Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ akrediton mbi 8 000 vëzhgues për 23 qershorin, Osmanaj: Kujdes, rrezikojmë procesin

0
236

Florenc Drizari

kqzHysen Osmanaj: Duhet bërë kujdes që të mos pengojmë punën nga dëshira e mirë për të pasur sa më shumë vëzhgues

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar gjithsej 8.153 vëzhgues për procesin zgjedhor të 23 qershorit, ndërkohë që në ditët në vijim priten sërish akreditime të reja për monitorimin e zgjedhjeve. Në total janë akredituar 28 organizata lokale dhe 24 organizata ndërkombëtare për vëzhgimin e procesit elektoral në Shqipëri. Një numër i lartë vëzhguesish vjen nga Bashkimi Evropian nëpërmjet misioneve OSBE/ODIHR, përkatësisht me 140 vëzhgues afatgjatë dhe 424 vëzhgues afatshkurtër. Gjithashtu jo pak vëzhgues vijnë edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, me rreth 68 monitorues afatshkurtër.

Ndërkaq, numri i lartë i vëzhguesve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duket se mund të bëhet shkak për krijimin e konfuzionit mes qytetarëve në qendrat e votimit. Të paktën kështu argumentoi një ditë më parë anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, pas akreditimit të vëzhguesve nga organizatat lokale dhe përfaqësive të huaja të trupit diplomatik në Shqipëri. Sipas Osmanajt, jo të gjitha qendrat e votimit kanë hapësira të nevojshme për praninë e tyre, ndërsa tha që komisioni duhet të shohë kriteret për akreditimin e tyre, pasi sipas tij, një pjesë e organizatave dhe vëzhguesve nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor.

HYSEN OSMANAJ

“Pa diskutim që i falënderojmë të gjitha këto organizata, shoqata që shprehin dëshirën me ardhur. Është një mundim i madh dhe ne na ndihmojnë shumë, gjithashtu dhe kodi zgjedhor i jep hapësira të mëdha vëzhguesve. Njëkohësisht i përshëndesim edhe këto të shteteve të huaja, sepse kanë shpenzime dhe lodhje dhe përsëri është në ndihmën tonë.

Por duhet të bëjmë kujdes me këto që i shtojnë organizatat e vendit, sepse duhet të keni parasysh që edhe forcat politike dhe koalicionet e tyre kanë nga tre vëzhgues në qendrat e votimit, dhe mendoj që duhet bërë pak kujdes se mund të bëhet një anomali e madhe; se shoh disa nga organizatat e vendit që kanë vëzhgues, ose s’kanë asnjë element që lidhet me zgjedhjet në programin e tyre, dhe kanë vëzhgues që s’kanë marrë asnjëherë pjesë në zgjedhje. Kështu që duhet të kemi kujdes që të mos pengojmë punën nga dëshira e mirë e jona për të pasur sa më shumë vëzhgues, do kalojmë në një anomali në ditën e zgjedhjeve që mund të pengojmë edhe zgjedhësit”, – deklaroi një ditë më parë në KQZ-së, anëtari i këtij komisioni Hysen Osmanaj.

Ndërkaq, edhe pse numri i vëzhguesve pritet të rritet në ditët në vijim, ende liderët e dy partive të mëdha në vend kanë mendime të kundërta për ngërçin e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryeministri Berisha pak ditë më parë ka kërkuar rikthimin e tre anëtarëve të opozitës të dorëhequr në që muajin prill të këtij viti, ose mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare për votimin e kandidaturave të reja nga opozitës, ndërsa lideri i PS-së, Edi Rama, deklaroi një ditë më parë se KQZ është tërësisht politike dhe qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për cenimin e zgjedhjeve. Deklaratat e Ramës vijnë tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ndërkohë që përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në vendin tonë, kanë bërë vazhdimisht thirrje për funksionimin e plotë të administratës më të lartë zgjedhore, KQZ-së.

 

 

 

 

Numri i vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare

– 140 afatgjatë
– 424 afatshkurtër
– 277 përkthyes

 

Kërkesa e OSBE/ODIHR-it
–           52 vëzhgues afatgjate – akredituar
–           266 vëzhgues afatshkurtër + 2 vëzhgues afatshkurtër – akredituar
–           206 përkthyes + 48 përkthyes – akredituar

 

Numri i të akredituarve lokalë dhe ndërkombëtarë 8.153

28 – Organizatat lokale për të vëzhguar zgjedhjet për Kuvend, deri më 18.6.2013:

24 – Organizata ndërkombëtare për të vëzhguar zgjedhjet për Kuvend

Totali i organizatave lokale afatgjata dhe afatshkurtra  7.589

Totali i vëzhguesve ndërkombëtarë: 564

 

 

Presidenti Nishani takohet me Kryeministrin Netanyahu

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani u prit në një takim nga Kryeministri i Shtetit të Izraelit Benjamin Netanyahu. Presidenti Nishani u shpreh se bazuar në frymën e një miqësie tradicionale dhe të fortë ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona dhe duke marrë parasysh mundësitë që ofron tashmë vendi ynë, ka ende shumë hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Kryeministri Netanyahu, pasi u dakordua me vlerësimin e Presidentit Nishani, vuri në dukje se Izraeli mund të jetë shumë i pranishëm me investime, veçanërisht në turizëm dhe bujqësi dhe theksoi se bashkëpunimi mes vendeve tona mund të shtrihet në ekonomi, kulturë, e deri në fushën e sigurisë. Në përgjigje të interesimit të bashkëbiseduesit të tij, Presidenti Nishani u shpreh se Ballkani ka hapur një kapitull të ri dhe mund të konsiderohet tashmë rajon i mundësive të mëdha dhe shtoi se shqiptarët, me tolerancën e mirëkuptimin e tyre, kanë dhënë një shembull të shkëlqyer për rajonin dhe më gjerë, si edhe kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri Netanyahu e vlerësoi situatën në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si shumë të brishtë nga pikëpamja e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa çmoi lart qëndrimet e Shqipërisë për zhvillimet në këtë rajon. Në përgjigje, Kreu i Shtetit Nishani e garantoi Kryeministrin Izraelit Netanyahu se ky qëndrim do të mbetet i pandryshueshëm, sepse bazohet mbi parime të shëndosha dhe vlerësime objektive për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

 

Eduard Kukan: KQZ është problem, nëse nuk plotësohet, minus i madh për vendin

Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian që do të ndjeke nga afër zgjedhjet në Shqipëri, Eduard Kukan, tha se një çështje duhet te zgjidhet, sipas tij, është plotësimi i vendeve bosh në KQZ.

Sipas eurodeputetit mandati i delegacionit është përcaktuar nga konferenca e presidentëve të grupeve politike në Parlamentin Evropian dhe ky është një delegacion ad hoc që do jetë në Tiranë për zgjedhjet. Ne nuk do jemi vëzhgues të mirëfilltë në Shqipëri, nuk do shkojmë nëpër qendra të ndryshme votimi në vend, apo të bëjmë deklarata për vlerësimin e zgjedhjeve – tha ai, por delegacioni. Do të jetë aty për të parë atmosferën e zgjedhjeve dhe do të takohemi me përfaqësues të ndryshëm politikë për të treguar mbështetjen e Parlamentit Evropian për rëndësinë e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe për avancimin e vendit në integrimin evropian. “Ne do të mbërrijmë të premten në darkë në Tiranë dhe takohemi me, shumë përfaqësues politikë si presidenti i Shqipërisë, apo kryetarja e Kuvendit. Formati i takimit në Kuvend është interesant dhe inkurajues, sepse aty do të jetë prezent edhe zoti Beja por edhe zoti Bushati, pra përfaqësues edhe nga mazhoranca dhe nga opozita. Ne do takohemi me vëzhguesit e huaj. OSBE/ODIHR, Këshilli i Evropës, ambasadorët e shteteve anëtare dhe me OJQ-të. Takimi me kryeministrin, e vendit është konfirmuar gjithashtu, por shpresojmë që të takojmë edhe liderin e opozitës”, – deklaroi Kukan. Sipas tij, në deklaratën e Stefan Fûle dhe Catherine Ashton, apo në deklaratën e ambasadorit amerikan, thuhet qartë, se KQZ është një problem. “U bëj thirrje liderëve politikë në Shqipëri që të gjejnë konsensusin për KQZ)-në. Jemi të ndërgjegjshëm që koha po kalon dhe e di që është një çështje e komplikuar, sepse nevojitet që Parlamenti të votojë anëtarët e KQZ-së nëse ata kthehen në Komision. Por edhe nëse kjo ndodh në orët e fundit dhe minutat e fundit, të gjithë do të vlerësojnë këtë. Nëse kjo s’ndodh, siç e thatë dhe në pyetjen tuaj, mund të krijohen kushtet për të venë në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve. Kjo pasi KQZ-ja nuk mund të marrë ato vendime, ku kërkohet shumicë e cilësuar. Edhe OSBE e ka shprehur qartë këtë në raportin e saj. Nëse kjo s’bëhet, do të jetë një minus i panevojshëm për vendin Sado paqësore dhe të ndershme që mund të jenë zgjedhjet, do të ketë kritika pikërisht për funksionimin e KQZ-së. Ndaj e theksoj, se është shumë e rëndësishme për të dyja palët që të evitojnë këtë pikë negative për KQZ”, – deklaroi Eduard Kukan në një intervistë për “ABC News”.

“Nëse kjo s’bëhet, do të jetë një minus i panevojshëm për vendin Sado paqësore dhe të ndershme që mund të jenë zgjedhjet, do të ketë kritika pikërisht për funksionimin e KQZ-së”.