Ju tregoj ‘70-ën e Alushit!

0
169

alush_shima_smallJosif Papagjoni

Piktura e Alush Shimës mund të quhet një “pikturë ndryshe”. Ndryshe, për fundvitet ‘60 dhe fillimvitet ‘70. Qe një kapërcyell a e ndërmjetme e shumëdëshiruar dje, e shumëpërfolur sot. Unë e kam jetuar vetë atë kohë. Dhe vërtet patëm iluzionin se bryma po zbutej e diç nga flladet e një “pranvere” lëshimi e shprese po i shkrinte akullnajat brenda vetëdijes së kanonizuar estetike që kishte krijuar perandorinë e saj në mediumet artistike të vendit. Shi në këtë të ndërmjetme kohore diçka “ndryshe” nisi të plazmohej në imagjinatën krijuese të piktorëve e, diku-diku, mes miqsh e rrethit të të besuarve, edhe të promovohej. Po te ky kapërcyell duket se përnxiten e frymëzohen edhe pikturat e Alush Shimës. Unë kisha parë mjaft nga punimet e tij: “aktakuza” dhe anatema të dhunës, të shtypjes së njeriut, të diktaturës. Më kishin mbetur në mendje pamjet sa të tmerrshme, gjakatare e të përzishme aq dhe groteske, të përçudshme, të zvetënuara e të shformuara, ku i jepej trajtë një realiteti thuajse mitologjik me qenie të përbindshme diktatorësh që hanë kufoma, brenda konceptit dhe paradigmës që buronte prej sinkretizmit njeri-kafshë, sikundër frymonte në pikturat e Shimës gjithkah edhe imazhi kontrovers i të ashtuquajturit “njeriu i lumtur” apo “njeriu i ri”, tanimë ashti siç qe, lakuriq, i vërtet, pra njeriut të drobitur, i rraskapitur, njeriu i mjerë, që të kujtonte pirgjet e kufomave të holokaustit dikur nëpër kampet e internimit, trupat skeletikë, mishrat e varur, dhe, nën një optri të vrazhdët, organet gjenitale të meshkujve e femrave, ku simbolika e vitalitetit zhbëhet dhe shndërrohet në kontrapunkt. Një tmerr, sa dhe dhimbje e thellë. Gjithë mozaiku i përzishëm i atij realiteti të gjëmshëm dje, gjithë mallkimi, vdirrja fizike e shpirtërore e njerëzve, frika dhe mpakja, vuajtja dhe shpërfytyrimi, ulërima dhe vikama, gjithë pluhuri i mortit, mynxyra dhe kobi, zgavrat e syve, nofullat e dala, kockat dhe kafkat, gjithë kalendari i varfërisë, shtypjes dhe mjerimit, mua dhe të tjerëve besoj na krijoi një ndjenjë të fortë urrejtjeje dhe përbuzje për ata që na katandisën si mos më keq (o Zot!), që mbyllën në vathën e estetikës shterpe të realizmit socialist për të krijuar kopetë e “lumtura” sociale, ku ideali jo vetëm s’ishte më utopia e “lugës së florinjtë”, por asgjë e krahasueshme me një jetë të lirë, një shpirt të lirë dhe një individ të lirë. Dhe artisti pa liri, s’është veçse një dele më shumë në vathën e Ciklopit. Një numër. Një tullë. Afresku i Alush Shimës e pati sjellë në fillimin e viteve ‘90 gjithçka thashë më sipër, me punë të kryera herët, asaj kohe, afërmendsh të fshehura me kujdes në kthinat e shtëpisë së tij, strukur si një shpresë se “kohë të mira do të vijnë” (siç gazmendej Naimi dikur).

Por nëse akordi maxhor i tablove të Shimës artikulohej përmjet tmerrit, llahtarës dhe përçudnimit që hasej në fytyrat njerëzore të kohës së dhunës, të ekspozuara në vitet ‘90 në Tiranë, por që patën, sidomos, një pëlqim të madh në sallonet e njohura të metropoleve evropiane, kam mendimin se ekspozita e çelur tani së fundmi sjell një tjetër dukje të artistit, një tjetër nerv: piktorin që sheh me qetësi dhe i paqmë realitetin herë të trishtë a poetik përballë, herë si të kapitur e në vetvete, herë provokues e entuziast, herë evokues e ëndërror. Është piktori që ngre penelin dhe me të i blatohet thjeshtësisë së njeriut, vetëqenies së tij, ontologjisë, asaj që ai është e jo asaj që ai duhet të jetë. Për këtë arsye mua më tërheq te Shima kësaj radhe raporti dhe ujdia me jetën, ku spikat diçka e prajshme, e paqtë, e tejdukshme, pa poza, pa prani konvencionesh ideologjike, pa agresionin e heroikes apo të së madhërishmes agresive e të imponuar. Jo, ai është pranues. Fytyrat edhe pse të trishta, kanë një qetësi brenda vetes, sepse janë vetvetja. Janë të sinqerta. Nuk shtiren. Dhe kjo them se është spikama piktorike thelbësore: sinqeriteti, e drejtpërdrejta, natyralja. Kaq të vetëmjaftueshme janë këta njerëz “shtëpie”, sa të kujtojnë shikimin që vjen nga ikonat. Them se ka diçka edhe nga sakraliteti religjioz aty.

Ju shikoni portretin e një gruaje në kafe, me kokën dhe supin majtas disi të kthyer, me një gjerdan të bardhë dhe, sidomos, me vështrimin e qetë; më tutje një tjetër grua me fustan të verdhë, ku bukuria dhe feminiteti i pozimit shkrihet me natyrshmërinë; vjen pastaj një e tretë, ulur në poltron me robëdeshambrin mbushur plot lule (si shpirti dhe bukuria e saj), me një sensualitet plot hir përmes kofshëve, gjoksit, qafës dhe buzëve si dhe vështrimin a paqmë e përdëllyes siç dinë të shikojnë gratë fisnike e të dashuruara. Mes grave të rrëmben syrin tashmë një imazh ndryshe, që rreket të sjellë një formë sa më të njëmendët të modelit: është fytyra e një vajze të bukur ku njollat e ngjyrave dhe drita luajnë mes raportesh të ndërsjella. Por mua këtu më lënë mbresë disa njolla që duket se përfshijnë enkas pjesët e hirshme femërore, gjoksin, barkun, kofshët. Një e kuqe e ndritshme shpërndahet gjithandej nëpër flokë, mollëza, duar, gjunjë e saj dhe prek karrigen, lulet, shkon gjer në horizont: e kuqja e lirisë, e ëndrrës, e utopisë që pushtoi rininë shqiptare të viteve të çlirimit, e kuqja e gjakut dhe e flijimit. Sepse portreti është ai i heroinës së luftës Margarita Tutulanit, veçse një tjetër mënyrë të kundruari, një tjetër spikamë: bukuria dhe feminitetit. Ja dhe portreti i një fëmije me syrin disi të habitur, siç shohin e reagojnë gjithë fëmijët.

