Nëse iki prej teje, të gjitha m’i gris…

0
202

6 maj Amedeo Modigliani  girl-in-the-shirt-red-haired-girl-1918.jpg!HalfHDEdoardo Sanguineti është një nga emblemat më të përpikta të poezisë dhe kulturës së neomodernitetit italian, por edhe më gjerë. Ai është gjithashtu autor i antologjisë “Poezia italiane e nëntëqindës” si dhe përkthyes i Euripidit, Senekës dhe poezive të Xhojsit etj. Për cilësinë e nismëtarit, për shkëlqimin poetik dhe kompleksitetin teoriko-kulturor, ai është figura më e rëndësishme e neoavanguardizmit dhe përfaqëson disa nga zhvillimet formale më konsekuente e radikale të kësaj lëvizje, siç janë teza paradoksale për kohën, atë të bërjes së avangardës një art muzeal! Më poshtë kemi shkëputur disa poezi të marrë nga “Fjala review”

 

Cadeau

 

(për Kerollin)

dashuria është buzëtrashë dhe vërëngushtë

mollë Adami që fryhet në grusht:

 

 

dashuria ka nëntë thimtha dhe një sy,

me kërthizë dhe veshë, në një gju:

 

dashuria ka një këmbë maskuar si penis,

ka urinë flokësh venave përmidis:

 

dashuria ka pulse me vulva dhe pështyma,

ka një gisht që kruan trysa:

 

 

dashuria ka një thua dhëmballe në dermë,

kordë zanore puçrrash dhe spermë:

 

dashuria ka ninëza të lëkurta dhe të tulta,

me frethe rrudhash në sqetulla:

 

dashuria ka një kallo bërë nga hejza,

qime në gjuhë, nyje në venëza:

 

 

dashuria kafshon, me një nofull të mpitë,

të gjitha cicat, në të gjitha rropullitë:

 

 

 

Erotosonet

Sikur të të sajdiste veçse një sonet,

Arketip i ashikërisë së athët paprani,

Ndën emrat e tu hiçi im do të rri,

Getoja ime, flugeri im, gjiri im në det:

 

Unikorn i unjët, unik me ngutësi,

Insekt intim, tek ti shenja do skalitet,

Nyje e nyjeve, nudo gjaknxeht’,

Emfazë ekstreme, epigramë që del përmbi:

 

 

Tërësisht e tultë, torrë torturimi,

Infarkti im i nginjur, idhull, skëterror,

A po më avitesh, me age të afshta agimi:

 

 

Meduzë me gojë mbyllur, muskul mëmësor,

A dëgjon, gjarpër ashk, ja edhe aprovimi:

Tutem me ty, trembtas, terno që del me zor.

 

 

Kuartinë

 

po copëtoj një katërvarg të zymtë

dy distikë një metër i tymtë:

kështu, një varg para, një nga pas,

me copëra xhami i skalis:

Përktheu nga origjinali: Erion Kristo

 

1. Kthen hëna ime

 

Kthen hëna ime në këmbim të plotësisë dhe

paplotësisë

hëna ime në udhëkryq dhe gjuhë hënore

kohëmatës i varrosur dhe Sinus Roris dhe psalme lutje hijesinë

patkua kali dhe lule margeritë dhe sisë e sëmurë dhe e pështirë

( shoh peshqit e mi që vdesin përmbi shkëmbijtë nënujorë të

qerpikëve të tu

dhe tersllëk dhe pengesë përçapje dyfishe epidemi chorus

dhe muaj prill

dyllosje vorbull e ajrosur e shtangun dhe bisht dhe vegël

mostër e gjithçkasë por edhe insekt a qasje e së verdhës

dhe të zezës

pra gjethe që bie përtokë

ti lakuriq nate gjer në peshk hënë njollë që zmadhohesh

lunae

( pra në tokën e verdhë dhe të zezë) penel i ëndrrave

por edhe klishe

vor der Mondbrücke vor den Mondbrüchen

në një horizont histerik prej kashte derr i ballsamosur me

krahë fluture

kriptografi maskë barut për të shtënë mëlçi

asgjëja e xhindosur

 (nga libri “Laborintus”)

 

 

 2. Flinte si një tumor i tharë

 

brenda teje flinte si një tumor i tharë, si një lavërz e hajthme,

një ëndërr;

tash shklet zallit, herë përkund hijen e tij; hera-herë kërcëllin,

gëlltitet, urinon, duke përgjuar pafundësisht shijen

e kamomilit, temperaturën e lepurit, lodërtinë e breshërit

formën e çatisë ngjyrën e kashtës:

koha pa mëshirë

ngre krye kundër ditëve të tij; toka ofron pamje

të mjegullta;

do ta njohë sërish dhinë, fshatarin, të shtënat e topit?

jo këto gërshërë vërtetë shpresonte, jo kjo pjeshkë,

kur fërgëllonte nën lëmesën e qorrët të brendësisë tënde.

 (Nga libri “Erotopaegnia”)

 

 

 

3. Mespërmes…

 

mespërmes Hebekrevonit, Leseit, Portbailit, Shën Sovërit( përherë

nën shi) ; pastaj Edithi tha se s’isha aq fisnik ( ngaqë nuk

kisha shkruar, si Pierri

quelques poèmes për të) ; ( dhe që s’duhet të niseshim) ; Mishelina

këto i gjykon shumë thjesht ; dhe Edithi dhe Mishelina kur unë thashë

që nuk e kisha

tradhtuar ( gruan time) desh e besuan

(dhe këtu të vjen për mbarë të kujtosh kësosh:

“ nëse ti i hedh krahun në qafë etj.,” ç’do të ngjasë pastaj);

pastaj do të vallëzojnë të gjithë, edhe

Misha, në sallonin e ngushtë ; mespërmes Serisit, Kanisit, Kuntancës

Renjévillit; ( por më 12

korrik il Louvre ishte i kyçur, të martën) ; dhe shkruante ( përmbi një fletë katrore)

“mendoja se nuk do të mund të shihja drejt në sy” ; dhe: “më vjen keq për ty

dhe më tej shkruante (gruaja ime) : “ jam keq” dhe pastaj nga Gap ( H.A.),

( dy ditë më vonë), të shashtisur ende, thuajse të mpirë : dhe

të mendosh ( thashë);

që ne ( thuajse duke qarë, thashë) ; ( dhe doja të thoshja, por thuajse

qeshë krejt i mbytur,

nga lotët; doja të thoja: me një dashuri si kjo, ne) ;

një ditë (ne); (dhe në shesh çirrej fanfara; dhe dhoma ishte e zhytur

në një gjysmëhije të frikshme) ;

(ne) duhet të vdesim:

(nga libri “ Nga Purgatori në Ferr”)

 

 

 

4. Pinte dhe qeshte…

 

pinte, dhe qeshte, dhe pinte, gazetarja Gizelë: dëfrehej

pa masë, nga shakatë të fëmijës tim të parë: ( një “ist mir vergällt,”

shpirtlig):

( ndoqnin sqarimet rreth etimologjisë së poezisë, bijë

e kujtesës: sepse shkruan vetëm kush nuk di të kujtojë, për kundërharresë):

ngazëllehej para gishtrinjve të mi të gjatë përshëndetjes së

gruas sime

para bukurisë ngacmuese të fëmijës tim të tretë: ( që ka bërë

epifaninë e tij të shkurtër

në pikun e një historie cuovades) :

( dhe fëmija im i dytë ka mbetur në katin e dytë,

disi në hije, me një pamje tronditur dhe të dhembshur):

por në çastin e beftë të ndarjes

kur unë, një Liebling der Schnaken, u shndërrova në një

Liebling der Götter

nuk i përmbjati lajkat e saj të lamtumirës: përzier me një qortim të lehtë: ( për një

një Liebling der Frauen të hamendësuar, i divorcuar në paramartesë)

( dhe çasti

më i lumtur i jetës sime, u përgjigja, janë tre të tillë

dhe thashë se cilët ishin:

 (Nga libri “Raisebilder”)

 Përktheu nga origjinali: Halit Shamata

 

 

Më sy të nxehtë, këtu, për doktor Spensley-n (nëse bashkoj parahistorinë dhe nismo-historinë dhe historinë), një shekull futbollizmi më këqyr-: (dergjet i lënuar, me këmbë të kryqëzuara: shpërfill krejt një vëllim, i hapur përbri tij, për të më parë, dhe gjithë librat e tjerë, rreshtuar nëpër rafte, dëndur: me një dorë e mban kokën, gojëkyçur, tashmë):

Sfera e vjetër rrotullohet paprerë, nëpër këmbët tona, e paqetë, përkdhelë nga erë e detit, (dhe, poshtë këmbëve tona, përsiellet po ashtu sfera e planetit): fotografi të mbijetuara (plotpërplot me kohë, populluar së vdekurish, të njohur e panjohur) kallëzojnë, në hark të një rrufeje, këtë legjendë të gjatë:

E kuqja, është blu:

 

 

6.

Nëse iki prej teje, të gjitha m’i gris:

Por më e mira ime (apo më e keqja)

Të mbetet e ngulur, ngjitshëm, si një mjaltë, si ngjitës, si një vaj i trashë: kthehem tek vetja, kur kthehem tek ty: (e rigjej majat e gishtave e mushkëritë): pas pak zbresim në Madrid:

(në rresht këtu në avion, të përzgjedhur bashk’kombasit e mi, afaristë, thonë numra e numra, ndërsa pijnë e tymosin, me gaz, duke qeshur zëshëm):

jetoj ende për ty, nëse jetoj ende.

 

5

Gdhendeni me germa kutish, lexuesit e mi trashëgimtarë (dhe ju flas shkollarëve të mi, fëmijëve të mi zemër-rrejshëm, filoproletarë që thuaj më përngjajnë, të panumërt, tashmë, si kokrrizat e rërës në zemrën time të shkretë) këto fjalë të miat, përmbi varrin tim, me pështymë, gishtin zhysni në gojë (siç e ngjyej unë tani mes humbellave të shumta në dhëmb-mishrat e mi të akullt):

E kam gëzuar jetën time, Unë:

 

8.

rikthehu hëna ime në këmbime plotërie e tkurrjeje

hëna ime e mëdyshur dhe gjuhë e hënës

kronometër i varrosur e Sinus Roris e lutje me ai a me oi hije

patkua e margaritë e sisë e sëmurë e neverì

(shoh peshqit e mi të vdesin mbi shkëmbinjtë e qerpikëve të tu)

e kob e pengesë dyhapësh epidemì chorus e muaj prilli

shtojcë e ajrosur tërheqje frerësh e bisht e vegël

paraqitje e së gjithës ose dhe mizë ose pranëvënie verdhë e zi

pra gjethe në fushë

ti laskuriq në peshk hënë ti njollë in augmento lunae

(pra në fushë verdhë e zi) penel ëndrre e kaherë avaz i vjetër

vor der Mondbrücke vor den Mondbrüchen

në një horizont histerik prej kashte derr i balsamosur me flatra fluture

kriptografi maskë barut mëlçi e xhindosur asgjë

 

3.

kape këtë mërkur, këtë dhëmballë të mpirë, këtë mjaltë, këtë rruzull

qelqi të zhveshur; matja me vëmendje kryet

fëmisë sonë e mos ia ndrydh këmbën

që s’vihet re:

në thithën tënde duhet tash të këmbesh

një kontinent të tejshtrirë llampash, frymarrjen e shpeshtuar të kopshteve

qortues, balenat e ngathta të barkut, hithrat

dhe verën, dhe neverinë dhe ndryshkun;

sepse tërë rrugët doemos

do turren bram te ai, një dhjamë kërthizor duhet t’i skalisë

profilin e tij prej tymi, ndonjë hipopotam t’i dhurojë

dhëmbët e tij prej zbokthi e prej fosfori të zi;

shmange erën,

kallaballëkun, zhonglerët, kandrrat;

e ai në gjashtë muaj do mund të peshojë dyfish, të shohë patokun,

të shtrëngojë culet, të vërejë si rrëzohen gjërat nga forca e rëndesës;

shkule pra nga jeta e tij prej algash e rruazash, prej nyjesh të vogla,

prej bulesh të pasaktësuar:

ofshama e tij do pushtojë plagët e tua të lëngëta

dhe ato sy prej gjalpi të pjerrët do të ndreqin këto shekuj pa emër!

 

4.

në ty flinte si një fibromë e tharë, si tenjë e imët, një ëndërr;

ja po rreh zhurishtën, ja tek tund hijen e vet; ja ku çirret,

gëlltitet, urinon, pasi priti samot shijen

e kamomilit, temperaturën e lepurit, zhurmën e breshërit,

formën e çatisë, bojën e kashtës:

pa shërim koha

kthen sytë nga ditët e veta; toka sjell pamje të vagullta;

do arrijë vallë të shquajë dhinë, katundarin, qytën e topit?

nuk shpresonte vërtet këto gërshërë, as këtë dardhë,

teksa dridhej atij thesit tënd prej cipëzash opake.

 

Përktheu nga origjinali: Parid Teferiçi

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency