Sonja Caka
Denoncimi i Rexhep Ramës në prokurori e gjykatë për kurim të pabarabartë, kërkesa nuk pranohet. I moshuari: Do t’i drejtohem Strasburgut, moskurimi më avancoi tumorin në kordat e zërit
Avancimi i sëmundjes për shkak të prishjes së aparaturës së kobaltit dhe pamundësisë për t’u trajtuar në spitale private e kanë sjellë një të moshuar në dyert e prokurorisë dhe gjykatës. Ai kërkon që mjekët të deklarohen fajtorë, pse jo, edhe shteti, sipas Rexhep Ramës. Të parët i akuzon për prishjen e aparaturës në javën e tretë të radioterapisë dhe se e kanë orientuar të vijojnë rrezet në privat, ndërsa shtetin pse nuk e ndihmon ekonomikisht për të përballuar shpenzimet në spitalet private. Akuza e Rexhep Ramës është për kurim të pabarabartë, një vepër penale kjo që nuk ekziston në legjislacionin shqiptar. Ndërkohë që akuza e dytë e tij është për moszbardhje të vendimit nga gjykata, ndërsa nga verifikimet rezulton se vendimi është dhënë vetëm 5 ditë më parë, nga ku tri prej këto ditëve që nga shpallja kanë qenë pushim. I moshuari ka deklaruar se vendimin do ta apelojë dhe nëse nuk fiton të drejtën në Shqipëri, do ta çojë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Kallëzimi
Rexhep Rama ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ku akuzon mjekët dhe shtetin për avancim të sëmundjes së tij të tumorit në laring, duke i prekur edhe kordat e zërit, ndërsa ngre pretendimin për kurim të pabarabartë. Pas prishjes së aparaturës së kobaltit me të cilën bëhet radioterapia në javën e tretë, mjekët i thanë t’i nënshtrohej kurimit me rreze në spital privat. Pas kësaj situate, 60-vjeçari Rama u drejtua në prokurori edhe në gjykatë, por në të dyja e humbi çështjen, me argumentin se e kishte si kërkesë të pabazuar në ligj. Sipas arsyetimit të prokurorisë, të përfaqësuar nga prokurori Juljan Zonja dhe gjykatës nga gjyqtari Bujar Krasniqi, fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, e thënë ndryshe nuk parashikohet në ligj pretendimi i tij për shkelje të barazisë për trajtim mjekësor. Megjithatë, i moshuari vijon të paraqitet çdo ditë në ambientet e Gjykatës së Tiranës, duke deklaruar se nuk i ka mbyllur punët me drejtësinë, pasi do të shkojë edhe në Apel dhe deri në Strasburg. “Vij, bëj debat se nuk ka dalë vendimi. Vendimi është dhënë, por nuk është zbardhur ende. Pasi të marr vendimin kjo punë do të shkojë në Apel. Do t’u drejtohem ambasadave, do të kërkoj të hapen letrat dhe të hetohen edhe ato raste të tjera të tilla dashakeqe”, – thotë Rama, ndërsa rezulton që vendimi për 60-vjeçarin të jetë dhënë mesditën e 29 majit.
Prokuroria
Pavarësisht nga akuzat e Rexhep Ramës për mjekët që e drejtuan në spital privat pas prishjes së aparaturës së kobaltit, prokuroria ne vendimin e pushimit të hetimeve thotë se ne rast të mosfunksionimit të aparaturave, QSUT nuk ka ndonjë kontratë me spitale jopublike për trajtim me radioterapi të pacientëve. “Ky është dëm i shkaktuar me dashje. Trajtimi u ndërpre dhe më pas rifilloi serish. Por kjo gjë nuk e dha më efektin. Në privat trajtimi ishte tepër i shtrenjtë dhe unë nuk e përballoj dot. Tani unë nuk kam besim as të kurohem në duart e këtyre mjekëve”, – thotë Rama. Në vendimin e saj të pushimit, Prokuroria shprehet se në aparat kanë ndodhur defekte periodike, për shkak të fluksit të pacientëve nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe për shkakun se nuk ka një kontratë mirëmbajtjeje me firmën prodhuese, ndërsa riparimi i saj, konkludon prokuroria, është bërë nga teknikë të huaj dhe Departamenti Biomedikal.
Vendimi
Gjyqtari Bujar Krasniqi vendosi më 29.5.2013 rrëzimin e kërkesës penale me nr. 739 Regjistrit Themeltar, me datë ardhje 23.4.2013, që i përket kërkuesit Rexhep Rama, si të pabazuar në prova dhe në ligj. Lënien në fuqi të vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për “Mosfillimin e procedimit penal”, që i përket procedimit penal nr. 1570, datë 27.3.2013.
Vendimi
Dhunoi fizikisht njerkën, dënohet 2 muaj burg nga gjykata
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 2 muaj burg një 21-vjeçar, i akuzuar për ushtrim dhune në familjen e tij. I pandehuri Skënder Hasani akuzohet se ka dhunuar njerkën e tij dhe për këtë arsye kjo e fundit jo vetëm ka kërkuar urdhër-mbrojtje nga policia dhe gjykata, por është detyruar t’i drejtohet edhe prokurorisë me një kallëzim penal. Por, në një moment të gjykimit, gruaja ka vendosur ta falë djalin e vetëm të të shoqit nga martesa e parë, për shkak se ky i fundit është në momentet e fundit të jetës për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme dhe do që momentet e fundit t’i jetojnë me njëri-tjetrin. Sipas akuzës, por edhe denoncueses, Skënderi prej kohësh njihet si përdorues i lëndës narkotike. Referuar vendimit të gjykatës mësohet se në janar të këtij viti Xhuljeta Kamberi ka paraqitur kallëzim në policia. Nga kallëzimi i saj rezulton se është e martuar me shtetasin Fatmir Kamberi që prej 14 vjetësh dhe ky shtetas nga martesa e parë ka një djalë të moshës 19 vjeç, që është i pandehuri Skënder Kamberi, ndërsa me Xhuljetën ka një vajzë të moshës 13 vjeç. Ajo ka shpjeguar se Skënderi është përdorues i lëndës narkotike dhe për pasojë është i dhunshëm dhe e ka dhunuar atë në disa raste. Ajo ka kërkuar një urdhër mbrojtje për këtë shkak në muajin dhjetor 2012 dhe për këtë urdhër janë në proces gjyqësor. Mësohet se ditën e ngjarjes, ai ka shkuar ne banesën e prindërve ku Xhuljeta ka qenë duke drekuar dhe pasi kanë debatuar ai e ka goditur atë me grusht prapa kokës disa here dhe pasi Xhuljeta ka mundur t’i shkëputet ka marrë telefonin për të telefonuar policinë. Skënderi i ka marrë telefonin nga dora dhe ia ka thyer. Pas kësaj, Skënderi ka dalë jashtë nga ku është kthyer pas pak minutash ku pinte cigare dhe bënte karshillëk duke i thënë shtetases Xhuljeta “ça ka, ka ndonjë gjë”. Kallëzuesja ka shpjeguar po ashtu se bashkëshorti i saj nuk e mbronte dot pasi ishte në shtrat duke qenë i sëmurë me kancer në mëlçi. Ajo sqaron se këto veprime janë të përsëritura nga ana e Skënderit, si dhe ai kryen veprime të turpshme ne sy të saj dhe vajzës, duke u zhveshur lakuriq. Pas kallëzimit, Skënderi nuk jeton me atë, por në banesën e gjyshit të tij në Allias, Tiranë. Po ashtu, ajo deklaroi se e ka falur shtetasin Skënder Kamberi nisur nga fakti se është fëmija i parë i bashkëshortit të saj dhe ky i fundit është me kancer dhe nuk e ka jetën e gjatë. Ajo deklaroi se e ka falur Skënderin dhe nuk dëshiron me që ai të ndiqet penalisht, pasi nuk dëshiron që i shoqi të jetojë larg fëmijës së tij duke qenë se është djali i vetëm i shtëpisë.