Meta dhe Rama kur kanë rënë dakord për të formuar aleancën parazgjedhore PS-LSI, me sa duket, nuk ka diskutuar apo nuk ka arritur asnjë marrëveshje se cili do të ishte Kryeministri në rast një fitoreje eventuale të zgjedhjeve nga kjo aleancë. Kjo është maja e ajsbergut e (mos)marrëveshjeve PS-LSI. Nuk mund të kishte asnjë marrëveshje midis palëve, pa u sqaruar kjo çështje në trajtë të qartë, po ashtu nuk do të mund të kishte asnjë marrëveshje, nëse do të tentohej t’i jepej një përgjigje e qartë dhe përfundimtare kësaj pyetjeje. Çështja e Kryeministrit është në themel të së ardhmes së Metës e të Ramës dhe të fatit të LSI-së, por edhe të PS-së. Kjo temë është lënë qëllimisht pa u biseduar haptas, duke u menduar secila palë ta zgjidhë këtë çështje sipas rrethanave. Vetë fushata, e cila është një betejë e maskuar për ndarjen e votave, pra mandateve, pra të pushtetit relative midis PS-së e LSI-së nuk mund të mos e bënte pjesë këtë çështje, sepse pushteti relativ varet se cilin do të perceptojnë votuesit e palëve si kryeministrin e ardhshëm po ashtu se kujt i përket Kryeministri i ardhshëm do të varet nga raporti relativ i pushteteve midis PS-së e LSI-së. Ky debat ishte dhe do të jetë i pashmangshëm, ai mund t’i maskohet publikut, por në terren do të jetë i pranishëm në mënyrë kapilare në betejën që do të bëhet ne çdo cep të vendit dhe më konkretisht, atje ku LSI ka programuar të fitojë mandate.
Deklaratat pompoze të Ramës për postin e Kryeministrit
Rama para së të binte dakord me Metën për aleancën parazgjedhore, nuk linte rast pa deklaruar me pompozitet në çdo dalje publike se do të jetë Kryeministri i ardhshëm në rast fitoreje, duke menduar njëkohësisht në mënyrë naive se kjo do të ndikonte te votuesit e majtë, përfshirë edhe ata të LSI për të votuar PS. Rama si gjithnjë nuk kishte llogaritur se kjo temë do të kthehej në çështjen që do të trazonte fushatën në terren të të dyja palëve, pse jo, do të hapte edhe sherrin midis palëve.
Meta në mënyrë indirekte “kërkon” postin e Kryeministrit
Meta përmes Nasip Naços deklaron, për të njëjtat arsye si edhe Rama, pra I) për të ndikuar te votuesit e majtë të votojnë LSI; II) për të vendosur balancën e dëshiruar të pushtetit relativ midis PS e LSI dhe III) dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë Ramës e për t’i kujtuar se kjo çështje nuk është kaq e lehtë e do të zgjidhet sipas rrethanave. Për ta bërë të besueshme këtë qëndrim, Meta në konferencën për shtyp iu shmang pyetjes, duke mos e mohuar deklaratën e deputetit Naço, i cili më vonë insistoi në deklarimin e tij. Këto deklarata vetëm e mbajnë të hapur debatin, gjë që i intereson më shumë LSI-së dhe Metës.
Rama më së koti përpiqet të mbyllë debatin me terma pa kuptim
Rama fill pas këtyre deklaratave, në përpjekje për të mbyllur debatin, thotë se Kryeministri përcaktohet nga Kushtetuta, një fjali pa kuptim e çoroditëse, që as e mbyll debatin, por as nuk sqaron votuesit socialist se çfarë duhet të bëjë. Është naive të thuash që Kryeministri caktohet nga Kushtetuta, ndërkohë që një mazhorancë qeverisëse do të duhet të përcaktonte Kryeministrin përmes një marrëveshjeje politike. Në rastin e një fitoreje eventuale të mazhorancës qeverisëse nga koalicioni i majtë, përcaktimi i emrit të Kryeministrit do të varej nga shumë faktorë dhe konkretisht mund të ishin Rama, Meta, por edhe dikush tjetër.
Berisha sqaron elektoratin e tij se PD do të fitojë zgjedhjet dhe ai do të jetë Kryeministër
Berisha nga Gjirokastra thotë se Meta u largua nga qeveria për të kërkuar karrigen e kryetarit të PS-së dhe “karrigen time”, por sqaron se “karrigen time” nuk do të mund ta marrë as Meta dhe as Rama. Pra, Berisha sqaron votuesit e djathtë se nuk duhet të bien viktimë e kësaj beteje të brendshme midis Ramës e Metës dhe i siguron se ata nuk kanë asnjë shans që koalicioni Meta-Rama të fitojë zgjedhjet dhe i vetmi Kryeministër është ai vetë. Natyrisht me humor u kujtoi të majtëve se beteja midis Metës e Ramës është vetëm për “karrigen” e kryetarit të PS-së.
Debati në të majtën do të vazhdojë…
Debati vazhdon dhe nuk mund të mbyllet përderisa beteja për vota e mandate në terren është beteja themelore për ndarjen e pushtetit relativ midis PS e LSI që përbën thelbin se cila nga këto dy forca do të kontrollojë apo rrudhë tjetrën. Por, ky debat natyrisht është përtej fitimit të votave apo mandateve, i cili mbyllet në 23 qershor 2013. Aleatët e tjerë të majtë ndërhyjnë, por më së koti, se impakti i këtij debati mbi sasinë e votave të tyre do të jetë fatal. Të gjithë kandidatët socialistë kanë deklaruar kudo: “Mos u jepni asnjë votë aleatëve”, sepse nuk duhen lejuar të përmbushin kriterin që “25 mijë vota janë baras me një post ministri”.
Në vend të përfundimit
Beteja e ashpër për ndarjen e pushtetit relativ në terren midis PS dhe LSI në mënyrë të pritshme ka përfshirë edhe postin e Kryeministrit dhe kjo nuk mund të ishte ndryshe. Çështja e Kryeministrit është vetëm maja e ajsbergut të mosmarrëveshjeve, por edhe katalizatori i këtyre mosmarrëveshjeve për ndarjen e pushtetit relativ në terren. Kjo çështje është e ndërlidhur po ashtu me të ardhmen e LSI-së.
Debati dhe deklaratat për postin e Kryeministrit bëhen në këtë fazë në radhë të parë për të rritur sasinë relative të votave si nga PS ashtu edhe nga LSI ose, e thënë më thjesht, LSI tenton të rrisë numrin e mandateve në kurriz të PS-së dhe PS tenton të rrisë numrin e mandateve në kurriz të LSI-së. Por, kjo balancë pushteti midis PS e LSI, në rast fitoreje do të ishte përcaktuese se cili do të ishte emri i Kryeministrit, ndërkohë që emri i Kryeministrit është përcaktues për të ardhmen e Ramës, Metës, LSI e PS.
Kjo betejë në terren është e ngjashme me atë të zhvilluar në vitin 2007, madje më e egër. Sado të përpiqen palët ta mbyllin këtë debat apo thënë ndryshe të heqin nga reaksioni këtë katalizator, kjo është e pamundur, për shkak të mosbesimit të thellë midis PS e LSI, por mbi të gjitha se PS synon të rrudhë/absorbojë LSI-në, kurse LSI synon të kontrollojë/rrudhë PS-në dhe çështja e Kryeministrit është faktori përcaktues.
Rezultati i qartë i këtij debati të pashmangshëm është evident, kjo aleancë do të karakterizohet nga sinergjia negative, shumë më e thellë se në 2007-ën. Ky është “çelësi” i dështimit dhe nuk ka asnjë shans të shmanget ky debat, ai mund të maskohet, por nuk mund të eliminohet, sepse po u eliminua njëra palë, është e destinuar të dorëzohet para zgjedhjeve. Prandaj, kjo betejë në terren as ndalet dhe as maskohet, por vetëm gjenerohet dhe çështja e Kryeministrit është vetëm katalizatori i kësaj sinergjie negative.