Edhe më përpara, por edhe përgjatë fushatës elektorale të tanishme, midis kampeve politike debatohet për mënyrën e tatimit mbi të ardhurat. Kampi i djathtë mbron idenë e tatimit të sheshtë, pra të tatimit me dhjetë për qind mbi të ardhurat, kurse kampi i majtë prej muajsh konsideron si më të drejtë tatimin progresiv, domethënë sa më shumë të ardhura, aq më e lartë masa e tatimit, pra në varësi edhe të mundësive të gjithkujt.
Nuk do të isha marrë me këtë problem, po qe se nuk do të ishte përdorur cilësori “i ndershëm” ose “i drejtë” për tatimin mbi të ardhurat, çka e kalon çështjen sa nga fusha e financës dhe e ekonomisë, drejt problemeve që trajton etika dhe filozofia.
Çfarë është e drejtë dhe e ndershme në këtë botë? Si mund të jetë i drejtë ose i padrejtë një tatim mbi fitimin?
Aq më shumë, interesimi m’u rrit ndërkohë që edhe të rinj e të reja shprehen se duan të dinë pak më shumë për atë që mund të jetë e drejtë ose e padrejtë në këtë fushë.
***
Filozofikisht ka një autor, midis disave të njohur, që është marrë me këtë problem në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vepra e të cilit është përkthyer edhe në shqip, pra e kam fjalën për Xhon Rollsin dhe konceptin e tij thelbësor të “drejtësisë sipas hakut”.
Por, para sesa të vijmë në këtë pikë, theksoj se ky problem që po debatojmë këtu është shumë i vjetër që nga kohët abrahamike, mundet edhe më parë, kur hyjnive, pra së shenjtës, i blatoheshin si sakrificë një e dhjeta e drithit, bagëtive etj.
Qysh atëherë edhe më pas është debatuar se a duhet vallë që ajo që paguan apo u paguhet njerëzve duhet të ruajë një barazi mekanike apo proporcionale. Njëra palë thekson se për anëtarët e komunitetit, si qytetarë me të drejta të barabarta, të gjithë duhet të kenë një masë të njëjtë pagese, kontributi apo përfitimesh; por të tjerë theksojnë se këta elementë duhet të jenë në përpjesëtim me pasurinë dhe kontributin e secilit, pra duhet të jenë proporcionalë.
Edhe në tekstet e shenjta e gjejmë këtë debat ose debati shkon edhe në interpretimin e teksteve të shenjta. Në letrat dhe humanitetet perëndimore debatohet për shembull për rastin e dëftuar në ungjij ku Jezusi rrëfen historinë e atij pronarit, i cili në mëngjes punësoi disa mëditës për të punuar në vreshtat e tij dhe kur pa se puna nuk po përfundonte, pasdite punësoi mëditës të tjerë, me të njëjtën pagesë si e të parëve, çka i bëri këta të pakënaqur.
Teoricienët e sotëm debatojnë për kuptimin e këtij aforizmi dhe disa për ta shpjeguar shprehen se ndonëse të punësuarit e parë kishin punuar më shumë, ata që erdhën me vonesë mund të kenë qenë të vlefshëm dhe prandaj sasia e pagesës nuk është varur vetëm nga koha e punës, por nga çasti i koniunkturës së tregut. Këtu barazia mekanike mund të ketë qenë e kuptueshme, e drejtë dhe e justifikuar. Të gjithë të njëjtën pagë, pavarësisht nga kontributi. Ndërkohë, teologët këtë aforizëm e kanë interpretuar me atë se çdokush, pavarësisht nga statusi i vet social, merr të njëjtat shpërblime apo privime nga e shenjta. Por, ky aspekt nuk na intereson këtu.
Ndërkaq, po në ungjijtë dhe në tekstet e interpretuesve më të mirë të tyre, tregohet se për Jezusin një grosh i dhënë për të varfrit nga dikush me pak të ardhura ishte shumë më tepër i vlefshëm dhe i çmuar sa qindra herë më tepër groshë të dhënë nga dikush shumë i pasur, sepse çdo gjë matej sipas përpjesëtimit pasuror, pra sipas logjikës progresive.
+++
Pasi pamë që edhe në tekste kaq thelbësore, ndarja nuk është kaq e lehtë të bëhet midis barazisë mekanike dhe asaj përpjesëtimore, e lëmë këtë peizazh një çikë abstrakt dhe zbresim më konkretisht te idetë e Xhon Rollsit dhe koncepti i tij i “drejtësisë sipas hakut”.
Përse duhet ky tatimi mbi të ardhurat?