Nga portretet më origjinale, krejt ndryshe nga ç’pikturohej mes viteve ‘60-‘70, janë autoportretet e Shimës. Ja ku ia behin katër syresh, të katërt të ndryshëm në stile pikturimi, gjithë po edhe në gjendje të ndryshme shpirtërore. Njëri është Shima në çastet e frymëzimit, me penelin dhe pikturat rrethuar tej e tej, si një shtjellë ku format dhe relievet përzihen, e jashtmja dhe e brendshmja, gishtat qe sikur kërkojnë imazhin e munguar dhe buza e shtrënguar për të dekoduar mistikën e krijimit. I dyti, sërish portreti i piktorit në çast meditimi, ku një grua nga pas e ka pushtuar, ndoshta muza, ndoshta imazhi parak para se të marrë formë materiale në tablo, ndoshta… E ç’rëndësi ka! I treti, rishtazi një çast meditimi, mbase përtej aktit krijues, veçse i rrethuar nga figura që mbushin mendjen e tij, fëmijë, gra, kukulla, imazhe erotike e kozmike, si pelegrinë hipnotikë që popullojnë përfytyrimet onirike e humane të artistit. Tanimë, përveç shishes së verës, tavolinës, penelit, gishtave që diçka kërkojnë në fytyrën e përthithur nga “djalli i krijimit” ashtu si gishtat e pianistit mbi tastierë, ka diçka më përtej, eterike, mbase mistike, diçka e transcedentuar, që të befason. Fytyra është pikturuar në jeshile. Autoportreti i fundit më ka mrekulluar. Tanimë jeshilja nga njollë pushtuese bëhet rravgim e gjarpërim në fytyrë, kap flokët majtas, një vijë balli, lëvaret teposhtë në kurrizin e hundës,zbret në buzë, në mjekër, rishfaqet në epiglotën e gushës e diku humbet në xhaketë. Por ka diçka thuajse magjike aty: syri i djathtë është pikturuar krejt në të gjelbër. S’ka shikim, por një njollë. Kurse fytyra është ndarë dysh, një antinomi ngjyrash dhe gjendjesh nga okra te grija e thellë në të zezë. Dhe tej e ndanë ndoca çukërmime bojërash, që sikur futin dritën, sidomos shtjellën brenda asaj fytyre. Në fakt fytyra është thuajse inerte, asnjë muskul s’lëviz, por shqetësimi ndjehet përtej saj, te syri i gjelbër dhe syri tjetër i mugulluar, si i shuar. Ka një brengë e gjitha kjo, një si vajtim të brendshëm, unë e kapa atë. Dhe tutje tyre, si thelb i patjetërsueshëm e i patejkalueshëm, sipas meje, është stoicizmi njerëzor, efekti i transcedentuar i qëndresës; është kohezioni psikik. Dhe duke qenë të qetë, prore vetvetja, ata janë të vërtetë. Dhe prandaj, emocionalë.

Tronditëse është tabloja ku në një tavolinë, ballë njëri-tjetrit, dy burra krijojnë një imazh thuajse të frikshëm, makabër, po aq dramatik. Burri majtas i ngjan një kufome, koka si kafkë, zgavrat e syve, dhëmbët e rënë e të krimbur, gjoksi si skelet, ndërsa duart gjithë në kocka të trasha e të dala, me falangat e gishtave si panxhë, madje njëra syresh nga bërryli e lart është e hequr, e prerë, si të ishte protezë duke u mbërthyer nga dora tjetër. Ndoshta është vdekja, gjymtimi, mjerimi. Një vizitë e përzishme e mortit te njeriu-hije, i ligur, pa shpresë, që është edhe figura përballë e burrit të dytë, tanimë i paveshur por cullak, mbase në pritje të vdekjes?!… Dhe mua më lind një pyetje: Vallë, a pikturohej në vitin 1973 kështu? Thashë se e njoh atë kohë dhe hamendoj se në “mirëbesim” të asaj pak lirie a iluzioni lirie që u krijua, sprovues të pikturës si Alush Shima, po, kjo lloj “specie” rebele e artit edhe krijonte bash në të tilla paradigma e shëmbëllime ëndërrore, ku ankthi ekzistencial nuk fshihej.

