Problemi i rinisë është më se serioz. Dukuritë negative që po e prekin atë kanë të bëjnë me shpirtin e saj, me moralin, politikën dhe fenë. Rinisë i duhet folur!
Së këndejmi, jemi dëshmitarë të një guximi me tendenca radikale për shkëputje nga traditat fetare dhe kombëtare. Rinia po anashkalon atë që ishte jona me shekuj dhe i është qasur lëkundjes së autoritetit të thesarit të së kaluarës; është rebeluar gati kundër gjithçkaje; po prek vlerat dhe autoritetin e traditës, shoqërisë, moralit, e mbase edhe fesë. Shpresëdhënëse janë tendencat për zbehje të kësaj furtune, ani pse me një ritëm të ngadalshëm.
Revolta rinore dhe ky ndryshim kaq i madh që po ndodh, duhet ta ketë një arsye. Problemin e rinisë nuk mund ta izolojmë e as ta studiojmë ndaras dhe të pavarur nga shoqëria. Rinia është pjesë e shoqërisë. Mënyra e jetës së saj, ose është kopje e prindërve, familjes dhe rrethit, ose është revoltë dhe rebelim kundër gjithë këtyre.
Sjellja e bijve dhe bijave tona ndaj të cilëve po veprojmë në mënyrë hipokrite, kinse po dergjemi për ta, nuk guxon të gjykohet si devijim nga normat e shoqërisë. Këtu duhet nisur nga vetvetja dhe të pyesim: A meritojmë të jemi shembull për rininë? Përse i riu nuk merr për model babanë, dhe përse e reja nuk respekton autoritetin e së ëmës? Përse nuk pëlqehet mënyra e jetesës së prindërve?
Meqë edhe prindërit po përjetojnë kriza shpirtërore, në praktikë, ndikimi i tyre është shumë i vogël. Respekti për familjen, bashkëshorten, motrën dhe vëllain vazhdimisht po bie. Feja e praktikuar nga prindërit ka mbetur vetëm formalitet dhe më nuk po ndikon tek rinia. Besimi në Zot i prindërve, i kufizuar në deklarime gojore pa praktikë, po tregohet i pafuqishëm karshi dinamikave të jetës moderne të rinisë. Mes gjeneratave është krijuar një vakuum i cili edhe më tutje është duke u thelluar.
Te një pjesë e rinisë turpi po venitet, nderi është reduktuar, nuk ka mjaft dinjitet, ndërsa ndërgjegjja ka mbetur vetëm si fjalë. Respektimi i autoritetit të traditës ka rënë aq sa gjithkund shohim gjëra të reja që s’i kemi pasur: në xhami, në shkollë dhe në rrugë. Imagjinata e çuditshme po mjegullon vizionin e rinisë për të ardhmen e saj.
Në një atmosferë ku prindi, feja dhe tradita kanë fare pak ndikim, hipererotizmi, alkooli narkomania dhe ngecja në mësime janë bërë përditshmëri e jetës së rinisë. Ajo më tepër po udhëhiqet nga instinkti dhe epshi, sesa nga arsyeja e shëndoshë. Ka diçka të pakuptueshme. Përndryshe, si mund të shpjegohet dukuria e mungesës së turpit në jetën intime të rinisë. Nuk janë të rralla skenat në rrugë pa fije turpi. Sot, kur shoqëria jonë po ballafaqohet me ato skena amoraliteti, disa njerëz me peshë nuk hezitojnë të deklarohen çuditshëm.
Sa cinike tingëllon fjala e politikaneve kinse në mbrojtje të femrës, karshi mjerimit të nënës, motrës, bashkëshortes dhe bijës shqiptare. E lënë pa arsim të mirëfilltë, pa punë, me pamundësi edukimi të fëmijëve, pa platformë morale për edukimin e vajzës së saj dhe pa kushte elementare të jetës, nëna dhe motra kosovare është në gjendje të rëndë. I biri i nënës shqiptare bredh i papunë, i ndaluar të udhëtojë i lirë në botë dhe me vite shpreson në ndonjë “metelik” vize për të ikur prej shtëpisë drejt Perëndimit. Shpëtimin e gjen në ëndrrën e rrejshme që i kemi sjellë në gjumë, sepse nuk i kemi treguar që jeta e mirë nuk lind domosdo aty ku perëndon të jetuarit si shqiptar me traditën dhe fenë që ka.
Fenomeni i ligësive do zgjidhje të shpejt. Shpesh ndodh që shfrenimet e rinisë të cilësohen si vepra të avancuara, ndërsa vajzat dhe djemtë që refuzojnë alkoolin dhe jetën e shfrenuar konsiderohen të prapambetur dhe reaksionarë. Nxënëset e reja me veshje gjysmë lakuriqe në mbrëmje të maturës, fenomen i çoroditur që s’e ka bota, po vë nën hije të tjerat me virtyte të larta morale dhe fetare.
Profili aktual i rinisë shqiptare ka nevojë për ndërhyrje serioze, për ligjërata të kapshme dhe për mësime të mirëfillta fetare. Në vizionin tonë që kishim botuar në Buletinin e KBI-së në Gjilan me idenë për funksionalizimin më të mirë të Bashkësisë Islame, përveç tjerash, ne patëm shtruar domosdonë e metodave të reja dhe efikase të ligjërimit nëpër xhamitë e Kosovës. Atje ende ligjërohet me vokabularin e një shekulli më parë dhe ç’është më e keqja, rinisë i drejtohemi me gjuhën që nuk e kupton dhe ka të drejtë të mos e kuptojë.
Rinisë i duhet folur kuptueshëm e jo vetëm sa për t’u thënë diçka. Kërkesa për shtimin në numër të përkrahësve duhet të zëvendësohet me përpjekjen për kualitete të rinisë. Nëpër xhamitë tona duhet të ligjërohet logjikshëm, butësisht dhe pa asnjë fyerje. Në epokën e kibernetikës, ligjërimi komfor nevojave dhe aspiratave të rinisë është më se i domosdoshëm. Feja mund të ndihmojë shumë, por ajo duhet të shpjegohet pa kërcënime të vazhdueshme me zjarr xhehenemi e as me vetëm shpresa për shpërblime në parajsë. Ato dyja islami i kushtëzon me veprimtaritë tona në këtë botë.
Tek çështja e moralit, feja mund të japë kontribut të pashoq për çka njeriu domosdo i është falënderues, sepse ajo që në njeriun është fisnike dhe që tingëllon madhërishëm, është fryt edhe i fesë. Mjafton që ligjëruesit fetarë të dinë si ta shpjegojmë atë, sidomos nëpër xhamitë tona. /telegraf/