Abstenimi është një sjellje e familjes së vetëvrasjes

0
172

abstenimiÇelo Hoxha

 

Të votosh, të abstenosh dhe të mos shkosh në votime fare janë tri mundësi që qytetari shqiptar mund t’i shfrytëzojë ditën e zgjedhjeve. Ata që votojnë janë qytetarët që pranojnë të marrin përgjegjësi në zhvillimet demokratike të vendit, sado minimal qoftë kontributi i tyre. Ata që abstenojnë janë kryesisht njerëz të paqartë, të paaftë të marrin vendime, të zgjedhin. Ata që s’shkojnë fare mund të jenë njerëz krejt pasivë, të pandjeshëm ndaj zhvillimeve politike në vend, por mund të jenë edhe të paqartë etj. Kurse, të bësh thirrje publike për abstenim (të shkosh në kutinë e votimit dhe t’u heqësh kryq gjithë partive), siç bëri dje Fatos Lubonja në gazetën “Panorama”, është veprim i një votuesi të aftë për të marrë vendime (ose për të bërë zgjedhje) të gabuara. Këta lloj njerëzish janë të pakënaqur me realitetin dhe e refuzojnë atë prerazi, distancohen prej tij me të njëjtën logjikë që njerëz të tjerë, shumë të paktë në numër, kryejnë vetëvrasje.

Njerëzit që ankohen në mënyrë frontale për realitetin konsiderohen idealistë, që kërkojnë përsosmërinë. Në fakt, ata janë shumë gjëra njëherësh, një bashkësi vlerash e kontradiktash, por për t’i trajtuar me respekt, pëlqej t’i quaj naivë. Ata nuk e mendojnë veten si një element përbërës i botës, si miliona elementë njerëzorë të tjerë me po të njëjtën rëndësi funksionale, ata vendosin veten në qendër dhe gjithçka vjen, ose duhet të vijë, rrotull.

Shqipëria politike është kjo që kemi përpara, demokracia shqiptare është në stadin që e shohim, të dyja kanë ardhur në këtë shkallë zhvillimi pas një kontributi prej dy dekadash të të gjithë shqiptarëve. Nuk është normale që gjithë mundi e djersa të hidhen në kosh të plehrave me një të rënë të lapsit.

Progresi i demokracisë shqiptare matet me anë të krahasimit me periudha të ndryshme në të shkuarën e saj dhe jo me përfytyrime naive në kokën e njerëzve. Shqipëria ka harxhuar aq shumë kohë duke u marrë me idetë e naivëve, sa nuk thuhet. Ky vend u shkatërrua një herë nga themelet, sepse teneqexhinjtë, marangozët, këpucarët, furrxhinjtë dhe një koktej të degjeneruarish besonin se kishin në kokë idenë e Shqipërisë së përsosur në shkallën absolute. Do të ishte fatalitet sikur të përsëritej e njëjta gjë.

Votimet e para demokratike u bënë në 31 mars 1991. Në Shqipëri burgjet ishin plot me të burgosur politikë. Në zgjedhjet e mëvonshme burgjet u boshatisën nga të burgosurit politikë. Ky është progres i demokracisë, nuk duhet ta mohojmë. Dikush ka ndikuar për këtë dhe duhet t’ia njohim këtë meritë. Pas vitit 1997, shqiptarët filluan të besonin më shumë te puna se te mashtrimi dhe ky ishte një leksion që e nxorëm nga piramidat. Qeveria e kohës kishte përgjegjësitë e veta, por edhe qytetarët që kërkonin zgjidhje nga qeveria, ndërkohë që lekët i kishin depozituar pa e pyetur qeverinë, shfaqën mentalitetin e tyre të diktaturës, kur për çdo gjë mendonte udhëheqja. Jo të gjitha përgjegjësitë i kanë politikanët.

Pas vitit 2005, në Shqipëri ka ardhur një lloj qeverisjeje që nuk e ka më mentalitetin e hajdutit të cilin e kishin ata që ikën dhe kishin ardhur në pushtet me armë, si banda. Edhe ky është një progres. Demokracia në Shqipëri ka probleme, por është në nivelin e saj më të mirë në gjithë historinë e shtetit. Në këtë progres ka një apo disa forca politike që kanë ndikuar dhe këtë meritë duhet t’ua njohim. Jo t’u japim fletëlavdërimi, por të ndihemi të motivuar për të shkuar në zgjedhje.

Në nivel ekonomik situata është më e lehtë për diskutim. Mjafton një krahasim me të shkuarën dhe duket qartë niveli i mirëqenies së shoqërisë. Analizat bëhen duke marrë në konsideratë panoramën e përgjithshme, me të gjithë elementët e saj, jo vetëm duke u përqendruar në disa gjëra negative.

Kush mendon se Shqipëria duhet të kishte një nivel demokracie më të lartë, e ka gabim. Ajo ka atë nivel demokracie që ka qenë e aftë të ndërtojë. Mund të ketë korrupsion në Shqipëri, po ku nuk ka? Cilat janë mundësitë që shoqëria jonë ta luftojë? Pse kur abuzon një politikan është vjedhje e dënueshme, ndërsa kur abuzon një televizion, gazetë, kompani jomediatike etj., jo? Pse kur bërtet një politikan kjo konsiderohet shprehje agresiviteti, autoritarizmi etj., kurse kur një gazetar televiziv që u hakërrohet të ftuarve vazhdon të jetë i tillë dhe të nesërmen? Pse kur politikanë akuzojnë njëri-tjetrin është politikë e korruptuar, kurse kur analistë akuzojnë njëri-tjetrin për shtëpi apo pallate nuk është diçka për t’u abstenuar? Detaje të tilla ka pafund.

Shoqëria mund t’i imponohet politikës vetëm nëse ajo është moralisht superiore. Në të kundërt, përmirësimi i gjërave do të jetë i ngadaltë, i dhimbshëm, i ngjashëm me llagarimin e një lumi të turbullt. Abstenimi do të thotë të presësh të pish ujë kur të vijë rrjedha e kaltër. Kur ajo të vijë, nëse je ende gjallë, do të jesh thjesht një njeri i lodhur dhe i zemëruar dhe pa asnjë kontribut në realitetin që do të kesh përpara syve.