Tentoi t’i grabiste dyqanin pronari e qëllon me armë

0
197

Elton Qyno

KukesNgjarja në Kukës, plagoset rëndë 23-vjeçari Kujdes Ademi. Policia arreston autorin

 

Frika nga grabitësit gjatë orëve të natës ka detyruar pronarët e bizneseve që të qëndrojnë të armatosur gjatë momenteve të punës, por edhe në ambientet e shtëpisë, duke mbrojtur pasurinë e tyre. Armatosja e personave që ushtrojnë aktivitet tregtar, ka shënuar një tjetër plagosje të një grabitësi në Kukës, duke sjellë ripërsëritjen e njëpasnjëshme të ngjarjeve të kësaj natyre. Kohët e fundit, kemi dëgjuar shpesh se persona të panjohur kanë tentuar të vjedhin banesa apo dyqane dhe më pas kanë rënë viktima të pronarëve të objekteve që do të grabisnin, të cilët i janë kundërpërgjigjur me armë. Ka qenë mesnatë, kur pronari i një dyqani ka ndier disa zhurma poshtë banesës së tij. Menjëherë ai ka parë nga ballkoni i shtëpisë dhe ka konstatuar se brenda në dyqan kishte hyrë një person. Pronari i dyqanit ka nxituar duke marrë një armë zjarri dhe ka vendosur të bërtasë disa herë. Mirëpo, pikërisht në këtë moment është shfaqur grabitësi Kujdes Ademi, i cili në tentativë për t’u larguar është qëlluar me armë zjarri. 23-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar më pas nga policia në drejtim të spitalit të Kukësit.

Dëshmia e pronarit

Pronari i dyqanit ka treguar gjithë skenën e krimit, duke pohuar se kishte qëlluar grabitësin nga kati i dytë i banesës së tij. Në dëshminë e tij, ai ka treguar se ka qenë ora 01:30, kur ai ka ndier disa zhurma poshtë banesës. “Shtëpia ime është dykatëshe dhe në katin e parë kam hapur një aktivitet tregtar si dyqan ushqimor dhe një pikë bastesh sportive, ndërsa në katin e dytë jetoj së bashku me familjen. Ka shkuar mesnata dhe gjatë gjumit kam ndier zhurma poshtë shtëpisë sime. Kam vendosur të ngrihem dhe të shoh se çfarë kishte ndodhur. Nga ballkoni i katit të dytë kam hedhur shikimin poshtë, kur kam parë se dera ishte e hapur, ndërkohë që menjëherë kam vrapuar duke marrë armën që e kisha në shtëpi. Kam dalë sërish në ballkon dhe aty kam bërtitur, kur papritur ka dalë një person, të cilin nuk e njihja dhe menjëherë në vrapim e sipër e kam qëlluar. Grabitësi ka rënë në tokë, ndërkohë që gjatë kësaj kohe kam njoftuar me telefon strukturat e policisë së Kukësit”, – ka pohuar në dëshminë e tij pronari i dyqanit të grabitur. Gjatë dëshmisë pronari i dyqanit ka pohuar se ndiente pendesë për krimin e kryer dhe se ishte nxituar kur kishte qëlluar me armë në drejtim të grabitësit. Me mbërritjen në vendin e krimit, policia ka bërë identifikimin e personit të plagosur, i cili sipas saj, është shtetasi 23-vjeçar Kujdes Ademi. Ky i fundit është nga fshati Bardhok dhe njihet nga strukturat e policisë së Kukësit si person me precedentë penalë, kryesisht në vjedhje dhe në disa vepra të tjera penale.

Transportimi në Tiranë

Për shkak të gjendjes tepër të rëndë shëndetësore, Kujdes Ademi është transportuar në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranës, pasi mjekët e Kukësit nuk kanë qenë në gjendje për ta kuruar. 23-vjeçari ka mbërritur dje në gjendje tepër të rëndë, pasi njëri nga plumbat i ka prekur një organ jetësor. Veç kësaj, nga plagët e marra Kujdes Ademi ka humbur sasi të konsiderueshme gjaku, duke bërë që shëndeti i tij të vihet në rrezik. Gjatë ditës së djeshme, bluzat e bardha kanë kryer një operacion me qëllim heqjen e plumbit, ndërkohë që ende nuk dihet gjendja e saktë shëndetësore e Kujdes Ademit, për shkak se ky i fundit ruhet me efektivë policie, pasi ndodhet në gjendje arresti për akuzën e vjedhjes me dhunë.

4 grabitje
Kjo është grabitje e katërt brenda 24 orësh që raportohet të kenë ndodhur. Dje u shënuan dy grabitje një në Korçë e një në Tiranë. Dje u shënuan dy grabitje në Korçë, ky dy persona me maska dhe me armë i grabitën punonjësit të një karburanti 100 mijë lekë të reja dhe më pas e dhunuan dhe e lidhën në tualetin e karburantit. Më vonë një kopsht publik ra pre e grabitjes, ku autorët vodhën 20 mijë lekë të reja, që do të përdoreshin për festën e 1 Qershorit.

20 prill

Në 20 prill, në Mallakastër është vrarë një nga katër personat që kishin hyrë të grabisnin banesën e shtetasit Ylli Kapllanaj. Ky i fundit ka qëlluar në drejtim të grabitësve, duke lënë të vdekur në vend shtetasin I. Alushaj. Pas këtij krimi policia ka arrestuar edhe tre personat e tjerë, si dhe pronarin e shtëpisë.

