Atë ditë kishte qenë një mëngjes i freskët edhe pse ishte korrik. Banorët e qytetit të Korçës ecnin nëpër rrugë nxitimthi pa treguar ndonjë vëmendje të veçantë se ç’ndothte përreth. Por çuditërisht sapo gjendeshin përballë ndërtesës së sotme të teatrit Andon Zako Çajupi, qëndronin të befasuar një çast duke vështruar me kujdes. Pas kësaj largoheshin duke vënë buzën në gaz dhe duke kërkuar me sy ndonjë kalimtar tjetër si për t’i thënë diçka të rëndësishme. Kjo ndodhte me të gjithë. Aty përballë Çajupit, ishte hapur një ëmbëltore. Pronari i saj ishte Vangjel Anastas Gjika, i cili kishte lindur në fshatin Delvinë të Sheperit të Përmetit në vitin 1882, por pasi kishte emigruar në Stamboll të Turqisë ishte kthyer në Korçë. Gjika ishte betuar në Stamboll se do të përpiqej më të gjitha forcat për lirinë e atdheut të tij. Në vitin 1906 u kthye në Korçë. Ishte vetëm 24 vjeç. Ëmbëltorja që kishte hapur në këtë qytet po i linte të befasuar të gjithë. Tabela e një lokali për herë të parë ishte shkruar në gjuhën shqipe. Për më shumë na tregon studiuesi Nedai Thëllimi.
Ëmbëltorja “Manushaqja”
Lokalet përreth ishin shkruar në gjuhë të huaj. Ishte përmetari që për herë të parë në ëmbëltoren e tij kish shkruar me shkronjë të gjuhës shqipe emrin e ëmbëltores. E kishte quajtur “Manushaqja” Fillimisht askush nuk kishte dijeni përse ishte quajtur ashtu. Mbase edhe për ndonjë emër vajze. Pak rëndësi kishte kjo. Ishte shkruar shqip, me shkronjat e alfabetit të Stambollit. Ishte shkruar në qytetin e Korçës dhe kjo i bënte qytetarët të ndiheshin mirë. Ditë më pas do të mësonin se emri i Manushaqes ishte shkëputur nga vjershat e Naimit, madje nga poezia “Shkëndia e diellit ndaj manushaqes” Kjo do të mësohej vetëm atëherë, kur përballë ëmbëltores do të qëndronin qeraxhinjtë dhe kurbetlinjtë që vinin Stambolli, Sofja dhe Bukureshit apo nga vende edhe më të largëta. Qreaxhinjtë zbrisnin për të blerë diçka në ëmbëltore, por në të vërtetë sillnin libra dhe gazeta në gjuhën shqipe. Në emigrimin e tij në Stamboll dhe më pas në Sofje ai ishte njohur me Mit’hat Bej Frashërin, me kristo Luarasin, me Dhimitër Molen, por veçanërisht ishte mik i Shahin Kolonjës. Por ndërsa kurbetlinjtë zbrisnin aty tek Vangjel Anastas Gjika, sipunët e Turqisë përgjonin në çdo çast. Ëmbëltorja Manushaqja kishte filluar t’u hapte teleshe. Rruga përballë ëmbëltores u bë mjaft e preferuar. Kjo ishte e rrezikshme për turqit. Edinin mirë se kush ishte Gjika, sepse në vitin 1907 kishin mundur ta burgosnin. Në shkurt të vitit 1910, Gjika do të bëhej një nga organizatorët e mitingut në Kodrat e Shën Ilias për mbrojtjen e alfabetit latin.
Jo vetëm pastiçier
Vangjel Gjika nuk ishte vetëm njeriu i parë që shkroi në gjuhën e shqipes emrin e lokalit të tij, kur të gjitha lokalet e tjera ishin të shkruara në greqisht e turqisht, ai ishte edhe një luftëtar i madh. Në vitin 1911 pas ndjekjesh të shumta, ai së bashku me Doktor Haki Mborjen, i cili ishte mjek i Hymetit në Korçës (bashkisë) largohen nga qyteti dhe e dolën në male. Gjatë betejave me turqit humbën shtatë shokë, që sot njihen me emrin 7 dëshmorët e Pojanit. Pas korrikut të vitit 1911 çeta e Haki Mborjes ndahet qëllimisht në dy pjesë për t’u bërë më e manovrueshme. Me një pjesë të shokëve vepronte Haki Mborja në zonën e Korçës, ndërsa Vangjel Gjika doli në mbrojtje të Këlcyrës dhe Përmetit. Por Gjika sërish do të emigronte në vende të largëta. Ishte viti 1912 kur ai u nis për në Amerikë. Gjendet mes shoqërisë “Vatra” dhe punon shumë për forcimin e saj. Në korrik të vitit 1912 punon si kontrollor i “Vatrës”, ndërsa në 24 gusht 1913 Gjika zgjidhet kryetar i kësaj shoqërie dhe drejtor i gazetës “Dielli” Gjika kishte lindur në Sheper të Përmetit, në një familje të thjeshtë. I at i tij punonte tokën, por Gjika si mbaroi shkollën fillore u nis për në Stamboll ku vazhdon studimet. Vetëm përpjekjet e tij për t’i ardhur në ndihmë mëmëdheut u bë i njohur në rrethin e gjerë të patrioteve. E kishte ëndërr gjuhën shqipe. Kjo ishte arsyeja që emrin e ëmbëltores së tij e shkroi në gjuhën shqipe. Ai mëngjes korriku, kur qytetarët e Korçës panë të shkruar gjuhën e tyre do të mbetet i paharruar.
Largimi nga Amerika dhe vdekja e tij
Ishte viti 1914, kur Gjika u largua nga Amerika. Rruga e kthimit e solli përsëri në qytetin e Korçës, aty ku kishte hapur ëmbëltoren e tij të famshme dhe ku lexoheshin vargjet e Naimit. Nuk që e thënë që në këtë qytet të qëndronte gjatë. Dëgjoi se në Durrës po bëhej luftë kundër esadistëve. Këta të fundit po kërkonin rrëzimin e qeverisë së ligjshme shqiptare. Së bashku me Themsistokli Gërmenjin e Mihal Gramenon u nisën për atje. Në shtator të vitit 1914, Gjika u kap prej tyre. E futën në burgun e Durrësit. Kishte rënë në duart e njerëzve mizorë. Torturat ndaj tij ishin çnjerëzore. Nga rrahjet dhe goditjet merrte vetëm plagë. Ishte e pamundur t’u rezistonte tmerreve që po përjetonte. Vdiq nga plagët e shumta në trup dhe nga gjaku që i rridhte. Megjithatë edhe pse ka bërë shumë, në çdo vend të botës që ka shkuar, qytetarët e Korçës mbajnë mend ëmbëltoren përballë ndërtesës së sotme të teatrit “Andon Zako Çajupi”. Fillimisht askush nuk e dinte se çfarë kërkonte të thoshte Gjika me emrin “Manushaqja”, por në të vërtetë banorët e këtij qyteti që në çastin e parë e ndjenë se nga ajo ëmbëltore vinte një aromë e këndshme që i shtynte larg për diku që kishin ëndërruar
Vepror Hasani