Florenc Drizari
Lleshi: Disponibiliteti i KQZ-së në të dy projektet pilot ka qenë maksimal dhe brenda afateve kohore
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili tri ditë më parë hodhi postë aktin e KQZ-së, për caktimin e qendrës së numërimit të votave në Dermenas të Fierit, u shoqërua me debate në mbledhjen e djeshme në KQZ mes përfaqësuesve ligjorë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Përfaqësuesi ligjori PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, kërkoi se masat e marra nga komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor për zbatimin e vendimit të Kolegjit, lidhur me zhvendosjen e ZAZ numër 59 në Fier, ndërkohë që në përgjigjen e saj kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), tha se vendimet e Kolegjit janë të detyrueshme të zbatohen dhe për këtë çështje kanë nisur procedurat administrative.
“Cilat janë masat që ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e dy vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, rasti i QV private në njësinë 4 të cilat duhet të shkojnë në ambient publik (shkolla “Pal Engjëlli”) dhe të VNV te ZAZ numër 59, e cila do të duhet të zhvendoset në Bashkinë e Fierit”, – tha Gjonçaj. Ndërsa Kryetarja e KQZ-së iu përgjigj: KQZ nuk bën asgjë tjetër përveçse ndjek rrugët e tij administrative për të bërë të mundur që këto qendra votimi apo VNV-të të caktohen atje ku Kolegji i ka vendosur. Janë çështje administrative dhe vendimmarrje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në lidhje me këtë çështje, anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, argumentoi se nga 89 vende të numërimit të votave, vetëm një u kthyen nga Kolegji. Sipas tij, të gjitha VNV-të e tjera janë miratuar me konsensus dhe për këtë Osmanaj vuri theksin tek konsensusi i gjetur mes përfaqësuesve në komision.
Ndërkaq, një tjetër pikë debati në KQZ ishte kërkesa e dytë e përfaqësuesit të PS-së, Gjonçaj, i cili kërkoi shpjegime për procesin në të cilin ndodhet projekti i SEV, për zbatimin e teknologjisë së verifikimit të kartave të identitetit në qarkun e Tiranës. Sipas tij, ky proces është shumë pas në kohë dhe ai deklaroi se ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe një raport për zhvillimin e testit të parë që u mbajt disa ditë më parë.
“Duke qenë se sot jemi vetëm 10 ditë nga dita e zgjedhjeve unë kërkoj të dëgjoj disponibilitetin e KQZ-së për të realizuar projektin SEV, si dhe të di se kur KQZ do t’i paraqes aktet të cilat do të bëjnë të mundur miratimin e këtij projekti. Duhet të kuptojmë që KQZ është organi i cili është i ngarkuar me ligjërisht të realizimin e këtij projekti dhe për rrjedhojë ka dhe përgjegjësinë në këtë rast të mos realizimit apo sabotimin të qëllimshëm të këtij projekti, përgjegjësi që është ligjore, penale dhe materiale”, – tha Gjonçaj.
Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), pohoi se edhe Partia Demokratike ka dorëzuar një raport të testin e parë të verifikimit të kartave të identiteti, dhe të dy raportet i janë dorëzuar kompanisë fituese INDRA. Sipas kryetares së KQZ-së, pritet që brenda 24 orëve kompania INDRA të japë konkluzionet e saj dhe më pas komisioni do të veprojë me vendimmarrjen e tij.
“Disponibiliteti i KQZ-së në të dy projektet pilot ka qenë maksimal dhe brenda afateve kohore që parashikohen ligjërisht. Në lidhje me SEV-in ju keni paraqitur një raport, po kështu raport ka paraqitur Partia Demokratike dhe të dyja bashkë i kanë kaluar firmës INDRA. Të presim raportimin e tyre dhe më pas KQZ do të kalojë me vendime”, – deklaroi kryetarja e KQZ-së.
DEBATE NË KQZ PËR VENDIMET E KOLEGJIT
Lefterie Luzi (Lleshi): Nga 89 vende të numërimit të votave, janë ankimuar vetëm 1 nga Partia Socialiste. Kjo është kthyer, vetëm një.
Genc Gjonçaj: Unë për një kërkova dhe jo për të tjerat. Kryetare nëse doni të bëni politikë është tjetër gjë. Unë këtu kërkova vetëm informacion.
Lefterie Luzi (Lleshi): Politikën e bërë ti kështu që unë do të jap përgjigje.
Genc Gjonçaj: Që të jemi korrekt me njëri-tjetrin, duhet ta respektojmë fjalën e njëri-tjetrit. nuk ishte asnj interes për të krijuar debat në komision.
Lefterie Luzi (Lleshi): Sepse nuk ishte çështje për t’u ngritur.
Genc Gjonçaj: Na është bërë e shpeshtë kjo gjë që ne bëjmë debate pa kërkuar debat. Mos krijoni debat pa pas nevojë…
Niazi Kosovrasti: zonja kryetare, unë kam një problem që shpesh herë koha e pesë minutëshit shfrytëzohet për të krijuar një atmosfere jokonstruktive. Rasti i vendimeve të kolegjit dhe rasti i zbatimit të tyre. nuk mundemi të hapim debate këtu ndërkohë që doli se sekretari i përgjithshëm ka nisur shkresa përkatëse për zbatimin e vendimeve. Pse duhet të hapim debat? Nëse sekretari i përgjithshëm nuk i ka nisur shkresat, atëherë le të hapim debat. Kjo është abuzive.
Genc Gjonçaj: Se kisha me ty.
Niazi Kosovrasti: Të lutem z. Gjonçaj, nuk kemi punë me njëri-tjetrin dhe problemin se kisha me ty, problemi është çështja si duhet zgjidhur.
Genc Gjonçaj: Sesi zgjidhet çështja e zgjidh unë, ti shih çështjet e tua.
Niazi Kosovrasti: Ka administratë.
Genc Gjonçaj: Ti e ke KQZ-në aty në krah dhe zgjidhu çështjet si të duash. Të miat i zgjidh unë i dashur. Mos u merr më çështjet që ngre unë.
Lefterie Luzi (Lleshi): Faleminderit.
Niazi Kosovrasti: Kërkon vetëm të bësh zhurmë, dakord jam unë.
Genc Gjonçaj: Zhurmë bëj unë, ti dil e thuaj se e bëj zhurmën, por mos komento ato që kërkoj unë.
Niazi Kosovrasti: Në funksion të detyrave të tyre…
Genc Gjonçaj: Po lerë se nuk je avokat i KQZ-së ti, e bëjnë vetë ata avokatin e tyre po lëre.
Lefterie Luzi (Lleshi): Vazhdojmë me pikën e parë të rendit të ditës. Po drejtori?
Niazi Kosovrasti: Zonja kryetare, të lutem, unë nuk mbarova. Nuk mund të pranoj zonja kryetare që z. Gjonçaj të thotë avokati etj etj. jemi këtu për një detyrë të përbashkët, ta bëjmë mirë këtë. Pranoj çdo lloj vërejte që ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës, por nuk ka pse tribuna të tilla të shfrytëzohen jashtë kontekstit dhe detyrimeve ligjore që kemi të gjithë.
KQZ akrediton mbi 2636 vëzhgues në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje kërkesën e 7 organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe të dy mediave vendase për akreditimin e vëzhguesve afat gjatë dhe afat shkurtë në Shqipëri. Edhe pse ky proces nuk është mbyllur ende, aktualisht numri i vëzhguesve të akredituar në KQZ për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit ka shkuar në 2636. Sipas administratës së KQZ-së, rreth 1379 vëzhgues janë afatgjatë, ndërsa 517 të tjerë janë afat shkurtër. Këtij numri nuk i janë shtuar edhe kërkesat e 7 organizatave të huaja dhe dy mediave vendase. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi me 4 vota pro: Projektvendimin “Për miratimin e vëzhguesve të Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK), për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 23 qershor 2013”. KQZ akreditoi 128 vëzhgues afatshkurtër për vëzhgimin e procesit të zgjedhor të 23 qershorit; Projektvendimin ”Për miratimin e vëzhguesve të Grupit Shqiptar i të Drejtave të Njeriut (GSHDNJ) ,për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 23 qershor 2013” . KQZ akreditoi 79 vëzhgues afatgjatë për vëzhgimin e procesit të zgjedhor të 23 qershorit; Projektvendimin “Për miratimin e vëzhguesve të Shoqatës e Drejta Ndërkombëtare e të Drejtave të Lirive të Njeriut (DNDLNJ), për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 23 qershor 2013”. KQZ akreditoi 90 vëzhgues afatgjatë dhe 105 vëzhgues afatshkurtër për vëzhgimin e procesit të zgjedhor të 23 qershorit; Projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 429, datë 17.5.2013, “Për miratimin e vëzhguesve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve OSBE/ODIHR,për vëzhgimin e zgjedhjeve të datës 23 qershor 2013”. KQZ akreditoi 8 vëzhgues afatgjatë për vëzhgimin e procesit të zgjedhor të 23 qershorit”, – etj.