Rikardo Koçante rrëqeth Këndon live “Margherita” në Ministrinë e Kulturës

0
273

6 qershor rikardo dhe elhaidaDuke tentuar disa herë të përtypte fjalët dhe në një ndjesë normale për emocionet e tij, Rikardo Koçanten nuk e ka mbajtur vendi. Pas fjalës tepër të shkurtër, pa iu bërë asnjë pyetje nga mediat, është ngritur vrulltas drejt pianos në qoshe të sallës së ministrisë.

Ka nisur të muzikojë këngën e tij hit, “Margherita”, dhe në mes të saj është ngritur në këmbë, me mikrofon në dorë ka kaluar në mes të sallës duke vazhduar të kënduarit “live”, këtë herë pa shoqërimin e pianos. Ka buçitur zëri i tij, një ton i fortë emocional, duke rrëqethur të gjithë.

Ja kështu donte t’i shkarkonte emocionet këngëtari italian në Tiranë, duke hequr qafe pritjen zyrtare, që si duket, do të donte më shumë të këndonte në ato momente.

Kësaj nuk i është përmbajtur kur, që në fjalitë e para është shprehur: “Unë s’jam folës i madh. Unë i shpreh emocionet dhe mendimet me zërin tim. Ndoshta duhet të këndoj… Ndihem i mallëngjyer me këtë pritje. Dua t’ju them para së gjithash se kam filluar të këndoj qysh në vegjëli dhe nuk e mendoja kurrë që do të arrija të prekja kaq shumë zemra njerëzish, dhe për më tepër të arrija sukses dhe nga ana shoqërore. Gjithsesi unë përmes këngës kam shprehur shumë dhe me të vërtetë që ndihem i lumtur që ndodhem këtu”.

Ministri i Kulturës, Visar Zhiti, ka mbajtur fjalën e mikpritjes, gati një poezi për Koçanten, ky i fundit me ndihmën e përkthyeses në krah, shpesh ndërronte ngjyrën e fytyrës, mbështillte buzët dhe sytë gati i rebeloheshin. Ishte historia e shkurtër e Zhitit që po i rrëfente Koçante në pak minuta se po qëndronte në një sallë ku artistët dënoheshin nga diktatura dhe se këngëtarët pse dinin këngët e tij dhe artistëve të tjerë të famshëm persekutoheshin e dënoheshin me vite burgu. Përballë dhe dora e ministrit u drejtua nga Sherif Merdani, njëri prej tyre, të cilit i referohej fjala. Pas këtij fjalimi të shkurtër prekës për këngëtarin italian, Zhiti e Koçante janë ngritur nga vendi dhe kanë përshëndetur Merdanin. Kaq spontan në emocionet e tij Koçante sa nuk do ta zgjaste këtë moment kur iu desh të shpërthente “live” me këngën e tij, justifikimi pse nuk fliste dot më mirë në atë mjedis që nuk e ndan shumë nga “dashuritë e tij fatale”, dramë e dhimbje a s’janë dhe këngët e italianit!

Megjithatë ky moment nostalgjie u kapërcye shpejt, pasi duhej të flisnin për arsyen pse po na nderonte ardhja e Koçantes në Tiranë: Elhaida Dani!

“Kur dëgjova Elhaidën, dëgjova talentin dhe mendova: ky është një talent i pastër që mund të kapërcente kufijtë. Kufiri më i vështirë për të kaluar ishte ai pas Italisë. Kam besuar gjithmonë që përveç faktit që këngëtarët i përkasin një lloj talenti, talenti mund të shkojë më tej dhe së bashku me Elhaidën e demonstruam këtë. Populli italian ishte në dijeni të faktit se Elhaida nuk ishte italiane, po shqiptare. Ata e kapërcyen këtë vështirësi dhe e zgjodhën atë fituese të këtij konkursi. Italia hapi zemrën dhe zgjodhën një person që nuk ishte nga popullin italian”.

Më herët, në mëngjesin e mbërritjes në aeroportin e Rinasit, i vetmi kontakt që foli drejtpërdrejt i pyetur nga mediat, para kamerave, Koçante ka thënë: “Është hera e parë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Dhe mbi të gjitha që kam bashkëpunuar për të bërë diçka për artin ndërmjet dy vendeve tona. Që në fillim kam menduar që arti s’duhet të njohë kufij, por kjo u konfirmua edhe një herë tjetër pikërisht në këtë spektakël, pasi italianët janë treguar të hapur duke vlerësuar me çmim një këngëtare të talentuar, por që nuk është italiane. Prandaj ky për mua është një çmim i dyfishtë dhe kjo demonstron edhe një herë që arti s’duhet të vuajë nga nacionalizmat. Elhaida këndonte shumë mirë dhe prandaj u ktheva menjëherë, por sipas meje, të jesh këngëtar duhet të kesh një teknikë të mirë, pra të përdorësh mirë zërin. Por ka nevojë edhe për disa karakteristika të tjera, le të themi duke përdorur mendjen, pasi në art nuk thuhet asgjë nëse ajo që mendojmë nuk përdoret me instrumentet që kemi në dispozicion. Nuk dija që isha kaq i famshëm këtu. Dija diçka, por jo shumë. Për këngën “Margherita” s’e dija që ishte kaq i fortë si hit, më bëhet shumë qejfi kuptohet, pasi e kam kompozuar, e kam kënduar dhe është bukur të mësosh që një popull është kaq pranë këtij lloj arti”. Ndërsa në mbrëmje i veshur në mbrëmje me kostum të zi, krejtësisht zyrtar, Koçante do ta mbyllte këtu “misionin” e tij, për të kaluar sot në dyert e Presidentit Bujar Nishani për t’u dekoruar.

V. M.

 

 

Elhaida Dani: Karriera ime më tej se Italia, kontratë me “Universal” për albumin

 

Pas zgjedhjes si zëri më i mirë i Italisë, Elhaida Dani, e pyetur nga mediat, ka folur dje për fatin e karrierës së saj. Ajo ka thënë se sapo ka nënshkruar një kontratë me “Universal” dhe se po merret me këngën që Koçante i ka dhuruar, që do ta përfshijë në albumin e saj të ri, që del në korrik. “Po punohet me këngën e Rikardos në italisht. Të martën do regjistrojmë klipin e këngës në Milano. Gjithashtu, jemi duke u marrë me albumin tim që do të dalë në korrik, ku do jenë dy këngë në italisht, tri këngë në anglisht dhe këngë që kam kënduar gjatë rrugëtimit në “Voice of Italy”. Kam fituar një kontratë me “Universalin” dhe po punojmë, ka shumë të reja po akoma nuk mund të bëj asgjë publike. Por mund të them që gjithçka po ecën shumë mirë. Karriera ime shpresoj të vazhdojë më tepër se Italia. Do më bëhej sigurisht shumë qejfi nëse do të vazhdonte në Itali, sepse është shteti që më mbështeti aq shumë si të ishte dhe vendi im. Dhe do të ishte një arritje për mua, nëse do të vazhdonte në Itali. Nuk është politikë, nëse ftohesh apo urohesh për të të uruar Presidenti, Kryeministri apo ministri i Kulturës. Ndihem e nderuar, kur një 20-vjeçare fiton dhe ftohet nga personalitetet e shtetit të saj”.