Më 23 qershor do të mbahen edhe zgjedhje të pjesshme lokale në Tiranë, Durrës, Dibër, Bulqizë KQZ, më 23 qershor do të mbahen dy palë zgjedhje

0
2219

Florenc Drizari

KQZPas publikimit të listave shumemërore të kandidatëve të partive politike të regjistruara pranë KQZ-së, komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor në vend ka filluar punën edhe për sigurimin e bazës materiale për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Edhe pse më 23 qershor shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, po në këtë datë në disa zona të vendit pritet të mbahen edhe zgjedhje për pushtetin vendor. Disa kandidatë që janë regjistruar në listat shumemërore të partive politike, mbajnë edhe poste drejtuese si të zgjedhur vendor në bashki, komuna dhe njësi bashkiake dhe sipas ligjeve shqiptare, ata nuk mund të jenë njëkohësisht edhe të zgjedhur vendor edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, zgjedhje të pjesshme vendore pritet të mbahen në qarkun e Tiranës, njësia bashkiake numër 1 (me kryetare që nga viti 2007 përfaqësuesen e PS-së, Lindita Nikolli), në qarkun e Durrësit, në qarkun Dibër dhe në Bashkinë e Bulqizës.

QËNDRIMI I KQZ-së

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr. 8208, 8209 dhe 8210, datë 31.5.2013, ka caktuar datën e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme, për kryetarin e Bashkisë Bulqizë, qarku Dibër, kryetarin e Komunës Thumanë, qarku Durrës, si dhe kryetarin e njësisë bashkiake nr. 1, qarku Tiranë, datën 23 qershor 2013. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor ka filluar menjëherë marrjen e masave për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore dhe logjistike, për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

Ky institucion është i angazhuar maksimalisht për të garantuar zhvillimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin, si dhe për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen në datën 23 qershor 2013”, – tha dje zëdhënësja e shtypit në KQZ, Drilona Hoxhaj.

Gjithashtu, KQZ bën me dije se në mbështetje të nenit 23/2, pika 2 të ligjit nr. 8580, “Për Partitë Politike” i ndryshuar, ky komision do të emërojë me short për çdo parti politike, ekspertë kontabël të licencuar, të cilët do të auditojnë fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2012.

“Janë 123 parti politike të regjistruara në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të cilat duhet të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin 2012 nga ekspertët kontabël të licencuar.

Instituti i Ekspertëve të Autorizuar ka sjellë pranë KQZ-së listën e përbërë nga 106 ekspertë kontabël të licencuar të cilët plotësonin kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, 19 prej të cilëve kanë depozituar pranë KQZ kërkesë për pjesëmarrje në short.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe ekspertët kontabël të garantojnë pjesëmarrjen e tyre në hedhjen e këtij shorti në mbledhjen e datës 3 qershor 2013”, – përfundon deklarata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

 

 

KQZ ndan të hënën fondet për partitë politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mesditën e së hënës do të zhvillojnë mbledhje për përcaktimin e sasisë të fondit publik që do t’u shpërndahen si paradhënie partive të regjistruara si subjekte zgjedhore. Lidhur me çeljen e fondeve për partitë politike, Kuvendi i Shqipërisë në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të enjten e kaluar, mori një vendim konsensuale për këtë çështje.

Gjithashtu KQZ bën me dije se projektvendimi është gati për t’u diskutuar nga katër anëtarët e komisionit, ndërkohë që një tjetër vendit që pritet të merret është edhe miratimi i vëzhguesve të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Ndërkaq, në mbledhjen e së nesërmes KQZ pritet të miratojë edhe këto vendime:

Projektvendim “Për miratimin e manualit të KQV-së, për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor 2013”. Projektvendim “Për përcaktimin e sasisë të fondit publik që do t’u shpërndahen si paradhënie partive të regjistruara si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor 2013”. Projektvendim “Për miratimin e vëzhguesve të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend, të datës 23 qershor 2013”. Projektvendim “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit të datës 23 qershor 2013”.

 

Topalli: Rama s’ka konceptet për ekonominë, bllokoi për tri vite statusin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një bashkëbisedim me qytetarë në qarkun e Shkodrës. Në ambientet e shtëpisë së të madhit Pashko Vasa, Topalli tha mazhoranca ka transformuar Shkodrën dhe të gjithë vendin “ashtu siç të parët tanë ëndërruan, investuam dhe e bëmë më të bukur, bëmë që shqiptarët të lëvizin të lirë, po bëjmë gjithçka për ëndrrën e tyre evropiane. Kemi ende shumë projekte të tjera në infrastrukturë, në punësim, në bujqësi, në turizëm, në teknologji”, – vijoi Topalli. Gjithashtu, kryesuesja e listës së deputetëve në qarkun e Shkodrës, Jozefina Topalli vuri theksin tek bllokimi i statusit kandidat për Shqipërinë, duke etiketuar kryesocialistin Edi Rama si shkaktarin të kësaj pengese.

”Rama bllokoi vendin tonë për tri vite me bojkotin dhe bllokimin që i bëri Parlamentit, me mosvotimin e tri ligjeve. Një dëm kaq të madh qytetarëve të vendit të vet vetëm një njeri krejtësisht i papërgjegjshëm, mund t’ia bëjë. Përveçse nuk ka konceptin e ekonomisë dhe financave, ai nuk ka asnjë koncept për të drejtën, nuk ka koncept për ligjin, nuk ka koncept për institucionin, nuk ka koncept për taksat”, – tha Jozefina Topalli.

“Ne, – tha ajo, – do krijojmë të gjithë lehtësirat për projekte të mëdha që do të krijojnë edhe më shumë vende pune për qytetarët, për të vajzat e djemtë. Së bashku do bëjmë realitet bashkimin me familjen evropiane”.

 

3 ligjet, ministrja e Integrimit: Rama vijon të mos komentojë, s’ka sy e faqe t’u dalë përpara shqiptarëve

Dy ditë pas votimit të tri ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, reagoi me një deklaratë kundër kreut të PS-së, Edi Rama. Heshtjen e Ramës Bregu e komentoi si një fajësi të kryesocialistit që vonoi për kaq kohë votimin e tri ligjeve të integrimit. “Dy ditë pas miratimit në Parlament, të tre ligjeve të integrimit, Edi Rama vazhdon të heshtë. Ishte një dite historike, për të gjithë, që u përshëndet nga liderët shqiptarë dhe faktori ndërkombëtar. I vetmi që nuk e ndjen këtë ditë është arkitekti i bllokimit, Edi Rama. Rama hesht sepse është fajtor. Është fshehur pas murit të bllokimit që ndërtoi me duart e veta, sepse ai e di shumë mirë se nuk ka sy e faqe t’u dalë përpara shqiptarëve për bllokimin që u bëri tre ligjeve, pa dhënë asnjë argument konkret e bindës. Sepse, dhe ai e di tashmë që shqiptarët e dinë të vërtetën e madhe, se ai e bllokoi statusin për më shumë se 230 ditë, vetëm e vetëm për interesa të karriges së tij personale. Rama e di se nuk ka sy e faqe t’u dalë përpara studentëve që u mohoi me dhjetëra bursa, nuk mund t’u dalë përpara bizneseve që u mohoi me dhjetëra mundësi investimi, nuk mund t’u dalë përpara fermerëve që u mohoi me dhjetëra mundësi kreditimi”, – deklaroi Bregu.