Stop çmendurisë së teknologjisë digjitale

0
164

Kerstin Schumann

Deutsche Welle

 

E-mailet, smartphonet dhe interneti na bëjnë të arritshëm kudo dhe kurdo. Por sipas studiuesve trupi dhe shpirti kanë nevojë të rigjenerohen prej stresit që shkakton teknologjia digjitale në jetën e përditshme.

38-vjeçarja Astrid Schurowetz nga Vjena është punonjëse në një kompani shërbimesh austriake. Ajo është përgjegjëse për kujdesin ndaj klientit dhe përmes telefonit dhe e-mailit ajo u përgjigjet rreth 200 pyetjeve në ditë. “Gjatë gjithë ditës jam para kompjuterit dhe kjo gjë vazhdon edhe kur shkoj në shtëpi. Atje merrem pak me qenin, më pas ulem para laptopit, ku kontrolloj e-mailet private dhe klikoj forume, ku mund të gjej gjëra interesante.” – tregon ajo

Rasti i Astrid Schurowetz nuk është i vetëm. Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit rreth tre milliardë njerëz në botë kanë akses në internet dhe në vitin 2014 numri i përdoruesve të telefonisë mobile do të rritet në 7 miliardë.

Një zhvillimi i tillë kaq i shpejtë vështirë se mund të imagjinohej 60 vjet më parë, kur ishte e vështirë të gjendej një kabinë telefonike dhe një telefonatë në kabinat telefonike publike nënkuptonte kontakt me „jashtë“.

 

Offline rigjeneron trupin dhe shpirtin

Por ndërkohë ka edhe një lëvizje kundër kësaj tendence. Në Amsterdam për shembull është krijuar një zonë pa valë interneti Wi-Fi. Gjithashtu edhe në kryeqytetin britanik, Londër, ka një vend kundër valëve digjitale: kompleksi i dyqaneve „Selfridge“ u ofron klientëve një dhomë pushimi pa këto valë.

Studiuesi i stresit Mazda Adli, nga Klinika Universitare Charité në Berlin e mbështet trendin për të qenë offline. Eksperti këshillon që telefoni celular duhet që thjesht të fiket për disa orë. “Kjo ia vlen, është shumë e rëndësishme. Për këtë ka nevojë trupi dhe shpirti në mënyrë që të rigjenerohen. Ne mund ta bëjmë pa problem një gjë të tillë dhe nuk do të ndodhë asnjë katastrofë.”

 

Pushime pa internet dhe celular

Një mundësi tjetër: Të ashtuquajturat „Pushime Offline“ në natyrë. Këtë koncept ndjek për klientët e saj ferma „Laussabauer“ në Austri. Në fillim të pushimeve pushuesve u merren gjithnjë telefonat celularë. “Ideja është që ne duam t’i bëjmë klientët tanë të ndihen mirë edhe pa internetin. Ata duhet t’u kushtohen  për disa ditë fëmijëve të tyre, partnerit apo natyrës.“ – thotë Renate Baumann.

Bashkë me të shoqin Herbertin, Renate Baumann organizon për shkak të kërkesave në rritje pushime të tilla gjatë gjithë vitit. Si fillim ata ndërtuan shtëpiza banimi për pushuesit. Natyrisht pa internet, por gjithashtu edhe pa televizor.

Pushime pa internet, pa celular, pa televizor, pa telefon. Shumë prej pushuesve u pëlqen shumë kjo eksperiencë shumë ndryshe, pa media dhe pa stres. Ata bëjnë shëtitje të gjata në natyrë me kalë ose më këmbë.

 

Premtim vetes

Edhe Astrid Schurowetz-it i pëlqen ky lloj pushimi dhe i premton vetes: “Një gjë të tillë do ta bëj edhe në shtëpi. Dy orë në ditë do të qëndroj larg çdo lloj medie. Do të ulem në ballon të lexoj një libër, pa i pasur celularin dhe latopin afër. Nuk duhet të jem gjithmonë e arritshme.”