Reagimi Malaj, Ramës: Kujdes, pabesia dhe qeveritë e shokëve urrehen nga vlonjatët

0
155

Gëzim Saliu

arben malajKandidati i pavarur: Vlonjatët do votojnë kundër dëshirës për karrige

 

Kandidati i pavarur në Qarkun e Vlorës, Arben Malaj, reagon pas sulmeve dhe akuzave të kreut socialist Edi Rama, duke theksuar se pabesia dhe etja për karrige janë virtyte që urrehen nga qytetarët vlonjate. Sipas Malaj, deklaratat e dy ditëve më parë të kreut socialist ne emisionit “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji, janë në kundërshtim me frymën për një fushatë pozitive. “Shqiptarët meritojnë rotacionin. Vlora duhet të jetë modeli dhe suksesi i së majtës. Listat dhe qeveritë e shokëve dhe të miqve e dëmtojnë Vlorën dhe Shqipërinë. Vlonjatët e vlerësojnë miqësinë dhe e urrejnë pabesinë, si në rastin e Kushtetutës dhe atë të listave të minutës së fundit. Vlonjatët e duan pavarësinë dhe e urrejnë nënshtrimin, e duan lirinë dhe i kanë rrëzuar diktaturat. Vlonjatët kanë bërë histori duke u përkushtuar dhe jo duke u zvarritur”, – tha Malaj.

Deklarata

Për Arben Malajn, politika është mision ndaj vendit dhe jo ndaj miqve personalë e në këtë kontekst sipas tij, në qarkun e Pavarësisë do të votohet për ndryshimin. “Mençuria, trimëria dhe sinqeriteti janë shpirti dhe historia e tyre, pabesia dhe djallëzia, kurrë s’kanë hedhur rrënjë në Vlorë. Vlora më ka dhënë pavarësinë dhe krenarinë, unë dashurinë dhe përkushtimin. Politika është mision ndaj vendit dhe jo ndaj miqve personalë. Jam i sigurt, në qarkun e Pavarësisë do të votohet për ndryshimin, do të votohet për ta vrarë frikën, do të votohet jo për karriget, por për përgjegjësitë tona. Mirënjohja ime ndaj tyre do të jetë e përhershme dhe e sinqertë”, – tha kandidati i pavarur. Më tej, Malaj ka kërkuar që vlonjatet të votojnë me zemër dhe jo me urdhër partie. “Të dashur votues të vendit tim! Merrni pjesë në votime, votoni të lirë. Kush shet votën, blen varfërinë. Votoni me zemër dhe jo me urdhër partie. Votoni kundër listave të kryetarëve dhe mbështesni më të mirët në çdo qark të Shqipërisë. Ta nxjerrim Shqipërinë nga ngërçet, grindjet dhe krizat. Ta shpëtojmë Shqipërinë nga gremina e krizës ku po na çon qeverisja e dështuar Berisha. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike meritojnë një të ardhme më të mirë”, – theksoi në deklaratën e tij Malaj. Dy ditë më parë, në një intervistë në “News 24” në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji, kreu socialist Edi Rama sulmoi të gjithë të larguarit nga Partia Socialiste e veçanërisht kandidatin e pavarur Arben Malaj. Sipas lidershipit të socialistëve, me kandidimin e tij në qarkun e Vlorës si i pavarur, Malaj dëmton Partinë Socialiste. “Ai kërkon votë jashtë Aleancës për Shqipërinë Evropiane ajo shkon për Saliun, kjo dihet.Arben Malaj nuk e meritonte të ishte pjesë e skuadrës sonë kombëtare dhe nuk u bë. Tani kërkon votat e socialistëve që dalin jashtë koalicionit dhe i shërbejnë Saliut. Kjo është të shkosh dhe të dalësh kundër. Arben Malaj është tradhtar dhe kaq, të tjerat janë çështje të tjera”, – tha kreu i PS-së Edi Rama.

 

Krujë

Rama: Qyteti i Skënderbeut do të vendoset në mbrojtje të posaçme

Në mitingun përmbyllës së fushatës elektorale në qytetin e Krujës, kreu socialist Edi Rama akuzoi qeverinë se ka shkatërruar djepin e kulturës së historisë Shqiptare për qëllime përfitime partiake. “A e parafytyroni sikur Kruja dhe Skënderbeu të ishin pasuri e një vendi fqinj se çfarë kujdesi, se çfarë promovimi dhe se çfarë rëndësie do ti kishin kushtuar. E pra ne e kemi Krujën, Kruja është e shqiptarëve dhe Skënderbeu është i shqiptarëve, dhe turpi ku është katandisur kjo vatër e historisë së Shqipërisë dhe djep i historisë së Shqipërisë, është turp i atyre që pushtetin e popullit e kanë kthyer në një fuqi për të gllabëruar gjithçka që i del para. Atë që Saliu i ka bërë Krujës nuk ja kanë bërë dy sulltanë dhe tre rrethime. Ata çka ka bërë Saliu, duke hapur zgavra për të marrë gëlqere dhe duke e gërryer me fabrika nuk mund t’ia bënte asnjë pushtues”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu socialist premtoi se me ardhjen në pushtet, PS do të marrë në mbrojtje të posaçme qytetin dhe do investojë siç investohet për çdo pasuri kombëtare. “Çfarë rëndësie ka tesera që ke në xhep është e PD, ku Berisha e ka kthyer partinë në partinë e familjes,dhe ka rrënuar Krujën. Do e vendosim Krujën nën një mbrojtje të posaçme dhe do investojmë siç investohet për një pasuri kombëtare, kështu do rrisim mundësinë për punësim dhe turizëm në Krujë. Kruja është qytet i bekuar, mos e tradhtoni duke votuar ata që kanë 8 vjet që ja punoi Krujës pabesinë e madhe të shkatërrimit dhe rrënimit të vazhdueshëm. mos e tradhtoni duke votuar që firmosin ndërtimin e guroreve dhe gllabëruar gurët e shenjtë të një shëtitore. Mos e tradhtoni Krujën duke i thënë votë atyre që e kanë kthyer këtë zonën në vendin ku digjen goma, ku prodhohet gëlqere dhe sëmundje për njerëzit e këtij vendit. Me votën ndaj PS do keni një qeveri që do e konsideroi Krujën vend të shenjtë të historisë për ti dhënë Krujës shkëlqimin e humbur në gjithë këto vite barbarie korrupsioni dhe rrënimi”, – deklaroi kreu i PS-së Edi Rama.

