KQZ me 4 anëtarë Lleshi u bën thirrje partive: Të shprehin vullnetin për të cilën thonë se e kanë

0
130

Florenc Drizari

KQZ..Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterie Luzi (Lleshi) u bëri thirrje të gjithë aktorëve të klasës politike në Shqipëri që të kontribuojnë pozitivisht në procesin zgjedhor dhe jo të bëhen pengesë për mospërmbushjen e standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët.

Afrimi i ditës së zgjedhjeve e vë KQZ-në përballë disa vendimeve të rëndësishme për procesin zgjedhor, ku do të kërkohet një shumicë e cilësuar votash prej pesë anëtarësh, por mungesa prej më se një muaji e tre anëtarëve të opozitës i vë në pikëpyetje vendimmarrjet e këtij komisioni. Lidhur me këtë çështje, dy partitë e mëdha, PD dhe PS, duket se ndodhen ende larg gjetjes së një konsensusi të mundshëm, ndërkohë që seanca parlamentare e ditës së enjte shihet si një mundësi për plotësimin e vendeve vakante në KQZ.

Një ditë më parë, kryetarja e KQZ-së tha se suksesi i këtij procesi është rezultat i një kontributi të përbashkët nga të gjitha subjektet zgjedhore në vend dhe për këtë u bëri thirrje partive politike të gjejnë konsensusin në zgjidhjen e ngërçit të krijuar.

“Unë dhe kolegët e mi jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e punës sonë, të përgjegjshëm për ta përmbushur atë në përputhje me përcaktimet legjislative, të vendosur për të qenë arbitër të paanshëm, ashtu siç jemi betuar përpara Kuvendit, që vendimet tona të ndikohen vetëm nga fryma e ligjit dhe standardet e përcaktuara prej tij, do të bëja apel për të gjithë aktorët e fushës, për të kontribuar pozitivisht në procesin zgjedhor, veçanërisht forcat politike për të demonstruar aktivisht vullnetin për të cilin shprehen se e kanë, duke qenë të bindur në aksiomën se “suksesi i procesit zgjedhor është rezultat i kontributit të përbashkët pozitiv të të gjithëve”, – përfundoi fjalën e saj kryetarja e KQZ-së.

Ndërkaq, një ditë më parë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi (Lleshi) mori pjesë në seminarin “Krijimi i burimeve për demokraci, qeverisje dhe zgjedhje (BRIDGE)”, i organizuar nga UNDP. Të pranishëm në këtë seminar ishin Zineb Touimi-Benjelloun, koordinatore e Agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Alaudin Malaj, kryetar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, Yesim Oruc, drejtore e Zyrës së UNDP në Shqipëri dhe përfaqësues të partive politike dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve.

Në fokus të këtij seminari ishin mosmarrëveshjet zgjedhore. Në tërësinë e tij ky seminar synoi të ndihmojë Kolegjin Zgjedhor, KQZ-në dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm në fushën e zgjedhjeve për zgjidhjen e debateve zgjedhore, menaxhimin dhe zgjidhjen e ankesave zgjedhore, sfidat lidhur me procedurat votimit e të tjerë.

 

“Do të bëja apel për të gjithë aktorët e fushës, për të kontribuar pozitivisht në procesin zgjedhor, veçanërisht forcat politike për të demonstruar aktivisht vullnetin për të cilin shprehen se e kanë…”

 

 

KQZ, mbështetje për 2000 persona të verbër në Shqipëri

Kryetarja e KQZ-së premtoi mbështetjen e institucionit që ajo drejton për 2000 persona të verbër në Shqipëri, që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor më 23 qershor. Zonja Lleshi mori pjesë në sesionin e hapjes së “Trajnimit Kombëtar të Trajnerëve”, pjesëmarrja e të verbërve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Në këtë trajnim morën pjesë ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, ambasadori i Gjermanisë, Erik Tintrup, Avokati i Popullit, Igli Totozani, kryetari i Shoqatës së Personave të Verbër, Sinan Tafaj. Ky trajnim synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të edukimit të zgjedhësve të verbër. “Kemi bërë të mundur arritjen e standardeve më të mira që në zgjedhjet e kaluara. Po të vazhdojmë me këtë ritëm nuk ju premtojmë se do i zgjidhim të gjitha problemet tuaja, por do t’i bëjmë ato më të lehta”, – tha kryetarja e KQZ-së. Në sesionin e hapjes së trajnimit morën pjesë persona të verbër nga të gjithë qarqet e Shqipërisë, të cilët këtë informacion do ta përçojnë dhe tek 2000 persona të verbër në mbarë vendin.