Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky, duke folur për Shqipërinë e vuri theksin në nevojën për konsolidim fiskal, ndërkohë që shtoi që vendi nuk ka më hapësira fiskale për të manovruar
Ekonomia shqiptare parashikohet nga Banka Botërore të rritet me një normë pak më të lartë se në vitin 2012 (rreth 1.8 për qind), e mbështetur nga një performancë e qëndrueshme e eksporteve. Banka Botërore ka prezantuar dje në Tiranë raportin për ecurinë ekonomike për Evropën Juglindore, për gjashtëmujorin e dytë 2012. Në raport përfshihen Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja, Shqipëria, Kosova. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky, duke folur për Shqipërinë e vuri theksin në nevojën për konsolidim fiskal, ndërkohë që shtoi që vendi nuk ka më hapësira fiskale për të manovruar. Sipas BB-së, niveli i të ardhurave dhe shpenzimeve duhet të jetë më i strukturuar.
Situata
Lvovsky tha në prezantimin e djeshëm se është fakt pozitiv që ekonomia pritet të rritet 1.8% këtë vit, e udhëhequr nga sektorë si bujqësia dhe energjia.
Ajo u tregua kritike për procesin e legalizimeve dhe amnistisë në prag zgjedhjesh, duke thënë se këto janë politika që nuk duhen ndjekur në kohë fushatash, pasi demoralizon bizneset.
Sipas Bankës Botërore, vendet e rajonit po dalin nga recesioni i dyfishte dhe gjatë këtij viti ekonomia do të ketë një rimëkëmbje të lehtë. Vende si Shqipëria duhet të bëjnë kujdes me politikat e punësimit, pasi gjysma e të papunëve janë të rinj. Banka e vuri theksin në ndërmarrjen e reformave në fushën e arsimit. Sipas një studimi të bankës, 70 për qind e bizneseve janë përgjigjur se niveli arsimor për hapjen e vendeve të reja të punës nuk është i përshtatshëm. Sipas bankës, duket përmirësim i klimës, zbatim i kontratave, marrja e lejeve të ndërtimit.
Nga ana e tij, ekonomisti i Bankës Botërore, Erion Luci, përsëriti apelin për konsolidim fiskal, përmirësim të eficiencës së investimeve publike dhe reforma më të thella strukturore, për të rimëkëmbur rritjen ekonomike.
Raporti
Banka Botërore prezantoi raportin e Zhvillimeve Ekonomike në Evropën Juglindore. Raporti parashikon një rimëkëmbje të brishtë ekonomike gjatë vitit 2013, por perspektivat ngelen ende mjaft të pasigurta dhe performanca e rajonit ngelet e lidhur ngushtë me rritjen e Eurozonës.
Zeljko Bogetiç, kryeekonomist në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore dhe bashkautor i raportit, sugjeron që reformat strukturore janë kyçi për një ringritje më të fortë dhe papunësi më e ulët. “Përpjekjet e konsolidimit fiskal duhet të vazhdojnë dhe do të bëhen më të lehta tani që perspektiva e prodhimit dhe të ardhurave po përmirësohet. Klima e investimeve duhet të përmirësohet në mënyrë thelbësore, veçanërisht në pikat e dobëta: lejet e ndërtimit dhe licensat, barrierat ndaj sipërmarrjes dhe aftësive, dhe infrastruktura. Fqinjët e saj mund të mësojnë nga Maqedonia, e cila vazhdon të ketë klimën më të favorshme të biznesit në rajon siç matet nga treguesit e të Bërit Biznes.”
Bajram Curri, kantier ndërtimi
Qyteti verilindor i Bajram Currit i ngjan një kantieri ndërtimi. “Ka nisur puna në lotin e parë për rikonstruksionin tërësor dhe asfaltimin e bulevardit deri te Turizmi që pritet të përfundojë në fund të javës. Menjëherë do të nisë puna për lotin e dytë që shtrihet deri te spitali civil i qytetit”, – tha kryetari i bashkisë, Agron Demushi. Sipas tij, punimet kanë nisur nga firma “Geci” me një fond prej 50 milionë lekësh, akorduar nga buxheti i shtetit. Po ashtu, pritet të nisin punimet edhe për ndërtimin e unazës së re të lagjes “Partizani” që do të kryhet nga firma “Pevlaku”. Këto investime synojnë përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës turistike në rajonin verilindor që po tërheq gjithnjë e më tepër interesin e turistëve. “Është kjo arsyeja që janë përgatitur projektet për përmirësimin rrënjësor të lagjeve “Partizani” dhe “Dardania”, – thotë Demnushi.
Investimet e kryera gjatë viteve të fundit në rrethin e Tropojës kanë ndikuar në përmirësimin rrënjësor të mjedisit dhe infrastrukturës, duke mundësuar shtimin e vazhdueshëm të vizitorëve në mjedisin verilindor. Këtë e tregon edhe fakti se vetëm vitin e kaluar në rrethin e Tropojës u investuan mbi 322 milionë lekë.