Ina Jano
Kryeministri, qytetarëve: Ju jeni krenaria ime. Të besosh defterët e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut është si të besosh defterët e Don Kishotit dhe Sanço Panços
Kamza, një nga qytetet më të mëdha në vend, priti dje demokratët për të mbyllur fushatën elektorale. Kreu i selisë blu, nga ky qytet, u shpreh se Rama është një gënjeshtar i lindur dhe po ashtu i pabesë. “Ju bëj thirrje që të bisedoni me çdo të njohur tuajin dhe mos lejoni veten, as edhe një i vetëm, të mashtrohet nga një njeri, i cili do të mbetet në memorien e politikës së pari, si gënjeshtar i lindur, si një njeri që gënjen në çdo gjë dhe së dyti, si njeriu që në çdo tribunë është i detyruar të betohet se nuk do të tradhtoj kurrë, pasi është simbol i pabesisë më të madhe njerëzore, në çdo gjë”, – deklaroi kreu i qeverisë. Ai bëri deklarata edhe më tej, duke iu referuar programit të PS-së për legalizimet dhe ato që kryesocialisti ka premtuar. “Ai erdhi këtu dhe kishte veshur lëkurën e qengjit. Kishte marrë për dëshmitar një profesionist të dëshmisë së rreme dhe u tha se shtëpitë do t’jua legalizojmë falas. Pse e tha këtë? E tha këtë që nesër t’ju thotë unë e bëj, por s’më lë gjykata. Erdhi këtu dhe u betua – s’ju kam thënë kurrë cecenë, shpellarë. Harroi benë’ dhe dje u thoshte që jeni shpellarë në shpellën e Saliut, që dilni nga shpella e Saliut. Po e them këtu – ju jeni krenaria ime dhe këta janë burrat, gratë, zonjat dhe zotërit e shtëpive, kanë qenë në shtëpi dhe janë, këtu e 300 vjet apo 500 vjet të shkuara dhe nuk ka nevojë tu tregosh ti shpellën. Sa i përket qëndrimit ndaj tyre, në qoftë se një banor i Kamzës, Kodër Kamzës, i Paskuqanit tregon vetëm një të mirë që u ka bërë 11 vjet, përveç përçmimit, Edvin Kristaq Rama, atëherë le ta besojnë. Unë e di se ju keni pasur probleme me pagesën. Ne kaluam pagesën e 70-80 për qind të të gjithë vlerës në letra me vlerë. Ne e bëmë këtë se sigurisht kjo do të thotë 3-4 herë më lirë për ju, por do të thotë, gjithashtu, që edhe qytetarëve të tjerë që u kanë mbetur në xhep letrat me vlerë, të marrin edhe ata diçka. Kjo është e ligjshme. Kjo ka kuptim. Të besosh defterët e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut është si të besosh defterët e Don Kishotit dhe Sanço Panços. Ndaj dhe kërkesa ime, lutja ime vëllazërore për secilin prej jush që jeni këtu është që të bisedoni me çdo njeri, me çdo komshi, me çdo fis, të njohur, të afërm dhe ti shpjegoni se do të ishte gabim fatal ti falësh votën një njeriu, i cili për ju ka vetëm e vetëm përçmim dhe mashtrime”, – shtoi lideri demokrat. Sipas Berishës, Rama dhe pse drejtoi 11 vjet me radhë Bashkinë e Tiranës nuk vlerësoi kurrë banorët e Bashkisë së Kamzës. Sipas Berishës, do të ishte gabim fatal që vota e Kamzës të shkojë në favor të PS-së. “Ndaj kërkesa ime vëllazërore për secilin që jeni këtu do bisedoni për çdonjërin prej jush, me çdo të afërm dhe t’i shpjegoni se do ishte gabim fatal që ti falin votën një njeriu që për ju ka vetëm përçmim dhe mashtrime. Ju bëj thirrje më 23 qershor të ftoni çdo mik, çdo shok, çdo mikeshë, çdo krushqi, çdo të afërm, pavarësisht bindjeve politike se me ne është 100 herë më afër, sesa me njeriun i cili 11 vjet kryetar bashkie nuk pati zemër të bëjë qoftë dhe aktin më të vogël miqësor ndaj jush që erdhët dhe ngritët këtu një qytet madhështor. Bashkohuni me ne dhe mos harroni se njeriu që erdhi këtu me lëkurë qingji është njeriu që bllokoi integrimin në Bashkimin Evropian”, – tha ai.
Basha: Tapitë në Tiranë brenda 30 shtatorit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, premtoi në mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike në Kamëz se “Xhelal Mziu dhe Lulzim Basha me ndihmën e Kryeministrit Sali Berisha, do të sjellin tapitë e çdo shtëpie në Tiranë, Kamëz dhe gjithë qarkun e Tiranës brenda 30 shtatorit”.
