Ina Jano
Rindërtimi i Rrugës së Dibrës është vetëm një nga veprat me të cilat Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Lulzim Basha po ndryshon kryeqytetin
Basha: Në dy vitet e ardhshme jo vetëm do të mbyllim plagët e hapura, por do të ecim me shpejtësi për ta bërë Tiranën një prej qyteteve të lakmueshme
E kthyer në një prej temave më të përfolura për këto zgjedhje, duket se legalizimet do të jenë kryefjala e ditëve të fundit të fushatës elektorale për të dyja kampet politike. Kështu, një tjetër premtim vjen nga ana e Kryeministrit Berisha, i cili shfrytëzoi rikonstruksionin e Rrugës së Dibrës, për t’u dhënë përgjigje propozimeve të Ramës se do të zhvillojë këtë proces falas për të gjithë qytetarët. Duke e cilësuar si gënjeshtrën e radhës, zoti Berisha u shpreh se Partia Demokratike do ta përfundojë procesin brenda vitit dhe se të gjithë do të jenë mundësinë që të paguajnë 70 për qind të vlerës totale me letrat me vlerë. “Edi Rama është armik për jetë a vdekje i ndërtesave tuaja. Mos u mashtroni prej tij për disa arsye. Sa ishte kryetar bashkie, ai ju tregoi buldozerë dhe ruspat. Sa qe ministër Kulture dhe kryetar bashkie, juve ju konsideroi çeçenë, shpellarë etj., etj. Edi Rama deklaron se do anulojë ligjin që njeh banesat tuaja dhe i legjitimon ato. Edi Rama deklaron se do legalizojmë ato që janë nga halli. Por të gjithëve do t’u thotë shkoni nga keni ardhur, sepse hallin dhe turizmin do ta ndajë me metrin e Koços, sipas xhepit. Partia Demokratike për t’ju lehtësuar juve pagesat ka vendosur që 70 për qind të vlerës së legalizimit ta paguani me letra me vlerë. Dhe ky është një lehtësim maksimal. Dua t’ju them një gjë, asnjë qeveri në një vend të lirë, asnjë Kryeministër, asnjë Parlament dhe askurrkush nuk mund t’i falë kujt pronën e tjetrit. Nuk ka gjykatë në Shqipëri, nuk ka gjykatë në Strasburg të pranojë që një qeveri t’i falë pronën e privatit një privati tjetër. Ky është një mashtrim ndër më të paskrupujt, amoral, që Edi Rama bën për t’ju mashtruar për votën dhe për t’ju thënë, siç u tha në Rrashbull, se do shkoni nga keni ardhur. Unë ju garantoj se legalizimin do ta bëjmë brenda këtij viti me çmimet e reja, ku 70 për qind të vlerës së legalizimit ju do mund ta paguani me letra me vlerë”, – deklaroi lideri i selisë blu. Duke falënderuar qytetarët e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i ftoi ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë që në 23 qershor të marrin pjesë në votime, për të firmosur së bashku fitoren. “23 qershori është një ditë përcaktuese për zhvillimin e Tiranës, për zhvillimin e Shqipërisë! Projekti i katër viteve që vijnë është projekti i Tiranës së zhvilluar, i Tiranës së punësimit masiv të qytetarëve të saj, i Tiranës metropol i vërtetë evropian, i Tiranës së integruar në Bashkuar Evropian, si motra të tjera në Evropë”, – tha kreu i qeverisë. Më pas, Kryeministri u përshëndet me banorë të njësisë bashkiake numër 8 dhe u ndal në stendat me gatimeve karakteristike tiranase, të ekspozuara përgjatë rrugës së inauguruar.
