Elton Qyno
Lulzim Hadaj ka qëlluar në mesnatë Irma Hadajn. Krimi i rëndë, në sy të dy fëmijëve të mitur
“Nuk më intereson se do të shkojë në burg, unë të vras”. Kjo ka qenë fjalia e fundit e thënë nga shtetasi shqiptar Lulzim Hadaj, i cili më pas ka masakruar gruan e tij me thikë në sy të fëmijëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Itali, ku familja e emigrantëve shqiptarë kishte disa vite që jetonte në këtë shtet. Si pasojë e vështirësive ekonomike burrë e grua kanë pasur zënka të vazhdueshme, ku disa herë Hadaj ka ushtruar dhunë fizike mbi të gruan e tij e cila në pamundësi për tu mbrojtur, ka vendosur ta denoncojë disa herë në polici bashkëshortin e saj. Madje për akuzën e dhunës në familje 36-vjeçari ishte dënuar një herë nga gjykata Italiane, dënim ky që nuk ka sjellë disiplinimin e tij. Pas krimit të rëndë ka qenë një shtetas Italian ai që ka njoftuar policinë, ndërkohë që karabinierët kanë kryer arrestimin e Lulzim Hadaj, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se shkak i konfliktit që u mbyll me vrasjen e gruas së tij, ishin kushtet e vështira ekonomike si dhe xhelozia e herë pas hershme e tij ndaj gruas.
I preu fytin
Lulzim Hadaj i ka prerë fytin me thikën e kuzhinës gruas së tij. Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes në San Xhovani të Natisones, provincë kjo në Udine të Italisë. Hadaj qëlloi për vdekje gruan Irma Hadaj, pasi dyshonte se kjo e fundit e tradhtonte. Në vitin 2012, 36-vjeçari kishte qenë i dënuar për keqtrajtim të anëtarëve të familjes së tij ndërsa aktet e dhunës ishin regjistruar nga viti 2003 deri në vitin 2010. Por pavarësisht denoncimit të bërë nga bashkëshortja e tij, vite më parë, kjo nuk e ka penguar emigrantin shqiptar ta godasë disa herë me thikë 33-vjeçaren Irma Hadaj. “Nuk më intereson se shkoj në burg, unë të vras, të vras…”, – mësohet të ketë thirrur Hadaj para se të qëllonte për vdekje gruan e tij. Sipas mediave italiane, krimi ka ndodhur përpara syve të dy vajzave të tyre të vogla 8 dhe 10 vjeç. Ka qenë fqinji i tyre italian, i cili ka dëgjuar ulërimat e 33-vjeçares dhe që ka denoncuar ngjarjen e rëndë në polici. Dyshohet se 36-vjeçari e ka kryer krimin për motive xhelozie megjithatë policia italiane është duke hetuar rrethanat e krimit për të zbardhur detajet e ngjarjes së rëndë. Bashkëshorti vrasës është arrestuar nga policia italiane.
Krimi në kuzhinë
Drama familjare është konsumuar në kuzhinë, nën sytë e dy fëmijëve të mitur. Vajza më e madhe 10-vjeçare, e frikësuar, duket se ka dalë jashtë nga shtëpia për ndihmë, duke arritur në derën e një fqinji italian, duke i kërkuar atij ndihmë. Ky i fundit ka njoftuar menjëherë policinë rajonale ndërkohë që ka telefonuar nr. 118, dukë kërkuar ndihmën e stafit mjekësor. Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje një ambulancë, por nuk kanë bërë thuajse asnjë gjë, pasi 33-vjeçarja kishte humbur jetën si rezultat i prerjes së fytit. Gjatë ditës së djeshme, trupi i të ndjerës i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore ndërkohë që pritët që në ditët në vijim, arkivoli me trupin e pajetë të përcillet në drejtim të Shqipërisë, ku Irma Hadajt do t’i kryhet ceremonia e varrimit nga familjarët.
Arratisja
Ikën nga komisariati i arrestuari për vjedhje
Një i shoqëruar në dhomat e paraburgimit në komisariatin nr. 1 në Tiranë është arratisur. Orges Milo ishte shoqëruar për vjedhje në komisariat, teksa bëhet e ditur se është hedhur nga dritarja e katit të dytë. Policia është vënë në ndjekje të tij. sipas burimeve të policisë dritarja ka qenë e hapur për shkak të vapës së krijuar nga temperaturat e larta. Mirëpo nga kjo pakujdesi ka përfituar i arrestuari për vjedhje i cili është hedhur nga kati i dytë dhe më pas është larguar nga ambientet e komisariatit duke mos arritur të ndalet nga asnjë efektiv policie. Kaq ka mjaftuar që shumë forca polici të vihen në ndjekje të tij, ndërkohë që siç mësohet nga ana e drejtuesit të këtij komisariati janë marrë masa administrative ndaj efektivëve të policisë, që kanë pasur në dorëzim për ruajtje personin e shoqëruar.
25-vjeçari
Durrës, mbytet në det punonjësi i peshkimit
Një person ka humbur jetën dje në Durrës, pasi është mbytur teksa po lahej në det. Sipas burimeve policore, ai është 25-vjeçari Millan Sinjari, punonjës në portin e ri të peshkimit. I riu ishte futur për t’u freskuar në ujërat e Adriatikut, por më pas është zhdukur. Ishin kolegët e tij ata që lajmëruan policinë dhe u desh ndërhyrja e polumbarëve për të nxjerrë trupin e pajetë. Aktualisht policia është duke vijuar hetimet dhe po kryhet ekspertiza për të parë se cili ishte shkaku i mbytjes. Dyshimet e para flasin se Millan Sinjari ka gjetur vdekjen si pasojë e atakut në zemër, megjithëse për një konfirmim të këtij versioni duhet ekspertiza mjekoligjore.
Rihapen hetimet për fëmijën e vdekur në sallën e operacionit
Prokuroria e Tiranës ka rihapur sërish hetimet lidhur me vdekjen në sallën e operacionit të të miturit Almadhi. Vdekja e 11-vjeçarit Denis Almadhi ka ardhur si pasojë e mungesës së ilaçit të njohur me emrin “Dantrolen”. Ky është rezultati përfundimtar i ekspertizës mjekoligjore në një raport të dytë të saj për këtë rast që tronditi mbarë opinionin publik, ku një fëmijë humbi jetën pas një operacioni plastik në sy, vetëm për shkak të mungesës së një ilaçi. Ekspertiza e dytë mjekoligjore konfirmon se “mungesa e këtij medikamenti i ka shkaktuar temperaturë fëmijës duke i sjellë vdekjen”. Denis Almadhi u nda nga jeta pas një operacioni në qepallat e syrit, ndërhyrje në të cilën asistuan edhe mjekë të huaj nga Irlanda. Familjarët e tij denoncuan mjekët në prokurori dhe kërkuan që mjekët të vihen para përgjegjësisë. Grupi i hetimit ka dërguar një letërporosi në Irlandë për të marrë informacion për mjekët që kryen operacionin, nëse ishin apo jo ata të aftë profesionalisht. Letërporosia është dërguar për shkak se ekspertët e mjekësisë ligjore u japin përgjigje 9 pyetjeve të Prokurorisë se nuk kanë të dhëna për kurrikulën e mjekëve irlandeze, për të saktesuar më pas nëse është pamundësi e shkencës diagnostikimi i saktë i fëmijës, apo mjekët nuk ishin specialistët në fushën përkatëse. Ndërkohë për herë të dytë pas ekspertizës së dhjetorit 2012 ekspertët përsërisin së shkaku i vdekjes së fëmijës është hipertermia.