Krimet e Rënda i refuzojnë lirimin Begzim Isës, tentoi trafikimin e 7-vjeçarit

0
173

Sonja Caka

gjykataAnkimimi, pas transferimit të dosjes te Krimet e Rënda nga Kukësi dhe rivlerësimit të masës “Arrest me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda

 

Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën për lirim të Begzim Isës, të riut të akuzuar për rrëmbim me qëllim trafikimin e të afërmit të tij. Seanca u zhvillua dje në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda pas apelimit të vendimit të kolegëve të tyre për caktimin e masës “Arrest me burg” për studentin nga Komuna e Zapodit në Kukës. Begzim Isa u arrestua mbi akuzën e rrëmbimit të një 7-vjeçari në Kukës në fillim të muajit prill. Fillimisht, për të u vendos masa e arrestit “Burg pa afat” nga Gjykata e Kukësit, e cila më pas e transferoi çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila gjatë rivlerësimit të masës, e la atë në fuqi dhe më pas po të njëjtën gjë bënë dje edhe gjyqtarët e Apelit. Para gjykatës, përmes avokatit të tij, personi nën hetim Isa ka mohuar përfshirjen e tij në rrëmbimin e 7-vjeçarit, duke deklaruar se ai ishte kushëriri i tij dhe se atë ditë vetëm i ka ndarë pas një zënke që ka pasur me një tjetër fëmijë.

Arrestimi

Begzim Isa u arrestua në flagrancë, pasi u akuzua se rrëmbeu një fëmijë për qëllime trafikimi. Sipas policisë së Kukësit, arrestimi i 20-vjeçarit Begzim Isa u bë pas një hetimi intensiv që përfshiu dhe përgjimin e celularit të të riut. “Policia ka pasur dyshime dhe më parë mbi të riun dhe janë kryer hetime intensive, përgjim të telefonatave që ka kryer i riu, gjë që çoi deri në arrestimin e 20-vjeçarit”, – bëri me dije policia e Kukësit. Referuar të njëjtave burime,bëhet me dije se Begzim Isa ka rrëmbyer 7-vjeçarin A. F., me qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës. Policia thotë se 20-vjeçari ka pasur si qëllim trafikimin e tij drejt Kosovës për një shumë të konsiderueshme deri në 40 mijë euro. Vetë i riu nuk e ka pranuar akuzën dhe po kështu familjarë të tij kanë dalë në mbrojtje të të afërmit, duke akuzuar policinë se nuk ka hetuar mjaftueshëm për të ngritur këto akuza.

Dyshimi

Arrestimi i Begzim Isës ka bërë që të zgjohen shpresat edhe për zbardhjen e zhdukjes së Bleona Matës. Vajza e vogël humbi 3 vite më parë në rrethana misterioze, ndërsa kishte dalë me disa kushërirat dhe hallën e saj në mal, në Zapod të Kukësit. 6-vjeçarja u zhduk në mënyrë misterioze rreth orës 17:00 të datës 22 maj të vitit 2010, ndërsa për zbardhjen e së vërtetës u angazhuan shumë forca policie. Në momentin e humbjes, vajza ka qenë në shoqërinë e 5 kushërirave. Vajzat pohuan se vogëlushja iu drejtua shtëpisë dhe ato nuk dinin më gjë për fatin e saj. Ndërkohë që nëna e Bleonës vazhdimisht ka hedhur dyshimet e saj të 5 vajzat se kishin dijeni për rrëmbimin e Bleonës. Pas arrestimit të Isës dhe lidhjes familjare të tij me njërën nga vajzat, policia ka rinisur hetimet dhe ka marrë në pyetje sërish vajzat. Por, edhe marrjes në pyetje, asgjë e re nuk doli në dritë për fatin e 6-vjeçares.

Somario

Isa ka mohuar përfshirjen e tij në rrëmbimin e 7-vjeçarit, duke deklaruar se ai ishte kushëriri i tij dhe se atë ditë vetëm i ka ndarë pas një zënke që ka pasur me një tjetër fëmijë

Krimet e Rënda

Dajti, gjykatës: Ju po bëheni pengesë për zvarritjen e gjyqit tim

Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, edhe pse po zhvillohet gati çdo ditë, nuk ka sjellë asnjë zhvillim, ndërsa ka mbetur aty ku ka qenë edhe një vit më parë. Avokatë që zëvendësohen dhe akuza të të pandehurit ndaj gjykatës. Kjo është panorama e përditshme e seancave gjyqësore, ndërsa fundi është i njëjtë, largimi i Dajtit në mënyrë demonstrative nga gjyqi dhe për pasojë mbyllja e procesit pasi nuk ka as avokatë dhe as të pandehur. Por, para se të largohej dje nga salla e gjyqit, i pandehuri nuk ka kursyer as akuzat ndaj trupës gjyqësore dhe prokurorit duke deklaruar: “Ju jeni shkaktarët e zvarritjes së gjyqit tim prej një viti. Ju i merrni pagat tuaja në fund të muajit ndërsa mua më mohohen të drejtat, jam i privuar nga liria”. Më pas, ai është larguar nga salla e gjyqit, duke bërë që gjyqi sërish të shtyhet për në një datë tjetër. Të gjendur përballë kësaj situate, anëtarët e trupit gjykues bënë zëvendësimin e dy avokatëve që nuk ishin paraqitur pas thirrjes së gjykatës me dy të tjerë, përkatësisht me Perlat Koçillarin dhe Pjetër Dedën.

 

Arratisjet

Pezullohen përkohësisht lejet në burgje për të dënuarit

Ministria e Drejtësisë u ka kërkuar krerëve të burgjeve të pezullojnë përkohësisht lejet shpërblyese për të dënuarit, deri në një vendim të dytë. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë këtij institucioni, pas një takimi që ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka pasur me drejtues të burgjeve dhe me vetë kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të zhvilluar dy ditë më parë në Drejtorinë e Burgjeve, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Gjithashtu, ministri ka firmosur edhe shkarkimin e kreut të burgut të sigurisë së lartë në Peqin, Sajmir Salla. Gjatë këtij takimi, ministri ka kërkuar që deri në një moment të dytë, për asnjë nga të dënuarit e klasifikuar si të dënuar për krimi te rënda nuk do të jepet asnjë leje, për asnjë arsye. Sipas ministri Halimi, lejet janë pezulluar deri në marrjen e një vendimi të dytë, ndërsa shtoi se në vijim do të forcohen rregullat në dhënien e këtyre lejeve. Gjithashtu, ministri shtoi se “ministria do të inspektojë gjithë kartelat e të dënuarve që janë pajisur me leje dhe nëse ka pasur abuzime në dhënien e tyre”. Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur pas dy ngjarjeve më të fundit dhe një njëpasnjëshme të ndodhura në dy nga burgjet e sigurisë së lartë në vend. Ilir Abdillari, i dënuar nga burgu i Fushë-Krujës dhe Romeo Rustemaj i dënuar nga burgu i Peqinit kanë përfituar leje shpërblyese 7-ditore dhe nuk kanë respektuar afatin e kthimit në kohën e caktuar në burg. Thyerja e lejes ka detyruar burgjet të kërkojnë ndihmën e policisë, ndërsa kanë mundur të kthejnë brenda qelive vetëm njërin prej tyre, Ilir Avdillarin e bandës së Yzberishtit, i dënuar për vrasje. Ndërkohë që, prej disa ditësh ndodhet në liri i dënuari tjetër, Romeo Rustemaj, i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Thyerja e lejeve nga dy të dënuarit ka penalizuar të gjithë të dënuarit e tjerë, duke pezulluar përkohësisht dhënien e tyre nga komisionet e ngritura në burgje.