Kryebashkiaku
Ndërsa qytetari i parë i Tiranës tha se të gjitha projektet e bashkisë së kryeqytetit bëhen vetëm për të harruar të gjitha ato që qytetarët vuajtën për 11 vjet rresht. “Ne jemi njerëzit e punës dhe jo të fjalëve, jemi njerëz të përgjegjësive dhe jo të justifikimeve, ndaj në 23 qershor qytetarët e kësaj zone, qytetarët e Tiranës do të konsolidojnë këtë model zhvillimi, i cili po funksionon për çdo qytetar të Tiranës. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të bësh të mundur realizimin e projekteve të cilat sjellin një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe këtë mundësi qytetarët ia dhanë vetes me modelin e zhvillimit që ata zgjodhën. Ju premtoj se ky është vetëm fillimi dhe së bashku me Kryeministrin Berisha, Tirana dhe qytetarët e saj do të bëjnë të mundur që në 2 vitet e ardhshme jo vetëm të mbyllin plagët e hapura por do të ecim me shpejtësi për ta bërë Tiranën një prej qyteteve të lakmueshëm”, – tha Basha. Gjatë këtij inaugurimi kryebashkiaku ka pohuar rëndësinë e kësaj zone tek qytetarët, duke nënvizuar këtu besimin e ndërsjellë mes qeverisë dhe bashkisë, me ndërtimin e veprave të mëdha për kryeqytetin. “Kjo rrugë u projektua dhe u ndërtua me standardet më të mira në një kohë të shkurtër, kjo tregon se punë si këto dhe shumë më të mëdha se kjo, mund të realizohen falë bashkëpunimit mes qytetarëve-bashkisë-qeverisë”, – vlerësoi zoti Basha.
Rruga
Rikonstruksioni i Rrugës së Dibrës, në njësinë bashkiake nr 8 është një investim me vlerë 98 milionë lekë, gjatësi rreth 1,4 km dhe gjerësi nga 10.50 deri në 14 metra. Rikonstruksioni ka mundësuar trotuare në të gjithë gjatësinë, të cilët nuk janë më të ngushtë se 2 metra. Është ndërhyrë në ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, mbjelljen e 350 fidanëve të llojit bli, vende parkimi për automjete etj. Rehabilitimi ka prekur të gjithë shtresat nëntokësore, rehabilitimet e rrjetit të kanalizimeve të ujësjellësit. Rruga e Dibrës do të jetë arterie kryesore e qytetit, në kuptimin e transportit publik dhe në veçanti, të parapërgatitjes për projektin e tramit, një ndër arteriet e rëndësishme të linjës Kinostudio-Kombinat janë zhvendosur të gjithë kabllot ajrore.
Takimi me Berishën
Rumsfeld: Taksa e sheshtë, model edhe për Amerikën
Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri ish-sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Donald Rumsfeld, zhvilloi një takim me kreun e ekzekutivit Berisha. Ky i fundit duke falënderuar përzemërsisht Amerikën për të gjithë ndihmën e dhënë vendit tonë gjatë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, tha se kombi amerikan mbetet një mik i madh i shqiptarëve. Zoti Rumsfeld e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që rikthehej në Shqipëri, pas një periudhe të shkurtër dhe që konstaton ndryshime të jashtëzakonshme, të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Në këtë kontekst, ish-Sekretari Rumsfeld i shprehu Kryeministrit Berisha urimet më të ngrohta për arritjet e jashtëzakonshme e te gjithanshme që qeveria shqiptare ka shënuar në këto vite, duke i uruar gjithashtu suksese të mëtejshme në të ardhmen. Taksa e sheshte 10% ishte një ndër arritjet më të rëndësishme që sekretari Rumsfeld ka vlerësuar duke u shprehur se “uronte që edhe SHBA të merrnin shembull dhe të vendosnin edhe ne Amerikë taksen e sheshtë prej 10%”. Sipas zyrës së shtypit, ish-sekretari amerikan Rumsfeld, në veçanti u shpreh i impresionuar nga pjesëmarrja aktive dhe e gjerë e qytetarëve shqiptarë në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti dhe i shprehu Kryeministri Berisha vlerësimet e tij më të larta për modelin e fushatës, shumë aktive, në kontakt me qytetarin dhe të bazuar mbi çështje të cila prekin qytetarët, jetën e tyre te përditshme dhe të ardhmes së tyre. “Jam jashtëzakonisht i impresionuar me dëshirën e qytetareve shqiptare për ta përshëndetur, për ta takuar, për ti dhënë dorën kryetarit të qeverisë, por edhe për pjesëmarrjen masive te tyre ne evenimentet elektorale të PD-së. Presidentet amerikanë do të ëndërronin të kishin nëpër evenimentet e tyre elektorale pjesëmarrjen qe ju keni ne takimet tuaja elektorale”, – i theksoi zoti Rumsfeld, shefit të qeverisë shqiptare.
