Elton Qyno
Dyshime se kompania fituese paraqiti garanci të falsifikuara në ankand
Veprimet mashtruese, i sollën 85 milionë euro dëm arkës së shtetit
Mashtrimi spektakolar me privatizimin e kompanisë shtetërore “Albpetrol” i ka kushtuar një dëm financiar buxhetit të shtetit që përllogaritet në 85 milionë euro. Kjo shumë duhet të dorëzohej në arkën e shtetit nga kompania e Rezart Taçit, që u shpall fituese, por që në fakt një gjë e tillë nuk u bë kurrë realitet. Të gjitha këto veprime me karakter mashtrimi, kanë detyruar Prokurorinë e Tiranës të nisë hetimet për procedurën e ndjekur dhe se siç mësohet procedimi penal ka nisur për akuzën e “Mashtrimit” me shumë të mëdha dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Pikërisht, kjo akuzë duke se është konsumuar nga zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, të cilët kanë qenë në kryer të tenderit të Kryeministrisë dhe se nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë verifikimin e saktë të garancisë, të depozituar nga kompania fituese. Pikërisht, kjo garanci është bërë shkak i këtij mashtrimi financiar dhe për pasojë arka e shtetit ka humbur plot 85 milionë euro. Aktualisht, njësia hetimore task-forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka sekuestruar të gjitha procedurat e ndjekura, ndërkohë që dyshime të forta bien mbi drejtuesit e këtij ankandi të cilët nuk kanë bërë verifikimin e saktë të garancisë së bërë nga kompania fituese për derdhjen e lekëve nga një bankë amerikane, që sot e kësaj dite ende nuk dihet nëse e ka lëshuar ajo ose jo fletën e garancisë, që mashtroi zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë.
Verifikim “Patton Bogs”-it
Që prej dy javësh, një prokuror dhe një oficer i Policisë Gjyqësore janë duke verifikuar me imtësi të gjitha procedurat e ndjekura nga kompania konsulente e këtij ankandi, “Patton Bogs” dhe shoqëria e shpallur fituese “Vetro Energy” e përfaqësuar nga biznesmeni Rezart Taçi. Organi i akuzës po verifikon veprimet e anëtarëve te Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pasi këta punonjës, përveç se kanë pranuar dokumentacionet e kompanisë që ka marrë pjesë në tender, kanë bërë edhe shpalljen e fituesit, kompaninë “Vetro Energy” më datë 3 tetor, duke mos kryer verifikimet e nevojshme. Dyshohet që kompania e shpallur fituese ka mashtruar me garancinë bankare, e favorizuar këtu edhe nga kompania konsulente “Patton Bogs” e cila kishte për detyrë konfirmimin e garancisë bankare. Banka amerikane që ishte garante e parave të kompanisë “Vetro Energy”, duhet të kalonte në llogarinë e shtetit shqiptare 10 për qind të vlerës së tenderit, ose 85 milionë euro. Edhe pse kanë kaluar 6 muaj kjo shumë nuk është derdhur çka i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm financiar dhe dëmtim të imazhit. Njëherësh solli dhe paralizimin e ankandit të shitjes së “Albpetrolit”, për të mos thënë që i zbehu mjaft shumë çmimin real të kësaj ndërmarrje të vetme shtetërore.
Në pyetje drejtuesit
Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, që zhvilloi edhe tenderin për privatizimin e “Albpetrolit” janë të gjithë objekt hetimi nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Madje, në “sitë” do të kalojnë kryesisht drejtuesit e kësaj ministrie, pasi edhe tenderi në fjalë kishte një rëndësi madhore, ku do të bëhej i mundur privatizimi i një kompanie shtetërore, me asete qindra milionë euro. Megjithatë, tenderi ka dështuar dhe “fituesi” nuk kishte vendosur garanci pasurore, megjithëse ofroi 850 milionë euro për të privatizuar “Albpetrolin”. Në atë kohë, qeveria do të shpejtonte të deklaronte se ky tender ishte më i suksesshmi i kryer ndonjëherë dhe një pasuri e shtetit u kaloi pronarëve për një shifër monetare rekord. Megjithatë, ditët kalonin dhe fituesit e “Vetro Energy” dilnin me buzëqeshje të hidhur në konferenca shtypi, ndërkohë që nuk derdhën shumën në arkat e qeverisë, madje kërkimet e palës shqiptare ishin të dëshpëruara. Në bankën amerikane nuk u gjendën as garancia, që ishte kryesorja për pjesëmarrjen në tender. Sipas procedurave, nëse një firmë nuk vendoste garanci 10 për qind të ofertës, atëherë përjashtohej nga tenderi.
Rezart Taçi garantoi anëtarët e komisionit të ankandit se do të derdhte brenda afatin pjesën e 85 milionë eurove. Por ditët dhe muajt kaluan dhe një gjë e tillë nuk u bë realitet asnjëherë. Taçi, këmbënguli se e kishte siguruar shumën e parave nga një bankë amerikane, dhe më pas nga disa banka të tjera, por që në fakt sërish nuk u derdh asnjë qindarka. Nga ana tjetër qeveria në pritje të lekëve, kuptoi se gjithçka ishte një skemë mashtrimi dhe për pasojë vendosi anulimin e procedurave të mëtejshme.
Pritet thirrja e dhjetëra personave dhe biznesmenëve
Hetimi, në pyetje anëtarët e komisionit
duhet të kishin verifikuar garancinë
Hetimet në vijim pritet të çojnë në Prokurorinë e Tiranës dhjetëra persona për të dhënë deklarime në mënyrë që të sqarohen rrethanat e këtij privatizimi të dështuar. Të parët që janë në listë janë emrat e anëtarëve të këtij komisioni që bënte vlerësimin e ofertave dhe verifikimin e dokumentacionit. Ata do të pyeten për të gjithë procedurën e ndjekur, ndërkohë që fill pas tyre nuk përjashtohen dhe drejtuesit më të lartë të ministrisë së Ekonomisë, që në atë periudhë drejtohej nga eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Hetimi duket se do shtrijë efektet e tij deri tek disa prej biznesmenëve që kanë marrë pjesë në ankandin e “Albpetrolit”, duke bërë që ata të dëshmojnë rreth asaj që dinë për të vërtetën e këtij mashtrimi. Në qendër të vëmendjes së hetuesve shqiptarë është biznesmeni i naftës Rezart Taçi, i cili pritet të thirret në një periudhë të mëvonshme në prokurori, për të sqaruar pozicionin e tij në këtë çështje, e cila dështoi që në minutën e parë të shpalljes fituese të kompanisë së tij. Ndërkohë që një tjetër pikë kyçe për hetuesit është dhe nëse METE ka kryer apo jo verifikimin e garancisë. “Në këto veprime hetimore, hetuesit do të nxjerrin një përfundim nëse konsulenti amerikan i qeverisë shqiptare, firma “Patton Boggs”, ka favorizuar apo jo konsorciumin”, – pohojnë burimet nga akuza. Sipas tyre, nga verifikimet e dokumentacionit, ka rezultuar se kjo firmë ka dhënë konfirmimin e garancisë që kishte dhënë firma fituese, pra “Vetro Energy”, që më pas rezultoi se ishte e pavërtetë.
Krimi në Tiranë
Shkatërrohet me tritol makina e biznesmenit
Një biznesmen nafte ka qenë objekt i një sulmi me tritol, i cili është vendosur në automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”. Në momentin e shpërthimit, biznesmeni Gëzim Jemishta, fatmirësisht nuk ka qenë në makina, duke bërë që shpërthimi të sjellë vetëm dëme materiale, duke shkatërruar plotësisht automjetin. Lajmi është mbajtur i fshehtë nga policia për shkak të procesit delikat të hetimeve për zbardhjen e tij. Automjeti tip “Mercedes-Benz” me targa TR 3093 P, në pronësi Gëzim Jemishtës, është shpërthyer me një sasi eksplozivi që aktivizohet në distancë. Nga shpërthimi është shkatërruar thuajse plotësisht Benzi, si dhe janë dëmtuar automjetet dhe xhamat e pallatit ku banon biznesmeni tropojan, pronar i një kompleksi pikë karburanti-hotel dhe restorant në kilometrin e parë të autostradës Tiranë – Vorë. Burimet thanë se shkak për shpërthimin dyshohet një konflikt për motive të dobëta dhe objekt ka qenë kanosja e biznesmenit. Në fakt, biznesi i Jemishtës ka qenë disa herë objekt grabitjeje apo plagosjeje me armë, por sipas policisë, këto janë ngjarje spontane dhe nuk kanë lidhje me shpërthimin e makinës disa ditë më parë. Aktualisht, për këtë ngjarje është duke hetuar komisariati nr. 3, por që deri ditën e djeshme asnjë person nuk është arrestuar për këtë ngjarje. Shumë persona janë shoqëruar por pas marrjes në pyetje të tyre ata janë lënë sërish të lirë.