“Arkëtimet, ose likuidimet e faturave të CEZ ndaj nesh përbëjnë hap cilësor, pasi sot KESH po merr rregullisht pagesat mujore për energjinë për muajt mars, Prill dhe Maj, ku shlyerjet e faturave janë realizuar 100%”
Për KESH-in, përmirësimi i situatës hidroenergjetike nga reshjet e fundit në basenet e hidrocentraleve mbi Drin, eksporti i energjisë, shlyerja në tre muajt e fundit të detyrimeve mujore që i ka CEZ-i, po ndikon pozitivisht në sigurimin e energjisë për sezonin turistik, ndërsa i ka hapur rrugën shlyerjes së detyrimeve tek të tretët. Në një intervistë për ATSH-në, drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Halit Zela u shpreh dje se kompania po punon për garantimin e energjisë gjatë sezonit turistik që po afron, ndërsa është optimist për vijueshmërinë e punës.
Situata hidrike e ditëve të fundit ka ndikuar në rritjen e konsiderueshme të rezervës hidrike në liqenet e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit, që administron KESH-i dhe për pasojë, sot kuota e liqenit ka arritur në 297 metra në HEC-in e Fierzës, një kuotë normale për këtë periudhë, me prurje 400 m3/sek, me rezervë hidrike të konsiderueshme ku priten ulje të prurjeve dhe sasive të reshjeve.
Sipas Zelës, po punohet me kapacitet të plotë në Fierzë pa derdhur ujë nga portat e shkarkimit. Edhe nga dy HEC-et e tjera prodhohet energji e mjaftueshme për furnizimin e konsumatorëve dhe për eksport.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, sot nga HEC-et mbi Drin dhe ato private, prodhohet mbi 28 milionë kwh/ditë dhe përveç plotësimit të nevojave në vend, edhe eksportohet.
Prodhimi i energjisë
“Ne kemi arritur dhe deri në 30,7 milionë kwh/ditë, çka përbën një shifër rekord. Kjo sasi energjie e prodhuar në vend mbulon kërkesat e konsumatorit shqiptar përfshirë edhe humbjet në rrjetin e shpërndarjes si dhe duke eksportuar. Këtë muaj eksporti arrin 12,5-13 milionë kwh/ditë, ndërsa importi realizohet vetëm nga kompanitë private që merren me këtë tregtim duke furnizuar prodhuesit e mëdhenj. Aktualisht kjo situatë po ndikon dhe në përmirësimin e treguesve të KESH-it”, – thotë Zela.
Sot HEC-i i Fierzës punon me kapacitet të plotë pa shkarkuar nga portat, ndërsa dy HEC-et e tjera punojnë sipas nevojave të vendit dhe për realizimin e kontratave të eksportit.
Zela e konsideron ndihmë prodhimin e mirë të energjisë nga HEC-et e vegjël, ku përfshihen ato të ndërtuar me koncesion, HEC-et e Bistricës, Ulzës, Lanabregasi etj. “HEC-et vendore falë situatës së mirë hidrike kanë arritur këtë muaj të prodhojnë 4-4,5 milionë kwh/ditë”, – shpjegon Zela.
Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it shpjegon objektivat që ka kompania për sezonin e ri turistik që po troket. “Për muajin që vjen, KESH planifikon të plotësojë gjithë nevojat që ka vendi në bazë të kërkesës për energji të CEZ-it si dhe humbjet e saj, çka do të ndikojë që kompania e Shpërndarjes të mos ketë nevojë të blejë energji jashtë”, – thotë ai.
Zela deklaron se edhe në 15 ditët e para të muajit Qershor, KESH do të vijojë të kalojë një pjesë të tepërt të energjisë në eksport në sasinë deri në 300 mega/band, por jo deri në fund të muajit. “Kjo do të bëhet me qëllim që të realizojmë objektivin tonë që në fund të muajit Qershor të kemi kuotën 296 metra në liqenin e Fierzës, si garanci të furnizimit me energji elektrike nga KESH përmes CEZ-it, duke plotësuar gjithë nevojat dhe duke i paraprirë sezonit të turizmit dhe kërkesës për energji gjatë verës”, – shprehet ai.
