Kongresmeni amerikan kërkon hetim Berisha, Ramës: Deklaro paratë për foton me Obamën dhe vilën 600 mijë euro

0
138

Ina Jano

berisha-ne-fierZgjidhni PD-në për të vijuar me zhvillimin dhe jo rrënimin e PS-së

 

 

Me një miting madhështor në sheshin përpara teatrit të qytetit, Partia Demokratike ka mbyllur fushatën elektorale në Korçë. Mijëra qytetarë kishin pushtuar sheshin, duke bërë edhe diferencën e madhe mes takimit elektoral të PS-së të zhvilluar vetëm përpara disa ditësh po në këtë qytet. Nga juglindja, kreu i qeverisë, duke iu referuar deklaratës së kongresmenit amerikan për hetim të zotit Rama, tha se kryesocialisti duhet të japë llogari për paratë e shpenzuara për foton e bërë më Presidentin Obama, ndërsa nuk la pa përmendur edhe ndërtimin më të fundit të shefit të opozitës, vilën e tij që është duke u ngritur në rrethinat e Tiranës. “Lakon emrin tim, ta bëjë qindra e mijëra herë, por vetëm dy gjëra do t’i kërkoj, jo si Kryeministër, por si qytetar. Zoti Rama, njeriu më i fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Dana Rohrabacher, ka kërkuar zyrtarisht hetim për ju për larje parash, për 80 mijë dollarë, jepu shpjegim shqiptarëve! Shpjegoju se me drejtësinë amerikane nuk bëhet shaka. Dinjiteti i shqiptarëve do të dijë të vërtetën që shtyn kongresmenin të kërkojë hetim për ty”, – u shpreh Berisha. Akuzat e Kryeministrit vijuan më tej me mosdeklarimin e të ardhurave nga kreu i PS-së, Rama. “Sali Berisha ka 20 vite rrogëtar në politikë, me të gjitha kursimet e tij ka arritur që një apartament 83 metra katror ta zëvendësojë me një 125 metra katrorë dhe kjo më mjafton, por edhe po të mos mjaftonte, kaq ishin paratë e mia. Ti po ndërton një vilë 57 metra të gjatë, një pallat tjetër ke në pajë, s’ke deklaruar asnjë gjë nga vijnë paratë që ndërton vilën 600 mijë euro. Je i detyruar të tregosh të ardhurat para shqiptarëve”, – tha ai. Duke vijuar në këtë linjë, shefi i mazhorancës tha se e vetmja gjë që premton Rama është rrënimi. “Kryetari i autobusit mavi vjen në këto sheshe dhe thotë fjalën “rrënim”. Shqipton fjalën “gjysh” e “katragjysh”, por nuk shqipton një herë të vetme fjalën “rrogë”, “pension” dhe “ndihmë ekonomike” për të papunët”, – theksoi Berisha

 

Alternativa e PD-së

“Fitorja e 23 qershorit është fitorja e përpjekjes sonë për mirëqenie më të madhe. Në mandatin e ardhshëm do rriten rrogat për korçarët dhe shqiptarët. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 700 dollarë dhe minimale nën 300 dollarë. Rrogat e sektorit publik do të rriten 75 për qind, por mirëqenien më të madhe do ta bazojmë tek punësimi masiv i korçarëve dhe i shqiptarëve”, – deklaroi Berisha. Lideri i selisë blu i ftoi të gjithë korçarët që të votojnë për alternativën e djathtë dhe për të përqafuar planin e tyre për zhvillim, mirëqenie dhe integrim. Ai tha se e diela duhet të shndërrohet në një ditë feste. Duke iu drejtuar korçarëve, Berisha u shpreh: “Këtu më shumë se në çdo vend tjetër u ndal tek rrënimi i tij imagjinar. Mos e merrni për fyerje, ju nuk ka njeri që ju fyen, merreni si një shprehje të xhamave të zinj të autobusit mavi. Ju jeni njerëz të ndërtimit, bizneseve, fermave. Nder të madh për ju. Vajza dhe djem të Korçës, pyeteni veten çfarë ka ofruar në 3 muaj rresht për ju pasagjeri, thjesht që do mbyllë dyert e universiteteve. Kjo s’do ndodhe kurrë. 23 qershori pra është dita e ëndrrës suaj, e vizionit tuaj për Korçën dhe Shqipërinë”. Por edhe premtime të tjera pati Kryeministri për të bërë për të gjithë qytetarët e vendit dhe veçanërisht për ata të zonës juglindore të cilëve ju drejtua me këto fjalë:Por mirëqenien më të madhe, gratë dhe burrat e Korçës, vajzat dhe djemtë e saj dhe të mbarë Shqipërisë do ta bazojnë tek punësimi masiv i korçarëve, punësimi masiv i shqiptarëve, punësimi me uljen e taksave, dyfishimin e bizneseve, projekteve të mëdha Kaskadës së Devollit, gazsjellësit transadriatik, dhe projekteve të tjera gjigante, punësimi me lulëzimin e bizneseve në çdo rrugë dhe rrugicë të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë, punësimin me trefishimin e granteve për fermerët e Korçës dhe të mbarë Shqipërisë, me pagesën me para në dorë të akcizës së naftës, pagesën e TVSH për makineritë, farat, fidanët dhe çdo gjë që përdorni për prodhimin e tyre. Punësimi me dyfishimin e turizmit në Korçën perlën e turizmit të Shqipërisë, punësimin në lartësimin e Shqipërisë vend lider në teknologjinë e informacionit. Rinia korçare, rinia shqiptarë do të udhëheqë Shqipërinë drejt niveleve më të larta. Vota juaj, vota e fitores së 23 qershorit do të jetë votë për zhvillimin e dijes, shkencave, progresit. Unë ju garantoj ju se Universiteti i i Korçës, shkolla e  Korçës do të arrijnë nivelet më të larta, shërbimi shëndetësor do të arrijë cilësitë më të larta”, – përfundoi ai.

 

Noka, LSI-së: Hiqni dorë nga blerja e votës

Ministri i Brendshëm Flamur Noka, kryesuesi i listës për Kukësin, i ka bërë thirrje dje LSI-së që të heqë dorë nga blerja e votës, pasi në të kundërt do të përballet me ligjin. Strukturat e Policisë së Shtetit janë të vendosura për të garantuar zgjedhje të lira. Kështu u është përgjigjur akuzave të LSI-së për ushtrim terrori ndaj përfaqësuesve të saj në qarkun e Kukësit kreu i Ministrisë së Brendshme, Flamur Noka. Nga fshati Golaj i rrethit të Hasit, Noka i bëri me dije LSI-së se kushdo që do tentojë të prishë lirinë e votës, do të përballet me forcën e ligjit. “Ligji ndalon çdo formë shantazhi apo trafikimi të votës së qytetarëve. Strukturat e Policisë së Shtetit janë të vendosura për të garantuar zgjedhjet e lira. Kushdo që do tentojë të prishë lirinë e votës, do të përballet me forcën e ligjit. LSI duhet ta dijë që marrja e votave me blerje dhe devijime do mbetet një ëndërr e prishur”, – tha ai. Shefi i MB, kryesues i listës së demokratëve për deputet në qarkun e Kukësit, i bëri thirrje LSI-së të ndërpresë tentativat kriminale për blerje të votës, përndryshe do përballet me ligjin. “Kuksianët, hasjanët dhe tropojanët nuk i kanë blerë dhe nënshtruar as hordhitë serbe e as diktatura. Kuksianët, hasjanët dhe tropojanët nuk mund t’i blejë dhe as nënshtrojë trafikanti kandidat i LSI-së. I bëj thirrje LSI-së të ndërpresë këto tentativa kriminale, përndryshe do përballet me ligjin”, – përfundoi Noka. Më herët nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, në një konferencë për shtyp, denoncoi ato të cilat i cilësoi si raste terrori në Kukës ndaj përfaqësuesve të saj në këtë qark, duke akuzuar direkt ministrin e Brendshëm Flamur Noka.

 

 

Zëmblak

Nisin punimet për nënstacionin elektrik

Ditën e djeshme kanë nisur punimet e nënstacionit të Zëmblakut. “Ndërtimi i asaj që quhet Unaza e Jugut apo Autostrada Energjetike e Jugut, është i një rëndësie kapitale për t’iu përgjigjur në mënyrën më të shpejtë e të mirë, kërkesave të mëdha të zhvillimit të shpejtë të zonës jugore të vendit, për shkak të bumit të pakrahasueshëm turistik, të iniciativës së lirë të qytetarëve të këtyre zonave, të resurseve të jashtëzakonshme energjetike që kanë lumenjtë e zonave të Jugut dhe që janë për t’u zhvilluar”, – tha Berisha. Kryeministri premtoi ndërtimin e veprave të mëdha energjetike gjatë viteve të ardhshme. “Ritmet e Shqipërisë janë shumë premtuese. Shqipëria i rezistoi krizës dhe kjo konfirmohet çdo ditë e më shumë. Edhe dje u deklarua se ekonomia shqiptare i rezistoi fuqishëm krizës. Edhe dje u konfirmua përsëri nga Banka Botërore, pas Komisionit Evropian dhe Bankës së Shqipërisë, se papunësia u ul nga 13.3 në 12.8 për qind dhe u ul në vitin kur ajo njohu ritmet më të larta në të gjitha vendet e tjera përreth nesh e më gjerë. Që të ketë rritje ekonomike duhet të ketë me çdo kusht mbështetje të fuqishme energjetike. Energjia është vendimtare në mbështetjen e rritjes ekonomike. Ajo ndodh kudo dhe kudo sot, fatmirësisht qytetarët nuk ankohen më për ndërprerje absurde dritash, që ishte një politikë penalizimi kolektiv i qytetarëve shqiptarë, për interesa strikt shtetërore. Sot nuk ankohet kush më. Ankesa e sotme është se e duan atë me cilësi më të mirë, e duan tek stalla, e duan tek fabrika, tek njësia e prodhimit, e duan kudo në çdo skaj dhe ne këtë po bëjmë”, – tha shefi i mazhorancës. Kreu i qeverisë sulmoi sërish Ramën për deklaratat e tij për kontrollin e koncesioneve. “Cila është rruga tjetër? Komision i jashtëzakonshëm për kontrollin e koncesioneve, i kryesuar nga gjobëvënësi kryesor i vendit, Koço Kokëdhima. Kjo ishte alternativa që u premtua këtu në Korçë dhe pasi korçarët i thanë se me këtë alternativë nuk kemi punë, doli u tha gazetarëve me tërbim se do të kontroll me një komision të jashtëzakonshëm gjithçka të jashtëzakonshme. Tek vija këtu, një burrë i moshuar më tha: çka ai me vitet e njerëzve, përse mendon të ofendojë njerëzit për vitet e tyre. Përgjigjja ime ishte se është rritur në bunkerin e bllokut. Nuk ka shpjegim tjetër. Por le ta lëmë në edukatën e tij, ne të vazhdojmë punën. Kemi shumë punë për të bërë, shumë vepra për të ndërtuar. Ne kemi për të transformuar më tej Shqipërinë, për një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri evropiane”, – tha Kryeministri.