Kur dëgjon socialistët tanë, të ngjan se zemra u dhemb për njerëzit e varfër e në nevojë dhe se do të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar ata të bëjnë një jetë për të qenë. Por le të shohim kush është kjo “gjithçka” ekonomike që ata do të bëjnë. Ajo fillon dhe mbaron me një emër: taksa progresive. Po ku ka qenë kjo thagmë, kjo mrekulli, ky shkop i Arkimedit deri tani? Taksa progresive, në të gjitha shembujt që na vijnë nga administrimi modern i shtetit, është një taksë, e cila zbatohet në vendet e pasura, në vendet e zhvilluara, me një administrate tatimore me tradita dhe tejet moderne e të fortë. Nuk ka asnjë shembull, që një taksë progresive vjen nga vendet e varfra, apo ato në zhvillim, si vendi ynë. Me fjalë të tjera, nga vendet që duan të krijojnë një pasuri. Taksa progresive, në themelin e saj, është taksa e rishpërndarjes së pasurisë. Dhe që kjo pasuri të rishpërndahet, duhet që fillimisht të krijohet. Pa e krijuar këtë pasuri, nuk mund të rrënosh bizneset e konsoliduara të vendit tënd, që paratë e marra nga shtrydhja rrënuese e bizneseve t’i bësh rrush e kumbulla në programe zhurmëmëdha publike, por që kanë fare pak pasoja dobiprurëse tek të varfrit apo të papunët. Taksa progresive ndëshkon në mënyrë të padrejtë sipërmarrësit dhe të suksesshmit. Është e padrejtë t’i ndëshkosh njerëzit për shkak të suksesit në shoqëri. Ata duhet të shpërblehen për suksesin, ose të paktën të lejohen të korrin përfitimet e suksesit të tyre. Taksat progresive janë një formë e taksimit të dyfishtë përderisa subjektet me të ardhura më të larta paguajnë aktualisht taksa për më shumë të ardhura dhe në një nivel më të lartë. Kjo është tepër e padrejtë, përderisa ata janë grupi që përfiton më pak nga aktivitetet e financuara nga paratë e taksapaguesve. Sistemi tatimor progresiv i hap rrugë shmangies së padrejtë nga taksat. Taksat progresive shpesh janë aq të komplikuara dhe aq shumë problematike, sa kompanitë janë të afta t’u shmangen detyrimeve të tyre dhe te boshatisin buxhetin e shtetit, arkën e përbashkët. Për rrjedhim, ato përfundojnë duke paguar një përqindje më të vogël se sa qytetarët që paguajnë. Aplikimi i një sistemi progresiv taksash do të kërkonte detyrimisht, në radhë të parë, një legjislacion fiskal tepër kompleks, voluminoz dhe të vështirë për t’u aplikuar në praktikë. Së dyti, aplikimi i taksës progresive do të kërkonte një administratë fiskale akoma dhe më të fryrë, me një buxhet marramendës dhe njëkohësisht tepër efikase. Do na duheshin me qindra e ndoshta mijëra tatimorë të ndershëm, për të parashikuar dhe parandaluar çdo shmangie të padrejtë të detyrimeve tatimore, që subjektet me të ardhura më të larta do të tentonin të ndërmerrnin në mënyrë të pashmangshme. Në SHBA shumë studiues mendojnë se taksimi progresiv është një formë e tiranisë së shumicës. Nëse ne lejojmë që parimet kushtetuese të gërryhen nga sundimi i shumicës në emër të drejtësisë sociale, atëherë edhe liria, edhe drejtësia e vërtetë do të humbasin. Studiuesit amerikane mendojnë se taksimi progresiv nuk është një virtyt, por një ves. Ai prezumon që të drejtat e pronësisë të të pasurve nuk janë aq të shenjta sa të drejtat e pronësisë të të varfërve dhe se vlerat e shumicës janë superiore ndaj të drejtave të pakicës. Taksat progresive shkaktojnë luftë klasash, duke transferuar barrën tatimore nga një grup në grupin tjetër. Në kushtet e vendit tonë dhe me një pjesë të socialistëve të etur për dallavere pas 8 vjetësh agjërim, sistemi i taksave progresive, i pompuar si i drejtë dhe për të varfrit, thjesht do të boshatiste Arkën e Shtetit. Kjo do të ishte papërgjegjshmëria më e madhe ekonomike në historinë e post-komunizmit në Shqipëri.