Duke vlerësuar si “projektin më të mirë urbanizimin e Kamzës”, kryebashkiaku i Tiranës tha: “Do ta vazhdojmë, pasi kemi mbështetjen e Kryeministrit Berisha” dhe njoftoi projektin e ri për fillimin e kredisë për punësimin, ku do të përfshihen banorët e Kamzës dhe të rinjtë. “Do të çlirojmë garancinë për kredi deri në 5 mijë euro për të rinjtë e Kamzës”, – tha mes të tjerave kryebashkiaku i Tiranës, Basha. Duke iu referuar mitingut të Partisë Socialiste së fundi në Kamëz dhe premtimit të kreut Edi Rama për legalizimin e banesave aty, kryebashkiaku i Tiranës, Basha, tha: “Ish-kryetari i Bashkisë, i vetëdijshëm se nuk i pi më ujë fjala dhe askush nuk i beson më, firmosi një copë letër, por ju më mirë se kushdo e dini mirë se burri vlerësohet nga veprat, jo nga fjalët”. Duke u shprehur për Edi Ramën, që “në 11 vjet në krye të bashkisë, dëshmoi se nuk i mbajti premtimet”, Basha kujtoi se si ish-kryetari socialist “banorëve të Bregut të Lumit jo vetëm që u çoi fadromat, por u prishi banesat disave, të cilët i kishin në proces legalizimesh, nuk shtroi asnjë metër rrugë të vetme në lagjet e banorëve të ardhur, sepse i përbuzi”. Duke e quajtur modelin si kryebashkiak të Edi Ramës, “model të skaduar”, Basha u shpreh: “Këtë model, që Tirana e refuzoi në 8 maj 2011 si prodhim i skaduar, të cilit i ka kaluar çdo afat i mbrojtjes së konsumatorit dhe që nuk e hëngri Tirana, sot nuk e ha Kamza dhe gjithë Shqipëria”. Ndërsa tha se “Edi qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u kërkoi banorëve të Kamzës që të votojnë alternativën e provuar të shërbimit me Kryeministrin Berisha. “Të votojnë nr. 44 për planin tonë konkret, për zhvillimin, rritjen e punësimit, integrimin në BE. Duke u thënë “ndal” zullumeve të bojkotit, ne do të vazhdojmë rrugën për t’u bërë anëtarë të BE-së”, – tha Basha
Takimi
Kongresmeni amerikan: SHBA vlerëson rolin stabilizues të Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha priti një grup investitorësh të huaj të kryesuar nga kongresmeni William Alexander. Kongresmeni William Alexander e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen në këtë kohë kaq të ngjeshur të angazhimit të tij elektoral, ndërsa e përgëzoi për rezultatet e arritura nga qeveria e tij, për integrimin Evropian dhe zhvillimin shoqëror e politik të vendit. Ai tha se në SHBA, vlerësohet lart roli stabilizues i Shqipërisë në rajon si dhe përparësimi që ajo ka bërë në ekonominë e saj konfirmuar kjo edhe nga rezultatet e Shqipërisë në këtë kohë krize. “Ne jemi këtu në Shqipëri, së bashku me përfaqësues të grupeve të njohura të biznesit për t’iu paraqitur juve projektet tona, të përgatitura pas një konsultimi të kujdesshëm dhe transparent në shumë fusha të vendit, por veçmas në transport për portin e Vlorës, në energjetike dhe sektorë të tjerë”, – u shpreh kongresmeni William Alexander. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i kompanisë De Elche inc.co z. Stojan Bakalov, i cili i prezantoi shefit të qeverisë projektet e grupeve për financimin e portit të kontejnerëve të Vlorës, si dhe skema të tjera financiare për projekte në energjetikë dhe ego-turizëm. Zoti Berisha falenderoi kongresmenin Willliam Alexander dhe përfaqësuesit e kompanive që e shoqëronin, për vlerësimet e bëra për ekonominë shqiptare, si dhe besimin që tregojnë ndaj saj duke propozuar që të investohet në të. Ai garantoi mbështetjen që qeveria shqiptare do ti bëjë edhe në të ardhmen investimeve të huaja dhe atyre vendase me të njëjtin përkushtim dhe me intensitet edhe më të lartë.
PD
Bogdani: Në SHBA ka nisur hetimi për Ramën
Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani, shprehet se në SHBA ka nisur një hetim për pastrim parash ndaj kreut të PS-së Edi Rama. Sipas tij, Rama po vazhdon të fshehë të vërtetën. Bogdani nënvizoi se kongresmeni Dana Rohrabacher ka kërkuar nga FBI të hetohet burimi i parave që janë përdorur për të siguruar fotografinë që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama bëri me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar. “Është koha që Rama t’u përgjigjet disa pyetjeve. Akuza për pastrimin e parave nuk është qesharake. Rama ka shkelur ligjin zgjedhor të SHBA-së”, – përfundoi ai.