Hejnkesi nuk tërhiqet: Kam nevojë të pushoj

0
167

Përgatiti Altin Vorpsi

 

Danke Jup

Trajneri që fitoi gjithçka me Bajernin këtë edicion, tha dje se nuk do të dalë në pension. Ai thjesht ka marrë pak kohë që të pushtojë. 68-vjeçari tani është një kandidat kryesor që mund të zëvendësojnë Hoakim Lëvin, komisarin teknik të Gjermanisë.  

 

 

Nëse do të ekzistonte një aeroplan që do ta transportonte nga Zyrihu në Mynih në moment, edhe Bastian Shvajnshtajgeri do të ishte i pranishëm në konferencën për shtyp ku Jup Hejnkes i dha lamtumirën Bajernit. Mesfushorit gjerman, që vetëm 24 orë më parë kishte kryer një operacion të lehtë në këmbë, iu desh të ndiqte gjithçka nga Twitter-i nga klinika zvicerane. Vetëm kjo të mjafton për të kuptuar se çfarë do të thotë Jup Hejnkesi për kampionët më të rinj të Evropës.

 

“Danke Jupp”

Tekniku në ikje përshëndeti të gjithë. E tërë Bavaria e falënderoi për punën e jashtëzakonshme të bërë në këto dy vite. Vetëm në edicionin e fundit ai me Bajernin që krijoi arriti që të fitonte Superkupën e Evropës, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve. “Danke Jupp”, lexohej në pankartën e vendosur pas shpinës së pjesëmarrësve në këtë konferencë për shtyp. Në këtë pedanë ishte është Karl-Hajnc Rrumenige dhe Uli Hënes. Ky ishte një event special dhe të pranishmit ishin të tillë.

 

“Kam nevojë për pushim”

Jup Hejnkesi është tek Bajerni i Mynihut njeriu i momentit. Trajneri që vetëm gjashtë muaj më parë mësoi se nuk do të vazhdonte më aventurën tek “die roten”, dha maksimumin duke ia bërë jetën edhe më të vështirë pasardhësit të tij, Pep Guardiolës. “Verën që kaloi i premtova gruas sime se në fund të kontratës me Bajernin e Mynihut nuk do të vazhdoja më. Që nga 1 korriku ju them se nuk do të firmos për asnjë skuadër tjetër. Unë jam 68-vjeçar tani dhe kam nevojë që të pushoj. Përveç punës duhet që të filloj të konsideroj edhe familjen time”, – tha “Don” Jup.

 

Sezoni i shfrenuar

Në një konferencë shtypi si kjo nuk mund të mungonte edhe komenti për dy vitet e fundit të kaluara në Mynih. Për Jup Hejnkesin edicioni i fundit ishte i shfrenuar, pasi bëri atë që askush para tij në historinë 113-vjeçare të klubit nuk e kishte bërë: “Për mua kanë qenë dy vite mjaft intensive. Unë ju them se vetëm një detyrë është më e vështirë sesa të jesh trajner i Bajernit. Vetëm Kancelarja (i referohej Merkelit) ka një punë më të vështirë. Tre titujt që humbëm në 2012-ën na mësuan shumë gjëra. Ne korrigjuam gabimet tona dhe u përmirësuam. Kështu, kemi ndërtuar këtë 2013 fantastik. Diferencën e bëri shpirti ndryshe që bashkoi skuadrën time”.

 

“Triple” dhe “leksion”

Bajerni i këtij viti, përveçse fitoi gjithçka, arriti që t’u jepte rivalëve edhe leksione loje. Në këtë pikë u frenua pak më gjatë Jup Hejnkesi, që ka më shumë merita se kushdo tjetër. “Ne nuk është se bëmë vetëm një ‘treble’ (tripletë). Përveç të tjerash ne kemi bërë diçka të tillë duke luajtur një futboll të paparë. Nuk kisha parë ndonjëherë që një skuadër të kishte kaq harmoni si në fushë edhe në dhomat e zhveshjes. Këtu u referohem sfidave me Juventusin dhe Barcelonën. Kemi qenë autoritarë dhe me shumë klas. Festimi në fund të edicionit ishte fantastik”, – tha strategu i Bajernit perfekt.

 

Në limit

Që dje Jup Hejnkesi ka ndryshuar faqe. Ai ka filluar një tjetër kapitull të jetës së tij të lavdishme. “Prej kohësh nuk kam marrë pushime. Edhe pse kam marrë shumë oferta nga shumë klube, e kam të vështirë që të rifutem edhe një herë në këtë ‘mesele’. Në moshën time njeriu ka nevojë të pushojë. Këtë edicion i kam ndier më shumë se kurrë vitet e moshës. Mbase nga jashtë nuk duket, por kam qenë në limit. Gjithçka është më e komplikuar po ta krahasoj me 10 apo 15 vite më parë. Tani kam nevojë që të reflektoj, kam nevojë të rigjenerohem”. Nga vetë fjalët e Hejnkesit kuptohet qartë se nuk po flitet për një tërheqje, po flitet vetëm për pak pushim. Jëgo Lëv dhe Pep Guardiola tani do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre me hijen e “Don” Jupit mbi kokë…

 

Triumfet si lojtarë(të gjitha me Gladbahun dhe Gjermaninë)

► Kampion bote (1974)

► Kampion Evrope (1972)

► Fitues i Kupës UEFA dhe Kupës së Gjermanisë (1975)

► Kampion në Bundesligë (1971, 1975 – 1977)

 

Triumfet si trajner

►Fitues i Ligës së Kampioneve (1998 me Realin e Madridit dhe 2013 me Bajernin e Mynihut)

► Kampion në Bundesligë (1989, 1990, 2013, me Bajernin e Mynihut)

► Fitues i Kupës së Gjermanisë (2013, me Bajernin e Mynihut)

► Fitues i Superkupës së Spanjës (1997 me Realin e Madridit)

► Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën (1989, 1990, 2012 me Bajernin e Mynihut)

 

 

Miqësorja

Dortmundi do të zhvillojë miqësore me ekipin e Hykës

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, do të ketë shansin të luajë përballë nënkampionëve të Evropës dhe Gjermanisë, Borusias së Dortmundit, në një ndeshje miqësore më 16 korrik, ora 19:30. Djemtë e Klëpit do të zhvillojnë fazën përgatitore në një kamp në Zvicër dhe do të përfitojnë nga rasti të luajnë edhe një miqësore me skuadrën e Superligës zvicerane, FC Lucernën.

 

Kupa e Botës

FIFA cakton kalendarin

FIFA ka bërë zyrtar ditën e martë kalendarin e Kupës së Botës për klube. Bajerni i Mynihut do të zhvillojë gjysmëfinalen e saj më 17 dhjetor, në Agadir të Marokut. Kundërshtari i kampionëve të Evropës nuk dihet ende, por do të jetë një nga klubet e kualifikuara mes Okland Sitit (Zelandë e Re), Monterreit (Meksikë) dhe Raja Kazablankës (Marok). Finalja do të zhvillohet në Marrakesh më 21 dhjetor, që përkon me javën e 17-të të Bundesligës. Të paktën, një ndeshje e kampionëve të Gjermanisë do të shtyhet.

 

Merkato

Shnajderi drejt Çelsit

Mediat turke kanë publikuar lajmin e bujshëm se Uesli Shnajder është një objektiv i Çelsit, pas kërkesës së Zhoze Murinjos, i cili e vlerëson atë mes lojtarëve të tij të preferuar. Sipas raportit të mediave, lojtari është gati t’i japë lamtumirën Turqisë pas vetëm 6 muajsh, ku u bë pjesë e Gallatasarajit dhe ndihmoi që të fitohej kampionati turk nga kjo skuadër. Holandezi 28-vjeçar u transferua në janar nga Interi për 7 milionë paund, duke firmosur një marrëveshje prej 3 vitesh e gjysmë, por tani situata ka ndryshuar plotësisht. Mediat turke flasin se si futbollisti nuk është përshtatur plotësisht me idetë e trajnerit Terim, që i kërkon të sakrifikohet edhe në mbrojtje, ndaj edhe Gallatasaraji nuk do t’i përgjigjej me “jo” një oferte të arsyeshme nga ana e Çelsit. Marrëdhënia miqësore mes Shnajderit dhe Murinjos ka filluar në kohët e Interit, kur mesfushori ishte pjesë e skuadrës që fitoi Ligën e Kampioneve nën drejtimin e portugezit. Të dy kanë shprehur vazhdimisht admirimin ndaj njëri-tjetrit, edhe kur rrugën e tyre u ndanë, ndërsa Shnajderi konfirmoi se kishte pranuar t’i bashkohej Gallatasarajit, pasi foli më parë me Murinjon.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency