Janë Raca e Tretë dhe Atlantidasit gjigandë, kujtimi i të cilëve u zvarrit nga një brez e racë në tjetrën deri në ditët e Moisiut, kujtim që gjeti një formë objektive në ata viganë të parapërmbytjes, ata shtriganë e magjistarë të tmerrshëm, nga të cilët Kisha Romane ka ruajtur legjenda kaq të gjalla e njëkohësisht të shtrembëruara. Ai që ka lexuar e studiuar Shpjegimet në doktrinën arkaike, do të njohë lehtësisht në disa Atlantidas prototipat e Nimrodëve, Ndërtuesit e Kullës së Babelit, Hamitët e gjithë ata të “kujtimeve të neveritshme”, siç shprehet literatura teologjike: të atyre që, shkurtimisht, kanë furnizuar brezat e ardhshëm me tipat ortodoksë të Satanit. Dhe kjo, natyrisht, na bën të hetojmë nëpër etikat religjioze të këtyre racave të hershme, mitike siç mund të jenë.
Cila ishte feja e Racës të Tretë e të Katërt? Në kuptimin e përgjithshëm të termit, as Lemurianët e pinjollët e tyre, Lemuro-Atlantidasit, nuk kishin apo njihnin ndonjë dogmë ose të besonin në ndonjë fe. Derisa syri mendor i njeriut ishte i hapur, Raca e Tretë e ndjente veten një me praninë e përhershme, të panjohurën e të padukshmen GJITHËSI, Hyjninë Universale. Të pajisur me fuqi hyjnore, e duke njohur përbrenda Zotin e tij të brendshëm, secili ndjehej si Njeri-Zot në natyrën e vet, megjithëse një kafshë në Vetveten fizike. Lufta mes të dyjave nisi ditën që shijuan frutin e Pemës së Dijes; një luftë për jetë mes shpirtërores e mendores, mendores e fizikes.
Ata që nënshtruan parimet e ulëta, duke fituar mjeshtëri mbi trupin, i’u bashkuan “Bijve të Dritës”. Ata që ranë viktima të natyrës së tyre të ulët u bënë skllevër të Materies. Nga “Bij të Dritës e Urtisë” përfunduan në “Bij të Errësirës”. Degraduan në betejën mes jetës së vdekshme dhe Jetës së pavdekshme, e këta të rënë u bënë fara e brezave të ardhshëm të Atlantidasve (sinonim i “magjistarëve”. Racat e Atlantidës ishin të shumta e zgjatën në evolucionin e tyre për miliona vjet: nuk ishin të gjithë të këqinj. U bënë të tillë nga fundi, siç po bëhemi ne (të pestët) tani me shpejtësi).
Njeriu
Në lindje të vetëdijes së vet, njeriu i Rrënjëracës së Tretë nuk ishte besime që mund të quheshin religjion. Domethënë, ishte njësoj i paditur për “religjionet gay, plot salltanete e florinj”, si dhe për çdo sistem besimi apo adhurimi të jashtëm. Por, nëse duhet përcaktuar termi si bashkim turmash në një formë nderimi ndaj atyre që i ndjejmë si më të lartë ndaj nesh, devotshmëri – si një ndjenjë shprehur nga fëmija ndaj prindërve të dashur – atëherë edhe Lemuriani më i hershëm kishte një fe – madje më të bukurën – që prej fillimit të jetës së tyre intelektuale. A nuk kishin rrotull vetes zotat e ndritur të elementëve, madje edhe në vetvete? A nuk e kaluan fëmijërinë e vet me ata që u dhanë kujdes, jetë, inteligjencë e jetë të ndërgjegjshme? Jemi të sigurt që kështu është dhe e besojmë. Sepse evolucioni i Shpirtit në materie nuk do të arrihej kurrë; as do të niste, po të mos ishte për Shpirtrat e ndritur, që sakrifikuan thelbin e tyre super-eterik për t’i dhënë jetë njeriut prej balte, duke e pajisur secilin prej parimeve të tij të brendshme me një hise, apo më mirë pasqyrim të asaj esence. Diejanët (Dhyan) e Shtatë Qiejve (shtatë planet e Qenies) janë NOUMENOI-t e Elementëve të tanishëm e të ardhshëm, siç janë Ëngjëjt e Shtatë Fuqive të natyrës – efektet vulgare të të cilëve perceptohen nga ne në ato që shkenca kënaqet të quajë “mënyrat e lëvizjes” – forcat e pamatshme, për të mos thënë – janë noumenoi edhe më të larta të Hierarkive edhe më të sipërme. Ishte “Epoka e Artë” në ato ditë të hershme, koha kur “zotat ecnin mbi tokë e bashkoheshin lirshëm me vdekatarët”. Qysh atëherë, zotat ikën (u bënë të padukshëm), dhe brezat e ardhshëm përfunduan duke adhuruar mbretëritë e tyre – Elementët (“Zotat e Elementëve” nuk janë Elementët, të cilët përdoren prej tyre si mjete apo materiale për të veshur veten).Ishin atlantidasit, stërnipërit e parë të njeriut gjysmëhyjnor pas ndarjes së tij në sekse – prej këtu pjella e parë dhe vdekatarët e lindur nga njerëz – që u bënë “Flijuesit” e parë për zotin e lëndës. Jetuan në të kaluarën e vagullt të largët, në epoka shumë më tepër se parahistorike, si prototipi mbi të cilin u ndërtua simboli i madh i Kainit, si antropomorfistët e parë që i’u falën formës e materies. Ai adhurim degradoi shpejt në vetëadhurim, pastaj në pallicizëm, apo atë që mbretëron supreme deri sot në simbolikën e çdo religjioni ekzoterik të ritualit, dogmës e formës. Adami dhe Eva u bënë lëndë, apo ofruan tokën, Kaini e Abeli – tokën e mëpasme jetëmbajtëse, të parët “kultivuesit e asaj toke apo fushe” (Kaini ishte flijuesi, siç tregohet fillimisht në kapitullin IV të Gjenezës, nga “fruti i tokës”, kultivuesi i parë i të cilit ishte, ndërsa Abeli “ardhja e pjellës së parë të tufës” për Zotin. Kaini ishte simboli i mashkullit të parë, Abeli i njerëzimit të parë femëror, Adami dhe Eva janë tipat e racës së tretë. “Vrasja” është gjakderdhje, por jo jetëmarrje).
Racat
Racat e para atlantidase, lindur në kontinentin Lemurian, të ndarë që prej fiseve të hershme në të drejtë e të padrejtë; në ata që adhuruan Shpirtin e padukshëm të Natyrës, rrezen e të cilit njeriu e ndjen përbrenda – ose Panteistët, dhe në ata që adhuruan në mënyrë fanatike Shpirtin e Tokës, Fuqitë e Errëta Kozmike antropomorfe, me të cilat bënë aleancë.Këta ishin Gibborim-ët e hershëm, “njerëzit e fuqishëm të famës në ato ditë”, të cilët u bënë Kabirim në racën e Pestë: Kabiri me egjiptianët e fenikasit, Titanët me grekët dhe Rakshasas e Daityas me racat indiane. E tillë ishte origjina misterioze dhe sekrete e gjithë religjioneve pasuese e moderne, sidomos e adhurimit të Hebrenjve të vonë për zotin e tyre fisnor. Njëkohësisht, ky religjion seksual ishte i afërt, bazuar e shkrirë, le të themi, me dukuri astronomike. Lemurianët lëvizën drejt Polit të Veriut, ose Parajsës së Stërgjyshërve të tyre (Kontinenti Hiperborean); atlantidasit drejt Polit të Jugut, gropës, tokësore e kozmike – prej ku fryjnë pasionet e nxehta në uragane nga Thelbësorët kozmikë, që banojnë atje. Dy polet u quajtën nga të lashtët Dragoi dhe Gjarpëri – prej nga vijnë Dragoj e Gjarpërinj të mirë e të këqinj, gjithashtu emrat që kanë “Bijtë e Zotit” (Bijtë e Shpirtit dhe Materies): Magjistarët e mirë dhe të këqinj. Kjo është origjina e natyrës së dyfishtë e trefishtë te njeriu. Legjenda e “Engjëjve të Rënë”, në kuptimin e ezoterik, përmban çelësin e mospajtimit të shumëfishtë të karakterit njerëzor; çon te sekreti i vetëdijes së njeriut; është pranga ku varet gjithë jetëcikli i tij; historia e evolucionit dhe rritjes së tij. Në të rrokurit e kësaj doktrine varet kuptimi i saktë i antropogjenezës ezoterike. Jep të dhëna drejt pyetjens së trazuar për Origjinën e së Keqes; tregon sesi vetë njeriu është copëtuesi i Njëjësisë në disa aspekte të kundërta. Prandaj lexuesi nuk do habitet nëse i kushtohet hapësirë e madhe në çdo rast përpjekjes për të sqaruar këtë subjekt të errët e të vështirë. Një pjesë e veçantë duhet thënë për aspektin simbolik; pasi kështu jepen gjurmë për studentin e vëmendshëm të bëjë hetimet e veta, e të hidhet më shumë dritë sesa mund të përçohet në frazat teknike të një paraqitjeje filozofike më formale. “Engjëjt e Rënë”, të ashtuquajtur, janë vetë Njerëzimi. Demoni i Krenarisë, Epshit, Rebelimit e Urrejtjes kurrë nuk ka qenë para se të shfaqej njeriu fizik i vetëdijshëm. Njeriu shkaktoi, ushqeu e lejoi dreqin të rritej në zemrën e vet; përsëri ai ndoti zotin e brendshëm, duke lidhur shpirtin e pastër me djallin e pistë të lëndës. Dhe, si ajo shprehja Kabalistike “Demon est Deus inversus” gjen pohimin metafizik e teorik në naturën e dyfishtë të manifestuar, aplikimi i saj praktik gjendet vetëm në Njerëzim. Pra, tani është e qartë vetvetiu se marrja si e mirëqenë, (a) e shfaqjes së njeriut para gjitarëve të tjerë, madje edhe para epokave të reptilëve gjigandë; (b) përmbytjet e epokat akullnajore periodike për shkak të shqetësimeve karmike të akseve; dhe më kryesorja (c) lindja e njeriut nga një Qenie Superiore, apo atë që materializmi quan Qenietë mbinatyrshme, megjithëse është vetëm mbinjerëzore – është e qartë se mësimet tona kanë pak shance të dëgjohen në mënyrë të paanshme. Shtoji kësaj pohimin se një pjesë e Njerëzimit në Racën e Tretë – gjithë ata monadë njerëzorë që kanë mbërritur në pikën më të lartë të Vlerës e Karmës në Manvantarën paraardhëse – u detyrohen për natyrën e fizike e racionale Qenieve hyjnore që u mishëruan në principin e tyre të pestë, dheDoktrina Sekrete humb kastën jo vetëm në sytë e Materializmit por edhe Krishtërimit dogmatik. Dhe, para se këta të fundit të mësojnë se ata ëngjëj janë identikë me Shpirtrat e tyre të “Rënë”, parimi ezoterik do të shpallet heretiku më i tmerrshëm e fatal. Fatmirësisht, për racën njerëzore, “Raca e Zgjedhur” është bërë tashmë mjeti i mishërimit (mendërisht e shpirtërisht) të Diejanëve më të lartë para se Njerëzimi të bëhej plotësisht material. Kur nënracat e fundit – përveç disa më të ultave – të Racës së Tretë u zhdukën me Kontinentin Lemurian, “farat e Trinitisë së Dijes” kishin fituar sekretin e pavdekësisë mbi tokë, ajo dhunti që lejon të njëjtin personalitet të kalojë ad libitum(sipas dëshirës) nga trupi i vdekur në një të shëndetshëm. Lufta e parë që njohu toka ishte, gjaku i parë njerëzor i derdhur, pasoja e hapjes së syve e ndjenjave të njerëzve; që e bëri të shikonte se vajzat e Vëllezërve të vet ishin më të dëlira se vetja e gratë e tyre. U kryen përdhunime para asaj të Sabinave, e Menelatë grabitën Helenat e tyre para Racës së Pestë. Titanët ose gjigandët ishin më të fortët; kundërshtarët e tyre më të zgjuarit. Kjo ndodhi gjatë Racës së Katërt – asaj të gjigandëve. Pasi, “kishte viganë” në ato ditë të hershme, në fakt, dhe seritë evolutive të botës së kafshëve janë garanci se e njëjta gjë ndodhi edhe me racat njerëzore. Shkrimet e shenjta, fragmentet filozofike dhe punët shkencore – shkurtimisht gjithë të dhënat që na kanë ardhur prej antikitetit – i përmendin këta gjigandë.