 

 

Kreu i PS-së: Fitoren do ta festojmë kur të përfundojë i gjithë procesi

Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje takime përshëndetëse me banorët e kryeqytetit, ku krahas bindjes për fitoren në 23 qershor, bëri thirrje ndaj qytetarëve që festimet ti shtyjnë deri në përfundimin e plotë të procesit. “Me shumë mirënjohje për gjithë përpjekjen tuaj, duke ju siguruar që gjithë ky mund i madh dhe gjithë kjo energjie e derdhur do të sjellë rilindje për vendin tonë dhe shoqërinë tonë, unë dua t’ju garantoj po ashtu që qysh tani duket qartë që fitorja është e jona. Por fitoren do ta festojmë vetëm kur të përfundojë i gjithë procesi dhe kur gjithçka do të ketë marrë fund. Deri atë moment ne do të bëjmë me mundim dhe me pasion punën që kemi marrë përsipër karshi njerëzve dhe karshi vendit”, – theksoi Rama në njësinë numër 1 në Tiranë.

 

Kreu i LSI-së

Meta: Do zgjidhim rimbursimin e TVSH-së me rimbursim automatik

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vizituar dje një fabrikë që prodhon tulla në fshatin Maminas, ku në bashkëbisedimin e zhvilluar me investitorët dhe punonjësit e pranishëm, ai bëri të ditur se forca që drejton të zgjidhë një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së. “Do të zgjidhim një herë e mirë edhe çështjen e rimbursimit të TVSH-së që është kthyer në një dramë për të gjitha këto aktiviteti dhe për biznesin në përgjithësi. Kjo problematikë vështirëson ecurinë normale dhe rritjen e atyre aktiviteteve dhe rritjen e eksporteve. Prandaj ne angazhohemi për të zgjidhur çështjen e rimbursimit përmes rimbursimit automatik sepse vështirësitë e mëdha që vijnë në këtë drejtim, që nga rimbursimi i akcizës për lëndët djegëse që përdoren si lëndë të para për këtë industri prodhuese, që nga rimbursimi i TVSH-së për eksportet etj, përbëjnë pengesa mjaft serioze të cilat vënë në vështirësi frymëmarrjen dhe funksionimin efikas të këtyre aktiviteteve, të cilat janë aq jetike për rritjen e prodhimit në vend, për rritjen e eksporteve, për punësimin dhe për të pasur një ekonomi konkurruese, një ekonomi të shëndetshme, një ekonomi që gjeneron zhvillim për të gjithë shoqërinë dhe ekonominë tonë kombëtare”, u shpreh Meta. Sipas kreut të LSI-së, duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të nxitur biznesin dhe për të ndihmuar hapjen e vendeve të reja të punës. “Për LSI është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë, prandaj edhe në të ardhmen do të jetë një prioritet i yni jashtëzakonisht i rëndësishëm mbështetje e biznesit. LSI është e bindur se me një mbështetje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë së ardhshme, jo vetëm do të ruhen vendet e punës, por do të mund të shumëfishohen, duke u zgjeruar këto aktivitete, duke realizuar cikli i plotë i këtyre aktiviteteve në vend dhe në mënyrë të veçantë, duke rritur eksportet shqiptare drejt vendeve të tjera dhe në radhë të parë drejt vendeve të BE-së”, – theksoi Meta.

 

Dështimi i sistemit elektronik

PS padit KQZ-në: U shkaktua dëm në vlerën 2 milionë dollarë

Partia Socialiste dorëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës një padi penale ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dëm ekonomik në lidhje me dështimin e projektit për sistemin elektronik të verifikimit të kartave të identitetit në qarkun e Tiranës. Nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, Koli Bele, theksoi se ky proces po cenon standardin e zgjedhjeve dhe se dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 2 milionë dollarë. “I bëjmë thirrje prokurorisë të ndjekë me objektivitet dhe paanësi jo vetëm për shpërdorimin e detyrës nga katër anëtarët e KQZ-së, si dhe administrata partiake në shërbim në KQZ, edhe për vepra të tjera potenciale siç mund të jenë aferat korruptive që kanë të bëjnë me fshehjen apo korrupsionin e zyrtarëve publikë apo dhe shtetasve të tjerë qofshin persona fizikë dhe juridikë. Saktësojmë se dëmi ekonomik është pothuajse 2 milionë dollarë në këtë fazë. Më shumë se dëmi ekonomik kemi të bëjmë me cenimin e standardeve zgjedhore duke mos respektuar detyrimet ligjore”, – tha Bele.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency