Debate në Kuvend për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor Opozita nuk voton amnistinë, Berisha, PS-së: Çfarë do t’u thoni qytetarëve shqiptarë

0
190

Florenc Drizari

berishaAmnistia, Kryeministri: Të lëmë mënjanë inatet partiake

 

Pas më shumë se tre orë debatesh, Kuvendi i Shqipërisë votoi me 67 vota nga mazhoranca shtyrjen e amnistisë deri në fund të këtij viti. Në seancën e djeshme plenare, deputetët votuan pro propozimin për ligjin nr. 10418 datë 21.4.2011 “Për Legalizimin e Kapitalit dhe faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor”, të ndryshuar”.

Në bazë të këtij propozimi, neni 34 i ligjit ndryshon përkatësisht: data 31 dhjetor 2011 bëhet 31 Dhjetor 2013”. Sipas propozimit të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, afati i legalizimit të kapitalit dhe falja e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor shtyhet deri në fund të këtij viti. Ky propozim u vlerësua nga mazhoranca si një iniciativë e suksesshme dhe mundësi e shtuar për përkrahjen e biznesit dhe kategorive të tjera të popullsisë.

Nga ana e saj, opozita nuk dha pranimin për të përfshirë në votim, projektligjin “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”(Propozuar nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 239, datë 23.3.2011), miratimi i të cilit kërkon shumicën e cilësuar prej 3/5.

Edhe pse Kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësuesit e mazhorancës bënë thirrje për të kaluar këtë projektligj të rëndësishëm për mbështetjen e biznesit, opozita theksoi ndër të tjera se, amnistia nuk ka marrë mendimin e grupeve të interesit dhe të biznesit.

BERISHA

Kryeministri Berisha u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë të votojnë amnistinë e propozuar nga qeveria një ndihmesë për biznesin dhe qytetarët shqiptar.

“Unë ju kërkoj të votojmë amnistinë si një akt xheneroziteti të shtetit dhe e mbyllim këtë seancë me vendime shumë të rëndësishme. Nuk keni asnjë shkak të bllokoni ligjin e amnistisë. Z. Majko, çfarë do t’u thuash biznesmenëve të Tiranës, që kanë punësuar qindra e mijëra vetë? Çfarë do t’u thoni ju biznesmenëve të Elbasanit, që u përpoqët të bllokoni tunelin, por të paktën tani jepuni amnistinë. Çfarë do tu thoni ju biznesmenëve të Durrësit, apo të Korçës që nuk votoni sot amnistinë. Nuk ka asgjë partiake. Kryetari juaj premtoi të heqë gjobat e 1 marsit e këtej. Hajdeni të bëhemi të arsyeshëm dhe t’i bëjmë qytetarë të drejtë para ligjit dhe të votojmë amnistinë, që nuk e votuam. Pse vini me paragjykime? Pse vini me partikëri. Është e lehtë të shkoni e të futeni në fabrika për të marrë ndonjë votë”, – deklaroi Berisha.

Për këtë çështje kreu i qeverisë tha se opozita mund të marrë kohën e nevojshme për t’u konsultuar me aleatët e saj, vetëm që amnistia të votohet në seancën e jashtëzakonshme parlamentare. “Keni nevojë për konsultime njëri me tjetrin. Merreni kohën që ju duhet. Ju nuk keni të drejtë të mos e votoni. Si mund të shkoni në Lezhë dhe tu thuash nuk e votojmë amnistinë. Vali (Valentina Leskaj), ti ia ke lënë amnistinë Koços (Kokëdhimës), shko e shiko rrugën e Qiparoit. Jua mori paratë e qeverisë fshatarëve dhe nuk bëri rrugën. Dilni në nivelin e parlamentarit. Shteti ndëshkon, shteti fal. Hajdeni të votojmë amnistinë”,- përfundoi deklarata e Kryeministrit Berisha.

 

PS mbledh grupin parlamentar para votimit të ligjeve

Gjatë diskutimit të projektligjeve që ishin dje në axhendën e Kuvendit të Shqipërisë, me kërkesë të deputetit Taulant Balla u mblodh grupi parlamentar i Partisë Socialiste në ambientet e sallës së Parlamentit. Mbledhja e grupit të PS-së u kërkua rreth orës 11:40 të paradites së djeshme dhe ajo zgjati për rreth 30 minuta. Ashtu si edhe në rastet e mëparshme, mediat nuk lejohen të filmojnë gjatë kohës që grupi parlamentar mblidhet për të marrë vendime brenda ambienteve të Kuvendit. Pas mbledhjes së grupit, socialistët votuan tri ligjet e integrimit dhe paketën e Brukselit, ndërsa nuk votuan amnistinë fiskale të propozuar nga qeveria.

 

Votimi i tri ligjeve në Kuvend, SHBA, BE, OSBE mirëpresin miratimin: U dëshmua konstruktivitet

Pas votimit të tri ligjeve të integrimit në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, të menjëhershme ishin edhe deklaratat e ndërkombëtarëve duke vlerësuar konsensusin e gjetur mes palëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe OSBE, nëpërmjet ambasadorëve të akredituar në vendin tonë, përshëndetën votimin dhe e cilësuan atë një hap përpara për Shqipërinë drejtë proceseve integruese në BE.

Ambasada Amerikane, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat, inkurajon parlamentin dhe qeverinë e ardhshme, që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, që të vijojnë përmbushjen e të gjitha kritereve, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.

SHBA

“Ambasada mirëpret miratimin konsensual nga parlamenti të legjislacionit të rekomanduar nga Bashkimi Evropian. Nxisim parlamentin dhe qeverinë e ardhshme t’i përkushtohen përmbushjes së përparësive të mbetura dhe reformave të tjera të nevojshme nëpërmjet konsensusit dhe bashkëpunimit me qëllim që të fitojnë një opinion pozitiv nga Bashkimi Evropian”, – thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Wollfarth: I hapet rruga realizimit të reformave

Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Eugen Wollfarth, i cili ndoqi nga afër dje ecurinë e punimeve të Kuvendit, tha se miratimin e 3 ligjeve të integrimit hapi rrugën për realizimin e reformave të mëtejshme të Shqipërisë. “Në fakt sot është një ditë mjaft e rëndësishme për Shqipërinë se hapi rrugën për hapa të mëtejshëm për reformat. Unë mendoj se gjithë shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lumtur sot dhe çon drejt një hapi konstruktiv. Ky ishte një hap konstruktiv se hap rrugën drejt reformave se ky është një vit shumë vendimtar drejt BE-së”.

“Unë do të doja në fakt të përgëzoja ata që merren me këto ligje dhe ata që miratuan këto 3 ligje.

Në fakt OSBE është pjesë e së ardhmes së Shqipërisë dhe dëshiron të jetë pjesë e një të ardhmeje më të mirë të Shqipërisë, dhe integrimi evropian do të thotë më shumë paqe më shumë prosperitet. Unë besoj se ishte një ditë goxha lehtësuese dhe besoj se do jetë dhe hapja e një dite edhe më të mirë për Shqipërinë”.

Sequi: Provë bashkëpunimi për të mirën e vendit

Bashkimi Evropian mirëpret miratimi e 3 ligjeve të integrimit në Kuvendin e Shqipërisë. Në një prononcim për mediat, pas mbylljes se seancës së jashtëzakonshme parlamentare ku mori pjesë, kreu i prezencës së BE-së, Ettore Sequi duke përshëndetur partitë politike tha se kjo ishte prova që palët mund të gjejnë konsensus kur bëhet fjalë për të mirën e vendit.

“Ne e mirëpresim miratimi ne kësaj pakete, 2 ligjet dhe rregulloren e parlamentit. Kjo vërteton atë që kam thënë gjatë inaugurimit të një projekti. Shqiptarë kanë mundësinë dhe kapaciteti dhe vullnetin e mirë kur duan të punojnë. Miratimi i ligjeve është i rëndësishëm jo vetëm se është kërkuar nga Brukseli, por dhe prova që vërteton se palët mund të bashkëpunojnë kur është në të mire të vendit. Ju e mbani mend kur fyle bëri prezantimin e kritereve tha se ishte me rëndësishme që ligjet të kalonin në parlamenti. Një raport në të cilën do të përfshihen lufta kundër krimit të organizuar, Mendoj se është ditë e rëndësishme që u miratuan”, – deklaroi Sequi.