Kryeministri: Rama, betejë “donkishoteske” për koncesionet, kërkon të pengojë zhvillimin
Kreu i qeverisë ka shtypur dje në mënyrë simbolike detonatorin për shpërthimin e parë në gërmimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Gojan, Gjegjan, Peshqesh, diga e Urës së Fanit dhe hidrocentrali i Fangut, të cilat do të ndërtohen në rrjedhën e lumit Fan i Madh dhe Fan i Vogël nga kompania turke “Aydiner”, investim me vlerë 146 milionë euro. Gjatë fjalës përshëndetëse gjatë kësaj ceremonie të veçantë dhe që u ndoq me mjaft interes edhe nga banorët e zonës, Kryeministri Berisha u ktheu përgjigje të gjitha deklaratave të Ramës se do të anulojë koncesionet nëse ai do të vijë në pushtet. Numri një i qeverisë duke falënderuar të gjithë investitorët e huaj që besojnë tek Shqipëria, tha se kjo kryesocialisti kërkon të bëjë një betejë “donkishoteske”. “Kompania turke investon këtu 146 milionë euro, para të saj dhe pasi përfundon veprën paguan tarifën e koncesionit, taksën shqiptare dhe pas një periudhe të caktuar në kontratë ndërtimin, hidrocentralin ia kthen popullit shqiptar si pronë e tij. Kjo është e vërteta e koncesioneve. E thashë këtë për ata që bëjnë betejat e Don Kishotit me koncesionet, për ata që kërcënojnë me anulime koncesionesh. Ata përpiqen të pengojnë zhvillimin. Ata përpiqen të bllokojnë punësimin. Ata duhet t’i falënderojmë këto kompani me mirënjohje për besimin e madh që tregojnë me investimet e tyre në Shqipëri. Një kompani, e cila kuoton 15 për qind të aksioneve në bursën e Stambollit, vjen dhe vendos paratë e saj në luginën e Fanit. Ky është besimi maksimal”, – tha lideri i mazhorancës. Ai duke u ndalur në të gjithë investimet e realizuara këto kohë, tha se ky është një prej më të rëndësishmëve pasi hap vende të reja pune dhe sjell ndryshime të mëdha edhe në faktin se është duke shndërruar Shqipërinë në një prej vendeve që do të jenë lider në rajon në prodhimin e energjisë elektrike. Duke bërë edhe një batutë me detonatorin të cilin Kryeministri e shtypi vetë, ai u shpreh: “Edhe një herë, urimet më të përzemërta dhe, natyrisht, nuk dua të mburrem, por sa herë që kam shtypur butonin, ka ndezur. Tuneli i Kalimashit, i Kërrabës, Kaskada e Fanit dhe kështu me radhë”, – tha kreu demokrat. Duke u ndalur edhe një herë tek projektet që janë duke u realizuar zoti Berisha tha se ato kanë qenë të parashikuara që me herët që do të realizoheshin, ndërsa shtoi se mazhoranca do të vijojë t’i mbetet projektit për taksa të ulëta dhe rritje të investimeve të huaja direkte dhe indirekte. Kryeministri mbrojti të gjitha koncesionet e realizuara deri më tani, ndërsa tha e se kjo është një politikë që duhet të të vijojë, pasi është një mënyrë për të rritur ekonominë e një vendi.
HEC-et
Ky projekt bazohet në bashkimin e dy lumenjve, Fanit të Madh dhe të Vogël, me një tunel 32 kilometra të gjatë, por edhe të një dige të larte prej 84 metra. Fuqia totale e instaluar e tyre është 111 prej MW dhe prodhimi vjetor i 7.1 për qind të nevojave të vendit. Në këto projekte tepër të mëdha në fushën e energjetikës pritet të hapen 950 vende pune. Në rrethet Pukë, Shkodër e Lezhë po ndërtohen 27 HEC-e me fuqi të instaluar 243 MW dhe prodhim vjetor të energjisë 1210 GWH. Qeveria ka firmosur gjatë këtyre viteve 130 kontrata koncesionare me sektorin privat për ndërtimin e 365 hidrocentraleve. “66 prej tyre kanë përfunduar dhe kanë hyrë në prodhim. Koha nuk më ka premtuar të inauguroj 3-4 prej tyre, të cilët do të shkoj edhe do t’i përshëndes një e nga një. Këto kompani kanë investuar në to 280 milionë euro dhe prodhojnë 205 MGW. Ajo çka mund të dukej një ëndërr absurde, nuk ishte një ëndërr nate, por një ëndërr dite. Ne po kthejmë burimet tona ujore në burime energjetike dhe po ecim drejt Shqipërisë vend lider në prodhimin e energjisë nga ujërat në rajon. Koncesionet që ne kemi dhënë deri tani kanë një kapacitet prodhues prej 1600 MW nga 1200 MWH që është kapaciteti aktual prodhues i vendit. Ato janë një investim prej 2.8 miliard euro. Në to do të punësohen 30 mijë qytetarë në të katër anët e vendit. Koncesionet janë format ndër më të suksesshmet në zhvillimin e një ekonomie”, – tha Berisha.
Të djathtët
Basha: Taksa progresive e Ramës për të mbështetur miqtë e tij
Partia Demokratike ka angazhuar të gjitha strukturat e saj në organizimin e fitores, me synim maksimalizimin e votave në 23 qershor. Kështu është shprehur kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ishte ditën e djeshme në Kamëz, së bashku me kandidatin demokrat Asllan Dogjani. Në takim me banorë të Kamzës, kryebashkiaku i Tiarnës ka bërë të ditur se Edi Rama e kërkon taksën progresive vetëm për të mbështetur miqtë e tij, siç bëri në krye të Bashkisë së Tiranës, duke e lënë me 50 milionë dollarë borxhe. Nga ana e tij, kandidati për deputet Asllan Dogjani i ka cilësuar mashtrime deklaratat e Ramës për legalizimin, pasi, sipas tij, nëse ka një person që nuk e do legalizimin ai është Edi Rama. Ai i ftoi të gjithë qytetarët të kthejnë kokën dhe të mendojnë se çfarë bëri Rama kryesocialisti gjatë periudhës që ishte në krye të bashkisë së kryeqytetit. Nga ana tjetër ministri i Financave, Bode, njëkohësisht kryesues e listës së Korçës, së bashku edhe më kandidatët demokratë për deputetë ishin në Selanik, ku zhvilluan një takim me emigrantët shqiptarë. Në takimin elektoral në Greqi, zoti Bode u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të rikthehen dhe të votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, pasi vota e tyre është thelbësore. Ministri Bode solli në vëmendje edhe propozimin e Kryeministrit Berisha për të bërë të mundur votimin e emigrantëve në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë, një propozim ky që u hodh poshtë nga ana e shefit të selisë rozë. Ministri i Financave u bëri thirrje emigrantëve të vijnë e të investojnë në vendin e tyre. Kryetari i grupit të punës Eduard Halimi së bashku me kandidatin për deputet Oerd Bylykbashi janë ndalur në zonën e ish-Kënetës në Durrës. “Modeli i Dakos, është i njëjti model i Ramës në krye të bashkisë së Tiranës, por qytetarët e ndryshuan këtë model duke votëbesuar Lulzim Bashën i cili i shtroi rrugët e Tiranës cep më cep”, – u shpreh Halimi, i cili u premtoi qytetarëve sistemimin e këtyre zonave në dy vitet e para të mandatit të tretë.