Nga Xhevat Mustafa
PS-ja dhe “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ia kaluan PD-së dhe Sali Berishës për fantazinë apo mungesën e sinqeritetit për t’u vetëreklamuar si alternativa që mund të bëjë mrekullinë apo të pamundurën, “Rilindjen” e Shqipërisë dhe të shqiptarëve si dhe evropianizimin e tyre, kur dihet se ka vite që e ka bllokuar me qëndrime dhe vota marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar në BE. Pritej dhe ndodhi që Rama si piktor me prirje “moderniste” do të gjente edhe për këtë fushatë logo, slogane, parulla, spote, që do të shquheshin për fantazi të shthurur apo krejt nudo. Ai i befasoi së pari shumicën e bashkëpunëtorëve të tij dhe pastaj thuajse të gjithë shqiptarët, kur huazoi nga rreth 130 vjet më parë konceptin dhe termin “Rilindje”. Me këtë ai ka fyer, së pari, atë periudhë të lavdishme dhe përfaqësuesit e saj të denjë. Ai guxoi të mendonte të vetëquhej dhe vetëthirrej “Rilindas”, kur, me filozofinë, mentalitetin, prirjet, qëndrimet, praktikat që ka paraqitur deri më sot, ka treguar se është larg tyre si Vermoshi me Konispolin apo pak më afër si Himara me Kolonjën.
Së dyti, ai ka fyer Shqipërinë e tanishme dhe shqiptarët e sotëm. Vetë shqiptarët, qofshin në vend apo nëpër botë, janë të bindur se gjatë këtyre 22 viteve Demokraci dhe të ekonomisë së tregut Shqipëria ka realizuar një transformim rrënjësor, një rilindje të vërtetë, duke dalë çuditërisht e gjallë dhe me forca të përtëritura nga ferri i komunizmit të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Shefqet Peçit, Spiro Kolekës, Kristaq Ramës… në brigjet e një sistemi, vërtetë jo perfekt e pa të meta, por, gjithsesi me avantazhe të shumanshme dhe të padiskutueshme. Nga ana tjetër, të gjithë personalitetet e huaj, shtetarë, qeveritarë e politikanë të lartë, drejtues të lartë institucionesh ndërkombëtare, shkrimtarë e artistë të shquar, e tj, pas vizitave të tyre në Shqipërinë e periudhës 1992-2013, janë shprehur të surprizuar dhe me superlativa për ndryshimet e mëdha në vend, sidomos gjatë periudhës pas vitit 2000, për sukseset në fushat e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, infrastrukturor, turistik, arsimor, shëndetësor, të integrimit rajonal dhe më gjerë, të lirive dhe të drejtave të njeriut, etj. Vetëkuptohet se merita për to është e të dy palëve, pra e të dy krahëve të politikës shqiptare, që kanë qeverisur vendin. Pra, për miqtë ndërkombëtarë ka ndodhur realisht rilindja e Shqipërisë së para vitit 1990 dhe sfida të së ardhshmes për shqiptarët tani janë vazhdimi me ritme më të shpejtuara dhe më me kulturë konsensusi, marrëveshjeje dhe bashkëpunimi i proceseve, reformave dhe projekteve të nisura apo që do të merren më vonë.
Emërtimi i koalicionit të së djathtës “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” i shoqëruar me apelin “përpara!”, duket më tokësor, më jetësor, më përditësues, më konkret, më ngacmues dhe më i besueshëm. Ai përmban tri sfida dhe tri çështje tejet të rëndësishme dhe jetike për të gjithë shoqërinë shqiptare, pra, për qytetarët e djathtë, të majtë, të qendrës, të paparti apo të shoqërisë civile. Njëkohësisht bën thirrje që të bashkohen të gjithë për t’i përballuar dhe kapërcyer sa më shpejt dhe me sa më pak dhimbje sociale, individuale dhe familjare si dhe të ecin përpara drejt arritjeve të reja, më të mëdha në çdo fushë, për të hequr Shqipërinë nga grupi i vendeve në zhvillim e për ta renditur në grupin e vendeve të zhvilluara.
