Harry Bajraktari
Në zgjedhjet e 23 qershorit, historia e suksesit të Shqipërisë do të konfirmohet. Votuesit shqiptarë janë të vetëdijshëm se hapat që ka kapërcyer Shqipëria për 8 vjet me Kryeministrin e saj Sali Berisha, mund të krahasohen me të arriturat e një shekulli. Për tetë vjet Shqipëria arriti diçka masive që as optimistët më të mëdhenj nuk kanë mundur ta parashikojnë. Dr. Sali Berisha, njeriu më karizmatik në përmbysjen e komunizmit në Shqipëri në vitet ‘90 hapi vendit të tij perspektivën evropiane dhe faktorizimin e shqiptarëve në rajon.
Sot, Kryeministri Berisha duhet ta vlerësohet në bazë ta asaj se çka ka bërë dhe çka mund të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse votuesit do t’ i hedhin një sy Shqipërisë para tetë vjetësh dhe do ta krahasojnë me Shqipërinë e sotme- projektet e tij në mënyrë masive duhet të mbështetën me votën qytetare të 23 qershorit. Një mandat i tretë i Berishës, për Shqipërinë do të thotë një vazhdim i lulëzimit të saj nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.
Të arriturat e Shqipërisë sot janë të pakrahasueshme. Nuk mund t’ i kontestojë askush, e aq më pak Partia Socialiste që i frikësohet shumë suksesit të saj. Ndërtimi i rrugëve moderne gjithandej vendit dhe lidhja e rajoneve në mes veti, që deri dje ishin të izoluara, është fitorja më e madhe për qytetarët e saj dhe për jetën e tyre. Ideja e tij për ndërtimin e Rrugës së Kombit, si parakusht për afrimin dhe bashkimin fizik e shpirtëror të shqiptarëve të Shqipërisë me ata të Kosovës është kontributi më i madh që ka njohur historia shqiptare.
Gjatë një vizite me mikun tim të ngushtë, kongresmenin Eliot Engel në Shqipëri, vizituam pos tjerash, edhe Rrugën e Kombit, që ishte e përfunduar. Me këtë rast u ndalem edhe tek Tuneli i Kalimashit. Aty ishin tubuar shumë gazetarë shqiptarë e të huaj. I gëzuar nga puna që ishte bërë, jo vetëm në Rrugën e Kombit, por në gjithë Shqipërinë, Eliot Engel pat thënë: “I vizitova disa pjesë të Shqipërisë, pashë rrugë të reja, ura gjigante, një zhvillim dinamik gjithandej këtij vendi Ballkanik. Kur i pashë të gjitha këto, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha më kujtoj Presidentin e SHBA Eisenhower, i cili porsa u zgjodh president, vendosi të ndërtojë autostrada për ta lidhur Amerikën me rrugë të reja, si parakusht për zhvillimin ekonomik. Për mua Kryeministri Dr. Sali Berisha, është Eisenhoweri i Shqipërisë së sotme.”
Me Rrugën e Kombit Kryeministri Berisha dhe me lidhjen e Tiranës përmjet tunelit të Qafë Kërrabës me Elbasanin dhe pastaj me Maqedoninë dhe shqiptarët e atjeshëm, faktikisht ka realizuar projektin e bashkimit të shqiptarëve. Me votën e 23 qershorit- Berisha fillon ndërtimin e rrugës Malësi e Gjakovës- Shkodër, që do të afrohen edhe më shumë dy anët e Bjeshkëve të Nemuna dhe me shqiptarët e Malit të Zi. Gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së Berishës, papunësia në Shqipëri u zvogëlua disa herë që ishte e keqja më e madhe. Të ardhurat kombëtare për kokë të banorit u rritën bashkë me standardin e përgjithshëm të qytetarëve.
Ai vendosi taksat më të ulëta të mundshme, në mbështetje të zhvillimit të bizneseve të shumta private. Rritja e vazhdueshme ekonomike e Shqipërisë, madje dyfishore në kohën kur Euro-Zona po përballet me krizën, flet për projektet makro-ekonomike, për planifikim real e të drejtë të këtij strategu të Shqipërisë moderne.
Kryeministri Berisha ishte shumë i suksesshëm në bashkëpunimin me vendet evropiane, me SHBA dhe me vendet tjera të botës. Në këtë kontekst, duhet theksuar posaçërisht tërheqjen e investitorëve të huaj brenda Shqipërisë. Në fakt Shqipëria ishte vendi më i suksesshëm në rajon, sa i përket investimeve të kapitalit të huaj. Një vend që kishte vuajtur aq shumë nga izolimi, sot u bë vendi më atraktiv për të huajt. Shqipëria po bëhet e njohur për zhvillimin e turizmit dhe, viteve të fundit, këtij vendi bregdetar ia mësynë mijëra turistë të huaj. Deti shqiptar, për të cilin Berisha, thotë se do të bëjë një mrekulli masive për të huajt dhe shqiptarët nga të gjitha trojet, është një shtytës më i madh që qytetarët duhet ta kujtojnë atë ditë kur ta hedhin votën e tyre në kuti.
Cilat janë sukseset tjera më të mëdha të Shqipërisë?
1. Hyrja e saj në NATO, është njëra ndër të arriturat më të mëdha historike në vendet e rajonit. Përfshirja në Aleancën Atlantike nuk është vetëm vlerë për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e NATO-s. Ushtarët shqiptarë sot marrin pjesë në ruajtjen e paqes në anët e ndryshme të botës.
2. Shqipëria arriti, që për një kohë të shkurtër, të marrë liberalizimin e vizave, ku sot qytetarët e saj lëvizin lirshëm nëpër vendet e euro-zonës, duke mënjanuar rreshtat e gjatë para dyerve të ambasadave.
3. Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, qe si parakusht për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe, të mos ishin bllokadat nga Partia Socialiste, nga destruktiviteti i udhëheqjes së saj, ky proces integrues do të fillonte qysh në vitin e kaluar!
4. Rritja e sigurisë ka bërë që të shtohet edhe besimi tek investitorët e huaj dhe vizitat e të huajve në Shqipëri, që njihet për bukuritë e rralla natyrore.
Nën qeverisjen e Sali Berishës, Shqipëria arriti një zhvillim të mirëfilltë të demokracisë, ku u miratuan ligje të standardeve evropiane dhe, në këtë kontekst, u inkorporuan në të gjitha mekanizmat e sistemit demokratik e qytetar.
Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld në vizitën e tij të përfunduar para pak ditësh në Shqipëri, Kryeministrin Berisha e quajti aset të çmuar, jo vetëm për kontributin e tij të madh në zhvillimin e Shqipërisë, por edhe për energjinë që pat për tu përballur me të gjitha sfidat e mundshme.
Sukseset e Dr. Sali Berishës nuk janë të rastësishme. Ai nuk është vetëm udhëheqës e projektues i një Shqipërie moderne, por edhe një intelektual i rrallë që ka populli shqiptar. Qe çka thotë në një rast:” Në Shqipëri dhe në shumë vende, presidenti Reagan është një idhull për qëndrimet e tij antikomuniste dhe unë kisha librat e tij. Në vargun e tyre kisha edhe një libër të vogël për ekonominë.” Dr. Berisha ka shfletuar çdo gjë të vlefshme për të qenë ky që është sot.
E djathta përfaqëson vetëm progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe këtë kryevepër, do ta çojë përpara Kryeministri Sali Berisha me vizionin e tij për një Shqipëri Evropiane. Dr. Sali Berisha përmjet vazhdimit të reformave ekonomike do të bëjë të mundur që rroga mesatare në Shqipëri të jetë 350 dollarë. Në këtë kontekst përmenda vetëm disa nga sukseset e arritura të Shqipërisë për këto tetë vjet. Këto të mira materiale e demokratike të Shqipërisë po i ndjejnë të gjithë qytetarët. Për të gjitha këto që i theksova dr. Berisha meriton të zgjidhet prapë Kryeministër. Për të flasin veprat, e jo fjalët boshe të pretendentëve për ta marrë pushtetin.
Pra, më 23 qershor, qytetarët e Shqipërisë, jam i bindur se do të votojnë në bazë të asaj se çka ka bërë dhe çka mund të bëjë Kryeministri Sali Berisha, që ta ketë edhe mandatin e tretë për një Shqipëri të begatshme, demokratike dhe të integruar në Bashkimin Evropian.
* Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.