Agron Duka, kandidati për deputet i Partisë Republikane, u kthen përgjigje të gjithë skeptikëve se mund të ketë një dyshim për largimin e tij nga kjo forcë politike, pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një intervistë për “Standard”, zoti Duka tregon pritshmëritë e tij në lidhje me këtë proces zgjedhor, ndërsa nënvizon se e ka pritur me një natyrshmëri kalimin e tij pranë Partisë Republikane. Ai shpreh besimin e tij se në zgjedhjet e të dielës do të sigurojë edhe vota të majta, ndërsa nënvizon se pjesa më e madhe e qytetarëve të Durrësit do të votojnë për personin sesa për partinë. Edhe një premtim për të gjithë votuesit e tij Duka nuk mund ta lërë pa e bërë. Ai u premton qytetarëve se do të jetë zëri i tyre në Parlament, edhe nëse do të jetë në opozitë. Bujqësia do të jetë një prej prioriteteve të tij, por edhe sporti apo fusha të tjera.
Kanë ngelur edhe pak orë nga mbajtja e datës së zgjedhjeve. Çfarë rezultati prisni?
Sigurisht pozitiv. Që në momentin që unë kam marrë vendimin për të qenë pjesë e Partisë Republikane, me statusin e kandidatit, e kam testuar terrenin tim. Rezultatet deri më tani, referuar sondazheve të bëra nga shtabi elektoral, mua më shpallin fitues duke e tejkaluar kuotën për të dalë deputet. Por gjithsesi, është edhe ajo pjesë e elektoratit që nuk është shprehur dhe do të shprehen më 23 qershor me votën e tyre tek numri 45, Partia Republikane.
A e kishit të vështirë që të ishit kandidat i kësaj logoje partie?
Edhe pse është një parti e vogël, unë jam ndier mirë. E kam theksuar edhe më parë që kam pasur marrëdhënie shumë pozitive si me kreun e mëparshëm, të ndjerin Sabri Godo edhe me kryetarin aktual, zotin Fatmir Mediu. Jam pritur mirë dhe sigurisht që edhe unë jam ndier komod. Pra, për mua nuk është e vështirë. Unë kam votuesit e mi, njerëzit e mi, të cilët nuk mendojnë për logo partie, por për përfaqësues të denjë. Këtë e kam treguar para disa viteve, kur unë mbaja postin e ministrit të Bujqësisë (2001-2005), dhe kam bërë shumë punë në interes të komunitetit të Shijakut.
Keni kandiduar si i pavarur i mbështetur nga e majta në 2001, ishit pjesë e PS-së deri dy muaj më parë si dhe hartuat programin për bujqësinë, ndërsa sot jeni në koalicion me të djathtën. Eksperienca politike na ka treguar se shumë deputetë që marrin votat e majta, kalojnë djathtas edhe anasjelltas. Ju do t’i qëndroni besnik këtij pakti të bërë me Mediun? Pra, le t’ua transmetojmë drejt votuesve tuaj, ju do qëndroni në koalicion e djathtë dhe deputet i PR-së?
E kam thënë dhe e ka stërthënë. Ky mandat që do të merret, është i djathtë. Vendimi për të kandiduar për Partinë Republikane ka të bëjë pikërisht me dëshirën për të kontribuar në zonën e Shijakut, të Durrësit, Krujës e Fushë-Krujës si dhe me ftesën e bërë me bujari nga kryetari i kësaj partie, z. Fatmir Mediu. Ndaj për të mos shpërqendruar asnjë votues timin, e them me siguri të plotë se nuk do të largohem nga e djathta shqiptare. Do të gjej të gjitha mundësitë që në qeveri apo në opozitë unë do të jem interlekutori i votuesve të majtë dhe të djathtë.
Domethënë do të merrni edhe vota të majta?
Mendoj që po. Jo vota të majta, por edhe vota që unë i kam kthyer majtas. Në zonën që kam kandidatura unë në 2001, Shijak, ka qenë pjesa dërrmuese e djathtë edhe unë kam marrë vota si Agron Duka nga të majtë e të djathtë, por që mandati im ishte i majtë, kështu që unë do të marr majtas e djathtas për natyrën time dhe kontributin që kam dhënë përgjatë gjithë kësaj kohe.
Sikur sot të ishit deputet, cili do të ishte angazhimi juaj për komunitetin e qarkut të Durrësit?
Bujqësia si një sektor jetik i zhvillimit të zonës e të vendit në përgjithësi do të ketë një vëmendje të veçantë nga unë, në të gjithë hallkat e saj, duke filluar nga ulja e kostos së produkteve bujqësore e blegtorale, rehabilitimi i sistemit ujitës dhe kullues, ndërtimi i tregjeve të reja etj. Në vëmendjen time do të jenë gjithashtu zhvillimet në infrastrukturë, niveli kulturor e mbi të gjitha sportive, rikthimi i traditave në volejboll e futboll, përmirësimi i ambienteve sportive do të rigjallërojnë këtë vend ashtu si dikur kur përballeshim me ekipet më të mira të vendit tonë.