Mashtrimi i zviceranit për 120 mijë euro, akuza rinis hetimet

0
176

Elton Qyno

pensionMarkus Ryffel kërkonte të hapte fabrikë për lëkurët. Petrit Kurti dhe kosovari e gënjyen

 

Gjykata e Tiranës urdhëron prokurorinë të hetojë një kosovar së bashku me Petrit Kurtin dhe Rozeta Kurtin, pasi ata kanë mundur të mashtrojnë një shtetas zviceran, duke i marrë këtij të fundit shumën prej 120 mijë euro. Këtë sasi lekësh tre personat kanë arritur t’ia marrin Markus Ryffelit, duke i premtuar se do t’i blinin një sipërfaqe prej 6 mijë metra katrorësh në zonën e Krujës, ku zvicerani do ndërtonte një fabrikë lëkure, pikërisht në fshatin Budull. Si person që ka dalë garant për gjetjen e truallit ka qenë shtetasi Petrit Kurti, i cili nëpërmjet veprimeve të tij ka gjetur një truall, që sapo ishte blerë nga shtetasi Habib Ceni, i cili e kishte blerë me një çmim prej 4 mijë euro, 10 ditë para se t’ia shiste Petrit Kurtit me 40 euro metri katror. Çmimi i ka pëlqyer dhe shtetasit zviceran i cili pasi ka folur me Petrit Kurtin ka vendosur të dërgojë nga Zvicra shumën prej 120 mijë euro. Mirëpo me këto lekë Kurti e ka blerë 6 mijë metra katror me çmimin 90 mijë euro, dhe se pjesa tjetër 30 mijë euro nuk dihet se çfarë destinacionioni ka pasur. Duke mos u mjaftuar me kaq, Kurti ka vijuar më tej duke e regjistruar pronën në emër të shtetasit kosovar Gëzim Gjoka, pasi shtetasi zviceran ka njohje me këtë të fundit dhe se së bashku kishin rënë dakord të blinin truallin. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se shtetasi zviceran është ndodhur mes një mashtrimi duke mos arritur të marrë as lekët e dhëna, apo tepricën prej 30 mijë euro. Në këto kushte ai i është drejtuar prokurorisë me një kallëzim, por organi i akuzës ka vendosur pushimin e çështjes. Ndërkohë që nëpërmjet avokatit, Ryffel, është ankuar në gjykatë, duke bërë që kjo e fundit të kthejë dosjen sërish për hetim në prokurori, duke i lënë kësaj të fundit detyra konkrete.

Mashtrimi i zviceranit

Pala kërkuese pretendoi se ka bërë kallëzim për faktin se kallëzuesi i cili ka pasur njohje me të quajturin Gëzim Gjoka shtetas kosovar ka realizuar disa aktivitete biznesi në Shqipëri, ku ka bashkëpunuar me shtetasin Petrit Kurti. Ky i fundit ka marrë përsipër që t’iu blejë një tokë në fshatin Budull të Krujës, kallëzuesit dhe Gëzimit duke iu ofruar si çmim 40 euro për m2. Markusi i bindur se kjo tokë me sipërfaqe 6000 m2 do të blehej në bashkëpunim me Gëzimin ka rënë dakort që të dërgonte 1/2 e vlerës së tokës në adresë të Petritit dhe ky i fundit pasi të merrte nga secili, pra nga Markusi 120,000 euro dhe nga Gëzimi 120,000 euro do të blinte tokën në emër të të dy dërguesve të parave. Rezulton se Markusi i ka dërguar Petritit shumën 120,000 euro nëpërmjet bankës “Reiffeisen sh.a.” dhe Petriti ka blerë 6000 m2 tokë në Budull në 28 dhjetor 2007 me vlerë 90.000 euro duke e blerë këtë me emrin e tij, pra Petrit Kurti, nën preteksin se nuk lejohej që toka të blihej nga shtetas të huaj. Me veprime të dyshimta dhe fiktive, Petriti mundohet të justifikojë se toka është e Markusit megjithëse ai në bashkëpunim me Gëzimin e ka hipotekuar atë në emër të Gëzimit. Petriti s’kishte asnjë autorizim që ta blinte tokën në emrin e tij me paratë e Markusit. Nga paratë e dërguara pra nga 120,000 euro u harxhuan vetëm 90,000 euro dhe diferenca prej 30,000 euro nuk iu kthye asnjëherë Markusit ndonëse kanë kaluar gati 6 vjet nga ajo kohë. Petriti sipas dokumenteve e ka blerë këtë tokë nga i quajturi Habib Ceni, por ka të dhena se ky person 10 ditë përpara se t’ia shiste Petritit tokën, e ka blerë me një çmim qesharak, 4000 euro.

Vendimi i gjykatës

 

Në këndvështrim e gjykatës kërkohet të hetohet dhe në lidhje me marrëveshjen e dt. 17 janar 2008 të përpiluar mes Habib Ceni shitësi i tokës dhe Hamid Bakalli si dhe blerësit Petrit Kurti, sipas të cilës rezulton ndër të tjera se nga bisedimet e zhvilluara me shtetasit e huaj Markus Ryffel dhe Gezim Gjoka është rënë dakort në dhjetor të 2007 që toka arë prej 6,000 m2 që ndodhet në Budull Krujë, do shitej me çmimin 40 euro m2 dhe sipas kësaj marrëveshje në pikën tre pala blerëse ka paguar më datën 24 dhjetor 2007 shumën prej 33,000 euro dhe me 8 janar 2008 shumën 85,000 euro. Të verifikohet toka arë objekt shitblerje sipas shënimeve në ZVRPP nëse ka shitblerje të mëparshme në lidhje me të dhe në ç’kohë janë bërë ato në raport kohor me kontratën e shitblerjes dhe me çfarë çmimi. Të pyetet shtetasja Rozeta Kurti që ka marrë pjesë në kontratën e huasë në lidhje me këtë fakt dhe pse ajo ka dalë dorëzanës në huamarrjen prej 110,000 euro të marrë nga shtetasi Petrit Kurti prej shtetasit Gëzim Gjoka dhe arsyen nëse kjo kontratë është fiktive sipas pretendimeve të Petritit, pra pse është hartuar. Po ashtu të hetohet fakti se në ç’mënyrë i kallëzuari Petrit Kurti kishte menduar ta kthente pronën në emër të shtetasit Markus Ryffel duke qenë se shtetasve të huaj nuk u lejohet të blejnë tokë bujqësore sipas ligjit shqiptar.

 

Orgest Milo, në gjendje të dehur hyn në PS

Iku nga ambientet e komisariatit nr. 1,

arrestohet në hollin e Partisë Socialiste

 

Nuk janë mbushur 24 orë nga arratisja prej ambienteve të komisariatit nr. 1 në Tiranë e shtetasit Orgest Milo, i akuzuar për vjedhje automjetesh. 29-vjeçari është kapur nga forcat e policisë së Tiranës në afërsi të Partisë Socialiste, ku një përfaqësues i Partisë Socialiste ka telefonuar sallën operative dhe ka treguar se në oborrin e kësaj partie ndodhej një person i dehur dhe problematik. Orgest Milo, u arrestua dy ditë më parë në flagrancë duke vjedhur një makinë. Më pas u shoqërua në ambientet e komisariatit për t’u marrë në pyetje ku dhe arriti të realizojë një arratisje spektakolare nga qelitë e Komisariatit numër 1, duke u hedhur nga kati i dytë i godinës. I arratisuri rreth orës 13:30 ka shkuar në selinë e PS-së dhe është shtrirë në holl. PS ka njoftuar policinë e cila më pas e ka arrestuar. Më pas ai është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në momentin e arratisjes policia ka qenë duke marrë në pyetje 29-vjeçarin lidhur me vjedhjen e makinës dhe armën që iu gjet në banesë në momentin e arrestimit, dhe për këtë arsye i ka hequr prangat. Por Orgest Milo ka përfituar nga një moment kur efektivët e policisë janë larguar pak, dhe është hedhur nga kati i dytë i komisariatit. Ai është larguar me shpejtësi duke mos u arritur të ndalet edhe nga efektivët e policisë që qëndronin tek dera. Nisur nga kjo situatë, ndaj policëve që u ishte besuar Orgest Milo, është marrë masa administrative.

 

Pranga të miturit vidhte në rrugë nëpërmjet thikës

 

Me një thikë kërcënonte dhe vidhte celularë. Dhe këtë e ka bërë një 15-vjeçar, T. M, lindur dhe banues në Has, Kukës. Siç njofton policia, kapja e tij u bë dy ditë më parë, datë 18, rreth orës 23:00 në Tiranë nga autopatrulla “Shqiponja” e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Dyshohet se ky shtetas nën kërcënimin e një thike i ka vjedhur celularin dy shtetasve. U kryen veprimet e para hetimore e proceduriale, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”. Pritet që në ditët në vijim i mituri të dalë para gjykatës së kryeqytetit për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

 

 

Gjendet i dekompozuar në Tufinë një person

Një i ri është gjetur i vdekur pranë urës së Gjërosës në Tufinë. Trupi i personit është gjendur në gjendje të dekompozuar, pasi sipas policisë mund të ketë një javë që ka ndërruar jetë. Menjëherë pas raportimit të rastit, polumbarët kanë arritur në vendin e ngjarjes, por ende nuk e kanë nxjerrë trupin e viktimës. Aktualisht pritet që në vendin e ngjarjes të mbërrijnë ekspertët e mjekësisë ligjore, për të nxjerrë shkaqet e vërteta të ngjarjes. Ndërkohë që ende nuk dihet identiteti i viktimës. Sipas forcave blu, ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet që kanë çuar në mbytjen e këtij personi. Ndërkaq, policia e Tiranës po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dhe hetimin e shkaqeve të mbytjes.

 

Minoreni nga Tirana mbytet në rezervuar

Një fëmijë 10 vjeç ka humbur jetën pasi ka hyrë të lahet në rezervuarin e fshatit Tregtan. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur për Neës24 se fëmija me inicialet N. K. banonte në Tiranë dhe kishte shkuar me pushime tek të afërmit në Tregtan. Vogëlushi i shoqëruar nga kushërinjtë i janë drejtuar rezervuarit të fshatit për t’u freskuar në këto ditë ku temperaturat e nxehta kanë kulmuar në mbarë vendin. Sapo 10-vjeçari është futur në ujë, të afërmit kanë vënë re se nuk po dilte nga uji. Ata kanë ndërhyrë me shpejtësi dhe kanë mundur të tërheqin trupin e 10-vjeçarit nga rezervuari. Pavarësisht ndihmës së parë, mësohet se N. K. mbërriti i pajetë në spitalin e Kukësit.