Klop: Bota duhet të bëjë tifo për ne… Bajerni është si “i keqi” tek Xhejms Bondi

0
165

 Përgatiti: Altin Vorpsi

 

Jürgen KloppKlëp: “Kur mora vesh largimin e Gëces, ishte sikur pësova një infarkt. Ndodhi një ditë pas ndeshjes me Malagën. Cork mbërriti në qendrën stërvitore dhe ecte sikur të kishte vdekur dikush: “Dua t’ju them diçka. Ka mundësi që Mario…”

 

 

Vetëm pak para finales së madhe, Jyrgen Klëp karikon me më shumë tension ambientin duke sulmuar përsëri rivalët e Bajernit. Në një rrëfim për britaniken “The Guardian”, trajneri i Dortmundit tregon për herë të parë detaje të panjohura të jetës dhe karrierës së tij. Të shtunën do të ketë mundësi të hyjë në histori, në rast se do të mundë Bajernin në finale me skuadrën që, sipas tij, ka projektin dhe luan futbollin më të bukur në botë.

 

Si “i keqi” tek Xhejms Bondi

Pas triumfit të 1997-ës, klubi i Dortmundit ishte pranë falimentit në vitin 2005. Me ardhjen e tij në Vestfali (5 vite më parë), Klëpi ka bërë që skuadra në fjalë të kthehet në një superfuqi (e 11-ta me 189 mln euro xhiro në vitin 2012). Tifozeria e Dortmundit në “Vestfalenshtadion” dridhet çdo ndeshje nga 82 mijë tifozë. Megjithatë, krahasuar me Bajernin, Junajtidin, Realin apo Barcelonën, Dortmundi mbetet një klub modest. Fatura financiare e Borusias është sa gjysma e asaj të Bajernit ose një e treta e Realit. E megjithatë, ata i mundën 4-1 spanjollët, me një ndeshje të paharrueshme për 20-vjeçarin Mario Gëce. Pak ditë më vonë, talenti i Borusias, i cili ka luajtur prej moshës 9-vjeçare në klub, vendosi të aktivizonte klauzolën e prishjes së kontratës (37 mln euro) për të shkuar te Bajerni. Ai është ndoshta largimi i fundit nga kjo skuadër e re. Edhe Levandovski, që i shënoi 4 gola Realit, duket se do të shkojë te Bajerni, një tjetër skuadër e fortë që e shkatërroi 7-0 Barcelonën. “Çfarë mund të them. Nëse kjo është ajo që Bajerni dëshiron… Bajerni është si Xhejms Bondi, me ndryshimin e vetëm se këta të fundit janë personazhi negativ”, – qe reagimi i Klëpit pas “përmbledhjes” që i bëri situatës gazetari anglez. Më tej ky i fundit i kujtoi Klëpit një tjetër sulm që bëri pak kohë më parë ndaj Bajernit. Më parë tekniku i krahasoi rivalët bavarezë me një superfuqi të pamëshirshme si Kina. “Kur e bëra një krahasim të tillë isha i lodhur (qesh). Bajernit i duhet një dekadë e mbushur me suksese si Barcelona. Është mirë kur ke paranë, sepse gjendja e mirë financiare rrit shanset e suksesit. Mirëpo paratë nuk e garantojnë atë. Ne nuk jemi një supermarket, por Bajerni kërkon lojtarët tanë, sepse e dinë që ne nuk i konkurrojmë dot me rrogën që ata ofrojnë. Nuk është mënyra jonë t’i bëjmë gjërat si Reali ose Bajerni dhe të mos mendojmë për taksat, duke u trashëguar brezave të ardhshëm probleme financiare. Ne duhet të punojmë seriozisht dhe me arsye. Prandaj, është normale që të humbasim lojtarë. Sezonin e shkuar u largua Kagava”, – tha Klëp.

 

Reagimi pas largimit të Gëces

I pyetur se si reagoi pasi kishte mësuar lajmin se Gëce kishte pranuar ofertën e Bajernit, Klëpi bëhet serioz dukë thënë: “Ishte sikur pësova një infarkt. Ndodhi një ditë pas ndeshjes me Malagën (ndeshja e kthimit të çerekfinaleve që Dortmundi u kualifikua pas dy golave në shtesë). Unë kisha vetëm 24 orë kohë për të festuar kualifikimin, por dikush mendoi: ‘Mjaft, ka ardhur koha të të jap një grusht dhe të të hedh në tokë”. Drejtori sportiv, Mikael Cork, mbërriti në qendrën stërvitore dhe ecte sikur të kishte vdekur dikush: ‘Dua t’ju them diçka. Ka mundësi që Mario…’ (nuk e mbaron fjalinë). Mikaeli pyeti nëse unë doja të thosha diçka, por i thashë jo, vetëm dua të largohem. Atë mbrëmje po më priste gruaja, sepse një aktor shumë i njohur gjerman dhe miku ynë, Votan Vilke Mëhring, na kishte ftuar në premierën e filmit të tij në Esen. Por, unë i thashë gruas: ‘Nuk do shkojmë, nuk mund të flas dot. Është e pamundur të dal sonte’. Nga klubi më vinin telefonata pafund dhe më kërkonin të takoheshim në një restorant për të folur. U thashë: ‘Jo, sot dua të rri vetëm. Nesër do flasim, por sonte jo’”.

