Premtimet e fushatës Kryeministri: Socialistët nuk i lidh asgjë me modelin e Ramës, minatorët dalin në pension 50 vjeç

0
135

Ina Jano

BERISHAKreu i PD-së në Dibër pret nga ky qark mandatin e pestë

“Rama nuk përmend kurrë fjalën integrim, sepse i ka dyert e mbyllura në Bruksel”

 

Në javën e fundit të fushatës elektorale duket se janë lënë premtimet më të rëndësishme, por edhe ato që do të jenë thelbësore për të ndryshuar jetën e shqiptarëve gjatë katër viteve të ardhshme. Kështu, Partia Demokratike ka mbajtur dje takimet elektorale në Dibër dhe Bulqizë për të përmbyllur fushatën elektorale në këto qytete. Kreu i selisë blu, gjatë fjalës së tij në Bulqizë, ka deklaruar se mosha e minatorëve do të shkojë në 50 vjeç, duke e ulur kështu të paktën me një dhjetëvjeçar propozimin për këtë kategori. Kryeministri Berisha tha se të gjithë banorët e Bulqizës, të cilët përfitojnë të ardhura nga puna në miniera, nëse duan për këtë shtresë të ketë një trajtim më të mirë, atëherë do të duhet të votojnë alternativën e djathtë dhe Partinë Demokratike, pasi është kjo e fundit që garanton miratimin e ligjit për daljen në pension të minatorëve në moshën 50 vjeç. “Më 23 ju do të votoni për infrastrukturë moderne në Bulqizë dhe në të gjithë fshatrat e saj. Për rindërtimin e të gjitha shkollave, hapjen e shkollës profesionale, hapjen e pusit të nivelit 14. Do të votoni për rritjen e rrogës mesatare për punonjësit e administratës në 700 dollarë, rritjen e rrogës së arsimtarëve në 700 dollarë, rritjen e rrogës minimale në 350 dollarë, rritjen e pensioneve në 150 dollarë, rritjen e ndihmës ekonomike në 50 për qind, rritjen e pagesës së papunësisë me 100 për 100. Do të votoni për krijimin e qindra mijëra vendeve të punës në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë. Do të votoni për uljen me 50 vjeç të moshës së pensionit për minatorët e Bulqizës dhe të mbarë Shqipërisë. Do të votoni alternativën e zhvillimit, e punësimit, e mirëqenies e të ardhmes. Përballë saj është modeli i cili çfarë pati në dorë e bëri duke votuar kundra jush. Dy modele përballen. Modeli juaj, i mundit, i djersës, modeli ynë i përbashkët i rritjes së rrogave i rritjes së pensioneve, i Rrugës së Arbrit dhe modeli tjetër është ai që voton kundër të gjitha rritjes së rrogave, modeli që voton gjithnjë kundër buxhetit të Rrugës së Arbrit”, – nënvizoi lideri demokrat. Shefi i aleancës për mirëqenie, punësim dhe integrim foli edhe për modelin që ofron e djathta në këto zgjedhje. “Modeli ynë që bazohet në djersën e ballit, që nuk ka frikë nga ato të ardhura që krijon, sepse i ka me nder i ka me djersë. Kam 20 vjet në funksionet më të larta, jetoj në një apartament 125 metra katrorë, sepse kaq mund të blija me rrogën time, po ashtu edhe ju qytetarët e tjerë blini atë që mundeni. Kurse shoku i autobusit ndërton vilën 57 metra të gjatë, pallatin pesëkatësh dhe nuk tregon një qindarkë, me se po i ndërton. Po e them edhe njëherë, se nëse do të tregonte burimin e të ardhurave nëse do ti kishte të pastra le të ndërtonte jo një por tre vila, por kur fsheh paratë kur nuk tregon origjine n e tyre, tregon se ka frike nga pasuria e tij, ka frikë nga ligji dhe thotë pastaj se mi humbi posta. Asgjë nuk ju lidh juve socialistëve të Bulqizës, asgjë nuk lidh socialistët e Peshkopisë, socialistët shqiptarë me këtë model. Ndaj dhe le të ecim të gjithë përpara të bashkuar drejt fitores”, – pohoi kreu i mazhorancës.

Dibër

Nga Dibra kryetari demokrat pret mandatin e pestë. Në këtë qark janë disa prej pritshmërive më të larta të selisë blu dhe pikërisht, numri një i qeverisë në takimin elektoral të ditës së djeshme u shpreh se deputeti i pestë që do të ulet në Parlament është totalisht i realizueshëm. Duke shprehur besimin se një gjë e tillë është plotësisht e mundur, lideri i selisë blu, nënvizoi se të gjithë duhet të votojnë për atë alternativë që sjell investime dhe që bën përparime në jetën e shqiptarëve. “Unë i ftoj të gjithë dibranet dhe dibranët që të bashkohen me ne në 23 qershor të vazhdojmë projektin tonë të përfundimit të Rrugës së Arbrit; të vazhdojmë projektin tonë të përfundimit të ujësjellësit për qytetin, për Sopanikën dhe infrastrukturën moderne në të katër anët e rrethit; të vazhdojmë rrugën e mirëqenies për rritjen e rrogave, rrogës mesatare dhe rrogës së arsimtarëve në 700 dollarë, rrogës minimale në 350 dollarë, pensionit minimal në 150 dollarë, ndihmës ekonomike me 50 për qind. Të bashkohemi në projektin tonë për punësim dhe mirëqenie, për ulje të mëtejshme të taksave të biznesit, për krijimin e vendeve të punës, për ndërtimin në këtë qark të dhjetëra e dhjetëra hidrocentraleve që do të punësojnë mijëra e mijëra qytetarë të Dibrës. Le të ecim përpara për trefishimin e granteve për fermerët e Dibrës, vendosjen e sistemit modern të vaditjes në Maqellarë dhe në të katër anët e këtij rrethi, ndërtimin e Urës së Lushës dhe urave të tjera, shfrytëzimin e potencialeve të mëdha turistike të Korabit, të Lurës dhe zonave tjetra të mrekullueshme të rrethit tuaj, të qarkut tuaj. Dibra duhet të vijë nga ju në Parlamentin shqiptar me 5 deputetë këtë legjislaturë”, – u shpreh Kryeministri. Ky i fundit nuk la pa përmendur edhe bllokimin që Rama i ka bërë të gjitha votimeve bllokuese në lidhje me Rrugën e Arbrit dhe projektet e tjera kombëtare, por edhe projektit më gjigant atij të integrimit. “Pyeteni veten – si ka mundësi që 3 muaj nuk ka lënë sharje pa bërë, nuk ka lënë fjalë pa përdorur, por fjalën integrim evropian nuk e ka shqipëruar asnjëherë. Ai flet edhe për këmishën time, për jelekun tim, por nuk flet kurrë për integrimin tuaj në Bashkimin Evropian. Edhe kjo sepse e di që ka shkelmuar mbi këtë projekt për 3 vite rresht dhe nuk guxon ta përmendë; sepse e di që në Bruksel dhe kudo i ka dyert e mbyllura; sepse e di që është i damkosur për bllokimin që i bëri vendit të tij”, – vlerësoi kreu i qeverisë.

 

Rruga e re

Dogjani: E di unë se sa e do Rama legalizimin e ndërtimeve pa leje

Ka nisur ditën e djeshme ndërtimi i rrugës “Nënë Tereza”, Laknas-Kamëz, me një investim prej 1.5 milionë euro i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Rruga me gjatësi 3.6 km do t’u shërbejë 20 mijë banorëve dhe do të përfundojë brenda gjashtë muajsh. Zëvendëskryeministri, z. Myqerem Tafaj, tha se ky është modeli me të cilin operon Partia Demokratike, duke sjellë zhvillim dhe punësim në çdo cep të vendit. “Falënderoj Fondin Shqiptar të Zhvillimit për këtë investim prej 1.5 milionë eurosh, një rrugë e standardeve më të mira do të lidhë tani qendrën e Kamzës me qendrën e Bërxullit dhe kjo rrugë përfundon në rrugën e Rinasit”, – u shpreh ministri i Arsimit. Ndërsa ish-deputeti socialist që tashmë është pjesë e listave të demokratëve, Asllan Dogjani, i cili kandidon në zonën e Kamzës, i cilësoi deklaratat e numrit një të opozitës si gënjeshtra. “Pesë ditë para zgjedhjeve i fut një mashtrim dhe thotë që legalizimet për ata që do të kenë hall do t’ua bëjë pa lekë, ku e di ai se kush ka hall këtu, se vetë hallet i ka të zgjidhura. Mos i besoni këtij mashtrimi, se unë kam qenë atje dhe e di se sa e do legalizimin e ndërtimeve pa leje”, – nënvizoi ai. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, ka premtuar se në dy vitet e ardhshme në bashkëpunim me Kryeministrin Berisha nuk do të ketë asnjë centimetër rrugë të pashtruar në Bashkinë e Kamzës dhe zonat përreth. Ai premtoi se ndërkohë që PD-ja do të jetë në pushtet, bashkia dhe banorët e Kamzës do të kenë vëmendjen maksimale.

 

 

 

Kukës

Noka: Shpërndarja e mandateve 4-0

Kandidatët e PD-së në takimet me zgjedhësit po marrin mbështetjen e banorëve të zonës verilindore, të cilët kërkojnë fitoren 4-0, ashtu siç e ka kërkuar ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në çdo takim me elektoratin. Këtë kërkesë ua bëri të qartë zgjedhësve të lagjes nr. 3 të qytetit të Kukësit. “Vetëm në Bashkinë e Kukësit gjatë qeverisjes së PD-së janë investuar mbi 7 milionë euro dhe investime të tjera do të kryhen”, – theksoi ai. Zoti Noka u shpreh se në fakt mbështetja e demokratëve për këtë zonë vijon të mbetet në një nivel të lartë dhe për këtë u shpreh se duhet që të dalin katër mandate vetëm nga ky qark. Sipas demokratëve, një rezultat i tillë vetëm sa do të thellonte rezultatin që selia blu pretendon që të marrë në të gjithë Shqipërinë. Të njëjtën mbështetje kandidatët e PD-së morën edhe në zonën e Shëmrisë. Në fshatin Shtanë u vu theksi te situata politike mjaft e qëndrueshme. “Kjo është si rrjedhojë e punës së qeverisë “Berisha””, – tha Noka, i cili duke u ndalur te premtimet e mbajtura për Kukësin dhe fshatin, theksoi se PD vjen krenare me premtime të mbajtura. “Në çdo fshat e çdo qytet vërehet ndryshimi që ka sjellë qeverisja e PD-së. Ne duam të dalim faqebardhë për veten tonë. Ne ju premtojmë sistemimin e rrugës dhe përmirësimin e gjithë rrjetit elektrik. Po ashtu edhe kanalin e ujitjes, pasi tokat janë shumë të mira”, – tha Noka. Ai premtoi edhe zgjidhjen e disa problemeve që shqetësojnë banorët e zonës rurale. ”Ne do të çojmë rrugën e asfaltuar në çdo fshat. Çdo banor i Kukësit, Hasit dhe Tropojës e meriton interesimin e PD-së, sepse alternativa jonë është më e mirë”, – tha ai duke shtuar: “Do të ndërtojmë më shumë shkolla, ujësjellës, qendra shëndetësore, kopshte, çerdhe, pasi kjo është alternativa jonë”.