Sulm terrorist ndaj kandidatit të PD-së në qytetin e Vlorës

0
2150

 Elton Qyno

kolloziArdian Kollozit i vendoset 500 gramë tritol tek dera e apartamentit

 

Kollozi në banesë vetëm me djalin, policia shoqëron 20 persona, asnjë i ndaluar

 

 

Banesa e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Ardian Kollozi, njëherësh dhe kryetar i PD-së në Vlorë, ka qenë objekt i një sulmi terrorist nga persona ende të paidentifikuar. Gati gjysmë kilogrami tritol është vendosur në katin e dhjetë të një pallati 12-katësh, dy katet e fundit të të cilit ishin në pronësi të Ardian Kollozit. Shpërthimi i fuqishëm ka nxjerrë jashtë përdorimit thuajse të gjithë katin, si dhe ashensorin e pallatit, por fatmirësisht nuk janë regjistruar viktima apo të lënduar në njerëz. Në momentin e shpërthimit të tritolit Kollozi kishte pak minuta që kishte hyrë në banesën e tij, pasi u kishte dhënë fund takimeve elektorale në qytetin e Vlorës. Teksa ai ka rënë të flejë, persona ende të paidentifikuar nga policia kanë vendosur sasinë e tritolit në ambientet e shkallëve dhe më pas janë larguar duke mos rënë në sy të ndonjë prej banorëve të pallatit dhe lagjes ku ndodhi krimi. Pikërisht në këtë pallat, banon dhe kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami. Ky i fundit banon në katin e shtatë të pallatit, ndërkohë që ka rrëzuar dyshimet se ai mund të ketë qenë objekt i këtij sulmi me tritol. Selami ka pohuar se autorët kanë dashur të hedhin në erë familjen e Ardian Kollozit, version ky që më pas u pranua edhe nga policia e Vlorës, e cila kur kanë kaluar 24 orë nga krimi nuk ka qenë në gjendje të identifikojë dhe arrestojë autorin e këtij krimi të rëndë, që tronditi Vlorën në mesnatën e të shtunës.

Ngjarja në mesnatë

Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur rreth orës 03:00 të mesnatës, kur të gjithë banorët e pallatit kanë qenë në gjumë. Autori ka shfrytëzuar edhe mosprezencën e rojës tek dera dhe menjëherë ka marrë shkallët duke arritur të ngjitet deri në katin e dhjetë. Pikërisht në këtë kat, ai ka vendosur sasinë e tritolit dhe më pas është larguar, duke e aktivizuar eksplozivin me një aparat telefonik. Forca e madhe ka rrëzuar në tokë, disa mure të banesave për rreth si dhe ka bërë nxjerrjen e dyerve, dëmtime ka pësuar dhe ashensori. Shpërthimi ka nxjerrë jashtë të gjithë banorët e pallatit, të cilët fillimisht kanë menduar se kishte plasur transformatori nga mbingarkesa, por më pas kanë mësuar se kishin të bënin me një atentat terrorist ndaj kandidatit për deputet të PD-së, Ardian Kollozi. Ky i fundit dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij kanë shpëtuar fatmirësisht, ndërkohë që mësohet se dy katet e pallatit që ishin në pronësi të tij, kanë pësuar dëme të lehta. Kanë qenë banorët ata që kanë bërë njoftimin e shefit të komisariatit të Vlorës dhe më pas në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar dhjetëra specialistë të policisë së Vlorës dhe Tiranës. Në orët e para të mëngjesit ka mbërritur në Vlorë zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, dhe drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj. Këta dy të fundit kanë qenë në vendngjarje, duke u ndihmuar edhe nga ekspertët e antiterrorit dhe prokurori i rrethit të Vlorës, Dorian Tafili. Ekspertët kanë treguar se nga vala goditëse janë shkatërruar edhe xhamat e makinave të parkuara poshtë pallatit, ku si pasojë e rrëzimit të suvasë, ka ardhur dhe thyerja e xhamave të automjeteve.

20 të shoqëruar

Menjëherë pas ngjarjes policia ka vendosur të kundërveprojë me shpejtësi me qëllim arrestimin e autorit të këtij krimi të shëmtuar. Brenda një kohe të shkurtër plot 20 persona janë shoqëruar nga zona të ndryshme të Vlorës, duke u marrë në pyetje për orë me radhë. Asnjëri prej tyre s’ka qenë në gjendje të tregojë rreth këtij atentati dhe se në orët e drekës të gjithë personat janë lënë sërish të lirë. Ndërkohë që në orët e para të hetimit është marrë në pyetje dhe kandidati për deputet i PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi, i cili ka pohuar se ngjarja ka vetëm karakter politik dhe asnjë gjë më tepër. Kjo, pasi, sipas tij, gjatë kësaj kohe ai ka zhvilluar një fushatë elektorale shumë paqësore dhe se nuk është konfliktuar me asnjë person. Kollozi ka shtuar se nuk ka marrë asnjë telefonatë apo mesazh kërcënimi, pasi nuk ka konflikt me askënd. Policia ka ngritur dyshime se atentati me tritol në adresë të Ardian Kollozit mund të ketë ardhur edhe si pasojë e funksionit të tij si drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t. Megjithatë, këto dyshime nuk mbështeten në asnjë prove konkrete, që mund të ndihmonte hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij krimi. Ngjarja e rëndë, u shënua pikërisht kur duhen dhe 22 ditë nga dita e zgjedhjeve parlamentare. Tensionet e fushatës elektorale janë nxehur dhe për pasojë, akuzat dhe kundër akuzat nga kandidatët, duket se kanë përfunduar në hakmarje personale me vendosje tritoli në pragun e shtëpisë. Ky është një incident i përsëritur i fushatave elektorale në Shqipëri, pasi vitet e kaluara shumë prej eksponentëve janë plagosur dhe vrarë nga dora kriminale.

 

7 dyer

Shtatë dyer të blinduara janë shkatërruar plotësisht dhe janë rrëzuar në tokë. Forca e shpërthimit thuajse ka rrënuar plotësisht katin e nëntë dhe atë të dhjetë, ndërkohë që vendi ku ka shpërthyer tritoli, është hapur një gropë prej 20 centimetra.

 

Kamerat

Kamerat e sigurisë të disa bizneseve afër pallatit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjatë ditës së djeshme të gjitha pamjet filmike janë parë me vëmendje nga oficerët e hetimit, por në fakt nuk është arritur të zbulohet asnjë person i dyshimtë.

 

 

Njëri nga banorët e pallatit

Drejtori i Monumenteve, Yzeiri:

Fëmijët panë tmerrin me sy

 

Drejtori i Monumenteve të Kulturës në Vlorë, Ymer Yzeiri, është një nga banorët e pallatit ku ndodhi shpërthimi. Yzeiri tregon përjetimin e shpërthimit dhe momentin se si ka dalë nga banesa jashtë, për t’i shpëtuar vdekjes. Ymer Yzeiri shprehet se dy katet, 9 dhe 10, janë shkatërruar pothuajse gjithçka ka pasur në këto kate. Disa dyer kanë hyrë nëpër shtëpi, pasi vala goditëse i ka shtypur duke u futur brenda banesave. “Ishte e tmerrshme kur në kulmin e gjumit të dëgjosh shpërthimin pranë derës tënde. U ngritëm të tmerruar për të parë se çfarë ndodhi, por për disa minuta m’u desh të hapja derën e hyrjes, sepse ishte dëmtuar, edhe pse ishte e blinduar, mbasi dola në korridor pashë dyer dhe dritare të shkatërruara si dhe murre të çara, më pas dolën jashtë edhe komshinjtë e tjerë. Të gjithë shikonim njëri-tjetrin, askush s’po merrte vesh se çfarë kishte ndodhur. Më pas kuptuam se ishte shpërthim me lëndë eksplozive pranë derës së Ardian Kollozit. Më të tmerruar nga shpërthimi ishin fëmijët të cilët përjetuan një tmerr të vërtetë”, – tregon Ymer Yzeiri. Ky i fundit së bashku me disa banorë të pallatit është marrë në pyetje nga policia e Vlorës rreth asaj që dinte. Ndërkohë që pas ndodhjes së krimit të rëndë, banorët e pallatit janë organizuar me qëllim marrjen e masave për garantimin e sigurisë së tyre gjatë orëve të natës dhe të ditës. Sipas banorëve, ata do të mbledhin fonde për vendosjen e disa kamerave në hyrje të pallatit, duke bërë kështu identifikimin e personave të panjohur që hyjnë në pallat. Ndërkohë që gjatë mbrëmjes së djeshme efektivë të policisë së Vlorës kanë qëndruar poshtë pallatit ku ndodhi krimi, duke bërë shërbim.