Ina Jano
Berisha: Po troket ora e ngadhënjimit moral
Mes pankartave dhe fotove të mëdha të tunelit që u përurua vetëm para pak ditësh, qytetarët e Elbasanit kishin menduar t’i shprehnin falënderimin e tyre kreut të qeverisë, Berisha, për të gjithë veprën e ndërtuar dhe lehtësitë që do të përfitojnë nga ajo. “Sali Berisha, Elbasani ju është mirënjohës për rrugën”, – ishte një prej falënderimeve që dallohej qartazi në turmën e qytetarëve elbasanas. Ndërsa Kryeministri pati një tjetër lajm të mirë për t’u dhënë atë për gazsjellësin TAP. Berisha nënvizoi se në 28 qershor merret vendimi final për këtë gazsjellës, ndërsa u shpreh se ajo do të ndryshojë totalisht jetën e shqiptarëve, pasi do t’u sigurojë atyre gaz më çmim të ulët dhe ndërkohë do të ketë gazifikim të të gjithë territorit. Në Elbasan është ora e ngadhënjimit moral dhe gjithashtu mbyllja e fushatës elektorale të demokratëve për këtë qark. “Fitorja është në dorën tuaj, ora e fitores po afron. 44 është fati, shpresa, fitorja, e ardhmja”. Kryeministri tha se fitorja e të djathtëve do të konvertohet në mirëqenie. Dyfishim pagash e pensionesh, rritja e ndihmës ekonomike, subvencionet për fermerët, shtimi i punësimit e reduktimi i taksave kanë qenë premtimet që Kryeministri u bëri qytetareve. Por në Elbasan nuk mund të linte pa përmendur edhe tunelin e ri. Duke folur për opozitën, Berisha tha se për Edi Ramën kanë filluar probleme të reja, ai do të duhet që veç të tjerave të përballet edhe me drejtësinë amerikane. “Zoti Rama, njeriu më i fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Dana Rohrabacher, ka kërkuar zyrtarisht hetim për ju për larje parash, për 80 mijë dollarë, jepu shpjegim shqiptarëve. Shpjegoju se me drejtësinë amerikane nuk bëhet shaka. Dinjiteti i shqiptarëve do të dijë të vërtetën që shtyn kongresmenin të kërkojë hetim për ty”, – u shpreh Berisha, ndërsa e akuzoi atë edhe për mosdeklarimin e të ardhurave.
Sipas Berishës, “Rama nuk ka lënë sharje pa përdorur dhe shpifje pa bërë, po s’ka përdorur fjalën integrim. I thotë shqiptarëve BE nuk është as bukë, as ujë edhe etërit do ta kishin lakmi në këtë deklaratë të tij. Përralla me mbet mos u trego shqiptarëve se e dinë çfarë është buka, uji, NATO dhe integrimi, e dinë çfarë është tregu dhe e ardhmja. Për shqiptarët BE është ëndrra më e bukur shohin të ardhmen më të shkëlqyer, i bllokove një vit s’do mundesh dot më kurrë”, – tha ai. Berisha e ftoi Ramën të bëjë publike pasurinë e tij, ndërsa përmendi edhe një herë letrën e kongresmenit amerikan për dyshime të forta, siç tha ai, për pastrim parash. “Në emër të çdo burri, gruaje, të moshuari, të reje dhe të riu duhet të deklarosh burimin e parave me të cilën po ndërton vilën 57 metra të gjatë, nuk fshihet kjo në autobus. Jemi politikanë, ligji na detyron të tregojmë çdo qindarkë të të ardhurave tona. Letra ku kërkohet të hetojë ty për larje parash. Kjo përben urgjencë, trego burimin e parave, sepse kongresmeni thotë se kjo është thyerja e ligjit amerikan, ka dyshime të mëdha për larje parash nga ana jote”, – vijoi Berisha. Më tej, Kryeministri shtoi se fitorja është në dorën tuaj, ora e fitores po afron. 44 është fati, shpresa, fitorja, e ardhmja. Rrofshi ju! Rroftë Elbasani, Shqipëria!”, – përmbylli fjalën e tij.
Qafë-Botë
Idrizi: E duam Shqipërinë të bashkuar ku e ka dhënë Zoti
PDIU nga varrezat e Kllogjerit ka marshuar drejt pikës kufitare në Qafë-Botë. Ky marshim përveçse përkujton rrugëtimin e çamëve përkon edhe me mbylljen e fushatës së PDIU-së. Nuk mund të gjenim vend më të mirë për të mbyllur fushatën tha kreu i kësaj force, i cili u zotua se çështja çame është ende e hapur dhe se PDIU do vazhdojë të punojë për zgjidhjen përfundimtare të saj. “Ne nuk mund t’i pranojmë padrejtësitë. Çështja çame mbetet e hapur deri në zgjidhjen përfundimtare, çdo ditë e vitit është e mirë për të kujtuar ata që vdiqën, ata që na thonë se amaneti nuk tretet kurrë. Ju ftoj të kujtojmë a ka kufij që mund të na ndajnë ne nga vëllezërit tanë? Ky kufi do zhvlerësohen gjithnjë e më shumë. Jemi sot për të përmbyllur fushatën elektorale të PDIU dhe nuk kishte simbolikë më të mirë se të vinim këtu nga portat ku hynë të parët tanë për të vazhduar më tej me rrugëtimin tonë drejt BE-së”, – tha Idrizi. Sipas kreut të PDIU-së në këtë fushatë kjo forcë politike ka treguar vlera pozitive ndërsa u shpreh se slogani i kësaj çamëve është një thirrje që del nga shpirti. “Kemi ardhur për ti dhënë rrugë fitores sonë të madhe. Ne e kemi parë mbështetjen që kemi marrë gjatë kësaj fushate, pasi përçojmë vlera pozitive për ti parë gjithë shqiptarët bashkë, kemi bërë zgjidhjet e duhura. Motoja jonë është një thirrje shpirti: E duam Shqipërinë të Bashkuar aty ku e ka dhënë zoti. Këto fjalë zemre na kanë frymëzuar”, – tha ai më tej.
