Incidentet Arvizu: Militantët të mbajnë nën kontroll pasionet

0
140

arvizuIncidentet e ndodhura në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit ishin dje në fokus të takimit që ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu zhvilloi me kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Pas një bisede të pati me z. Burgaj në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ambasadori Arvizu me anë të një deklarate për mediat i bëri thirrje mbështetësve të partive politike që të ruajnë pasionet e tyre elektorale duke ndihmuar që puna e policisë në këtë proces, të bëhet më e lehtë. Nga ana e tij, Hysni Burgaj, garantoi se forcat e rendit do të sigurojnë një proces të sigurt zgjedhor duke mbrojtur gjithashtu të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

ARVIZU

“Mbështetësit e partive politike mund ta bëjnë më të lehtë punën e Policisë së Shtetit duke mbajtur pasionet nën kontroll dhe duke zbatuar ligjin. Këtë shpreson dhe pret SHBA”, – theksoi Arvizu pas takimit me Burgajn.

Teksa falënderoi drejtorin e Policisë së Shtetit për bashkëpunimin, ambasadori nënvizoi se në takim, Burgaj i shprehu përkushtimin e institucionit që drejton për neutralitet gjatë menaxhimit të fushatës zgjedhore.

“Qartazi njerëzit shprehin pasionin e tyre për kandidatët dhe partive të tyre. Ka pasur disa incidente, fatkeqësisht kanë ndodhur. Por, Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe stafi i tij na kanë siguruar se janë të përkushtuar që të ofrojnë një periudhë parazgjedhore dhe në ditën zgjedhore të qetë dhe te paqtë. Drejtori Burgaj shprehu përkushtimin për neutralitetin e Policisë së Shtetit”, – theksoi Arvizu.

Ndërkaq, me afrimin e ditës së zgjedhjeve janë intensifikuar edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve për garantimin e një procesi zgjedhor brenda standardeve të kërkuara, si nga ndaj mazhorancës qeverisëse ashtu edhe ndaj opozitës. Vetë ambasadori Arvizu përgjatë ditëve të fundit ka bërë vazhdimisht thirrje për pjesëmarrje në votime si një shenjë e demokratizimit të vendit dhe njëkohësisht, u ka kërkuar votuesve të rinj të njihen me subjektet politike në mënyrë që të dinë se për kë program apo alternativë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

“Këto zgjedhje do të jenë një test për demokracinë në Shqipëri, test që shpresojmë se Shqipëria do t’i kalojë”, – ishte ky mesazhi i shkurtër që kreu i prezencës së SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu postoi në rrjetin social Twitter.

Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, përfaqësuesit e selive diplomatike në vendin tonë kanë ritheksuar nevojën për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe transparente.

Ambasada Amerikane në Shqipëri pak ditë më parë u bëri thirrje shqiptarëve t’i drejtohen në masë qendrave të votimit më 23 qershor për të zgjedhur Parlamentin e ri. Ndërkohë, që në një takim me studentët ambasadori Arvizu kërkoi shmangien e ndikimit të votës. Aktualisht, deklaratat e ndërkombëtarëve lidhur me procesin zgjedhor dhe respektimin e standardeve të kërkuara, janë intensifikuar me afrimin e ditës së zgjedhjeve.

 

 

Burgaj: Po monitorojmë të gjithë vendin, Policia e Shtetit do të zbatojë ligjin

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve numri një i Policisë së Shtetit, komentoi situatën parazgjedhore si dhe rastet e incidenteve, teksa siguroi se policia po monitoron gjithë territorin dhe do të zbatojë ligjin. “Në këto momente që flasim gjithçka është normale pavarësisht disa incidenteve të lehta, me pasoja dhe dëme të lehta në tre raste. Po monitorojmë në gjithë territorin e vendit dhe Policia e Shtetit do zbatojë ligjin duke respektuar liritë e qytetarëve për të votuar të lirë”, – theksoi Burgaj. Teksa pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit si pasojë e incidenteve elektorale në kampet e disa partive politike ka pasur akuza për përdorim e Policisë së Shtetit për fushatë elektorale.

 

 

Njësia bashkiake nr. 3, Basha: Më 23 qershor të vazhdojmë përpara

Kryebashkiaku Lulzim Basha ftoi dje banorët e njësisë bashkiake nr. 3, që më 23 qershor të vazhdojnë përpara, me realizimin e projekteve të nisura në këtë njësi dhe qytetin e Tiranës dhe të refuzojnë politikën e konfliktit politik e bllokimit.

“Projektet, mundësitë, zgjidhjet që ne do të ofrojmë 4 vitet e ardhshme janë zgjidhje, mundësi të reja, projekte të reja për punësim, për mirëqenie, për zhvillim, për integrim në BE. Do t’i çojmë përpara pa iu kthyer konfliktit politik, pa iu kthyer luftës politike por duke vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e Sali Berishës, të rizgjedhur me votën e shqiptarëve më 23 qershor”, – theksoi Basha.

Sipas Bashës, ish-kryetari i bashkisë që bllokoi marrjen e statusit nga Shqipëria, sot artikulon me forcë se pas 23 qershorit do të bllokojë edhe zhvillimin e Tiranës. Kritikat e kryebashkiakut Basha kundrejt ish-rivalit të tij në bashkinë e kryeqytetit, Edi Ramës, kanë vijuar më parë edhe për mungesën e një plani urbanistik në Tiranë si dhe një sërë projektesh të parealizuara për kryeqendrën e Shqipërisë.

 

 

Ersekë, Bode: Akuzat e Ramës për arsimin dhe shëndetësinë, qesharake

Qeveria shqiptare ka rindërtuar 1200 shkolla në të gjithë vendin duke i pajisur me kompjutera dhe internet, ka rritur pagat e arsimtarëve dhe punonjësve të shëndetësisë. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe kreu i listës së demokratëve për Korçën, Ridvan Bode në qytetin e Ersekës. Ai reagoi pas akuzave të Ramës drejtuar mjekëve dhe arsimtarëve.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, njëherësh edhe kryesuesi i grupit të kandidatëve për deputet në Qarkun e Korçës, deklaroi: “Unë e konsideroj këtë si të papranueshme, e shikoj si një hakmarrje që e majta dhe kryetari I PS-së, siluron në mënyrë të vazhdueshme administratën edhe në sektorin e arsimit dhe sidomos në sektorin e shëndetësisë. Erdhi këtu dhe tha se duhet të kesh çanta me pare që të veshë që të vizitohesh në Spitalin e Kolonjës. Kjo është qesharake sepse pikërisht punonjësit e sektorit të arsimit dhe shëndetësisë janë pikërisht ata që kanë përçuar ato reforma dhe kanë realizuar këto reforma kaq të mëdha”.

Bode tha se reformat në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit do të vijojnë më tej për të përmirësuar, modernizuar, por edhe për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ai u ka kërkuar arsimtarëve dhe punonjësve të shëndetësisë që në këtë fushatë elektorale të bëhen misionarë të interesit të qytetarëve, të çdo familje, të çdo kolonjari.