Alush Shima në ekspozitën e fundit solli vetveten në një kohë të shkurtër shprese e ndryshimi që kurrë s’u bë, përkundrazi u desh një përmbysje që të mbërrihej më pas. Gjithsesi, në imazhet e piktorit e pritshmja ndihet. Por ai punon me ëndje edhe në qasjet realiste, ku në një kodrinë ndihet puna, korrja e grurit, veçse jo e mitologjizuar, as mes entuziazmit dhe delireve të injektuara nga jashtë, përkundrazi, puna si një ritual jete ku ka dhe mundim, edhe pushim, edhe bisedë, edhe ç’lodhje. Në një stil realist, ku epikja dhe e madhërishmja shkrihen nën një dritë humane e me gjeste të natyrshme, na janë dhënë edhe disa çaste nga historia jonë, ku do të veçoja tablonë kompozicionale për Skënderbeun. Befasuese ishin për mua peizazhet, loja e ngjyrave të hedhura, format e rrumbullta të poemave e gjësendeve të tjera në stinën e gjelbërimit dhe format e rrumbullta të maleve, gurëve e relievit në stinën e dimrit e acarit, ku pemët tanimë janë zhveshur nga gjethet dhe ngjajnë si skelete a ravijëzime ngjyra-ngjyra, ku male, gurë e re duken një dhe ku një shtëpi mes pllajës e një njeri që ecën përfund tablosë semantizojnë jetën aspak të lehtë aty. Forma të rrumbullta e katrore pranëvendosen gjithkah dhe sado të ndryshme, ndërlidhen e ndërveprojnë si volume, si ngjyra dhe si siluete. E veçanta e peizazheve, ndoshta, është koreografia e ngjyrave, diçka e ndezur, lëvrinjëse, plot jetë, mes relievesh thuajse inertë por çuditërisht miqësorë me njeriun dhe syrin tonë, ku fragmenti onirik sikur tretet në formën humane dhe indeksin natyror të vetë peizazhit. Veç peizazheve të këtij kahu, parapëlqimi a stili, piktori ka bërë dhe ndoca të tjerë që janë krejt ndryshe, prej një tjetër poetike. Tanimë natyrorja rimodelohet deri në kufijtë e të trilluarës dhe të sendërgjimit, diçka nga eskatologjia e përfytyrimit dhe me realitetet e trilluara prej fantazisë. Dhe prandaj pemët të ngjajnë si gjësende kërcënuese (ndoshta), me degët e thara si furka që çjerrin qiellin, ndërsa relievi gjithsaherë rrumbullakësohet. Diku tjetër urbanistika e një qyteti, godinat dhe rrugët sikur bashkohen dhe shëmbëllejnë fytyrën njerëzore. Në fund të fundit qyteti popullohet nga njerëzit, është vetë ai një NJERI. Ose pastaj parimi i pasqyrimit dhe përafërsisë së objektit me imazhin thyhen enkas duke u zëvendësuar nga parimi i tjetërsimit, kur ndërtesat, rrugët dhe gjithë inventari urban vjen e shprehet në formë njollash gjithfarëshe që të kujtojnë figura gjeometrike, të cilat kompozohen gjegjësisht mbresës së piktorit dhe emocionit të përftuar nga amalgama ngjyrore e ajo hapësinore.

Bashkë me Alush Shimën dhe studiuesin dhe kolegun tim Ferid Hudhri, teksa ia nisim bisedës për pikturën e bërë në kapërcyell të viteve ‘60-‘70, nuk harrojmë të lëshojmë atë psherëtimën tonë brengosëse: “Ah sikur të vazhdonim në ato pakëz gjurmë që u lanë asaj kohe!” Por s’qe e thënë! Historia e goditjes së pamëshirshme të artit pas Plenumit IV dhe piciri që hoqën shumë artistë, e gjitha kjo tashmë dihet. Shumë punë u prishën, u sekuestruan, u dogjën, u thyen, humbën pa nëm e nishan. Alush Shima i ruajti me xhelozi dhe trimëri punët e tij të asaj kohe, frymëzime, teknika dhe stile që sot na çuditin. Dhe prandaj janë të shumëpritura. Jo thjesht për piktorin, por si gjurmë të një arti që guxonte të ishte “NDRYSHE”…

 

 

Stambolli në Tiranë, ekspozohet një shekull art

 

“Kohë dhe vende: Stambolli” është ekspozita me vepra nga koleksioni i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë që hapet sot në Tiranë, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ato janë përzgjedhur duke prezantuar një tematikë të përbashkët, e cila është peizazhi i Stambollit, i cili sipas kuratores prof. dr. Kiymet Giray, i ka frymëzuar gjithmonë artistët turq. Veprat i përkasin një hapësire kohore që fillon që nga fillimi i shekullit XX e deri në ditët tona. Kjo ekspozitë, përveç tregimit të Stambollit nëpërmjet syrit të artistëve turq, është njëkohësisht edhe një lloj prezantimi i historisë së pikturës së këtij vendi duke qenë se autorët pjesëmarrës janë ndër më të rëndësishmit e historisë së artit të Turqisë moderne. Disa nga autorët më të njohur janë: Ali Riza Bayezit, Hikmet Onat, Ibrahim Çalli, Devrim Erbil, Adnan Çoker etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri me datë 14 korrik 2013.