Për shumë arsye, por në shoqëritë moderne ajo jep mundësi të financohet veprimtaria e shtetit, sektorët e shërbimit sidomos në ato fusha që kanë të bëjnë me nevoja vitale si mjekësia, e drejta, shkolla etj. Po kështu duket se është një mekanizëm i rëndësishëm që duhet përdorur për të zbutur varfërinë dhe pabarazinë në të ardhura për aq kohë sa kjo ndikon edhe në pabarazinë politike mes qytetarëve. Rolls merr si shembull faktin se një i pasur mund të pajtojë edhe dy, edhe tre avokatë në një gjyq kundër tij, kurse një i varfër mund të mos ketë parà as për të paguar edhe një avokat mediokër. E, kjo, bën që barazia e tyre para ligjit praktikisht të dëmtohet. Në këtë rast është shteti me buxhetet e tij që duhet të financojë paraqitjen në gjyq me avokat të më pak të pasurit ose të varfrit. Pabarazia e fituar me mundin dhe zotësinë e gjithkujt është e drejtë, por pabarazia e trashëguar nga pasardhësit që nuk kanë asnjë meritë se janë të pasur ose asnjë faj që janë të varfër, është e padrejtë në thelbin e vet, ndonëse e justifikuar dhe e kuptueshme. Prandaj, mund të ndodhin, thotë Rolls, edhe padrejtësira, sepse më të pasurit mund të shkojnë në shkolla më të mira etj., pra të kenë mundësi më të mira për karrierë sesa të varfrit. Prandaj, tatimi mbi të ardhurat mund të përdoret për ta zbutur këtë padrejtësi dhe bërë që edhe më të varfrit të kenë akses sa më të barabartë në shoqëri dhe të ruajnë sa më shumë një barazi reale para ligjit.
***
Tatimi me kuotë përqindjeje të njëjtë për të gjithë qytetarët ka disa avantazhe që nuk i ka tatimi progresiv, por edhe tatimi progresiv ka disa avantazhe që nuk i ka tatimi sipas një dyshemeje të të njëjtit nivel për të gjithë.
Tatimi sipas një dyshemeje të njëjtë për të gjithë e thjeshton tërheqjen e këtij tatimi dhe e bën më të qartë dhe të kuptueshme këtë masë për të gjithë. Në njëfarë mënyre ai niset nga ideja se të gjithë janë qytetarë dhe pavarësisht të ardhurave, të gjithë në një masë përqindjeje të caktuar duhet të kontribuojnë për të arritur objektivat e tatimit mbi fitimin. Këtu duhet të kuptohet sigurisht dhe fare lehtë se edhe tatimi me masë përqindjeje të njëjtë nuk është një tatim i njëjtë në masën e vet absolute, sepse dikush që merr të ardhura më të mëdha sigurisht në masë absolute paguan më shumë tatim pavarësisht se të gjithë, ta zëmë, tatohen me 10% të të ardhurave të tyre.
Dikush mund të thotë se përderisa individët nuk kanë të ardhura të njëjta, nuk kanë përse t’u nënshtrohen të njëjtave masa përqindjeje tatimi. Por, kundërshtarët e kësaj pale, pra pala tjetër, përgjigjen se kur dikush fiton më shumë, ai edhe është lodhur më shumë, ka harxhuar më shumë nerva dhe lodhje fizike për të arritur rezultatet e veta, pra edhe ka shpenzuar më shumë, e kësisoj nuk është e drejtë që për meritat e tij, veç mundit që ka hequr, edhe të tatohet në përqindje më të madhe sesa të tjerët që nuk kanë pasur performancën e tij financiare.
Aq më shumë, do të thoshte kjo palë, që tatimi mbi fitimin, normalisht duhet të shkonte në shërbime që u japin më shumë akses më të varfërve në shërbimet publike, prandaj edhe këta kanë arsye që duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha sesa më të pasurit të cilët këto nevoja mund t’i plotësojnë edhe me mjetet e tyre.
+++
Ndërkaq, edhe tatimi progresiv ka avantazhet e veta. Nëse ata që kanë më shumë të ardhura paguajnë sipas një tatimi progresiv (ka ndonjë vend ku ata me të ardhura kolosale paguajnë edhe 75% të këtyre të ardhurave si tatim mbi të ardhurat), kjo bën që diferencat në pasuri në shoqëri të supozohet se reduktohen. Nuk është e sigurt, por supozohet vetëm. Ndërkaq, duke bërë që të pasurit të paguajnë më shumë, mund të lehtësohen më të varfrit nga një tatim që kompensohet pra në buxhet, rritet konsumi, sepse klientët kanë më shumë fuqi pagese në treg, pra edhe kapitalet mund të funksionojnë më dinamikisht.
Mirëpo pala kundërshtare me këtë model thekson se kështu jo vetëm u ngarkohet padrejtësisht një barrë më të zotëve dhe atyre që kanë më shumë përgjegjësi sociale, por edhe dekurajohen investitorët të investojnë, sepse çdo tejkalim mase në këtë drejtim do të bënte që investitorët të trembeshin, norma e punësimit të binte dhe vetë buxheti i shtetit të dobësohej, përnjëmend edhe shërbimet ndaj shtresave në nevojë të reduktoheshin.
Kësaj kritike pala partizane e tatimit progresiv i përgjigjet përsëri se jo të gjithë investitorët dhe kapitalet japin mundësimi punësimi pavarësisht nga formës e tatimit. Ka investime shumë të mëdha që nuk punësojnë sa duhet. Ja shihni: sa të punësuar ka për atë investim goxha të madh që është Rruga e Kombit. Pas ndërtimit, atje punojnë fare pak njerëz.
Pastaj tatimi mbi fitimin nuk vendoset për kapitalin e investuar, po për të ardhurat, çka praktika financiare në vendin tonë duhet të insistojë që të bëhet një dallim i prerë dhe i investiguar rreptësisht. Nuk ka transparencë publike se si ndahen kapitalet nga të ardhurat në firmat e mëdha pra në bizneset e mëdha.
***
Ngado që ta vërtitësh, argumentet mbi të drejtën apo të padrejtën duken kontradiktore dhe hezituese.
Atëherë si i bëhet? Çfarë tatimi mund të quhet i drejtë sipas Xhon Rollsit?
Këtu ndahet ana e trajtimit cilësor nga ajo e trajtimit sasior, statistikor.
E drejtë apo e padrejtë nuk është kjo apo ajo mënyrë tatimi mbi të ardhurat. Secila prej tyre ka arsyen e vet që bën drejtësi, por krijon edhe padrejtësi. Këto të fundit janë të pashmangshme në të dyja rastet. Rolls idenë e drejtësisë për sa i përket tatimit mbi të ardhurat e gjen në tri parime bazë:
E para: një lloj tatimi duhet. Ah, çfarë na the? – mund të shprehej dikush që s’e njeh problemin, – e ku ka pa tatim? – do të vazhdonte. Po, ka pasur vende që kanë mbajtur tatimet dhe taksat shumë të ulëta për disa vite, duke huazuar, marrë borxhe, për shumë arsye, sa ekonomike, aq edhe politike dhe elektorale. Dhe tani borxhet sovrane u janë bërë aq të mëdha sa janë të detyruar jo vetëm të shtrëngojnë rripin, por edhe të rrisin taksat dhe tatimet. Kjo nuk do të dukej e drejtë, çdo brez duhet ta shlyejë vetë detyrimin e vet tatimor, dhe jo t’ua lërë në kurriz brezave të ardhshëm.
E dyta: tatimi nuk duhet adresuar te njeriu konkret, por te statusi abstrakt pavarësisht se kush është personi konkret që e ka atë status. Pra, përpara tatimeve të gjithë meritojnë të jenë të barabartë politikisht. Çfarë do të thotë kjo? Epo, që përse filani është miku i filanit, se filan është miku i filan partie etj., kurse filani tjetër mbështet kundërshtarët, kjo nuk duhet të ndikojë mbi rreptësinë e mbledhjes së tatimeve. Nuk tolerohet shtyrja e pagesave, akumulimi i shtyrjeve dhe pastaj amnistitë që kapin këto detyrime, sepse këtu nis padrejtësia si mosbarazi ligjore dhe morale.
E treta: që çdo politikë tatimore mund të jetë edhe jo barazimtare, mund të jetë edhe barazimtare, pra çdokujt t’i kërkojë të paguajë sipas të njëjtit tavan, por me një kusht ama. Duhet që në çdo rast, nga këto politika të fitojnë ose përfitojnë, të jenë në dobi të më të varfërve. Edhe politika jo fort populiste – thotë Rolls mund të jenë në mbështetje të më të varfërve në kushte të caktuara. Por, kjo duhet provuar.
***
A janë tatimet me dysheme të njëjtë përqindjeje në të mirë të shtresave më pak të zëna financiarisht? A do të ishin tatimet progresive në të mirë të këtyre shtresave, pra të shumicës së qytetarëve? Jo, sepse shumica përbën të drejtën, por sepse në këtë rast vetë tatimi mbi fitimin këtë mision moral dhe politik ka.
Kjo duhet provuar. Nuk shpallet me kategori etike dhe filozofike. Duhet provuar konkretisht në planin ekonomik, financiar, sociologjik, ekologjik etj.
E për ta bërë këtë duhen përsëri treguar e mbajtur parasysh tri kritere:
I pari, ta zëmë, a është e vërtetë se bizneset e mëdha apo të mesme, në rastin shqiptar, kur nuk paguajnë taksa progresive kanë prirje të punësojnë më fort dhe të investojnë më shumë? Duhen statistika…
I dyti, a është e vërtetë se në një periudhë kur zbatohet një model tatimi, treguesit e punësimit, investimit, fuqisë blerëse kanë qenë më të mira sesa ato të një periudhe paraardhëse ku është zbatuar një model tjetër? Kjo është e vështirë të dihet sepse kushtet e përgjithshme të klimës ekonomike ndikohen nga shumë faktorë të tjerë që e bëjnë situatën të vështirë për t’u krahasuar. Megjithatë, përsëri duhen statistika…
I treti, si e kemi sistemin tatimor në krahasim me atë të vendeve fqinje apo të ngjashëm me ekonominë tonë? Edhe këtu na duhen statistika…
Të paktën ta vendosim debatin në këto shina për të gjetur të vërtetën e përafërt, përndryshe nga propaganda elektorale asgjë nuk do të kuptohet. Qytetari pret prova statistikore të administruara shkencërisht nga specialistë të këtyre fushave…