model tjetër që del tani në arenë, modeli i rritjes së taksave. Atje ku është tentuar, po çon poshtë dhe nuk po përmirëson. Taksa e sheshtë është taksë proporcionale, por jo taksë gijotinë. Atë se bëjmë ne kurrë. Kjo do të thotë t’ju thuash juve merrni të gjithë pasaporta të vendeve që nuk e kanë këtë taksë dhe shkoni jetoni atje. Ajo që del në horizont nuk është vetëm absurde, por e rrezikshme. Asgjë s’ka më të rrezikshme sesa të shprehesh për komisione të plotfuqishme të jashtëzakonshme. Një vend demokratik as që mund të mendojë kurrë, përveçse katastrofës natyrore, që të krijojë një komision emergjence, sepse Kushtetuta nuk të lejon të kesh fuqi të jashtëzakonshme. Ligji është bërë për të të kufizuar ty pushtetin, ekzekutivit. Do ngremë një zyrë thotë për ankesat pranë Kryeministrit. Ka një sistem ligjor, nuk ka Kryeministër në botë që nuk shqyrton ankesat e një biznesmeni, por Kryeministri nuk është ligji, e shqyrton përmes institucioneve. Ky zotëri që promovon këto është një bosh absolut në rrafshin e koncepteve ekonomike, ai është piktor. S’kam asgjë me të, edhe unë jam doktor, jam mjek, por ka një gjë ama, je i detyruar të lexosh, të studiosh ose të mbyllesh gojën dhe të flasin këshilltarët”, – deklaroi kreu i qeverisë, Berisha.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues biznesmenë në qytetin e Elbasanit, Kryeministri Berisha komentoi sërish listat e deputetëve të opozitës duke iu referuar kandidimit për deputet të botuesit të njohur dhe biznesmenit Koço Kokëdhima në Vlorë. Berisha tha se ky i fundit njihet si një prej armiqve të betuar të investimeve të huaja.
“Unë i dija marrëdhëniet e tyre, Rama-Kokëdhima, dhe askush nuk më besonte kur thosha se ai është nënkryetar i PS-së. Ky vjen në skenë me një njeri i cili është armik i betuar i investimeve të huaja në Shqipëri. Ky model që serviret është i rrezikshëm”, – tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri siguroi biznesmenët se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur lirinë ekonomike dhe iniciativën e lirë. “Ne ju mbështesim ju që të krijoni vende pune, sepse nëse do ecim me filozofinë të krijojë qeveria vende pune, e gjithë barra do binte mbi ju. Ne vendosëm taksën e sheshtë, kemi marrë një hap të dytë të madh, kemi hequr çdo TVSH dhe tarifë doganore për çdo makineri që përdoret për prodhim. Ju garantoj ju se nuk është kjo paketa përfundimtare e uljes së taksave. Asaj që i besoj unë, asaj i qëndroj. Natyrisht nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë, sepse duhet të ecësh me kujdes”, – deklaroi Kryeministri.
Bogdani në shkollën “7 Marsi”: Rama synon t’u hedhë tavanin në kokë shqiptarëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, akuzoi dje modelin ekonomik të kryesocialistit Rama, kur ishe në krye të Bashkisë së Tiranës, si dhe për kandidatët që ai ka propozuar në listat për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Bogdani vizitoi shkollën “7 Marsi” në Tiranë, ku vite më parë rrëzimi i tavanit në një klasë u pati rrezikuar jetën disa nxënësve. Sipas tij, punimet e kësaj shkolle janë bërë nga firmat e ndërtimit të zotit Kokëdhima. “Modeli Rama-Kokëdhima i ka vënë kthetrat kryeqytetit, tani duan t’ua vënë të gjithë shqiptarëve. Trëndafili i kuq i PS-së është zëvendësuar nga thesi i Koço Kokëdhimës. Sot ndodhemi në shkollën “7 Marsi” e rikonstruktuar nga zoti Kokëdhima, ku tavani u ra në kokë nxënësve. Klaudja vuajti modelin e dështuar të kësaj dysheje të dështuar që sot synon t’u hedhë tavanin në kokë gjithë shqiptarëve”, – deklaroi Bogdani. Ndërsa Klaudja, një nga nxënëset “e plagosura” asokohe, pretendoi se në drejtim të saj dhe familjes nuk ishte adresuar as edhe një falje.
Qeveria, 670 milionë USD investime në Qarkun e Elbasanit
Këshilli i Ministrave bën të ditur se investimet në Qarkun e Elbasanit gjatë dy mandateve të qeverisjes së djathtë, kanë kapur shifrën e 670 milionë dollarëve. Vetëm në infrastrukturën rrugore sipas qeverisë, janë investuar 375 milionë dollarë dhe janë ndërtuar gjithsej mbi 750 kilometra rrugë, prej të cilave 194 kilometra janë rrugë nacionale, 400 kilometra janë rrugë rurale dhe 156 kilometra rrugë rajonale. “Kjo infrastrukturë ka krijuar lehtësi në transportin e prodhimeve në këto zona, ka gjallëruar zhvillimin rural dhe ka shkurtuar ndjeshëm kohën e lëvizjes. Gjithashtu, po përfundon së ndërtuari autostrada Tiranë – Elbasan, rruga Librazhd – Peshkopi dhe këtë vit fillon ndërtimi i rrugës Banjë – Elbasan, rruga Gramsh – Maliq dhe do të vazhdoje Boshti i Jugut.
Në Qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 186 shkolla e kopshte dhe është rikonstruktuar universiteti, investime me vlerë 30 milionë dollarë. Gjithashtu, janë ndërtuar 61 ambulanca e qendra shëndetësore, investime me vlerë 13 milionë dollarë. Mbi 4 milion dollarë janë investuar për ndërtimin e spitalit të ri të kirurgjisë dhe maternitetit të Elbasanit. Rreth 4 milionë dollarë janë investuar në 59 sisteme ujësjellësi e kanalizimesh. Në bujqësi, në këtë qark, janë subvencionuar 4000 ha në ullinj, vreshtari, dru frutor, bimë are e sera. Nga këto subvencione, të cilat janë 30 herë më shumë se ne periudhën e qeverisë socialiste, kanë përfituar 5060 fermerë e blegtorë. Sa i përket energjetikës, janë investuar mbi 150 milionë euro në përmirësimin e sistemit të energjisë elektrike. Gjithashtu, janë në ndërtim 8 HEC-e lokale. Janë investuar 37 milionë lekë në kualifikimin dhe nxitjen e punësimit të 6100 personave. Bizneset, si rrjedhoje e politikave të taksave të ulëta dhe investimeve, janë rritur dy here. Në vitin 2012 janë 9600 biznese, nga 5140 biznese që ishin në vitin 2005”, – thuhet në njoftimin e qeverisë. Sipas zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, në vitet në vazhdim qeveria mbetet e angazhuar për të shndërruar Qarkun e Elbasanit në një qendër të madhe universitare, turistike, energjetike, me ekonomi dhe bujqësi të zhvilluar, me industri të lehtë dhe agropërpunuese.