Dashuria dhe dëbora

0
245

Lexime kritike

8 prill Pablo Picasso seated-woman-in-green-1901.jpg!HalfHDHorst Bienek

Kjo do të thotë se shkruhen ende poezi dashurie, kohët e fundit madje gjejmë libra me vjersha, të cilat mbajnë guximshëm në titullin e tyre fjalën dashuri; dhe na shfaqen antologji, të cilat përmbledhin fare thjeshtë “histori dashurie të kohës tonë”. Sigurisht unë e besoj, e gjitha kjo është e gabuar.

Poezitë e vërteta të dashurisë nuk gumbullohen – dhe aq më tepër jo prej poetëve. Ai grusht poezish të vërteta të dashurisë, që u shkrua në dhjetë – njëzet vitet e fundit në gjuhën gjermane, vjen nga poete femra, nga Marie Luise Kaschnitz, nga Ingeborg Bachmann, Rose Ausländer, nga Sarah Kirsch.

Po ta shohim mirë, poezia ngjitur është një poezi ndarjeje nga dashuria, edhe pse në titull dhe në rreshtin e parë, që tingëllon njësoj si titulli pritet diçka e tillë. Poezia flet për kohën e iluzionit të bukur. Sepse nëse ajri mban aromë dëbore, ka kaluar vera, koha e kulmit të dashurisë, e pasionit, e ekstazës, siç tingëllonte dikur në poezitë e vjetra.

Sigurisht, të ashpra dhe në kundershtim me tradicionalen, shfaqen në poezi pakënaqësitë për dimrin që po vjen, ah, dimri – pa një psherëtimë nuk mund të lihet. Tingullimi i bukur gjatë recitimit, i cili e bën gjuhën kaq të zhdërvjellët dhe i lë fjalët të vërshojnë, nuk na e largon mendjen nga fatkeqësia, e cila ndihet në ajër, ose më të shumtën na largon për aq kohë sa recitohen fjalët.

Dimri thirret në mënyrë përgjëruese, ai duhet t’i bashkojë të dashuruarit, t’i lidhë ata, duhet ta bëjë më të ngushtë bashkimin e tyre, dhe dashurinë më të madhe, më të fuqishme.

Autorja nuk ka frikë të ëndërrojë mbi figurat dhe metaforat e fëmijërisë: lulet e akullta mbi dritare, qymyrin që digjet në vatër dhe çiftin e zagarëve, në heshtje, përpara derës. Është dëshira për siguri, e cila na flet me zërin e përrallave për “Bardhësinë më të bukur të dëborës”, për përjetësinë e ndjenjave – sigurisht pas kësaj fshihet fundi, vetmia, të ftohtët.

Me një gjest të bukur prekës gruaja e mbështet kokën e të dashurit në prehërin e saj, dhimbshëm, dhe e di me siguri, që nuk ka më asnjë shtyrje, se në momentet në ekstazë të dashurisë, ajri tashmë kundërmon aromë dëbore dhe të ftohti, dhe në zjarrin e të dashurit, paralajmëron tanimë acari i ndarjes. Dëbora bie mu në mes të zemrës. Një fjalë mbetet, ndoshta; e hedhur atje: Darling (i dashur). Krejt e largët, e zbehtë. Edhe kjo së shpejti bëhet hi, merret me vete në kova si mbeturinë e zakonshme.

Një poezi e haluçinacionit, e cila fillon me afsh dhe mbaron me ngrirje. Dashuri dhe dëborë. Një slitë e cila kalon para syve tanë me të gjitha dëshirat dhe ëndrrat.

Sigurisht ngushëlluese: poezia nuk flet për vdekjen. Në fund çuçlon mëllenja. Për verën tjetër, dashurinë që do të vijë? I dashuri mban flokë të gjatë. Shulamiti është vetëm.

 

 

SARAH KIRSCH

Ajri tashmë kundërmon erë dëbore

Ajri tashmë kundërmon erë dëbore, flokë të gjatë

mban i dashuri im, ah dimri, dimri që prapa

dyerve na burgos mbërriti,

me çiftin e zagarëve vjen ai. Lule akulli

përhap nëpër dritare, qymyri digjet në vatër

dhe ti, bardhësia më e bukur e dëborës, mbështet kokën në

prehërin tim

Kjo është

slita e cila nuk ndalet më, bie dëborë

mes zemrës tonë, ajo përvëlohet

mbi grumbujt e hirit në oborr, i dashur, mëllenja çuçlon.

Përkthye nga gjermanishtja: Arjana Kadiut (revista “Poeteka”, verë 2012)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency