Sonja Caka
Prokuroria kundërshton kërkesën dhe e akuzon avokatin për marrëveshje me të pandehurin. Gjykata rrëzon kërkesën, avokati refuzon mbrojtjen
Nuk e kishin jo parashikuar, por as imagjinuar surprizën para të cilës do të gjendeshin dje gjyqtarët e çështjes “Dajti”. 200 mijë euro në këmbim të mbrojtjes së të pandehurit. Avokati i thirrur nga gjykata, Ndue Pjetra, pranoi ta mbronte të pandehurin e akuzuar për vrasje të katërfishtë, por kishte dy kushte. Kushti i parë ishte t’i paguhej shuma prej 200 mijë eurosh për mbrojtjen e klientit të caktuar, ndërsa kushti i dytë, nëse pranohej i pari, donte 30 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen e të pandehurit. Ka reaguar menjëherë prokurori i çështjes ndaj kësaj kërkese, duke e akuzuar avokatin se ishte bërë palë me të pandehurin për zvarritjen e këtij gjyqi, ndërsa ndryshe ka menduar vetë Dajti. Ai është shprehur se i janë dashur vetëm 15 minuta komunikim për të pëlqyer performancën e avokatit që i kishin zgjedhur. “Pranoj të mbrohem nga ky avokat, pasi më pëlqen performanca e tij. Kjo është ndër kostot më të ulëta për mbrojtjen time”, – ka reaguar Dritan Dajti, pasi i është marrë mendim nga trupi gjykues. Por, gjykata nuk e ka pranuar aspak këtë kërkesë, duke e rrëzuar atë pasi ishte këshilluar për 30 minuta në dhomën e këshillimit. Kryesuesi i trupës gjyqësore e argumentoi rrëzimin e kërkesës me pagesat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë, duke u shprehur se “avokati do të paguhet me tarifat e vendosura nga Ministria e Drejtësisë që janë 3000 mijë lek në ditë”. Atëherë, avokati Pjetra, i gjendur përballë rrëzimit të kërkesave të tij, dha dorëheqjen në sallën e gjyqit, duke refuzuar të vijojë mbrojtjen e Dritan Dajtit. Edhe i pandehuri Dajti u largua nga salla, duke akuzuar gjykatën se po i zvarrit procesin me qëllim. Dajti u kujtoi togave të zeza se nuk do të paraqitet në salla pa gjetur një mbrojtës. Pas largimit nga salla të mbrojtësit Pjetra dhe vetë të pandehurit, gjykata mendoi të thërrasë për seancën e sotme dy avokatë të tjerë nga lista kryesisht, përkatësisht Zini Qinamin dhe Violeta Veshin.
Reagimi
Pas përfundimit të seancës, i pyetur mbi kërkesat drejtuar gjykatës dhe rrëzimin e tyre, avokati Ndue Pjetra është shprehur se “në këtë rast kemi shkelje të Kodit të Procedurës Penale, pasi nga ana e gjykatës nuk u respektua afati kohor i caktuar për marrjen në shqyrtim të kërkesës sime. Ky proces gjyqësor nuk ka lidhje me avokatët kryesisht, e cila është diskutuar shumë si problematikë kohët e fundit. Në momentin kur u gjet një zgjidhje për vijueshmërinë e këtij procesi gjyqësor, gjykata refuzoi sërish. Minimalisht nëse bëjmë një llogaritje matematikore të shpenzimeve për këtë gjyq, shuma është afërsisht tek 5000 euro seanca, në një kohë kur sot ishte e seanca 220-të që nuk zhvillohet. Nëse do pranohej kërkesa ime mendoj se ky proces gjyqësor mund të përfundonte brenda muajit, pra 3-4 seanca gjyqësore”. Ndërsa lidhur me kërkesën e tij për pagesën prej 200 mijë eurosh për këtë proces gjyqësor, avokati e argumentoi me shpenzimet që duhej të përballonte për të provuar pafajësinë e të pandehurit. “Kjo shifër do të përdoret për kundërshtimin e provave të ngritura nga prokuroria në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti. Duhen realizuar analiza të shumta në SHBA, Uashington, si dhe pagesa e ekspertëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme. Pra kostoja është e lartë dhe nuk mund të përballohet me shpenzimet e vetë studios ligjore, në të cilën krahas meje janë të punësuar edhe 3-4 avokatë të tjerë. Nëse do pranohej kërkesa, secili nga avokatë do të kishte një detyrë të tijën në çështjen “Dajti”, dhe nga kjo shumë me mëdyshje them nëse në fund do të mbetej 5% e vlerës për studion. Diçka tjetër që dua të shtoj është fakti se i pandehuri Dajti ditën e ngjarjes ka qenë në banesë duke fjetur gjumë. Në momentin kur ka dëgjuar krismat ai ka tentuar të fshihet duke hipur në makinë. Nga breshëria e të shtënave, i pandehuri është plagosur dhe në këtë rast familja e tij duhet të kishte kërkuar dëmshpërblim. Për sa kohë nuk kemi një vendim të prerë fajësie dhe nuk është vërtetuar asgjë nga akuzat, i pandehuri nuk mund të konsiderohet fajtor” përfundoi prononcimin avokati Ndue Pjetra.
Detaj
200 mijë euro kërkoi avokati Ndue Pjetra në këmbim të mbrojtjes së të pandehurit Dajti
30 ditë afat kërkoi avokati nga gjykata për të studiuar dosjen voluminoze të të pandehurit