I mori 30 milionë familjarit të një të dënuari, në gjyq avokati Fatmir Gjika

0
615

Sonja Caka

lekFamiljarët e denoncuan në prokurori, u premtoi uljen e dënimit në 3-4 vite kundrejt shumë së parave. Avokati, familjarëve: Paratë ua kam dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve

 

I merr 30 milionë lekë një shtetasi me premtimin se do t’ua jepte prokurorit dhe gjyqtarëve të çështjes për uljen e dënimit në masën 3-4 vite, ndërsa ky i fundit ndodhej në kërkim si i akuzuar për një ngjarje të rëndë. Shumat e parave u dhanë në kohë e vende të ndryshme, ndërsa çdo veprim filmohej nga familjarët me qëllim që të mos u mohohej në ndonjë moment nga avokati. Interesoheshin herë pas here te avokati dhe ky i siguronte se gjithçka ishte rregulluar dhe paratë ishin dhënë. Por, 7 vjet më vonë, vëllai A. Lika nga Fushë-Mamurrasi do të kapej dhe ekstradohej drejt Shqipërisë, ndërsa familjarët do të zbulonin një fakt tronditës, djali i tyre ishte dënuar nga gjykata dhe i ishte ulur dënimi siç u ishte deklaruar nga avokati Fatmir Gjika. Ata janë përpjekur të bien në kontakt me avokatin dhe ky u ka thënë se i ka dorëzuar paratë të gjyqtarët dhe prokurori. Por në fakt, familjarëve u ka rezultuar e kundërta, asnjë lek nuk ishte hedhur për mbrojtjen e vëllait të tyre. Atëherë, i gjendur përballë kësaj situate mashtrimi, vëllai i personit të dënuar i është drejtuar organit të akuzës me një kallëzim penal.

Kallëzimi

Pas konstatimit të mashtrimit nga avokati Fatmir Gjika, i cili ka përvetësuar përmes mashtrimit shumën prej 30 milionë lekësh, Lorenc Lika, vëllai i personit që po gjykohej në mungesë iu drejtua Prokurorisë së Tiranës. Në deponimin e tij, Lika deklaronte se avokati i ka kërkuar 30 milionë lekë në periudha të ndryshme me justifikimin se do ta përfaqësonte, madje do t’i ulte edhe dënimin. “Fillimisht e kemi nisur me 7 milion lekë. Çështja ishte gjykuar në mungesë, pasi vëllai ishte në kërkim. Kjo ishte shuma që u kërkua për të nisur mbrojtjen. Më pas, besoj nga marsi i vitit 2007, më kërkuan edhe 15 milion lekë të tjera, sërish me të njëjtin pretekst, duheshin për të zgjidhur problemet gjyqësore të tim vëllai. Vijuan përpjekjet tona, ndërkohë që vëllai sërish ishte në drejtim të paditur. Në shkurtin e një viti më pas, na kërkuan edhe 5 mijë euro dhe na thanë se gjithçka do të përfundojë shumë shpejt. Ne ashtu besuam. Por gjërat ndryshuan më pas. Na shpjegonin të gjitha lidhjet që kishin me gjyqtarë dhe prokurorë, sa duheshin për njërën palë dhe për tjetrën. Kjo histori vijoi derisa vëllai im u arrestua dhe u soll në Shqipëri. Kemi prova shkresore me firmën dhe vulën e Fatmir Gjikës, dëshmitarë dhe pamje filmike të dorëzimit të parave”, – ka deklaruar në kallëzimin penal depozituar në Prokurorinë e Tiranës Lorenc Lika.

Ngjarja

Ngjarja për të cilën ishte i dyshuar vëllai i Lorenc Likës ka ndodhur në 2002, ndërsa arrestimi dhe ekstradimi i tij janë kryer në vitin 2009. “U soll në Shqipëri dhe vetëm atëherë mësuam se në masën e dënimit që ishte dhënë që në fillim për veprën e kryer nga vëllai im, nuk kishte ndryshuar asgjë. Nisëm të kërkonim avokatët, kryesisht Fatmirin, pasi të gjitha veprimet ishin kryer me të. Arritëm ta kontaktonim. Na tha se i kishte dorëzuar të gjitha tek gjyqtarët dhe prokurori i çështjes. Më vonë mësuam se asnjë lek nuk kishte dalë prej tyre për mbrojtjen e vëllait. I kërkova të më kthente paratë edhe në telefon. Kur e pashë se nuk po na përgjigjej për asgjë, për të mos kryer ndonjë akt të dënueshëm vendosa të drejtohem në Prokurorinë e Tiranës. Kreva kallëzimin për vjedhje me anë të mashtrimit me shuma të mëdha”, – përfundon kallëzimin penal Lika.

Akuza

I pandehuri Fatmir Gjika akuzohet për “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Falsifikim dokumentesh më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim”

Detaj

30 milionë lekë ka përfituar përmes mashtrimit avokati Fatmir Lika nga vëllai i personit që gjykohej në mungesë

 

Ministria e Drejtësisë

50 studentë të Fakultetit të Drejtësisë nisin praktikën profesionale

Për herë të parë në institucionin e Ministrisë së Drejtësisë, 50 studentë kanë filluar praktikën profesionale, ndërsa në fund të qershorit do të pasohen nga një grup i dytë. “Diploma juaj është e vlefshme dhe mundi juaj për ta arritur atë gjithashtu”, – tha ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi gjatë prezantimit të këtij programi. Halimi u shpreh se mbështetja e brezave të rinj është thelbësore për të ardhmen e një vendi dhe Qeverisja e hapur e mundëson këtë. “Është e rëndësishme që të rinjtë të njohin më nga afër mekanizmat se si punohet në Ministri, se si qeveriset, si bëhen ligjet, si monitorohen institucionet, si bëhet oponenca e projekt-ligjeve etj.”, – theksoi Halimi. Ministri i Drejtësisë garantoi se dyert e ministrisë do të mbeten gjithnjë të hapura për të rinjtë. “Student rrotull zyrave të Ministrisë gjithnjë ka pasur, si rrjedhojë e bashkëpunimit me universitetet, por sot është institucionalizuar një program i ri me nismën e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të zgjasë 30 ditë”, – nënvizoi Halimi. “Ky program, shtoi ai, është jashtë varësisë së universiteteve dhe është përpiluar për të qasur sa më mirë kërkesat e studentëve dhe pjesë e tij mund të jenë studentë që janë në përfundim të Fakultetit të Drejtësisë në Shqipëri, por edhe studentët shqiptarë jashtë vendit”. Praktika për 50 studentët e parë nisi dje dhe do të përfundojë më 28 qershor, datë kur është parashikuar pranimi i 50 studentëve të dytë e kështu me radhë.

 

E rrallë

I akuzuar për vjedhje në tentativë, gjykohet dhe dënohet brenda 1 dite

Ndodh që prokuroria dhe gjykata të jenë mjaft efektive, ku brenda një seance të nisë dhe të përfundojë një proces gjyqësor. Ky vendim i dhënë disa ditë më parë duhet marrë shembull nga gjyqtarët e tjerë për të mos pasur më akuza ndaj gjyqësorit për zvarritje të procesit gjyqësor. Paksa e pazakontë në gjykatat shqiptare, por ndodh edhe kështu. Madje, e pazakontë, por edhe prokuroria mjaft e shpejtë, brenda dy ditësh nis hetimin dhe e përfundon atë, duke e dorëzuar dosjen në gjykatë, pra më 15 maj arrestohet i dyshuari për vjedhje në tentativë dhe më 17 maj depozitohet dosja në gjykatë. “Fati” i ka qëlluar të pandehurit Ermir Goleci, i akuzuar për vjedhje të mbetur në tentativë. Dosja që mban numrin 1223 ka mbërritur për gjykim më datë 17 maj të këtij viti dhe seanca e parë e caktuar nga gjyqtari Ilir Çeliku ka qenë më 24 maj. Gjatë kësaj seance, prokurori ka lexuar kërkesën për gjykim, kishte bërë gati edhe konkluzionet përfundimtare duke kërkuar dënimin me 2 muaj burg për të pandehurin Goleci, ndërkohë që po atë ditë edhe avokati ka qenë gati, ka paraqitur konkluzionet e mbrojtjes për klientin duke kërkuar një dënim më të butë, ndërsa më herët kishte kërkuar që ndaj tij të aplikohej gjykimi i shkurtuar. Pasi i ka dëgjuar të dy palët, po brenda kësaj seance, gjyqtari Ilir Çeliku ka qenë gati edhe për shpalljen e vendimit, duke e dënuar të pandehurin Goleci me 20 ditë burg. Por çfarë thuhet në diapozitivin e gjykatës, e cila gabon në shpallje me 3 ditë, nga data 24 maj kur është dhënë vendimi, më 27 maj ka cituar në uebsajtin e gjykatës ditën e shpalljes së vendimit. “Deklarimin fajtor për të pandehurin Ermir Goleci për veprën penale të “Vjedhjes” dhe në baze të nenit 134/1 i Kodit Penal dënimin e tij me 1 (një) muaj burgim. 2. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale të pandehurin Ermir Goleci e dënon me 20 ditë burgim. 3. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij më dt 15.5.2013. 4. Shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore në ngarkim të pandehurit. 5. Kundër vendimit lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit brenda 10 ditëve duke filluar nga e nesërmja e shpalljes. 6. U shpall sot më datë 27.5.2013”, – thuhet në dispozitivin e gjykatës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency