Familja Albani, ardhja e vonë në Shqipëri!
Qendra e Studimeve Albanologjike organizoi dje në mbrëmje në sallën “UNESKO” të Muzeut Historik Kombëtar, konferencën shkencore me temë “Papa Klementi XI dhe familja Albani”.
Një familje e famshme, pak e njohur, me origjinë shqiptare nxori, përveç Papës Klementi XI, edhe kardinalë, profesorë, juristë dhe artistë me famë botërore, si dhe la trashëgimi muzeun e mirënjohur të artit “Pallati Albani”. Vetë Papa Klementi XI nxiti mbajtjen e Kuvendit të Arbënit më 1703, botimin e akteve të këtij Kuvendi, si dhe botimin e Gramatikës së Shqipes dhe të serisë historike “Illyricum Sacrum”. Në konferencë ishin ftuar prof. Eqrem Elezaj, autori i një monografie mbi këtë argument, si dhe Prof. Richard Potz, nga Universiteti i Vjenës.
Në fakt monografia siç u tha gjatë konferencës ishte botim i vitit 2009 në Kosovë, por e njohur dhe hyrë në Shqipëri vetëm pak muaj më parë në rastin e 100 vjetorit të pavarsisë. Elezaj u vlerësua si një nga kontribuesit më të plotë përmes botimit të tij, në njohjen e origjinës shqiptare të familjes Albani, përmes hulumtimit dhe kërkimit nëpër arkivat e Evropës. Konferenca u shoqërua me një ekspozitë me riprodhime gravurash të epokës, e hapur në sallonin e MHK.
Re.Ku
Art me kalendar nga tre universitete
Tre Universitetet shqiptare të artit bashkohen në Tiranë për t’u ballafaquar. Një kalendar aktivitetesh artistike të përqëndruara në dy ditë dhe që sjell drama, koncerte dhe ekspozita të realizuara nga studentët e tre universiteteve, atij të Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës. Rektori Petrit Malaj dhe dy dekanët nga Prishtina e Tetova u shprehën se ky aktivitet është mbajtur gjallë edhe pse me fonde minimale.
“Ne i mëshojmë fort një ideje që ka Universiteti i Arteve, që UA përkrah edukimit artistik që ka misionin qendror në institucion, të ketë dhe hapjen karshi publikut universitetas me projekte të shumta të studentëve dhe të pedagogëve.
“Shpresoj që “Ura me Tri Harqe” të mos ndalet asnjëherë, por të jetë gjithmonë e re, gjithmonë e freskët, gjithmonë me punën e studentëve”- thotë Adem Rusinovci, dekan i UA në Prishtinë.
“Dita- ditës ky bashkëpunim universitar po rritet. Ai ka një karakter mbarëkombëtar dhe vendos themelet e një bashkëpunimi të fortë”- thotë Muhamer Sadiku, dekan i UA në Tetovë.
Aktivitet e përbashkëta nisën më një ekspozitë në galerinë Fab, ku u bashkuan 65 studentë nga tre vendet, me krijimet më të mira të vitit të fundit. Punët i takojnë të gjitha teknikave të arteve figurative dhe shprehin subjekte të ndryshme. Në mbrëmje në skenën Akademisë do të ngjiten dy shfaqje teatrale ndërsa më datë 21, një koncert me vepra të Kujtim Laros dhe Hektor Berlioz.
Projekti “Ura me tri harqe” çdo vit udhëton në një nga tre kryeqytetet, apo qytetet shqiptare.