Si duket bashkëpunimet ndërmjet këngëtarëve nuk kanë të ndalur, kësaj radhe do të vijnë Yllka Kuqi bashkë me Vedat Ademin, të cilët brenda javës do të lançojnë në treg duetin e ri, i cili është produkt i “Three Dots”, me tekst të Kledi Bahitit. Sipas Yllkës kjo ide e këtij bashkëpunimi ka lindur kohë më parë, mirëpo për shkak të angazhimeve në projekte të tjera, kanë qenë të detyruar që bashkëpunimin ta shtyjnë për një kohë të pacaktuar. Ndërkaq Yllka dhe Vedati kanë gjetur pikërisht stinën e pranverës për të sjellë këtë projekt. “Ftesën për këtë bashkëpunim e kam pasur nga Vedati kohë më parë, mirëpo për shkak të angazhimeve që kisha unë në projekte të tjera muzikore e kemi lënë që pas një kohe të realizojmë këtë duet. Në fakt kam dashur që në këtë stinë të sjellë këtë këngë bashkë me Vedatin, sepse pikërisht kënga është verore dhe kemi dashur që adhuruesve tua sjellim në këtë kohë”, – ka thënë ajo. Kënga që shumë shpejt do të ketë edhe emrin, ka një tematike dashurie dhe bënë fjalë për një romancë mes dy të rinjve. “Kënga bënë fjalë për gjerat pozitive të dashurisë dhe shtjellon një romancë”, – shton Yllka. Kënga do të lançohet bashkë me videoklipin, të cilin e ka përgatitur produksioni “Pro Video”. “Videoklipin e kemi gati. E kemi xhiruar në Tiranë dhe Durrës, në ambiente të hapura dhe të mbyllura”, – thekson ajo. Yllka dhe Vedati kanë punuar shumë në këtë projekt në mënyrë që adhuruesit ta pëlqejnë punën e tyre.