Rruga e re
Berisha: Rama kërkon monopolet e ushqimeve për vete
Kryeministri Berisha ka përuruar dje rrugën Miras – Bilisht në qarkun e Korçës, një rrugë kjo tepër e rëndësishme dhe që do të shkurtojë distancën edhe me fshatin turistik të Dardhës. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë premtoi mbështetje të plotë për fermerët, duke kërkuar prej tyre të votojnë për të mbrojtur prodhimin dhe djersën e tyre. Ai ka akuzuar Ramën se kërkon të marrë monopolet e ushqimeve me heqjen e TVSH-së së tyre. “Me heqjen e TVSH-së për ushqimet ai do të marrë monopolet, kjo është ëndrra e tyre mbi monopolet e ushqimeve, asnjë vend nuk mund të ketë një ekonomi të qëndrueshme pa prodhim, prodhimi është alfa dhe omega e zhvillimit ekonomik, e mirëqenies, zotëria nuk mendon. Ku ka këtu një pëllëmbë tokë pa punuar, katër herë është rritur sipërfaqja e tokës së punuar këtyre viteve, ju ftoj ju fermerëve të Devollit dhe mbarë Shqipërisë, të mendoni mirë të dy politikat, pastaj të votoni”, – tha Berisha. Kryeministri ripërsëriti premtimet për rritje të rrogave dhe pensioneve dhe trefishim të granteve për fermerët. “Politika jonë është rritje rrogash 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rrogë minimale 350 dollarë, sepse qytetarët duhet të kenë fuqi blerëse dhe ne ua krijojmë këtë mundësi, votoni për të mbrojtur djersën tuaj, të prodhoni gjithnjë më shumë e jo t’u konkurrojë qumështi i lopëve me 3 euro në ditë për kokë lope, ata që hedhin farën e grurit me avion, ne u mbrojmë”, – shtoi Kryeministri.
Peqin
Imami dhe Vokshi, takim me gratë
Kryetari i grupit të punës së Partisë Demokratike, Imami, theksoi pse gratë duhet të votojnë PD-në, duke renditur arritjet e realizuara nga qeveria që sipas tij rritja e rrogave, pagave, forcon rolin e gruas në familje. Investimet në rrugë, në arsim, në shëndetësi, në të gjithë vendin por në veçanti në qarkun e Elbasanit por, qyteti i Peqinit ka qenë i privilegjuar sepse ky qytet ka një rrjet rrugor të plotësuar si vijim edhe rruga turistike nga Pajova do të realizohet këtë katër vjeçar duke ndërtuar përfundimisht rrjetin rrugor në këtë rreth, tha ai. Imami e vuri theksin gjithashtu tek fshati Pekishtit ku sot është një fshat i zhvilluar falë subvencioneve të fermerëve dhe rrugëve të ndërtuara nga qeveria. Gjatë mandatit të ardhshëm tha Imami prioritet e qeverisë do të jenë punësimi, ndërsa edhe një herë vuri në dukje fabrikën e fishekzjarreve që do të ndërtohen së shpejti në këtë qytet, ku do të rritet numri i të punësuarve me ndërtimin e tre HEC-eve në kaskadën e Devollit ku do të punësohen rreth 15000 punonjës. Urrejtja, zilia, emocionet negative që ka Edi Rama ndaj Sali Berishës nuk ndihmojnë njerëzit, dhe gratë e dinë më shumë se kushdo, sepse gratë e kuptojnë se çdo të thotë negativitet, dhe ky është Rama”, – tha ndër të tjera Imami.
Gruaja shqiptare voton më shumë Sali Berishën, sepse gruaja është boshti i familjes, siguria që jep Sali Berisha për të ardhmen e këtij vendi, për qëndrueshmërinë e ekonomisë familjare është gjëja më e rëndësishme. Rama po sjell në program taksën progresive, që do të thotë se një fabrikë nëse sot është e hapur do të mbyllet”, – përfundoi Imami. Ai ka ftuar qytetarë të Peqinit që të shkojnë në zgjedhje dhe të votojnë për PD duke shtuar se është i bindur në një fitore në qarkun e Elbasanit sepse Programi i Partisë Demokratike është zhvillimi i Shqipërisë. Në fjalën e tij, kandidati për deputet z. Sula u shpreh për rritjen e punësimit, sidomos të grave në rrethin e Peqinit. Ai e vuri theksin tek hapja e fabrikës së fishekzjarreve, por edhe një sërë investimesh të parashikuara për 4 vitet e ardhshme.