 

Ndryshime në polici

Ikën vëllai i Muçmatës, vjen drejtori i Beratit

Largohet nga posti i shefit të oficerëve të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besnik Muçmata, vëllai i kandidatit për deputet i PS-së në Kukës Vexhi Muçmata. Largimi është bërë gjatë ditës së djeshme, ku ka qenë drejtori i njësisë operacionale Nikolin Bala, ai që ka bërë prezantimin në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Bala u ka prezantuar shefin e ri të kësaj strukture, i cili është drejtori aktual i policisë së Beratit. Altin Qato ka marrë detyrën ditën e djeshme duke zëvendësuar kështu Besnik Muçmatën, i cili siç mësohet ka shkuar me një funksion pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Prej disa vitesh Qato ka mbajtur poste të larta në Drejtorinë e Policisë, duke drejtuar kështu Drejtorinë e Shkodrës dhe atë të Kufirit. Tashmë ai do të bashkërendojë punën e oficerëve të policisë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, megjithëse një gjë të tillë në shumicën e rasteve e kryen prokurori i çështjes dhe jo oficeri përgjegjës.

 

Ngjarja në Tepelenë

Hodhi në erë transformatorin për skrap, arrestohet

Një 32-vjeçar nga Tepelena ka rënë dje në prangat e policisë, pasi dyshohet se ka vendosur një sasi eksplozivi në transformatorin që furnizonte fshatin Dukaj të Tepelenës. I riu e ka hedhur në erë transformatorin, si mënyra më e shpejtë për të çmontuar dhe për t’i marrë pjesët metalike për t’i shitur për skrap. Hazir Hakanaj është prangosur nga uniformat blu të Tepelenës, pasi, sipas tyre, gjatë natës ka shpërthyer transformatorin që furnizonte me energji zonën, duke e lënë atë në errësirë të plotë. Sipas policisë, 32-vjeçari ka vjedhur gjithashtu edhe 300 metra kabllo nga shtyllat që lidheshin me kabinën elektrike. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Sipas komisariatit të Tepelenës, i arrestuari Hakanaj dyshohet se është autori edhe i disa vjedhjeve të tjera në këtë zone.

 

Aksidenti

Gjendet i vdekur në kanal 53-vjeçari Ndoci

Një trup i pajetë është gjetur mesditën e djeshme në qytetin e Durrësit. Ai është gjetur nga kalimtarë të rastit në një kanal buzë rrugës, në fshatin Fllak. Pas hetimeve të policisë u arrit në përfundimin se ai ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me motor. Mësohet se 53-vjeçari Fran Ndoci ka qenë duke udhëtuar me një motor tip “Papaq”, por për arsye që ende nuk dihen ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar shkaqet e ngjarjes, nëse ai ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, apo është përplasur nga ndonjë automjet. Për zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje, policia ka marrë në pyetje disa persona që kanë qenë afër vendit të ngjarjes, por ata kanë deklaruar se nuk kishin arritur të shihnin asnjë gjë. Rreth kësaj ngjarjeje, strukturat hetimore janë ende duke kryer veprime, ndërkohë që trupi i pajetë u është dorëzuar familjarëve.

 

 

Drejtuesi i emisionit “Top Show”

Moderatori Alban Dudushi dorëzon në gjykatë

kërkesën për divorc me aktoren Nigda Dako

Megjithëse prej disa vitesh moderatori i njohur Alban Dudushi jeton i ndarë nga gruaja e tij Nigda Dako, tashmë drejtuesi i emisionit “Top Show” ka vendosur ta konkretizojë zyrtarisht ndarjen e tij nga gruaja. Dudushi ka zgjedhur të divorcohet në gjykatë me ish-gruan e tij dhe që prej datës 9 maj të këtij viti ka depozituar padinë në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës. Dosja civile, që mban numrin 13125, flet për procedurat e divorcit mes mederatorit të njohur Alban Dudushi dhe ish-bashkëshortes së tij Nigda Dako. Objekti i kësaj padie flet për zgjidhjen e martesës mes dy bashkëshortëve dhe caktimin e kujdestarisë për fëmijën e tyre. Aktualisht, Gjykata e Tiranës ka hedhur shortin elektronik dhe se shorti ka zgjedhur gjyqtaren Luveda Dardha për shqyrtimin e kërkesëpadisë së moderatorit Alban Dudushi. Prej kohësh lidhja mes Dudushit dhe Dakos ka pasur probleme dhe se asnjëherë çifti nuk është bashkuar, megjithëse nga martesa e tyre ka lindur edhe një vajzë. Kohët e fundit, Dudushi është parë në krah të një femre tjetër, e cila, sipas kalkulimeve të mediave rozë, është punonjëse pranë emisionit të tij “Top Show”. Bieta Sulo është punonjësja e emisionit dhe se njohja mes tyre ka qenë pikërisht gjatë punës në emision. Ndërkohë, për sa i përket martesës me aktoren Nigda Dako, ceremonia është zhvilluar në vitin 2005, atëherë kur vajza e çiftit ka mbushur moshën 1 vjeç. Pas kësaj martese gjithçka në marrëdhënien e çiftit është krisur.