 

Mjeshtri

Trajneri i parë që e frymëzoi për vite te Majnci, Volfgang Frank, përdorte skemat e Arrigo Sakit te Milani. Ky është një nga sekretet e mëdha të Klëpit që pranon: “Edhe pse luanim në kategorinë e dytë, ishim skuadra e parë që luante me klasiken 4-4-2 pa një libero. E shikonim këtë video të mërzitshme 500 herë me radhë, ku Saki bënte manovrat defensive pa top me Maldinin, Barezin dhe Albertinin. Përpara kësaj ne mendonim se, nëse lojtarët e tjerë janë më të mirë, atëherë humbja ishte e logjikshme. Pas kësaj, mësuam se gjithçka është e mundur dhe se mund të mundësh një ekip më të mirë duke përdorur taktikën”.

 

Për Dortmundin

Bajerni është favorit në finalen e së shtunës, por Dortmundi duket se do të ketë mbështetjen e tifozerisë neutrale. Gazetari britanik në këtë pikë pyet Klëpin nëse është e vështirë të mos bësh tifozllëk për një skuadër kaq të paparashikueshme dhe me një trajner të hekurt: “Ne jemi një klub, jo kompani. Por varet se çfarë historie kërkon të dëgjojë një tifoz neutral. Nëse ai respekton historinë e Bajernit dhe trofetë që ka fituar prej viteve 1970, atëherë mund të mbështesë Bajernin. Por nëse ai kërkon të dëgjojë një histori të re, histori speciale, ajo është Dortmundi. Në një çast të tillë të futbollit botëror, ata duhet të jenë me ne”, – tha Klëp.

 

 

 

 

Parashikimi i “Gjeneralit”

Hicfeld: Klop një ditë do të jetë trajneri i Bajernit

Impenjimet e tepërta kanë detyruar Otmar Hicfeld inqë të mos shohë direkt në “Wembley” dy skuadrat me të cilat ka fituar nga një herë Ligën e Kampioneve. “Do ta shoh nga larg finalen për shkak të punës sime në televizion, por me zemër do të jem atje. Favorit shoh Bajernin 60:40, për shkak të asaj që tregoi këtë sezon në Bundesligë. Por le të mos harrojmë se presioni është gjithashtu mbi të. Dortmundi nuk ka asgjë çfarë të humbasë”, – tha trajneri i Zvicrës për “Kicker”. “Gjenerali” shtoi se një ditë do ishte e mundur që Klopi të drejtonte Bajernin: “Bajerni kërkon gjithnjë trajnerin më të mirë në Gjermani. Dhe Klopi është një kampion. E tregoi te Majnci dhe Borusia. Është një trajner inteligjent që e ndien futbollin dhe çliron emocione”.

 

Dëmtimi

Gëce nuk rikuperon dëmtimin

Lajme të këqija për Dortmundin. Stërvitja e parë e Gëces me grupin nuk ka pasur sukses. Fantazisti ka pësuar një tjetër dëmtim në muskulin e kofshës së djathtë që tërhoqi në ndeshjen me Realin, duke alarmuar tërë ambientin. “Mario ndjeu sërish dhimbje, prandaj e ndërpreu stërvitjen. Akoma nuk e dimë nëse rrezikon”, – sqaroi drejtori sportiv, Mikael Cork.

 

 

 

foto lajmiFoto lajm

U keqtrajtua se ishte një arbitre femër. Në fushat e Koronatas, në periferinë industriale të Xhenoas,u mbajt dje një ndeshje futbolli mes diletantësh që për fatin e keq përfundoi me incidente. Sapo u dëgjua fishkëllima që shënonte nisjen e garës, arbitrja e re Rosa Grota, 23 vjeçe, e Shoqatës Italiane të Arbitrave të Futbollit Amator, u mbulua me të shara për një zgjedhje jo të mirëkuptuar arbitrazhi nga lojtarët. Ndeshja u pezullua dhe ky fakt i ka nervozuar shumë lojtarët: ata e rrethuan arbitren dhe njëri prej tyre desh t’i ngjeshte një grusht turinjve, gjest të cilit ajo mundi t’i bënte bisht. Këtë e bën me dije zyra e shtypit e Futboll Liguria, që lajmëron se ia ka transmetuar emrin e skuadrës CONI-t që të marrë masat përkatëse për të ndëshkuar këtë episod, duke e përjashtuar nga të gjitha manifestimet sportive.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency