Ina Jano
Heqja e TVSH-së për produktet bujqësore
Prioritet punësimi, marrja e statusit dhe hapja e negociatave
Në një përballje alternativash, idesh përtej sharjeve dhe fyerjeve personale, Kryeministri Berisha i ka kthyer dje përgjigjes së Ramës nga Roskoveci në lidhje me premtimin e kryesocialistit për të hequr TVSH-në për produktet kryesore ushqimore. Për numrin një të qeverisë, kjo do të thotë që fermat shqiptare të falimentojnë dhe të gjithë shqiptarët të konsumojnë produkte të huaja, të cilat do të hyjnë në vend pa TVSH, duke lënë në këtë mënyrë pas dore të gjitha produktet vendase. Berisha e ka dhënë me shembull këtë rast, ndërsa ka shtuar se alternativa që PD-ja ofron është ajo e mbrojtjes së prodhimeve shqiptare dhe e të gjithë fermerëve të cilët punojnë me pasion për të mbajtur familjen dhe për të ecur përpara. “Shoku në autobus premton se do të heqë TVSH-në për disa produkte kryesore ushqimore, për qumështin, për grurin, për mishin, për vezën. Çfarë është kjo? Kjo është falimentim i fermave tuaja. Kjo do të thotë që mishin e Brazilit, të Argjentinës, të vendeve të tjera, i cili prodhohet me një kosto shumë më të lirë, të vijë këtu dhe me çmimet pa TVSH të zhdukë çdo interes tuajin për të rritur bagëti për mish. Kjo do të thotë që qumështi i lopëve që subvencionohen me 3.5 euro në ditë, të vijë këtu me vagonë e kontejnerë dhe të bëjë që qumështi juaj të mos shitet asnjë litër, për shkak të çmimit. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që qumështi pluhur të vijë me kontejnerë dhe vagonë dhe qumështi i lopëve tuaja të mbetet pa shitur. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që gruri i Ukrainës, i Kanadasë dhe Argjentinës të vijë këtu pa TVSH dhe gruri juaj të mbetet në ara. Ky është premtimi. Ne zotohemi se do t’ju mbrojmë ju, do të mbrojmë prodhimet tuaja. Do të subvencionojmë tre herë më shumë dhe se do tu japim para në dorë akcizën e naftës dhe se do tu japim para në dorë TVSH e të gjitha makinerive, inputeve, farave dhe fidanëve, që ju do të mbillni për prodhimin bujqësor”, – u shpreh kreu i PD-së përpara të gjithë demokratëve të Roskovecit, por pa lënë mënjanë të gjithë shqiptarët që duan që të përqafojnë alternativën e djathtë. Sipas tij politika dhe ekonomia, janë tejet të lidhura me njëra-tjetrën duke ndarë në këtë mënyrë edhe atë që quhet politika fiskale. Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në infrastrukturë, shëndetësi, arsim etj. “Në këto pak vite ne konstatojmë se Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë. Shqipëria e këtyre viteve është Shqipëria anëtare e NATO-s, është Shqipëria e qytetarëve që ecin të sigurt për të marrë statusin. Është Shqipëria që ka njohur ndërtimin e infrastrukturës rrugore më moderne, është Shqipëria në të cilën rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve u rritën mbi 2 herë, u ndërtuan mbi 10 mijë km rrugë”, – tha Berisha. Kreu i qeverisë theksoi më tej se prioritet i PD-së është marrja e statusit dhe hapja e negociatave për në Bashkimin Evropian, ndërsa nuk la pa sulmuar edhe opozitën, duke rikujtuar të gjitha bllokimet që ajo i ka bërë këtij procesi. “Ne do marrim statusin dhe do hapim negociatat me BE. Po pala tjetër. Ju jeni dëshmitarë që para 3 ditësh u deklaroi shqiptarëve se NATO-ja është natë. Dua ti them këtij zotërie se NATO-ja është liri kombëtare e garantuar përjetësisht, është prestigj i madh për shqiptarët, siguri madhore e tyre, është vende pune, mirëqenie, është e ardhmja. Në kohën kur do merrnim vizat bënin gjithçka me protesta për të bllokuar heqjen e vizave. I mbajti peng 3 ligjet të cilat në fund u detyrua ti votoj. Ne duam votën tuaj sepse ne duam të krijojmë 250 mijë vende pune. Ne krijojmë vendet e punës sepse me reformat tona bizneset e vogla u rriten me 80 për qind dhe bizneset e mëdha deri në 200-300 për qind. Ne krijojmë vende pune sepse ne hoqëm taksën mbi çdo lloj kapitali dhe mbi çdo lloj makineri për biznesin”, – tha Berisha. Ai premtoi se në 4 vitet e ardhshme do të financohet bujqësia shqiptare me 165 milionë dollarë si dhe do rritet me të paktën 30 për qind krijimi i vendeve të punës në bujqësi. “Zotohem që së bashku me këta deputetë do të asfaltojmë çdo rrugë të Roskovec dhe gjithë territorit të tij, do të ndërtojmë të gjithë ujësjellësit dhe lagjet e Roskovecit. Ky do të jetë 4 vjeçari i vaditjes dhe e sistemit vaditës më modern në Shqipëri”, – përfundoi Kryeministri.
Investimet
Ditën e djeshme u përurua edhe sheshi qendror i qytetit, në përurimin e të cilit mori pjesë edhe shefi i qeverisë, Berisha. Ky shesh ka një gjatësi prej 6 kilometrash, sipërfaqe prej 45124 m2, me vlerë 86 milion lekë. Në këtë bashki vetëm gjatë vitit të fundit janë realizuar mbi 3.6 milionë dollarë investime. Qeveria ka investuar ndërtimin e unazës së re të Roskovecit me gjatësi një kilometër, kjo është një rrugë totalisht e re që shmang në periferi trafikun e rrugës Fier-Berat. Investime të tjera të realizuara në këtë bashki janë rruga Roskovec-Kurjan më gjatësi 10 km, rruga Qendër Roskovec me gjatësi 1.5 km, rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Alush Grepcka”, rikonstruksion i shkollës së mesme “Adem Vrapi”, ujësjellësi i qytetit të Roskovecit që furnizon me ujë 400 familje, gjithashtu ka krijuar mundësinë e vaditjes së 500 ha toke bujqësore.
Incidenti në Roskovec
Mëhilli: Deputeti i PS-së tentoi të aksidentonte automjetin tonë
Pas eksplozivit të vendosur në banesën e kreut të PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi, për të cilin kjo parti beson se është diçka politike, dje një tjetër ngjarje ka ndodhur mes zyrës së shtypit të Kryeministrit dhe deputetit socialist Arben Isaraj. Gjatë paradites së djeshme, zëdhënësja Mëhilli ka shkruar në Facebook për një makinë që është përpjekur të aksidentojë automjetin me të cilin ajo dhe kolegët e tjerë të zyrës së shtypit udhëtonin. Ajo ka sqaruar se ky person ishte Arben Isaraj, deputeti i selisë rozë, i cili në këto zgjedhje të ardhshme nuk është kandiduar nga Rama. Por deputeti me anë të një statusi në Facebook, disa orë më vonë, ka sqaruar se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen dhe se nuk mbulohet paniku me gjethe fikur. “Shpifjet dhe paniku po shoqërojnë të gjithë fushatën elektorale të qeverisë që po ikën. Zëdhënësja e Kryeministrit ka shpikur një skenar halucinant aksidenti, sipas të cilit, unë i jam vënë pas në rolin e “kamikazit”, për ta “asgjësuar” fizikisht dhe për të “rrëmbyer” fjalimin e Roskovecit. Sindroma e shefit të blinduar duket se ka prekur edhe çupëzën me fantazi të shfrenuar. Zoti ju ruajttë e ju shpëtoftë nga sindroma e parakalimit të shpejtë politik”, – shkroi Isaraj. Pasditen e djeshme, Mëhilli, duke dashur të sqarojë tërësisht situatën ka shkruar: “Unë dhe grupi i zyrës së shtypit po udhëtonim drejt Roskovecit ku do të zhvillohej takimi i Kryeministrit. Papritur, një makine tip “Mercedes Benz, Klas S” me targa të reja u afrua ngjitur makinës sonë, aq sa rrezikonim të përplaseshim. Drejtuesi i makinës, pasi më pa në krahun e pasagjerit, bëri një manovër të rrezikshme, duke parakaluar nga e djathta dhe duke na zënë rrugën. Kjo është rreptësisht e ndaluar, pasi është premisë për aksident. Vetëm falë aftësisë së shoferit tonë me eksperiencë, nuk u shndërrua në një aksident me pasoja të rënda për mua dhe tre kolegët që udhëtonin me mua. Një prej tyre, telefonoi sallën operative të policisë duke raportuar incidentin dhe llojin e makinës, por pa njohur shoferin e papërgjegjshëm. Kjo bisedë është e regjistruar nga salla operative. Pas 15 minutash, policia na telefonoi për të na informuar se patrulla e policisë në Fier kishte ndaluar makinën që drejtohej nga deputeti Arben Isaraj. Ky i fundit e kishte pranuar faktin. Policia lokale ka gjobitur në flagrancë deputetin për drejtim automjeti me shpejtësi. Ky është fakt i verifikueshëm dhe që provon sa kam deklaruar dhe vendin ku ka ndodhur. Pra, deklarata burracake e ish-deputetit Isaraj është vetëm tentativë për t’u hedhur hi syve publikut”, – sqaron Mëhilli në statusin e pasdites. Ajo në fund i rikujton ish-deputetit Isaraj se ai është një person si gjithë të tjerët dhe pa imunitet, që mund të hetohet në çdo moment. “Ish-deputeti ia ka pranuar në telefon incidentin një zyrtari të lartë disa orë para se të nxirrte deklaratën e tij të turpshme. Në atë telefonatë, ai ka pretenduar se po bënte shaka dhe thjesht ka dashur të më trembë. Kjo është për të vënë duart në kokë. Ky zotëri me kartën e deputetit që po i mbarojnë impulset, bëka shaka duke parakaluar me shpejtësi në krahun e djathtë, duke shkelur çdo rregull rrugor”, – përfundon zëdhënësja.
Përurime
Nis rikonstruksioni i rrugëve në Gosë dhe Golem
Kryeministri Berisha përuroi dje fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugëve Gosë e Madhe dhe Gosë e Vogël, në Kavajë, me gjatësi 3 kilometra dhe investim me vlerë 94 milionë lekë, financim i BERZH – BEI – IPA dhe qeveria shqiptare. Ky projekt realizohet në kuadër të investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për përmirësimin e rrugëve lokale dhe dytësore edhe u vjen në ndihmë rreth 8 mijë banorë të fshatrave Gosë e Madhe, Gosë e Vogël dhe Okshtun të Komunës Lekaj, të cilët do të lëvizin në kushte komode transporti drejt rrugës nacionale Kavajë – Rrogozhinë, drejt qendrës së Komunës Gosë dhe, njëkohësisht, lehtësohet transporti i produkteve bujqësore dhe blegtorale për t’i tregtuar më lehtësisht në tregun e Kavajës, Rrogozhinës dhe më gjerë. Në fjalën e tij, numri një i mazhorancës premtoi për katër vitet që vijnë një përpjekje më të madhe për Gosën turistike, e cila krahas punës së tyre në bujqësi do të shumëfishojë tregun dhe të ardhurat për ta; trefishim të të gjitha granteve për fermat e Gosës, për ullishtat dhe vreshtat e tyre; vazhdim i rritjes së mëtejshme të pensioneve për banorët e Gosës dhe të mbarë Shqipërisë. Gjithashtu, dje u përurua edhe fillimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret-Karpen, Komuna Golem, Kavajë. Kryeministri, në fjalën përshëndetëse të tij, garantoi se do të financohet çdo projekt që ndërton në çdo fshat infrastrukturë të standardeve të njëjta me lagjet e qyteti. Rikonstruksioni i rrugës, me gjatë rreth 6 kilometra dhe vlerë investimi rreth 160 milionë lekë, është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe përfitues nga ky investim janë rreth 12 mijë banorë. Ky investim kryhet në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në zonat bregdetare. Rruga e re e bën bregdetin e zonës së Golemit lehtësisht të arritshëm. Ajo jo vetëm lehtëson aksesin për zonën e plazhit, por do t’i japë një dimension të ri zhvillimit të turizmit në gjithë vijën bregdetare të zonës. Pjesë përbërëse e këtij investimi është edhe rikonstruksioni i rrugës Bago-Hajdaraj të Komunës Synej, i cili së bashku me segmentin Qerret-Stani i Ri-Karpen do të bëjë të mundur krijimin e një unaze nga Qerreti në Hajdaraj dhe do të mundësojë lidhjen e plazhit të Gjeneralit me bregdetin e Spillesë.