Zela pohon se nëse CEZ-i nuk do të kishte krijuar një borxh të grumbulluar, situata në KESH do të ishte shumë pozitive. ”CEZ i ka rreth 260 milionë euro borxh KESH-it si detyrime të grumbulluara”, – thotë ai, ndërsa shprehet i kënaqur me faktin që ky borxh nuk është rritur më që nga momenti kur CEZ kaloi nën administrimin e ERE-s.
“Arkëtimet, ose likuidimet e faturave të CEZ ndaj nesh përbëjnë hap cilësor, pasi sot KESH po merr rregullisht pagesat mujore për energjinë për muajt Mars, Prill dhe Maj, ku shlyerjet e faturave janë realizuar 100%. Por borxhi i trashëguar vazhdon të jetë 260 milionë euro”, – thotë drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Halit Zela.
ERE ka marrë një vendim për sa i përket pjesës së humbjeve të CEZ-it dhe ka vendosur që duke qenë se KESH-i eksporton energji, të vijojë t’i japë energji edhe për nivelin e humbjeve, me kusht që brenda dy muajve ose CEZ do ta kthejë me energji, ose çmimi i energjisë për humbjet do të jetë çmimi mesatar i eksportit të muajit të fundit.
Situata ekonomike e KESH-it sot lidhet me borxhin e madh që i ka CEZ, që ka krijuar një rrjet detyrimesh tek të tretët.
Zela pohon se “nga kjo situatë edhe KESH ka detyrime për furnizuesit publikë me shumicë, pasi energjinë nga HEC-et e vegjël e blejmë me 9,7 lekë/kwh dhe borxhi i trashëguar prej CEZ-it, ka ndikuar ndaj tyre. Edhe ne kemi detyrime të pashlyera ndaj prodhuesve të tjerë”.
Situata
Kjo situatë e mirë energjetike, rritja e eksporteve dhe pagesat që ka bërë CEZ tre muajt e fundit, bën që KESH të marrë përsipër shlyerjen edhe të detyrimeve të prapambetura ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë, që në total arrin në 2 miliardë lekë.
“Në takime me ta kemi marrë përsipër që në mënyrë transparente të paguajmë sasitë e mundshme të lekëve ndaj tyre. Ne parashikojmë që deri në fund të muajit qershor, të shlyejmë deri në 50% të detyrimeve ndaj tyre, detyrime që vijnë që nga viti 2012”, – thotë Zela.
KESH ka në proces investime me donatorët e huaj për rehabilitimin e fundit të digës në HEC-in e Komanit si dhe në Fierzë, ndërsa investimet e brendshme janë orientuar për mirëmbajtje dhe realizimin e remonteve.
“Në vijim do të investojmë aty ku kemi prodhim të garantuar dhe gatishmëri të lartë deri sa të likuidojmë detyrimet e prapambetura që kemi ndaj Tatimeve, rreth 5 miliardë lekë, të krijuar nga borxhi i vjetër që CEZ-i ka ndaj KESH-it.
Sivjet KESH ka arritur të ketë bilanc pozitiv, por Zela shton se “nëse do kishim në arkë detyrimin e borxhit që CEZ i ka kompanisë, do të ishim një kompani me bilanc pozitiv, që jo vetëm të shlyente çdo detyrim si dhe do të rriste investimet për rritjen e prodhimit të energjisë dhe sigurisë së prodhuesve”.
KESH është i interesuar që borxhi i CEZ të nisë të shlyhet sa më parë.
“CEZ po vijon të ulë humbjet dhe premisat janë pozitive, pasi bashkë me uljen e humbjeve, po rrit edhe arkëtimet dhe vitin që vjen mund të nisë të shlyejë borxhin ndaj KESH-it”, – përfundon drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Halit Zela.