Elton Qyno
Elidon Jaçe është kapur teksa ka dashur të shpërndajë në lokalet e natës lëndën narkotike
Një 23-vjeçar nga Vlora i dënuar më parë për vrasje është arrestuar në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare, Elidon Jaçe tashmë ishte shpallur në kërkim për “Plagosje të rëndë me dashje”, ngjarje e ndodhur në Vlorë, dhe është arrestuar në Tiranë pas informacioneve të mbledhura. Në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar edhe një çantë në të cilën ndodheshin 1 kg kanabis sativa. Në prill të këtij viti Jaçe bashkë me të atin kanë plagosur me thikë për arsye pronësie një person. Që nga kjo ngjarje, Jaçe është larguar në drejtim të paditur, ndërkohë që uniformat blu kanë mundur të kapin vetëm babain e tij. Hetimet gjatë kësaj kohe janë përqendruar në drejtimin e kapjes së Elidon Jaçes, pasi ky i fundit njihej si person me precedentë të mëparshëm penalë. Në pamundësi për ta arrestuar në Vlorë, drejtoria e këtij qyteti ka lëshuar urdhrin e ndalimit në të gjitha drejtoritë e tjera policore, duke i kërkuar ndihmë për lokalizimin dhe më pas arrestimin e këtij shtetasi. Por që nga muaji prill nuk është dhënë asnjë sinjal për arrestimin e këtij personi, vetëm kur gjatë ditës së djeshme është marrë informacioni se Jaçe është arrestuar nga forcat e policisë së Tiranës, pasi ndiqej prej kohësh si person i dyshuar për tregtimin e lëndës narkotike në kryeqytet.
Hetimet për drogën
Hetimet për drogën kanë bërë lokalizmin dhe arrestimin e të kërkuarit të policisë së Vlorës. Elidon Jaçe, prej më se një muaji ishte në mbikëqyrje nga sektori i antidrogës pasi gjatë kësaj kohe, Jaçe ka rënë në kontakt me disa persona në Tiranë, që shpërndanin sasinë e drogës. Gjatë kësaj periudhe Jaçe është mbajtur në mbikëqyrje, deri në momentin kur ai është larguar nga Tirana ku mendohet se ka shkuar në Fier ose në Gjirokastër, prej nga dhe ka siguruar sasinë e drogës prej 1 kg lëndë narkotike. Pas blerjes së drogës, Elidon Jaçe ka vendosur të rikthehet në Tiranë, me qëllim tregtimin e saj tek përdoruesit e lëndëve narkotike. Mirëpo pikërisht sapo ka ardhur në mbrëmje në Tiranë, agjentët e antidrogës që e kanë pasur në mbikëqyrje kanë bërë arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. Menjëherë Jaçe është transportuar me shpejtësi në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje, policia ka mësuar se Jaçe ka qenë person i shpallur në kërkim për akuzën e Plagosjes së rëndë me dashje. Pas këtij konstatimi, drejtuesit e policisë, kanë komunikuar me homologët e tyre në Vlorë, duke i konfiruamur se kishin vënë në pranga shtetasin që ata kishin shpallur në kërkim që në muajin Prill të këtij viti. Aktualisht ndaj, Elidon Jaçës është ngritur akuza e Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërkohë që materialet hetimore i kanë kaluar për hetime të mëtejshme në prokurorinë e Tiranës. Pritet që në ditët në vijim, Jaçe të dalë përpara gjykatës së kryeqytetit për të mësuar masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.
Aksidenti në Gjirokastër
Vdes 57-vjeçari pas përplasjes
me murin rrethues të një banese
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur ditën e djeshme në Gjirokastër. Vasil Pero, 57 vjeç, nga fshati Jorgucat, Komuna Dropull i Sipërm i Gjirokastrës, ka ndërruar jetë pasi automjeti i tij është përplasur me murin rrethues së një prej banesave të zonës. Mësohet se automjeti ishte duke zbritur për në qendër të fshatit, por në ecje e sipër motori i tij është fikur, çka ka bërë që 57-vjeçari Pero të humbasë kontrollin. Përplasja e marrë në krahun e shoferit ka rezultuar fatale për drejtuesin e saj, pasi ai ka humbur jetën në vend. Pavarësisht përpjekjeve të banorëve dhe uniformave blu të mbërritura në vendngjarje, shtetasi Vasil Pero nuk ka mundur që të mbijetojë.
Vizita në portin e Vlorës
Tri anije minaheqëse të NATO-s
ankorohen në detin e Vlorës
Një vizitë e paparashikuar është bërë dje në qytetin e Vlorës nga tri anije të NATO-s. Burime nga policia portuale bëjnë me dije se anijet kanë qenë në Maltë dhe krejt pa pritur kanë qëndruar edhe në vendin tonë. “…Janë ankoruar tre anije të Grupit të Gatshëm të Anijeve Minaheqëse të NATO-s, SNMCMG2, të cilat do të qëndrojnë për një vizitë në këtë port, nga data 7 deri më 10 qershor 2013. Kjo vizitë portuale realizohet në kuadër të planit të mbështetjes për integrimin me NATO dhe ka për qëllim familjarizimin me procedurat standarde operacionale detare. Pas akostimit të anijeve në portin e Vlorës, komandantët e anijeve do të bëjnë një vizitë në Komandën e Flotiljes Detare në Pashaliman ku do të priten nga komandanti i saj, Kapiten i Rangut të Parë Subi Zenelaj. Gjithashtu gjatë qëndrimit në Vlorë ekuipazhi i anijeve do të bëjë edhe disa vizita në objekte kulturore dhe muzeale të qytetit”,-njofton Ministria e Mbrojtjes.
Të plagosur mbetën dhe dy mjekë të QSUT
Aksidenti në aksin Elbasan-Librazhd
plagoset presidenti i Urdhrit të Farmacistit
Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arjan Japllari, si dhe dy mjekët e QSUT-së, Jovan Basho dhe Sazan Çeliku, janë përfshirë në një aksident rrugor në aksin Elbasan-Librazhd. Fatmirësisht tre personat kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se në fshatin Xibrakë të rrethit të Librazhdit, një autoveturë ka dalë nga aksi rrugor. Makina tip “Land Rover”, me targa TR 0221 M, me drejtues, Arjan Jaupllari, ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës automobilistike. Policia, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke bërë të mundur transportimin e të plagosurve për në Spitalin e Librazhdit. Ndërkohë, drejtori i spitalit të Librazhdit, Liman Mënalla, thotë se të tre të aksidentuarit po marrin ndihmën maksimale mjekësore dhe nuk kanë rrezik serioz për jetën. Ndërsa policia është duke hetuar mbi shkaqet e këtij aksidenti që fatmirësisht ka përfunduar pa humbje jete njerëzore.