Procesi i plotë i njësimit të diplomave, hapat që duhet të ndjekin studentët

0
682

ministriaKriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

Rastet e veçanta për çdo të ri

 

Ministria e Arsimit ka bërë publikë hapat që duhet të ndjekin të rinjtë për çdo problem lidhur me njësimin e diplomave. Nëpërmjet pyetjeve që bëjnë të rinjtë, MASH ka sqaruar të gjithë procesin, duke filluar nga kriteret dhe deri te pagesa që duhen bërë.

A mund të lë një takim lidhur me kualifikimet që kam fituar jashtë vendit?

Sektori i Njohjes së Diplomave nuk ofron informacion dhe këshilla me anë të takimeve, por nëse keni pyetje për vlerësimin dhe njohjen e diplomave, për të cilat nuk gjeni përgjigje në këtë faqe, ju mund të na shkruani lidhur me problemin tuaj apo të kërkoni takim me stafin përmes zyrës së Marrëdhënieve me Publikun.

Përse më shërben njohja e kualifikimeve të fituara jashtë vendit?

Njohjen e diplomës së fituar në një institucion të huaj të arsimit të lartë ju mund ta përdorni kur paraqiteni për t’u regjistruar në një program studimi në një institucion të arsimit të lartë (IAL) në Shqipëri, kur aplikoni për një vend pune apo thjesht për t’u qartësuar në lidhje me mundësitë për shkollim apo punësim përmes krahasimit me nivelet e sistemit shqiptar të arsimit të lartë. Ju lutemi vini re se, pas njohjes akademike në MASH, ju duhet të drejtoheni pranë autoriteteve përkatëse kur kërkoni të ushtroni një profesion të rregulluar (si p.sh., mjek, farmacist, veteriner, arkitekt etj). Kur synoni të ndiqni një program studimi në një IAL shqiptare, është institucioni përkatës ai që shqyrton kualifikimet tuaja në raport me kriteret e pranimit në programin përkatës.

Sa duhet të paguaj për njohjen e diplomës/diplomave të mia?

Në përputhje me udhëzimin nr. 41, dt. 8.12.2009, të ministrit të Arsimit dhe Shkencës për “Njohjen e diplomave të fituara në institucione të huaja të arsimit të lartë”, për procedurën e njohjes, pavarësisht numrit të diplomave nëse ato paraqiten si një paketë e vetme, ju duhet të paguani 2500 lekë pranë njërës prej bankave të caktuara.

Sa zgjat procedura e njohjes?

Procedura e njohjes zgjat 45 ditë nga momenti kur dosja juaj konsiderohet e plotë. Procedura mund te zgjatet përtej këtij afati në rastet kur ka vonesa në kthimin e përgjigjeve nga institucione te tjera që lidhen me verifikimet e dokumentacionit të paraqitur nga aplikuesi. Megjithatë, në rastet kur nevoja për njohjen e diplomës lidhet me një afat të caktuar, si për shembull, paraqitja e kërkesës për t’u regjistruar në një program studimi, lutemi shënojeni këtë në dokumentacionin që do të paraqisni.

A duhet të paraqesë edhe dokumentin e mbarimit të shkollës së mesme dhe/apo të ciklit të parë të studimeve universitare?

Si rregull, duhet të paraqiten vetëm dokumentet për nivelin e studimit që dëshironi të njihni. Në raste të veçanta, SENJOD mund të kërkojë dokumentet për një nivel më poshtë nga ai që kërkoni të njihni.

A duhet të paraqesë dokumentet origjinale?

Ju duhet të paraqisni fotokopje të noterizuara të dokumenteve origjinale. Megjithatë, në raste të veçanta, SENJOD mund të kërkojë edhe paraqitjen e dokumenteve origjinale.

A mund të bëni edhe konvertimin e notave?

SENJOD nuk bën konvertim të notave. Konvertimi i notave bëhet nga institucioni i arsimit të lartë ku dëshironi të pranoheni.

Dëshiroj të kthehem në Shqipëri me kreditit e fituara në një Institucion të huaj të arsimit të lartë. A mund të vlerësoni kreditet që dua të transferoj?

Jo, kjo bëhet nga institucioni i arsimit të lartë që do t’ju pranojë. I takon këtij të fundit të vendosë sa nga kreditet tuaja të mëparshme janë të transferueshme.

A mund të konvertoni si të huaj një diplomë shqiptare të konvertuar?

Jo, një diplomë shqiptare e njohur/konvertuar/ekuivalentuar jashtë vendit nuk mund të rikonvertohet përsëri. Në Shqipëri ju mund të përdorni diplomën fillestare.

A do të merret parasysh përvoja ime e punës kur është fjala për njohjen e diplomave të huaja?

Jo, përvoja e punës nuk është pjesë e vlerësimit të kredencialeve akademike. Gjithsesi, në CV-në tuaj ju duhet të përfshini edhe përvojën tuaj profesionale, sepse kjo ndihmon specialistët e njohjes të kuptojnë më mirë kontekstin e shkollimit dhe punësimit tuaj (veçanërisht në kuadrin e specializimeve afatgjatë në mjekësi, drejtësi etj).

Planifikoj të ndjek një program studimi në një vend të huaj. A mund të më thoni se cili është programi dhe niveli që i korrespondon në Shqipëri?

Fatkeqësisht, ne nuk mund të vlerësojmë paraprakisht kualifikimet e huaja, por mund t’ju ndihmojmë me informacion për aq sa kjo është e mundur bazuar në njohuritë dhe përvojën që kemi grumbulluar përmes vlerësimit të diplomave nga vendi në fjalë.

Mbi ç’kritere kryhet njehsimi?

Njehsimi është një proces kompleks që mbështetet, ndër të tjera, në kritere të tilla si: niveli, kohëzgjatja, kreditet, cilësia, profili i programit të studimit, natyra e studimeve (raportet midis mësimdhënies dhe punës kërkimore) etj. Për më shumë informacion shih udhëzimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës

A mund të kërkoj rivlerësim nëse nuk jam dakord me njohjen?

Po, ju mund të kërkoni rishqyrtimin e vendimit të njohjes përmes një kërkese zyrtare drejtuar Komisionit të Njohjes së Diplomave brenda periudhës kohore të përcaktuar.

A është e mundur të bëni një vlerësim të ri të diplomës time pas amendimeve të vitit 2010?

Jo, nuk do të ketë vlerësim të ri për diplomat e njohura përpara hyrjes në fuqi të këtyre amendimeve. Ligji i rregullon edhe ato në mënyrë organike.

Duke qenë se mund ta përdorë diplomën shqiptare jashtë vendit, a mund të ma ekuivalentoni me sistemin e vendit ku synoj të vendosem?

Jo, Ju duhet të kontaktoni me autoritetet përkatëse në vendin e huaj për njohjen e diplomës shqiptare atje.

Nuk jam dakord me vlerësimin që i kanë bërë diplomës time shqiptare në një vend të huaj. A mund të më ndihmoni?

SENJOD, në veçanti, dhe MASH, në përgjithësi, nuk mund të ndërhyjnë me mënyrën sesi shtetet e tjera i njohin diplomat shqiptare. Ato marrin vendime vetëm për njohjen e diplomave të huaja në Shqipëri.

 

 

 

20 milionë lekë mbështetje ndërmarrjeve të vogla

Qeveria vendos të ndryshojë strategjinë për mbështetjen financiare të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke miratuar një skemë të re për përfitimin nga fondi i konkurrueshmërisë. Vendimi përcakton që duke nisur nga viti 2013 dhe për 3 vitet pasuese, fondi i konkurrueshmërisë të jetë në masë 20 milionë lekë çdo vit. Fondi do u jepet sipërmarrjeve si ndihmë, në formë subvencioni të drejtpërdrejtë, deri në vlerën 1 milion lekë. Përmes këtij fondi, qeveria synon të mbështesë financiarisht ndërmarrjet për kostot e investimeve në sektorin teknologjik, në përshtatjen e produktit, përfshirë ambalazhimin apo certifikimin, ashtu sikurse edhe për pjesëmarrjet në panaire apo ekspozita.

Për të përfituar nga ky fond, ndërmarrjet duhet të plotësojnë këto kushte:

-Të prodhojnë produkte ose të ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar;

-Kanë një strategji dhe plan marketingu për zgjerimin e eksporteve

-Janë në gjendje të financojnë 100 për qind të gjitha kostot e projektit, të propozuara para përfundimit të tij. Referuar vendimit, pagesa e subvencionit do të bëhet në fund të çdo projekti, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera.

Për të përfituar, ndërmarrjet duhet:

-Të prodhojnë produkte ose të ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar;

-Të kenë një strategji dhe plan marketingu për zgjerimin e eksporteve;

-Të jenë në gjendje të financojnë 100 për qind të gjitha kostot e projektit, të propozuara para përfundimit të tij.

 

 

Eagle Mobile vjen me shërbimin e ri “Ka trafik?”

Eagle Mobile vazhdon të sjellë risi për tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, një traditë që e karakterizon që nga dita e parë e daljes në treg. Këtë herë Qytetarët e Tiranës dhe veçanërisht abonentët Eagle tashmë e kanë më të lehtë se kurrë të informohen në çast për dendësinë e trafikut në rrugët më të frekuentuara të qytetit. “Ka trafik?” është shërbimi më i ri mobil që Eagle Mobile ka lançuar falas për të gjithë abonentët e tij. Ky shërbim risi u mundëson përdoruesve të automjeteve që të mësojnë rrugën më të përshtatshme për sa i përket trafikut, për të mos hasur vështirësi trafiku në destinacionet e tyre në kryeqytet. Në fazën e parë të këtij shërbimi Eagle Mobile ka instaluar 8 kamera me transmetim direkt në zona si “21 Dhjetori” (2 kamera), Pallati me Shigjeta (2 kamera), Zogu i Zi (2 kamera), Stacioni i Trenit dhe sheshi “Skënderbej”. Për t’u regjistruar në këtë shërbim përdoruesit Eagle duhet vetëm të dërgojnë një SMS falas në 52000 duke shkruar TRAFIK, dhe më pas ne lidhjen e tyre në internet mund të aksesojnë linkun http://trafik.eaglemobile.al. Abonentët e operatorëve të tjerë celularë mund të provojnë në mënyrë të limituar shërbimin e trafikut, por për ta pasur të plotë këtë shërbim duhet të jeni përdorues i një numri Eagle.