Sonja Caka
Historia e të riut A.Prençi, i cili është dënuar disa herë për vjedhje, ndërsa aktualisht ndodhet nën gjykim për dhunim të familjarëve
Shërbimi i Provës në vend mund të konsiderohet pa as më të voglin dyshim një histori suksesi në vendin tonë, pasi ka ulur ndjeshëm mbipopullimin në burgje, ka shërbyer për të rehabilituar mjaft të dënuar, këta të fundit të asistuar shpesh gjatë lirimit me kusht nga specialistët e këtij shërbimi. Por, ka edhe nga ata të dënuar që i rikthehen shpesh këtij shërbimi, për shkak të moskontrollit si duhet të situatave apo dhe për duke u akuzuar sërish si përsëritës të veprave të ndryshme penale. I tillë është edhe rasti i 18-vjeçarit A.Prençi, një djalë i etiketuar mjaft i zgjuar, por që për fatin e keq, ai nuk e ka vënë atë në shërbim të të mirës por të keqes për veten dhe familjen e tij. Historia e 18-vjeçarit është konsideruar si një histori dështimi, pasi i riu ka arritur edhe ta thyejë dënimin me kusht duke mos u paraqitur edhe te specialistët e Shërbimit të Provës, megjithatë, këta të fundit kanë vendosur mos ta braktisin, por t’i japin edhe një herë dorën.
Thyerja e dënimit
A.Prençi është një prej të dënuarve që është mbajtur nën monitorim të Shërbimit të provës për një kohë të gjatë, qysh kur ishte ende i mitur. I dënuar disa herë për vjedhje të kryera në shoqëri apo familje, 18-vjeçari për shkak të efektit që jep përdorimi i drogës, arriti deri në dhunim të familjarëve të tij. Do ishte një mungesë e gjatë e paraqitjes së tij te specialisti i këtij shërbimi që do detyronte specialistin t’i drejtohej Prokurorisë për ndryshim të zbatimit të masës së dënimit, nga dënim me kusht në dënim me burg. Por, ndërsa Shërbimi i Provës vihej në lëvizje për të kontaktuar 18-vjeçarin Prençi mëson se ai ishte ndaluar pas një kallëzimi të familjarëve për ushtrim dhune ndaj tyre. Për këtë akuzë, 18-vjeçari është duke u gjykuar, por që specialistët mendojnë t’i japin edhe një mundësi për të mos përfunduar në burg duke vuajtur dënimin e gjykatës. Ata deklarojnë se do përpiqen t’i japin ndihmë për ta rehabilituar, për shkak edhe të moshës së re, por edhe dëshirës së tij për të vijuar arsimimin e ndërprerë.
Historia e 18-vjeçarit
Ka qenë 16 vjeç kur është marrë nën mbikëqyrje për herë të parë nga Shërbimi i Provës, aktualisht është 18 vjeç. Në moshë fare të re akuzohej për tri vepra penale, përkatësisht “vjedhje me dhunë” në bashkëpunim, “vjedhjes” dhe sërish “vjedhjes me dhunë”, procedime që u lidhën nga Prokuroria e Tiranës dhe u hetuan të gjitha njëherazi. A.Prençi është dënuar nga gjykata për vjedhjen me dhunë të celularit të shtetasit Niko Spiro, në bashkëpunim edhe me dy shokë të tjerë të tij. Më pas, në prag të festave të fundvitit, vetëm 2 muaj më vonë se vjedhja e parë, ai i vodhi në banesë tezes së tij 300 mijë lekë dhe 2 celularë. Dhe, ndërsa kishin kaluar vetëm 3 muaj nga kjo vjedhje, ai do të realizonte një tjetër, duke i marrë me dhunë 2 mijë lekë dhe një telefon celular shtetasit Ervis Stafa, duke i dëmtuar këtij të fundit edhe krahun e majtë dhe dorën e djathtë.
Vlerësimi
Shërbimi i Provës ka dalë në një rezultat pas vëzhgimit dhe intervistimit të 18-vjeçarit, duke vlerësuar se rrezikshmëria për përsëritjen e veprës penale prej tij është e lartë. Megjithëse ai shprehet i penduar dhe përsërit se nuk do kryejë më vepra penale, ai nuk ka mundur ta ndryshojë jetën e tij. Varësia nga narkotikët dhe mungesa e kufijve të qartë do të thotë se ai mund të jetë i ekspozuar ndaj situatave të rrezikshme. Megjithatë, specialistët e këtij shërbimi kanë kërkuar që të ishte sërish nën monitorim të tyre, pasi një dënim me burgim mund të vendoste në rrezik elementët pozitivë të lidhura me rindërtimin e mundshëm të jetës së tij familjare.
Përfundimi
Megjithatë, pavarësisht të gjithave, A.Prençi e thyeu sërish dënimin me kusht, duke mos u paraqitur dhe dhunuar familjarët e tij. Kjo bëri që ai të riarrestohej dhe tashmë të jetë në paraburgim në pritje të marrjes së një dënimi për këtë vepër penale. Shërbimi i Provës deklaron se sërish do përpiqet t’i vijë në ndihmë për rehabilitim 18-vjeçarit Prençi.
Prençi: Sjellja ime agresive, për shkak të përdorimit të drogës
I riu ka shpjeguar për Shërbimin e Provës çfarë e shtyn atë të kryerjë këto veprime dhe të ketë këtë sjellje të papërshtatshme për të dhe familjen e tij. Prençi ka pranuar se i ka kryer të gjitha vjedhjet për të cilat akuzohet, ndërsa ka deklaruar se nuk kishte përdorur dhunë. Ai ka shpjeguar se lekët i ka vjedhur për të blerë lëndë narkotike, kafe dhe cigare. Vetë ai ka shpjeguar gjithashtu se shkak për sjelljen e tij të papërshtatshme është përdorimi i drogës. “Sjellja ime ndodh për shkak të konsumimit të 8 apo 9 cigareve hashash në ditë” ka deklaruar ai. Sipas specialistëve të Shërbimit të Provës, disa nga faktorët që mund të kenë kontribuar në sjelljen e tij janë marrëdhëniet jo të mira me prindërit, bashkëmoshatarët, përdorimi i narkotikëve dhe mënyra e të menduarit të gjërave. Veprat penale të kryera nga Prençi rezultojnë të jenë rënduar nga përdorimi i kanabisit, i cili ka shërbyer për ta ulur më tepër vetëkontrollin. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, Prençi ka shprehur dëshirën në kohën që ishte në paraburgim të vijonte shkollën e lënë përgjysëm dhe premtonte një sjellje më të mirë.
Detaje
7957 të dënuar nën mbikëqyrje për 4 vjet, nga data 1 qershor e vitit 2009 deri në fund të prillit të këtij viti
142 të huaj nga shtete të ndryshme janë mbikëqyrur nga Shërbimi i Provës gjatë këtyre 4 viteve
3540 të dënuar janë ende nën mbikëqyrje, të dënuar për vepra të ndryshme penale nga gjykatat
3994 të dënuar kanë përfunduar mbikëqyrjen nga Shërbimi i Provës në mënyrë të suksesshme
1385 të mitur janë nën mbikëqyrje për vepra penale si armëmbajtja pa leje, grabitje apo vjedhje me dhunë
580 është numri i femrave të dënuara nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës në gjithë vendin
Punësimi në interes të publikut, një masë e aplikuar në vendimet e gjykatës
Gjykatat kanë aplikuar për të dënuar të rritur dhe fëmijë edhe dënimin në interes të publikut. Sipas burimeve zyrtare të Shërbimit të Provës, që të arrihej kjo, u është dashur të lidhin një sërë marrëveshjesh me komuna dhe bashki në vend, pa parë nëse janë të majta apo të djathta. Në këtë aspekt nuk ka pasur ndasi partiake. Bëhet fjalë për afro 228 marrëveshje të nënshkruara nga Shërbimi i Provës me komuna dhe bashki. Numri total i të dënuarve me punë në interes publik nga 1 qershor i vitit 2009 deri me tani shkon te 600 të dënuar. Këta të dënuar, në varësi të dënimit të dhënë nga gjykata, punon në ndihmë të komunitetit, bashki apo komuna, pa pagesë. Sipas po të njëjtave burime, është gjykata është ajo që përcakton orët e punës në shërbim të komunitetit, nga 40 deri në 240 orë pune. Kjo është një punë e papaguar, pasi individi i dënuar shlyen dëmin e shkaktuar duke dhënë kontribut falas për interes publik. Në fund të përfundimit të kohës së punës, së përcaktuar nga gjykata, bashkia apo komuna i jep një vërtetim të dënuarit, ku shkruhet vlerësimi për të përgjatë kësaj kohe të kaluar në interes të komunitetit. Monitorimi ndodh që në fillim nga ana jonë, pasi në bashkëpunim edhe me komunat dhe bashkitë, përgatitet grafiku i punës nga punonjësit e Shërbimit të Provës. Monitorimi më pas vijon edhe në vendin e punës, duke parë si zbatohet vendimi i gjykatës nga i dënuari.