Sa më shumë i largohesh kryeqytetit, aq më shumë e ndien elektrizimin e atmosferës politike në këtë prag zgjedhjesh të 23 qershorit. Në Tiranë kjo atmosferë është më shumë mediatike edhe për shkak të mediave të shumta që operojnë këtu. Në rrethe situata është më inkandeshente dhe politika duket si obligim parësor i shumicës së qytetarëve. Gjirokastra në skajin jugor të vendit është e përfshirë tërësisht në atmosferën zgjedhore. Për shkak të natyrës specifike të saj, këtu interesat, njëherazi edhe debati politik e elektoral, janë më të gjera e më të ashpra. Gjirokastra njihet në këto vite të pluralizmit politik si një bastion i fort i të majtës ish-komuniste dhe si vendlindja e diktatorit e ka “justifikuar” disi një status të tillë politik dhe elektoral. E djathta këtu ka ruajtur një lloj stabiliteti me ndryshime kryesisht fluide, por nuk ka mundur të jetë në mazhorancë. Qarku ka vetëm pesë mandate deputetësh në dispozicion, gjë që ia ul disi rëndësinë elektorale, gjë që nuk përkon me atë që reflektojnë emocionalisht banorët e tij. Atmosfera zgjedhore është e pranishme kudo, nga bisedat në rrugë e kafene tek zyrat elektorale dhe flamujt e simbolet partiake deri në rrugicat dhe cepat e humbur të qendrave të banuara. Këtu gjithçka rrotullohet rreth zgjedhjeve, mundësive dhe llogarive të tyre në planin lokal e atë kombëtar. Elektorati është kryesisht i ndarë dhe zona gri me gjithë natyrën pragmatiste të qytetarëve gjirokastritë është pothuaj e paidentifikueshme. Komunistët, siç vazhdojnë t’i konsiderojnë ende këtu militantet e majtë, pa bërë dallimin midis PS-së dhe LSI-së janë të bindur që koalicioni i tyre fiton katër deputetë ndaj një të PD-së. Militantët e djathtë, edhe këta pa dallime partiake, mendojnë se rezultati do të jetë 3 me 2 në favor të tyre, ndërkohë që zërat nga ajo shtresë e hollë që mezi identifikohet e elektoratit gri mendojnë se do të ruhet rezultati 3 me 2 për të majtën si në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Megjithëse këta të fundit duken më bindës këtu në Gjirokastër një Zot e di ç’do të ndodhë deri më 23 qershor.
E majta, nga Enver Hoxha tek Flamur Bime
Rezultati më i besueshëm i të majtës në Gjirokastër shkon në tre deputetë nga pesë gjithsej. Edi (jo Rama), një miku im socialist nga Gjirokastra, më tregoi që para disa kohësh qytetin e vizitoi kreu i PS-së, Edi Rama. Takimi me socialistët u zhvillua në bashkinë e qytetit, pak me sipër Sheshit të Çerçizit, ballë për ballë me vendin ku ishte ngritur busti i diktatorit, sheshi i të cilit mbahet ende bosh nga bashkia, ndoshta në pritje të mundshme të rikthimit të tij. Sa mandate fitojmë në Gjirokastër, – pyeti Rama kryebashkiakun socialist gjirokastrit, Flamur Bime. Tre, – ju përgjigj Bime. Dy i fitojmë prej atij, – reagoi i zemëruar Rama, duke bërë me dorë nga vendi i bustit të diktatorit, – nga ju sa fitojmë? Nuk është se mori ndonjë përgjigje të qartë, por gjirokastritët që për llogari nuk të falin, i bëjnë mirë hesapet dhe sipas mikut tim, i bie që dy deputetë i kanë nga Enver Hoxha, një nga Flamur Bime. Ky fakt na bën të besojmë që e majta në Gjirokastër e nis garën me dy deputetë të garantuar. Në këto kushte, i bie që gara e saj me PD-në fillon me të tretin që, sipas zgjedhjeve të 2009-ës të jetë fituar 2 me 1 nga kjo e fundit. Megjithatë, si bastion i majtë, Gjirokastra ka rëndësi specifike për PS-në, gjë që nuk përkon me listën e kandidaturave për deputetë në këtë qark. Duket se kjo siguri tek votat e Enverit ka bërë që z. Rama të injorojë çdo logjikë e interes në përcaktimin e kandidaturave që kanë pak apo aspak lidhje me Gjirokastrën, banorët dhe sidomos problemet e saj. Tre kandidatët e listës së sigurisë, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Anastas Angjeli, nuk janë nga Qarku i Gjirokastrës. Ahmetaj ka jetuar pak kohë këtu, për shkak të transferimit me punë të të atit oficer, ndërsa për të tjerët zor se gjendet ndonjë fije lidhjeje. Aleanca me LSI-në më shumë i ka prishur sesa i ka rregulluar punë PS-së në Gjirokastër. Numri tre në listën e PS-së, Anastas Angjeli, është i rrezikuar seriozisht nga numri një i LSI-së, Vangjel Tavo. Beteja mes Tavos dhe Angjelit pritet të zhvillohet kryesisht në ndarjen e votës së majtë zonën e minoritetit grek në Dropull e Poliçan, ku Tavo ka përparësi të dukshme. Ai është nga kjo zonë, ndërsa Angjeli nga Saranda. Tavo nuk ka ndonjë shpresë tek LSI, e cila ka pasur rezultate tepër modeste në Gjirokastër në zgjedhjet e shkuara, por ai ka qenë për disa mandate deputet i PS-së dhe ka struktura e votues personalë nga radhët e kësaj partie pothuaj në të gjithë qarkun. Në Gjirokastër ka zënë rrënjë legjenda e përhapur ndoshta nga njerëzit e Tavos, që mandati i tij është i garantuar edhe nga marrëveshja Nano – Meta, gjë që ka çuar në mendimin paraprak të opinionit publik se z. Angjeli nuk ka ndonjë shans për të fituar. Tavo ndihmohet edhe nga kandidatura e dobët e PBDNJ-së, e caktuar jo pa qëllim nga z. Dule, i cili ka marrë garancitë nga Rama për t’u zgjedhur në Qarkun e Vlorës. Mundësitë e PBDNJ-së për të nxjerrë vetë një deputet janë pothuaj zero, si pasojë e humbjes së interesit të banorëve të kësaj zone pas heqjes së vizave dhe ndërprerjes së pensioneve që shteti grek u jepte mijëra njerëzve në jug të vendit. E vetmja shpresë është koalicioni me PS-në dhe ky sahan, sipas të gjitha gjasave, do t’i jepet Dules në Qarkun e Vlorës. Vota e majtë e Tepelenës dhe e Përmetit shkon në masë për PS-në. Tavo shpreson një dorë nga kandidati tjetër i LSI-së, Reshat Zika, i cili në zgjedhjet lokale doli i dyti në Bashkinë e Tepelenës si kandidat i LZHK-së. Zika, i njohur si “i djathtë” historik, ka pak gjasa të përsërisë suksesin e zgjedhjeve lokale, pasi votuesit e tij janë kryesisht elektorat i djathtë, që mund të shkojnë nga PD-ja tek LZHK-ja, por kurrsesi tek LSI e aq më tepër në koalicion me PS-në. Por bastioni kryesor i të majtës mbetet qyteti i Gjirokastrës, atje ku votat e PS-së janë të garantuara nga Enveri. Simboli i PS-së është Flamur Bime. Qeverisja e tij nuk është se shton ndonjë gjë, por ai personifikon tipikun e burokratit komunist, që i shkon e i ngjit aq shumë të majtës historike të Gjirokastrës. Gjirokastra është i vetmi qytet që kurrë nuk sheh ndonjë urim publik për festa fetare. Madje, edhe festen e fundvitit të bashkisë kryetari Bime e bën pas datës 25 dhjetor, që të mos jetë i detyruar t’i urojë besimtarët e krishterë për Krishtlindjen. Besimtarët e krishterë, qe janë rreth 43% e popullsisë, e shohin këtë si një sjellje prej fondamentalisti islamik të kryetarit Bime, por në të vërtetë ai manifeston të njëjtën sjellje si për Krishtlindjet e kaurëve edhe për Bajramin apo Nevruzin e myslimaneve. Ky qëndrim është shprehje qartë e formimit të tij ateist, një karakteristikë e përbashkët e të gjithë komunistëve nga Enver Hoxha te Flamur Bime. A do të arrijë ta marre deputetin e tij Bime, përveç atyre dy të Hoxhës, apo do t’ia dhurojë LSI?! Kjo na ngelet ta verifikojmë në 23 qershor.