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes
Berisha aset i çmuar, shqiptarët energji pozitive në NATO
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ndodhet sot në Tiranë me ftesë të ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Me buzëqeshje ai vlerësoi maksimalisht zotin Berisha, dhe tha se ai është një aset i çmuar. “Kryeministri është aset i çmuar, por e shoh që i ka ndryshuar pak zëri, t’ia kursejmë zërin sot. Zërin e tij e dalloj nga të gjithë kudo. Sa për Mediun, mbetet djalë i ri. Habitem sesi, në fakt unë javën tjetër bëhem gjysh, jam plakur”, – tha Rumsfeld duke qeshur. Ish-sekretari i Mbrojtjes mori pjesë në një bashkëbisedim për NATO-n dhe sfidat e saj, ku ishin të pranishëm dhe Kryeministri Berisha dhe ministri Mediu. Kryeministri Sali Berisha e falënderoi z. Rumsfeld për kontributin që dha në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. “Ju jam mirënjohës për mbështetjen që i dhatë Shqipërisë, përpjekjes së saj për t’u anëtarësuar në NATO. Unë vlerësova shumë vendimin e Presidentit të Republikës për t’ju dekoruar me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, – u shpreh Berisha në një takim të hapur publik me ish-sekretarin amerikan, ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu dhe një panel ushtarakësh të pranishëm në bisedë. “Një nga strategët e sigurisë së paqes në SHBA e botë. Jemi shumë të nderuar dhe krenarë që jeni në Shqipëri. Për ne shqiptarët flamuri është kulti më suprem, atë e kemi ne gjënë më të lartë dhe ky ishte një dekorim i një miku që me vendosmëri na ndihmoi për t’u anëtarësuar në NATO si aleancë vlerash, paqe dhe sigurie, që këto 20 vite historia e dha që të përdorte forcën e saj në mbrojte për herë të parë në Kosovë, por të dashur miq, sekretari Rumsfeld është promotor i lirisë në vendin e tij dhe botë, të paktë janë njerëzit mbi tokë që lahen në ujërat e të njëjtit lume”, – shtoi më tej Berisha në nderim të Rumsfeld. Ish-sekretari amerikan theksoi se ky takim sot i jep një ndjesi të madhe emocionale dhe me humor shtoi se do përpiqet të mos flasë më shumë seç duhet, sepse ka nisur të disiplinojë veten. “Me kalimin e viteve keni zhvilluar një lloj ndjesie për vendin, duhet të them se takimi me presidentin, Kryeministrin sot dhe marrja e kësaj ndjesie kaq të madhe sot, them që ishte një kënaqësi shumë e madhe dhe të kuptonin marrëdhëniet mes dy vendeve. Ime shoqe thotë që kur shkon rreth të 80-ave flet shumë, gjatë gjithë kohës dhe unë po mundohem të disiplinoj veten”. Më tej Rumsfeld vlerësoi arritjet e bëra në 20 vitet e fundit në Shqipëri, për të kaluar një tranzicion vërtetë shumë të vështirë. “Gjërat nuk bëhen vetëm, ne e vlerësojmë shumë partneritetin me Shqipërinë. Jam në mbështetje të Shqipërisë dhe i besoj fort shqiptarëve, e di që çfarë i sjellin shqiptarët NATO-s, energji pozitive, qasjen e re të lidershipit ushtarak e civil, ju po luani një rol shumë të rëndësishëm në aleancë. Ju dini të zhvilloni një lloj ndjeshmërie për vendin, dini të jepni ndjesi dhe energji pozitive”, – tha ai. Gjatë vizitës së tij, që është e treta në Shqipëri në një hark kohor 10-vjeçar, Rumsfeld u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me “Urdhri i Flamurit”.