Prezantohen kandidatët në Belsh e Kavajë Berisha: Përmendorja është monument historik, mjerë ai që do guxojë ta prekë

0
1941

Ina Jano

berisha-20131Do ndërtojmë unazën e Dumresë, inaugurojmë autostradën Tiranë-Elbasan

 

Nga qyteti i Kavajës, aty ku ndodhet edhe monumentit simbol i “dy gishtave” kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 mars 1990, Kryeministri Berisha u dërgoi një mesazh të qartë gjithë socialistëve dhe në veçanti Elvis Roshit, duke i thënë se mjerë ai që guxon ta prekë me dorë. Për numrin një të qeverisë, ai është një simbol i demokracisë dhe që do t’u shërbejë edhe brezave që do të vijnë. “Këtij Edvinit të vogël do t’ia them dy fjalë. Bashkë me qytetarët e Kavajës kemi luftuar për të respektuar votën dhe lirinë e saj dhe ti do kishe patur respektin e Kryeministrit, deputetit të Kavajës, të palëkundur, jo për ty, por për votën e qytetarëve të Kavajës. Por, tani këtu nuk më lejove, sepse ngrite akuzën më të tmerrshme, e krimit më të shëmtuar ndaj forcës sime politike, e cila mori dheun. Ti u kërkove qytetarëve të Kavajës falje dhe bëre mirë, por nuk u kërkove shqiptarëve falje dhe derisa t’u kërkosh shqiptarëve falje për atë që bëre, nuk do më kesh kurrë mbështetje apo mirëkuptimin tim. Po për Edvinin e vogël, ky është sheshi i historisë dhe po ta deklaroj sot këtu, sheshi është monument historik, përmendorja është monument historik, mjerë ai që do guxojë ta prekë. Ai do t’u takojë brezave nga gjenerata në gjeneratë, si dëshmi e burrave dhe e grave të Kavajës që bënë historinë e lirisë. Edhe një herë, më 23 qershor, ju ftoj të votojmë të gjithë së bashku për Kavajën e zhvilluar, të votojmë për statusin e vendit kandidat, të votojmë për hapjen e negociatave në Bashkimin Evropian të votojmë për Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë evropiane”, – u shpreh lideri i qeverisë. Më tej, Berisha nënvizoi se pikërisht nga qyteti ku më parë është vendosur demokracia me anë të protestave dhe të mitingjeve kundër regjimit. “Shoku Edi, do të të them një fjalë këtu, nga ky shesh, se ky është sheshi i historisë. Uilliam Shekspir thotë në një nga tragjeditë e tij se “drama është gracka ku shpirti i Mbretit kapet si laraska”. Edhe unë do të të them ty këtu se Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë, shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive ndaj demokracisë, përmendores së historisë së Kavajës dhe kombit shqiptar. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten i biri i të atit. Por Kavaja s’të deshi ty, nuk kishte nevojë, ata e dinë mirë, këtu para këtyre burrave dhe grave, do të rikujtoj një ngjarje, nuk dua të merrem me historinë, po na detyrove. Në vitin ‘90 këta burra dhe gra që janë këtu, ndodhi që shokun e ngushtë të babit tënd ta detyrojnë të dalë nga Kavaja vetëm duke shkelur mbi veprat e gjakësorit, mbi veprat e mizorit. Ty, që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe mbarë shqiptarëve, sikur të imagjinosh ti një moment, ashtu siç the të bërë copash do imagjinosh veten tënde, pa këpucë, i zbathur duke ecur mbi ato copa”, – shtoi kreu i demokratëve.

Belsh

Partia Demokratike vijoi dje me prezantimin e kandidatëve për Belshin, i cili përfshihet ne qarkun e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij, kryetari demokrat, Berisha, dha dy lajme të mira për të gjithë banorët e zonës, duke u shprehur se do të fillojë së shpejti ndërtimi i unazës së Dumresë, por edhe në të njëjtën kohë, njoftoi se do të inaugurohet brenda pak javësh tuneli dhe autostrada e Elbasanit. Numri një i qeverisë, mes atmosferës blu, u shpreh se të gjitha këto janë projekte që Partia Demokratike i ka planifikuar që më parë dhe tashmë ato po realizohen, ndërsa premtoi se ato do të vijojnë që të shtrihen dhe gjatë mandatit të ardhshëm. “Por ne së bashku në pak vite po ndryshojmë dhe gjeografinë e Shqipërisë. Këto ditë ne inaugurojmë së shpejti tunelin dhe autostradën Tiranë-Elbasan. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar në Dumre dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë. Një ditë nga ana e Lushnjës inspektova punimet në rrugën tek rezervuari i Thanës. Inxhinierët dhe ndërtuesit më shpjeguan se si po punohet për ndërtimin e unazës së Dumresë 94 kilometra të gjatë”, – tha Berisha. Ndërsa Kryeministri renditi disa nga prioritetet që do të ketë 4-vjeçari i ardhshëm. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë zgjedhje për secilin prej jush, janë zgjedhje për vende pune më shumë, janë zgjedhje për infrastrukturë moderne, për Dumrenë dhe mbarë Shqipërinë. Janë zgjedhje për rroga dhe pensione më të larta, janë zgjedhje për një zhvillim të fuqishëm të biznesit dhe të fermave tona, janë zgjedhje për një zhvillim të fuqishëm të turizmit, por mbi të gjitha janë zgjedhje për ëndrrën tuaj evropiane, për statusin e vendit kandidat, janë zgjedhje për hapjen e negociatave me BE, janë zgjedhje për përpjekjen tonë të madhe për të liberalizuar vizat me SHBA-të, janë zgjedhje për të Dumrenë e zhvilluar, për qarkun e Elbasanit të zhvilluar, për kaskadën e Devollit, për gazsjellësin Transadriatik, për zhvillimin e Shqipërisë, integrimin e saj në Evropë”, – shtroi lideri demokrat. Duke renditur të gjitha masat e mara deri më tani nga qeveria, lideri demokrat, pohoi se reformat për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë, varen vetëm nga vota e të gjithë shqiptarëve në 23 qershor.