Për t’i bërë qefin opozitës, duke i marrë edhe me firo shifrat e INSTAT-it, të Censusit dhe të Bankës Kombëtare, përsëri rreth 8.000 kilometrat si autostrada dhe rrugë rurale; dyfishimi i pagave dhe pensioneve në krahasim me periudhën 1997-2005; përfitimi i rreth 2 miliardë eurove nga ulja e ndjeshme e nivelit të evazionit fiskal gjatë periudhës 2005-2009; anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave me vendet e BE-së; rreth 4 milionë turistët që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2012; investimet e huaja direkte në 744.8 milionë euro po për vitin 2012, në periudhë krize botërore dhe fare afër vendit tonë, në Greqi dhe Itali, janë fakte dhe shifra që flasin shumë vetë. Po kështu, përfundimi në pjesën më të madhe i autostradave Durrës-Kukës-Morinë, Fier-Vlorë dhe Tiranë-Elbasan, furnizimi me energji elektrike për 24 orë, përgjithësisht pa ndërprerje shumë orësh siç ndodhte deri më 2006 dhe përmirësimi i ndjeshëm i furnizimit me ujë të pijshëm në shumicën e qyteteve dhe të fshatrave; 12-fishimi i nivelit të shtrirjes së internetit, zgjerimi i dixhitalizimit etj., etj., janë arritje që nuk mbulohen, zvogëlohen dhe më pak, të mohohen apo shumëzohen me zero, siç bën Edi Rama kur flet për “rrënim” dhe “ferr” berishian në Shqipërinë e këtyre viteve.
Po kështu, nga ana e PD-së dhe e mazhorancës nuk mund të thuhet dhe realisht nuk është thënë as gjatë fushatës elektorale se gjatë dy mandateve qeverisëse të saj, më 2005-2013, është bërë gjithçka ashtu siç duhej, në nivel cilësor, jetësor, mirëqenieje, në afat kohor, me transparencë dhe nivel korrupsioni zero etj. Përkundrazi, është pranuar se për mandatin e tretë, natyrisht nëse fiton më 23 qershor, sfida dhe objektiva parësore do të jenë ato që kanë të bëjnë me shqetësimet e jetës së përditshme të qytetarëve, si ulja e nivelit të papunësisë, varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit, përmirësimi i shërbimit shëndetësor, social-kulturor, etj.
Megjithatë, edhe gjatë kësaj fushate u ndje apo u kuptua se vazhdoi ajo që është karakteristike në përrallat e lashtësisë: lufta midis të mirës dhe të keqes, me fundin e lumtur, fitoren e së mirës, por tek ne, për rreth gjysmën e popullit, të ndarë sipas flamurëve dhe orientimeve partiake. Kjo vetëm na pengon dhe dëmton, sepse acaron artificialisht raportet sociale, nuk lejon kultivimin dhe zhvillimin normal të frymës dhe traditës së konsensusit, kompromisit dhe bashkëpunimit, një mangësi që nuk na ka lejuar për 3 vjet të merrnim statusin e vendit kandidat për anëtar në BE dhe që u ngjirën duke na e vënë në dukje sinqerisht miqtë e vërtetë ndërkombëtarë. Si rrjedhojë, na nuk na nderon as në rajon dhe as para botës demokratike, ku prej shumë dekadash është harruar mendësia e shikimit të kundërshtarit si armik dhe si simbol i së keqes. Siç dihet, në SHBA, në vendet evropiane-perëndimore dhe qendrore të BE-së etj., fushatat zgjedhore janë përballje e konkurrim mes dy alternativash të mira, me hapësirën dhe mundësinë për qytetarët që të votojnë për atë që gjykojnë më të mirën për një apo disa mandate, për një periudhë kohore të caktuar.
Shqipëria e sotme ka nevojë jo për “rilindje”, por për korrigjime të disa gabimeve. rishikime të disa vendimeve dhe ligjeve, për përmirësim të disa punëve, që përcaktohen si të domosdoshme nga forume, komisione, analiza, debate ekspertësh përgjithësisht jo partiakë.
Nëse do të pranohej të flitej për “rilindje” të Shqipërisë, mund të merrej në konsideratë ideja apo mundësia e realizimit të Rilindjes që kishin aspiratë dhe objektiv sublim ideatorët dhe flamurtarët e saj para 130 vjetësh dhe më 28 nëntor 1912. Pra, rikthimi në Shqipërinë e parë apo etnike, të cilën nuk e ka ndërmend as Edi Rama dhe as nuk e mbështet tani dhe nuk dihet se deri kur, as bashkësia dhe koniunktura ndërkombëtare.
Ne kemi nevojë të ecim përpara, me hapa të përshpejtuar për të demokratizuar dhe evropianizuar në kuptimin e mirëfilltë të fjalëve klasën politike, ekipet qeverisëse, administratën, gjithë shoqërinë. Pra, “rilindje” nuk mund të këtë e nuk ka përse të presim. Në këto kushte na mbetet vetëm alternativa t’i zhvillojmë zgjedhjet e 23 qershorit dhe ta pranojmë rezultatin siç na këshillojnë me dashamirësi miqtë e sinqertë ndërkombëtarë, të shikojmë dhe ecim përpara si evropianë të vërtetë.