E djathta, përfaqësim autokton dhe investime
Entuziazmi në kampin e djathtë është gjithashtu i dukshëm. Ata pretendojnë tre, por edhe po ruajtën dy aktualët, janë mirë. Ata nuk kanë e nuk marrin asnjë deputet nga “të vdekurit” si në rastin e kundërshtarëve të majtë. Dy janë të tyre dhe pasojë e politikës, por edhe e përfaqësimit politik e personal që ndryshe nga PS-ja reflektohet me përgjegjësi që në përzgjedhje. Jo vetëm përfaqësuesit e PD-së, por edhe aleatët janë që të gjithë gjirokastritë nga familje të njohura në zonat e tyre. Ruli nga Libohova, Ksera nga Dropulli dhe Kokalari nga Gjirokastra janë pretendentë të tre mandateve që pretendohen nga e djathta. Ndërkohë, një kandidaturë e fortë është ish-kryetari i PD-së Gjirokastër Roland Bejko, që garon me flamurin e PR-së së Fatmir Meidiut. Nuk e di sa do ta favorizojë kjo të djathtën në zgjedhje, por përzgjedhja e një ekipi autokton përballë “mercenareve” të PS-së më duket një veprim i zgjuar politik dhe elektoral, por edhe një demonstrim përgjegjësie e respekti ndaj elektoratit dhe votës së tij. Ruli ngjall besim tek të vetët dhe dridhërima tek kundërshtarët. Të gjithë presin mbërritjen e tij, pasi pa praninë e tij nuk mund të flitet për fushatë. I konsideruar si fenomen në menaxhimin elektoral, ai përbën edhe trurin e fushatës elektorale të PD-së. Altin Çomo, kryetari i PD Gjirokastër dhe kryetar i Bashkisë Libohovë, thotë se fushata e PD-së është e mbështetur mbi vepra e projekte konkrete. Në këto vite të qeverisjes demokratike investimet publike në Gjirokastër kanë qenë të konsiderueshme, dhjetëra rrugë rurale janë ndërtuar e rindërtuar me parametra perëndimorë. Ai veçon si punën më efikase sistemimin e luginës së Drinos nga Viroi në Gjirokastër, me vlerë 3 milion USD. Për nga shifra e investuar, kjo nuk është puna më e madhe e qeverisë “Berisha”, por për nga efekti është sigurisht nr. 1. Gjirokastritët e mbajnë mend përmbytjen e këtij segmenti rrugor dhe nënstacionit elektrik, që e izolonte qytetin nga pjesa tjetër e vendit dhe e linte pa energji elektrike pothuaj çdo dimër. Tani ky problem nuk ekziston më, falë investimit nën kujdesin e veçantë të deputetit Ruli. Por jo vetëm kaq, z. Çomo thotë se në zgjedhjet e 2009-ës, që morën dy nga pesë deputetët e mundshëm në Gjirokastër, PD nuk kishte asnjë njësi vendore, komunë a bashki, sot ka shumicën e tyre. Ky fakt plus cilësia e kandidaturave dhe investimeve publike konsiderohet nga demokratët si mundësia e mandatit të tretë. Bonusi që PD shpreson ta rritë në këto zgjedhje është vota në minoritetin grek. Në zgjedhjet e kaluara, kandidati i saj, Spiro Ksera, arriti një rezultat mbresëlënës. Në këto zgjedhje pritet një rritje e numrit të votave minoritare pro PD-së. Si ministër, z. Ksera ka mundur të prezantojë vullnetin e tij për të ndihmuar zonën. Bashkimi i Dules me PS-në bën që tek PD të shkojnë të gjitha votat e të djathtëve nga minoriteti grek, që deri tani i kishin shkuar PBDNJ-së. Ndërprerja e pensioneve nga qeveria greke për minoritetin krijon hapësira për një votim më të lirë të tyre që pritet të shkojë në favor të PD-së. Lufta për mandatet midis aleatëve e shton edhe më shumë mundësinë e mandatit të tretë të pretenduar. Ksera e Bejko do të mundohen të sigurojnë çdo votë të mundshme për të siguruar avantazhin ndaj njëri-tjetrit brenda koalicionit, si e vetmja mundësi ligjore për të siguruar mandatin parlamentar, nëse e djathta nuk ka vota për tre mandate. Kjo do të çojë në një angazhim maksimal elektoral personal të tyre dhe njerëzve që i mbështesin, intensiteti i të cilit është shumë i dukshëm edhe këto ditë këtu në Gjirokastër.
Pengje të historisë?!
Zgjedhjet në Gjirokastër më shumë se realitet janë produkt i nostalgjisë historike. Shumica e gjirokastritëve e duan jetën e mirë e sidomos paranë. Ky handikap midis instinktit politik dhe orientimit ekonomik mbetet ende një problem, në radhë të parë për gjirokastritët. Siç thashë në fillim të këtij shënimi, Gjirokastra ka rëndësi shumë modeste në orientimin elektoral të Shqipërisë, por votimi në masë për të njëjtën politike që nga viti 1945 e deri më sot e vë në dyshim qytetarinë e pretenduar të saj. Sigurisht që kjo Gjirokastër pas 50 vitesh diktaturë dhe 23 vitesh tranzicion e emigracion nuk është më ajo e lavdishmja e historisë. Qytetaria gjirokastrite, ajo që kërkojmë ne, është e identifikueshme tek muret, çatitë dhe kalldrëmet historike. Tek njerëzit, duke filluar nga qytetari i parë i saj është sa e rrallë aq vështirë ta gjesh. Orientimi elektoral është pa dyshim një element domethënës i qytetarisë. Sigurisht do të vija një ditë që edhe Gjirokastra të shkëputet nga kthetrat e historisë e të orientohet politikisht, jo nga kujtimi i të vdekurve bastardë, por nga vlerat dhe sidomos nga ajo që ofrojnë të gjallët që vijnë këtu për të kërkuar votën e tyre. Shpresoj që në këto zgjedhje të shohim edhe këtu shenjat e mbara të ndryshimit.